14/10/2024

Arbëria mbeti pa frymën e kryeheroit që e mbante në këmbë lirinë dhe pavarësinë

0

Me rastin e përvjetorit të 555 të vdekjes së kryeheroit të Arbërisë Gjergj Kastrioti Skënderbeut

Nga Gjon Keka

Kur shkruaj për epokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shpesh më shkon mendja tek lavdia e antikitetit, saqë kjo epokë e tij edhe kur shkruajm sot në kohën moderne na rizgjon atë zellë e lavdi e që ne emrin e tij u bë epokë erëmirë për Arbërinë dhe Europën.

Pjesën e historisë të lindjes së Gjergj Kastriotit dhe më pas të marrjes peng të tij nga sulltani e kam shënuar në rastin e përvjetorit të Lindjes së tij dhe kjo pjesë pothujase është tepër e njohur. Në këtë shkrim të shkurtër do të përkujtoj përvejtorin e vdekjes së tij dhe ndikimit që pati ikja e tij në përjetësi.

Sikur që dihet Gjergj Kastrioti ishte një mbret fisnik e i flaktë arbëror, një hero i patrembur, një bashkëshort besnik dhe me zemër të drejtë, dhe posaçrisht ai ishte kamxhiku më i madh i otomanëve.

Ai kishte miqësi dhe aleancë me Hungarezët, Napolitanët etj, të cilët në atë kohë kishin beteja të pandërprera me turqit, armiqtë e tij.

Gjergj Kastrioti braktisi dhuratat, pozitat në oborrin e sulltanit, duke iu përkushtuar lirisë dhe pavarësisë së Arbërisë së tij

Sulltan Murati duke parë në Gjergj Kastriotin Skënderbeun, shenjat e një njeriu me plotë virtyte, urtësi, trimëri dhe vizioni e ngriti atë në pozitë duke i dhënë edhe gradën e Aleksandrit(Skënderbeut). Madje sulltan Murati, duke e vlerësuar Skënderbeun për veprat e tij të guximshme dhe të lavdishme, e urdhëroi që t’i lutej për çdo dukat që t’i jepej menjëherë pa rezistencë. Dhe këtë e bëri me atë qëllim, që Skënderbeu, i prekur dhe i prirur nga këto vlerësime e dhurata të Sulltanit, ta harronte më lehtë atdheun e tij arbëror, dhe të qëndronte gjithmonë me të në oborrin e Sulltanit. Por, sikur dihet Gjergj Kastrioti Skënderbeu kishte qëllime të tjera, mision tjetër, dhe vizion për atdheun e tij që ta bënte të lirë, të pavarur, pra që t’ia hiqte zgjedhën turke nga qafa që i rëndonte vëllezërit, motrat, nënat, baballarët dhe fëmijët arbëror.

Kështu, Gjergj Kastroti vendosi që ta braktis pozitën, dhurata, pasurinë dhe gjithë të mirat që i dha Sulltani dhe dhuntit, virtytyet, trimërin, urtësinë e vizionin ta vendoste në shërbim të Arbërisë së tij. Prej andej Skënderbeu solli një numër të konsiderueshëm arbërorësh të tij besnik në vendin e Arbërisë, atdheun e tij, dhe u lidh në të, dhe sëbashku me qytetarët shpallën pavarësinë (28. Nëntor 1443) dhe iu rikthye trashëgimisë së tij atërore duke engritur në lavdi atë dhe vendin e tij në përgjithësi, kështu ai u pranua vullnetarisht nga i gjithë vendi si zot e trashëgimtar i tij.

Misioni i tij tani ishte i vulosur. Me rikthimin e tij në Arbëri ai ia kushtoi jetën mbrojtjes së atdheut dhe besimit, kulturës e traditave të tij kundër turqve. Mirëpo, ai e kuptoi mirë se i vetëm nuk ishte në gjendje ta përballonte një detyrë të tillë, ndaj mendoi menjëherë të përgatiste një Lidhje apo Kuvend princërish arbëorë dhe të krijonte marrëdhenie, aleancae dhe bashkëpunimin me disa nga vendet europiane të kohës. Dhe për këtë ai thirri një kuvend në Lezhë dhe i ftoi të gjithë kryefsinorët e fisnorët për bashkimin e tyre në një shpirt e trup si vëllezër. Kuvendi u mbajt më 2 mars 1444 në katedralen e Shën Nikollës. Përveç princërve arbërorë, aty morën pjesë si vëzhgues edhe disa përfaqësues nga vendet europiane.

Ndërkaq sikur mësohet nga kronsitët të dy sulltanët si Murati dhe Mehmeti e kthyen të gjithë forcën kundër Skënderbeut të famshëm.

Duhet nënvizuar edhe këtë se ai nuk e kishte vetëm një armik(otomanët), në fakt Gjergj Kastrioti kishte shumë armiq të brendshëm dhe të jashtëm, armiqtë e tij ishin edhe despoti serb dhe venedikasit të cilët i luftoi pamëshirshëm edhe ata njësoj si të gjithë armiqtë.

Kështu pas fitoreve të njëpasnjëshme kundër dy sulltanëve të kohës, dhe kundër të gjithë armiqëve të tij të brendshëm e të jashtë, si dhe pas shkatërrimit të tradhëtarit Ballaban Baderës nuk kaluan shumë kohë ai u kap nga një sëmundje dhe u shtri në shtratin e vdekjes. Ai që me krahët e tij të fuqishëm, të cilët, sipas shkrimtarëve autentikë, i vetëm i shfarosi 2000 otomanë, tani gjendej në betejën e tij të fundit me vdekjen.

Edhe pse ishte i shtrirë në shtrat, ushtarët e tij dhe flamuri i tij ende korrnin fitore, sepse emri i Gjergj Kastrioti i kishte futur frikën otomanëve në palcë. Sa thuhet sipas kornistëve e gojdhënave se kur armiqtë dëgjuan emrin e tij, që afrohej aq shpejt, ata iknin menjëherë sikur të kishin frikë nga një rrufe e shpejtë.

Vdekja e Gjergj Kastriotit humbje e pazëvendësushme për Arbërinë.

Kur ra Kështjella e Kastriotëve, ra edhe Arbëria

Vdekja e Gjergj Kastriotit ishte një humbje e madhe për botën perëndimore, e veçanërisht për vetë arbërorët dhe Arbërinë.

Nuk kaloi shumë kohë pas vdekjes së tij dhe Kruja kryeqenda e heroizmit dhe lirisë së Arbërisë ra, bashkë me të ra edhe Arbëria.

Pra sikur dihet për Arbërinë, vdekja e kryeheroit shënoi fundin e pavarësisë dhe lirisë.

Askush pas vdekjes së tij nuk arriti që të udhëheqte me Arbërinë të bashkuar dhe në fitore të njëpasnjëshme, sa që nuk kaloj pak kohë edhe Lidhja apo Kuvendi që ai kishte themeluar u shpërbë dhe Arbëria ra në duar të armikut otoman i cili e bëri vendin të shkretë, në mjerim, me derdhje gjaku të pafajshëm arbëror dhe duke e mbyllë Arbërinë në botën e gjysmëhënës për të mos e parë më diellin e përbashkët europian.

Nuk ka fjalë më drithëruese se ato që nxorri Lekë Dukagjini pas vdekjes së të Madhit të Arbërisë :

“E mjera, Arbëri!Ejani qytetar e zotërinj, ejani të mjerë e ushtarë, ejani qani me hidhërim: se sot keni mbetur jetimë, pa babanë që ju këshilloi, ju këshilloi e ju ndihmoi, nderi i vajzave e zbukurimi i lagjeve;nuk ka kush të kujdeset më për ju. Babai dhe zoti i Arbërisë ka vdekur sot në mëngjes, Skënderbeu nuk është më”.

Me të dëgjuar këto fjalë populli, vendi e natyra arbërore e përjetoi thellë, saqë u duke sikur “shtëpitë e tyre u fundosën;malet dëgjuan dhe u çanë;kambanoret e kishave ranë zinë e tyre;, ndërsa në qiell të hapur, Skënderbeu hyri. . . ” duke e lënë Arbërinë pa fat e pa udhëheqës. Apo sikur do të shkruante në veprën e tij”Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?: mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga reziket që kanë rethuarë (botuar të parën herë në Bukuresht më 1899), Sami Frashëri:

”Megjithëkëtë Skënderbeu qëndroi e duroi ; edhe Shqipëria në gjallje të këtij burri  e ruajti dlirinë e saj me nder. Por, me të vdekur Skënderbeu, Shqipëria ra ndër duart e turqve. „

Duhet nënvizuar edhe këtë se pas vdekjes së Gjergj Kastriotit otomani dinak e armik jo vetëm që e pushtoi Arbërinë, por edhe i armiqësonte shqiptarët kundër njëri-tjetrit, dhe kjo dinakëri demoniake vazhdon edhe sot.

Kështu që vdekja e këtij arbërori dhe europiani të madh, dhe lajmi i vdekjes për të cilin u përhap me shpejtësi, solli përsëri në Europë atë zymtësi që fitorja e tij e kishte shpërndarë. Pasi shumë popuj në Europë u informuan për ngjarjen e trishtuar, thuhet se edhe ata derdhën lotë. Ndërsa vetë sulltan Mehmeti thuhet të ketë thënë me një ton melankolik kështu : “Nuk ka pasur asnjëherë një gjeneral më të madh në botë se ai; dhe tani që ai ka vdekur, nuk ka asnjë që mund të më ndaloj. . . ”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok