AKSIDENTET, OSE KORRIKU I VDEKJEVE

0

NGA NDUE DEDAJ

Shpresoje se kjo verë do të kalonte pa gjëmat e saj, që zakonisht stina e të nxehtit, edhe pa qenë ai afrikan, i ka të vetat. Mirëpo jo, me 18 korrik katër shqiptarë do të shuheshin në një aksident në Greqi, ku kishin shkuar për të punuar në vjelje pemësh. Kurse tre ditë më pas, e premtja e 21 korrikut, në kronikat e mediave do të hynte si e premtja e zezë, që realisht e uli flamurin e republikës në gjysmë shtizë. 12 të vdekur në një ditë, nga aksidentet me makinë, si ai në Fortuzaj të Tiranës, ku humbën jetën dy persona, mbytja e katër vetave të një familje në liqenin e hidrocentralit të Banjës në Gramsh, vdekja e një pushuesi në plazhin e Tales, e një të moshuari nga korenti në Durrës etj. Si të jetë “përsëritur” Otranto, Gërdeci, apo tragjedi të tjera të mëdha kombëtare me shumë të vdekur njëherësh. Kurse mediat vizive të kryeqytetit, para se të lajmëroheshin vdekjet, njëra pas tjetrës, bënin zakonin e tyre të pandërruar, tirrnin me orë të tëra në studiot e lajmeve parashikime se ç’do të ndodhte me urdhërin e SPAK-ut për arrestimin e ish – zëvendëskryeministrit Ahmetaj, a thua se ky ishte problemi kyç i shqiptarëve, aq më tepër kur po niste fundjava e politika mund të shkonte dhe ajo me “pushim”. A thua se dalja nga ky “trend” modern, i të marrurit me politikë nga të gjithë dhe non stop, për të folur për gjëra jetësore të përditshmërisë së njerëzve, na bën tradicionalë? Ta zëmë, gjatë këtyre ditëve, të ndërronte krejt diskursi mediatik ditor dhe të flitej si i oganizojnë pushimet njerëzit, kush shkon e kush nuk mund të shkojë në plazh, sa të sigurta i kemi vendet e pushimit, në bregdet e në mal, ku ka rrezik më shumë e si duhet të ruhemi etj. Se nëse do të ishte folur ndonjëherë, edhe në mediat lokale të Elbasanit, le pastaj të kishte dhe ndonjë tabelë paralajmëruese “kujdes se ka gropa e mund të mbyteni”, në Gramsh do t’i kishim gjallë katër jetët që përcollëm sot. Mirëpo nuk është në sjelljen dhe edukatën tonë të paralajmërojmë të keqen dhe as ta parandalojmë atë, ne turremi me fenalina e kamera vetëm pasi të ndodhin aksidentet, policia për të hetuar rrethanat e ngjarjes, mediat për të “intervistuar” familjarët!?… (Kritika për mediat ka të bëjë me kontekstin, pasi në gjykimin tonë ato janë e vetmja gjë e ndershme dhe e pakapur e këtij vendi, që guxojnë e denocojnë krimin shtetëror etj.)

Ministri i ri e Brendshëm, gjatë javës që shkoi, dha porosi nga Shkodra në Vlorë për forcimin e rendit dhe sigurisë publike, duke tërhequr vëmendjen se nuk janë gjobat ndaj drejtuesve të mjeteve që e bëjnë atë të besojë se policia po punon, me fjalë të tjera nuk është statistika, stili i vjetër i administratës shqiptare për të qenë në rregull me “letrat”, burokracinë. Ti mund të vëshë gjoba sa të duash, po ato nuk kanë asnjë vlerë kur të fortit e krimit të kalojnë pa u ndaluar në postbllok, mund të bësh shkresa e proces-verbale sa të duash, po ato nuk kanë vlerë kur aksidentet nuk bien, drejtuesit e mjeteve nuk janë ndërgjegjësuar etj. Policia nuk bëhet me vullnetin e mirë të dikujt a të disave, përpos se me institucione të përgjegjshme ligjërisht, që nuk frikësohen nga askush ta mbajnë nën kontroll territorin. A kemi ne njerëz që vëzhgojnë seriozisht detin, që të mos mbytën njerëzit? A kemi individë që “patrullojnë” liqenet, lumenjtë, pasi ka pasur njerëz që janë rrezikuar të mbytën dhe në liqenin artificial të Tiranës? A kemi persona që monitorojnë pyjet që të mos digjen nga zjarret që e kanë shkrumbuar jo pak, çdo vit, hartën pyjore dhe mjedisin? A kemi një sinjalistikë të rregullt kudo ku ka rrezik? Nga ajo elektronike te tabelat “rrezik vdekje” pranë kabinave elektrike, që nuk e shpëtuan dot jetën e një 11-vjeçari në mes të Tiranës. Një tjetër fëmijë u asfiksua në makinën familjare. Në liqenin e Banjës njëri nga të mbyturit ishte 14-vjeçar. Ana tjetër e problemit, jemi ne të rriturit përgjegjës për jetën e fëmijëve.

Aksidentet janë një atentat dhe ndaj turizmit, që është promovimi kryesor i vendit dhe ekonomia e vetme “prodhuese” e jona. Është fatmirësi që ka përherë e më shumë turistë, por nuk ka vend për vetëkënaqësi, përkundrazi, pasi ata ose frenohen, ose nuk qendrojnë gjatë në një klimë pasigurie në rrugë etj. Mjafton dita e premte për të kuptuar sa e rëndë është situata e sigurisë së jetës në Shqipëri, pa lënë mënjanë as ngjarjet kriminale që marrin vazhdimisht jetë njerëzish. Mjerisht ne si qytetarë dhe si shtet ende nuk po mundemi ta ndalojmë “kosën” e vdekjeve: në rrugë automoblistike, në dete e liqene, në skela ndërtimi, në kabina elektrike e gjer ashensorë pallatesh. Dihet që aksidentet nuk janë një fakeqësi vetëm për shqiptarët, e gjithë bota përballet me to, problemi është se tek ne ato ndodhin dhe aty ku mund të parandaloheshin; na kanë vdekur njerëz jo vetëm në galeritë e Bulqizës, po dhe në pusetat e ujërave në qytet?! Ndaj na duhet një revolucion total në këtë drejtim, ku krahas ligjit që është i pari, edhe edukimi “rrugor” në shkolla nuk do të ishte i dyti!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok