04/12/2024

ALI AJETI- NËNË, NESËR DUHET ME DALË NË DEMONSTRATË, NESËR ËSHTË DITA PËR ME VDEKË PËR KOSOVËN

0
Ali-Ajeti

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1957- e vranë me 30 maj 1989)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në vitet e 80 të shekullit të kaluar ishte ajo, ilegalja shqiptare, njëra ndër ilegalet më të organizuara që vepronte në shtetet ballkanike, ngase edhe i ishin bërë padrejtësitë më të mëdha krahasuar me të gjithë popujt e tjerë. Më shumë se lirinë ideologjike, bijtë e Kosovës martire e donin lirinë kombëtare. Bijtë e popullit liridashës, nga bota kërkonin përmirësimin e gabimeve të mëdha historike, që ua kishte bërë shumë më herët trojeve shqiptare, andaj ishte krejt i arsyeshme organizimi i mirëfilltë ilegal dhe angazhimi i tyre për të ndryshuar situatën që Kosova të shpallej Republikë.

Pra, në këto kushte të pa kushte u lind heroi i Kosovës, Ali Ajeti më 10 gusht 1957, në fshatin Sveqël të Podujevës. Babai i Aliut ishte Adem Ajeti i cili ishte i martuar me Vahide Podvoricën, (nëna e Aliut), që vinte nga fshati Dumosh, në komunën e Podujevës. Si të gjitha familjet shqiptare të asaj kohe, familja e Aliut ishte e varfër, andaj u detyruan që të shpërngulën nga fshati për tu vendosur në Podujevë duke shpresuar në kushte më të mira të jetesës. Ai ishte punëtorë në ndërmarrjen e “Ramiz Sadikut”, ndërmarrje kjo që ishte shumë e madhe dhe në vete ngërthente shumë punëtor, të cilët punonin shumë, por okupatori asnjëherë nuk i shpërbleu sipas punës që bënin. Ndërmarrja “Ramiz Sadiku” dallohej edhe për një gjë, ngase ajo ishte organizatë që punëtorët e saj ishin të gatshëm në çdo kohë dhe në çdo moment ishin në krahë të popullit dhe merrnin pjesë aktive duke i përkrahur demonstratat që i organizonin studentët dhe populli i Kosovës.

Pra, Ali Ajeti u rrit dhe u edukua në një familje ku të parët e tyre kishin luftua në luftëra çlirimtare që Kosova një ditë të jetë e lirë. Po, dhe ishte krejt e natyrshme që këtë rrugë të vazhdonte edhe pinjolli i tyre Ali Ajeti. Ademi e Vahidja gjatë jetës martesore patën gjashtë fëmijë: Aliun, Samiun, Arbimin, Muhametin, Mihanen dhe Izetin. Aliu ishte fëmijë i zgjuar dhe kategorik në qëndrime. I sjellshëm dhe i edukuar ashtu siç dinë nënat shqiptare ti edukojnë fëmijët e tyre. Shkollën fillore e kreu në Sveqël me sukses të dalluar. Ai gjithashtu e donte mësimin dhe i donte librat. Lexonte literaturë të ndryshme. Dhe me kalimin e viteve ai zbuloi se në fshatrat e Llapit, kishte edhe organizime ilegale, ku ishin të angazhuar njerëzit më përparimtar. Bac Ademin e kishte idhull. Do të vazhdoi rrugën e tij, iu thoshte prindërve dhe shokëve. Në Podujevë mbaroi gjimnazin me sukses të dalluar, e profesorët e tij e udhëzonin që të vazhdoi studimet në Prishtinë. Ishte njohës i mirë i proceseve ekonomike, andaj edhe regjistrohet në Fakultetin e Ekonomisë. Pasi përfundon vitin e parë me të gjitha provimet e dhëna, ai regjistrohet në Fakultetin Filozofik.

Duhet theksuar se Serbët u bënë fqinj me shqiptarët shumë shekuj më herët, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të shtriheshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët, metoda këto të njohura të pushtuesve të djeshëm e të sotëm serbosllavë. Por, duhet thënë se çdo dhunë e terror që aplikohej ndaj shqiptarëve ishte i legjitimuar dhe i shkruar në programet e tyre antishqiptare. Politika serbe antishqiptare dëshmohet përmes  32 programeve të shkruara që gjenden në arkiva të ndryshme të ish Jugosllavisë e të Serbisë.

Edhe pse shumë programe e elaborate serbe kundër shqiptarëve e Shqipërisë ishin shkruar në kohët më të hershme të periudhave historike, aplikimi i tyre përsëritet edhe pas Luftës së Dytë Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke bërë gjenocid dhe krime të papara. Programet antishqiptare jo vetëm që u aplikuan në mënyrat më perfekte, bile urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u përfshi edhe Akademia e Shkencave e Arteve Serbe, duke shkruar dhe specifikuar si dhe në çfarë mënyre duhet të eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre. Për copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen, eliminimin e shqiptarëve nga ana e intelektualëve të njohur serb është shkruar shumë, por edhe tani shkruhet me të madhe. Por, pas përfundimit të LDB, me aneksimin e Kosovës Serbisë (1945), programet serbe në mënyrë institucionale u futën në sistem dhe tërësisht u legalizuan.

Më vonë, çdo gjë që u punua dhe gjenocidin që përjetoi populli shqiptar në Jugosllavi ishin prodhim i programeve antishqiptare. Por duhet veçuar se vitet e 80, dhe ato që pasojnë ishin vite të rënda dhe të vështira për popullin shqiptar. Shqiptaret gjatë tërë kësaj kohe nuk qëndruan duarkryq, por në forma e mënyra të ndryshme formuan organizata e grupe ilegale të cilat u bënë digë në rezistencën kombëtare.

Edhe krahina e Llapit si vend heroik i shqiptarëve nuk qëndroi duarkryq. Celulën e parë të Grupit Marksist Leninist të Kosovës “GMLK”-së, në anën e Llapit i formuan Ismet Begolli, Sherif Konjufca dhe Mustafë Xhemajli. Mendohet se kjo celulë u formua menjëherë pas demonstratave studentore të vitit 1981. Situata e rëndë që u krijua pas demonstratave, më së tepërmi e vërenin vetë gazetarët që ishin për çdo ditë në kontakt me realitetin e hidhur, ndërsa që të tre themeluesit e celulës së parë në Llap ishin gazetarë të Televizionit të Prishtinës. Në fillim, celula e “GMLK”-së, i ngjasonte një pune që zakonisht i zhvillonin “Treshet”, e më vonë ky grup përcaktoi detyrat që duhej t’i realizonin. Në rend të parë ishin: 1. Detyrat konkrete që çonin drejt realizimit të kërkesës gjithë popullore që doli nga demonstratat, Kosova të ketë statusin e Republikës; 2. zgjerimi i grupit me anëtarë të rinj dhe formimi i grupeve të reja; 3. angazhimi sa më i madh i atyre të rinjve, që janë bashkëmendimtarë të tyre ose të atyre të rinjve që lehtë binden për veprimtari ilegale; 4. si detyrë e katërt e grupit u shtrua nevoja që sa më shumë të përpilonin materiale me përmbajtje kombëtare dhe kundër okupuesit, që masat e gjera të bindeshin sa më lehtë për tragjedinë e kombit dhe për padrejtësitë e tij; 5. duhet të ndërmerren aksione konkrete, siç ishte shpërndarja e revistave të botuara nga organizatat ilegale dhe të përgatitej populli që një ditë përsëri të dilte në demonstrata, të armatoseshin ata, se pa kryengritje gjithë popullore liria për shqiptarët do të vononte ose nuk do të vinte fare.

Për t’i arritur dhe për ti realizuar të gjitha këto, anëtarët e grupit mbanin mbledhje të vazhdueshme në vende të ndryshme, duke e ndërruar lokacionin për hir të sigurisë së tyre. Në mbledhjet e tyre bisedohej shtruar për ecurinë e demonstratave të 81-shit, të cilat anëtarët e grupit i kanë konsideruar si të drejta, kanë biseduar dhe janë marrë vesh mes vete se duhet vazhduar me ngritjen politike të anëtarëve të rinj, kanë këmbyer revista e materiale të ndryshme. Revistat që lexoheshin më me ëndje nga anëtarët e grupit ishin gazeta “Liria”, e cila edhe ishte organ i “OMLK”-së si dhe gazeta “Zëri i Kosovës”. Anëtarët e këtij grupi ishin shumë aktiv jo vetëm në leximin e materialeve që i siguronin nga jashtë, por ata me një kompetencë edhe i shkruanin ato, siç ishte rasti me Ismet Begollin, si anëtar i këtij grupi. Ai shkroi një artikull ku arsyetoi kërkesën e popullit “Kosova – Republikë”. Këtë tekst e lexuan Mustafë Xhemajli dhe Bajram Ajeti. Është për t’u habitur se në të gjitha organizatat ilegale ka ekzistuar një rregull e pashkruar, se asnjëri nga anëtarët e grupit, çka do që ka ndërmarrë, asgjë nuk ka vepruar pa u konsultuar me shokët. Andaj, as edhe një parullë e vogël, pa e marrë pëlqimin e shokëve nuk ka guxuar të shkruhet në rrugë apo në ndonjë mur.

Sipas detyrave që janë marrë nga grupi, Ismet Begolli në dhjetor të vitit 1982 në shtëpinë e Musa Jupollit në Podujevë, së bashku me Bajram Ajetin kanë formuar celulën tjetër ilegale të “GMLK”-së, anëtar i së cilës u bë edhe Musa Jupolli. Me formimin e kësaj celule me një mënyrë filluan të realizoheshin detyrat e mëparshme që i kishte marrë grupi i mëhershëm nga Ismet Begolli, Sherif Konjufca dhe Mustafë Xhemajli. Duke i realizuar detyrat e mëhershme, Ismet Begolli përsëri harton artikullin të cilën e titullon si “Komunikatë”. Pasi e korrigjojnë anëtarët e tjerë, më 12 korrik 1983, ajo shumëzohet dhe shpërndahet në vende të ndryshme, në Podujevë dhe në fshatrat përreth. Po kjo komunikatë ndërkohë u jepet edhe anëtarëve të tjet të grupit të cilët ishin shumë aktiv në veprimtarin ilegale si: Musa Jupollit, Ali Ajetit, Sabri Hamitit, Shaban Mulollit, Hamit Hamitit dhe Basri Rexhepit. U jepet detyrë që këtë ta shpërndajnë në vende të ndryshme. Me angazhimin e anëtarëve komunikata u shpërnda në Podujevë dhe në fshatrat: Sveçël, Shajkovc, Pakashticë, Ballovc, Mirovc dhe Obrangjë.

Edhe më tutje, duke vepruar sipas detyrave që ishin më parësore në grup, Bajrush Behrami dhe Kadri Llugaliu, nga fundi i vitit 1981, në Podujevë formojnë grupin ilegal. Përveç këtyre që u zunë ngoje, anëtarë u bënë edhe Shaqir Osmani, Xhafer Spahiu dhe Qun Hajdini. Edhe ky grup zhvillonte aktivitet të dendur, duke u takuar me anëtarët dhe duke shqyrtuar detyrat të cilat duhej të kryheshin. Ndërkohë këtë grup e quajtën me emrin ”Liria”. Edhe ky grup kishte po ato detyra që i kishin grupet e më parmë. Leximi i literaturës së ndaluar, pranimi sa më i madh i anëtarëve të rinj, përpilimi i materialeve me përmbajtje patriotike e shumë detyra të tjera. Në vazhdën e këtij aktiviteti, Kadri Llugaliu dhe Bajrush Behrami e përshkruajnë një pjesë nga revista “Liria”, në të cilën bëhej thirrje që populli të vepronte në mënyrë të organizuar për realizimin e kërkesës që Kosova të kishte statusin Republikë. Njëherazi, Bajrush Bahrami përpiloi një fletushkë, të cilën e pagëzoi “Një Maji”, e cila kishte përmbajtje atdhetare.

Një grup tjetër i “OMLK”-së, që vepronte në formë “Tresheje”, e kishte formuar Bajram Ajeti, në muajin dhjetor 1983, në shtëpinë e Fatime Gjatës, në Prishtinë, ku anëtarë ishin pranuar Avdi Gjata (vëllai i Fatime Gjatës) dhe Hamit Hamiti. Avdi Gjata betimin e dha para Bajram Ajetit, ngase ky ishte anëtar më i vjetër dhe i takonte grupit të parë që e kishte formuar në anën e Llapit “OMLK”-ja.

Ndërkaq, Ali Ajeti, Sabri Hamiti, Shaban Mulolli dhe Hamit Hamiti, kryesisht merreshin me veprimtari aktive që i kishte caktuar vetë grupi: shumëzonin, këmbenin dhe shpërndanin materiale propaganduese, siç ishte materiali “Komunikata”, ”Trakti kundër tradhtisë” dhe shkrimi i parullës “Kosova-Republikë”. Me 1983, në muajin mars, në rrugën magjistrale Prishtinë-Nish, anëtari i grupit të Podujevës, Ali Ajeti në dy vende kishte shkruar parullën “Kosova-Republikë”, ndërsa në Podujevë, në muret e shtëpive, në rrugën “M. Popoviq” dhe në murin e shtëpisë së shëndetit, janë shkruar 6 parulla “Kosova-Republikë”, janë shpërndarë 300 kopje të “Komunikatës”, kanë këmbyer revista të ndryshme që janë botuar nga organizatat e ndryshme ilegale.

Duke e parë se pushteti jugosllav ishte i vendosur për të shua çdo gjë shqiptare në Kosovë, grupi ilegal i Llapit, morën qëndrim që të përgatiten edhe për luftë po qese e kërkon nevoja. Këtij grupi në vazhdim iu bashkëngjitën edhe shumë anëtarë e anëtare të tjera të njohura nga Besiana siç ishin: Gjylë Krasniqi-Shota e Llapit, Fatime Gjata, Remzie Sheholli, Valbona Shala, Rukie Ajvazi, Magbule Shala, Rukie Selimi, etj

UDB-eja jugosllave ishte e vetëdijshme se populli ishte i pakënaqur dhe ata ishin të vetëdijshëm se në Kosovë diçka po lëvizte, dhe kjo që dukej ishte vetëm maja e Ajsbergut në lëvizjen patriotike. Udbashët filluan ti përcillnin personat tek të cilët dyshonin, dhe e tërë kjo rezultoi që në fund të muajit dhjetor të vitit 1983, organizata u zbulua dhe u arrestuan një numër i madh i anëtarëve të organizatës.

Të gjithë anëtarët e këtij grupi, si në hetuesi, po ashtu edhe në seancën kryesore, veprimet e veta patriotike pa ngurrim i kanë pranuar në tërësi. Sipas aktgjykimit me numër P-nr. 100/84 dhe aktgjykimit Ap-nr. 423/84 Gjykata Supreme e Kosovës, kolegji i përbërë nga kryetari i gjykatës, Pjetër Kola, kryetar kolegji dhe gjyqtarët: Shefqet Bytyqi, Dushan Cvetkoviqi,  Mr. Halil Ilazi dhe Ognjen Todiqi, anëtarë, me 10 qershor 1985 e vërteton shqiptimin e dënimeve të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të datës 18 qershor 1984 duke i shpallur fajtorë:

  1. Ismet Begolli (1955), Mirovcë (Podujevë), jurist – 12 vjet burg
  2. Sherif Konjufca (1952), Llugaxhi (Lipjan), jurist – 8 vjet burg
  3. Bajrush Behrami (1956), Dobratin (Podujevë), student – 10 vjet burg
  4. Kadri Llugaliu (1952), Surkish (Podujevë), student – 8 vjet burg
  5. Avdi Gjata (1954), Bajçinë (Podujevë), profesor – 8 vjet burg
  6. Ali Ajeti (1957), Sveçël (Podujevë), shkolla e mesme – 5 vjet burg
  7. Sabri R. Hamiti (1954), Sveçël (Podujevë), punëtor – 4 vjet burg
  8. Shaban Mulolli (1954), Shajkovc (Podujevë), shkolla e mesme – 4 vjet burg
  9. Hamit Hamiti (1954), Repë (Podujevë), ing. – 3 vjet burg
  10. Bajram Ajeti (1954), Mirovc (Podujevë), jurist (nuk doli para gjyqit se ishte i sëmurë).

Me të njëjtin aktgjykim Ismet Begollit e Sherif Konjufcës iu ndalua për pesë vjet të mos e ushtronin profesionin e gazetarit, ndërsa Hamit Hamitit të mos ushtronte për pesë vjet profesionin e mësimdhënësit.

Ali Ajetin posa e arrestuan e dërguan në burgun hetues në burgun e prishtinës, ku qëndroi mbi 6 muaj. Gjatë asaj kohe hetuesit e kishin malltretuar e rrahur në mënyrën më shtazarake. Nga këtu e transferojnë në burgun e Mitrovicës ku qëndroi mbi një vit. Në burgun e Gjurrakocit e mbajtën mbi 8 muaj dhe në fund e dërgojnë në burgun e Pejës, ku i mbajti dy vjet e tre muaj burg. Dhe ky burg ishte burgu më i rëndë që kishte përjetua. Aliu kudo që shkonte, në dhomat e burgut i organizonte dhe iu shpjegonte të burgosurve politik shqiptar se si  ndaj tyre po përdorën masa të palejueshme dhe metoda të ndryshme të dhunës, andaj në burgun e Pejës ai ishte “shkaktari” i demonstratave e i protestave që u organizuan në burg. Bile gjatë këtyre përleshjeve, Aliut gardianet ia kishin thyer dorën. Por, trimi i Llapit shpejt e mori veten.

Më 1988, në muajin qershor, Aliu e përfundon burgun dhe kthehej në shtëpi. Megjithatë, Aliu ishte po ai patriot i viteve të 80, dhe me një entuziazëm e elan edhe më të shtuar takohet me shokët e idealit, bëjnë plane dhe ndërmarrin aksione të tjera edhe më të rënda.

Më 20 shkurt 1989 minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë në mbrojtje të Kosovës nga synimet e errëta të regjimit i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu në fakt fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë. Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin zbritur në galeritë e minierës, ku do të qëndronin deri më 28 shkurt të vitit 1989, të vendosur të flijonin jetët e tyre për një të ardhme më dinjitoze të brezave që do të vinin.

Greva e minatorëve të Trepçës sensibilizoi të gjithë shqiptarët në Kosovë, të cilët iu bashkuan atyre në revoltën e arsyeshme, që tërboi regjimin e Beogradit, i cili do të fillonte marrjen e hapave represivë ndaj tyre dhe shqiptarëve, që përfundoi me luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e NATO-s, duke ndjekur përfundimisht më 1999 forcat serbe nga Kosova. Mbi 1200 minatorë u dënuan me nga 30-60 ditë burgim, ndërsa ndaj 14 të tjerëve, u zhvillua një proces monstruoz politik. Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. Ajo ngjalli interesimin e botës për Kosovën dhe e bëri të njohur se kishte një problem shqiptar të pazgjidhur.

Ndërsa shoku i Aliut, Gani Hoxha shkruan se në prill të vitit 1989, bashkë me Aliun minuam shtyllën e tensionit të lartë në Llaushë të Podujevës por në mungesë të eksplozivit të mjaftueshëm nuk e arritën rezultatin e duhur. Aliu e Ganiu edhe më vonë kishin vazhdua me aksionet e tyre por tani më të efektshme dhe më të fuqishme. Më 29 prill 1989, pasi se ishin furnizua me eksploziv, në Llapashticë, kishin hedhur në erë largpërçuesin e rrymës me tension të lartë.

Edhe më tej rrëfen shoku i idealit se si me Aliun dhe shokët e tjerë të grupit kishim ndërtuar një strategji operimi dhe në rast të ndonjë plagosje të rëndë të shokëve e në pamundësi tërheqjeje ishin pajtuar të merrnim aktin ekstrem të vrasjes së të plagosurit me qëllim që të mos binte i gjallë në duart serbe. Jeta e tyre në atë periudhë, në ato kushte klimatike dhe të rrethuar nga rreth 30 000 policë të ardhur nga e gjithë ish-Jugosllavia nuk ishte e lehtë. Duhej lëvizur vetëm natën dhe me peshën e armëve në sup, shpesh e kalonim lumin Llap të hazdisur në pranverë pa i shmangur asnjëherë vrojtimet e qendrave neuralgjike të Podujevës.

Trimi i paepur Ali Ajeti me shokë, më 29 Maj 1989, duke dal nga shtëpia e tij  i kishte thënë nënës së vet “Nënë, nesër duhet me dalë në demonstratë, nesër është dita për me vdekë për Kosovën”. Dhe me 30 Maj, 1989, pasi kishte kalua dy natë pa gjumë, në kushte rrethimi të vazhdueshëm dhe me orën policore në fuqi, megjithatë ia dalin të organizojnë demonstratën për të njoftuar parlamentarët evropianë që kishin ardhur për vizitë hulumtuese në Kosovë, me gjendjen e vërtetë të shqiptarëve nën pushtim. Në atë demonstratë ata kishin shkuar të armatosur vetëm me armë të shkurtra ndërsa ato të gjatat i kishin lënë në mal. Vetëm Aliu kishte marrë shmajzerin e Gani Hoxhës, e ai për arsye strategjike ishte armatosur me një Parabellum dhe një bombë dore që ia kishte dhënë Ali Ajeti. Për të mbuluar shmajzerin, Aliu e kishte ndërruar edhe pallton me Ganiun, ngase e tija ishte më e shkurt dhe dukej pushka.

Në qytet kishin defilua me pankarta e flamuj kombëtar rreth një orë por demonstruesit ishin më të paktë se sa në demonstratën e 27 marsit. Shkaku ishte se tashmë policia e udbashët po i kërkonin demonstruesit për ti likuiduar. Rreth orës 14.00, papritmas policia kishte fillua sulmet me bomba shokuese dhe kishte arritur që grupin ta ndante në dy pjesë. Ali Ajeti me shok ishin marrë vesh që të rezistonin deri në fund. Grupit të cilit i printe Aliu, kishte fillua të tërhiqej në drejtim të fshatit Livadicë, ndërsa grupi tjetër ishte detyrua që të shkonte drejtë fshatit Letanc. Edhe pse ishin të ndarë, forcat serbe i ndiqnin hap pas hapi. Për ti sulmuar ata kishin angazhuar edhe helikopter, që fluturonin shumë ultë mbi kokat e demonstruesve. Në tërheqje e sipër grupi i demonstruesve i udhëhequr nga Aliu, i përbërë edhe nga shumë shokë të tjerë por pa ndonjë përvojë organizative kishin ngelur në një pikë pa mundësi mbrojtjeje (në një arë gruri). Forcat policore shfrytëzuan rastin për të shtënë kundër tyre. Aliu ndonëse i lodhur e dy ditë i pafjetur ngritët në këmbë dhe fillon të shti kundër forcave policore. Të shtënat e tij kishin për qëllim mbrojtjen e shokëve dhe demonstruesve me të cilët po tërhiqej. Në atë moment, më 30 maj 1989, Aliun e merr një plumb fatal dhe për pak minuta ai ndërron jetë. I vetëdijshëm se po vdes për liri ua dorëzon armën shokëve duke e mbajtur betimin se nuk do të binte kurrë i gjallë në duart serbe.

Vrasja e Ali Ajetit ishte një humbje e madhe për Lëvizjen Ilegale Patriotike Shqiptare, por, megjithatë qëndresa dhe rënia e Aliut në mënyrë heroike u bë shembull frymëzimi për gjeneratat e reja, të cilat u sublimuan fuqishëm me luftën çlirimtare të UÇK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok