Flet Ilirjan Dhima, Kryetar i Shoqatës “Shqipëria” në Greqi: Nëse do të kishte korrupsion të përmasave që dëgjojmë në Shqipëri, i gjithë populli grek do të ishte në këmbë, pasi nuk falen skandalet publike
-Greqia ka një frymë të fortë qytetare dhe kombëtare, kur shfaqen skandale apo raste korrupsioni, reagimi është i menjëhershëm
–Unë jetoj në Greqi dhe e di mirë se sa të rëndësishme janë investimet e huaja për zhvillimin ekonomik por duhet transparencë
Po të ndodhte ky korrupsion në Greqi, jo vetëm qeveria do binte, por edhe të korruptuarit do të përfundonin në burg
-Pasuria e pajustifikuar është fyerje për ata që punojnë ndershmërisht jashtë vendit
– Unë jam socialist dhe mendoj se PS ka bërë gabime të mëdha në qeverisje dhe është shkëputur nga elektorati i saj. Pas zgjedhjeve askush nuk vjen të dëgjojë emigrantët në Athinë.
Nga Albert Z. ZHOLI
Emigrantët shqiptarë në Greqi mbështesin çdo protestë qytetare që ngrihet kundër korrupsionit, mitmarrjes dhe ndërtimeve pa transparencë, të cilat dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe pengojnë zhvillimin e saj demokratik. Kështu shprehet Ilirjan Dhima, kryetar i Shoqatës “Shqipëria” në Athinë, i cili thekson se shqiptarët jashtë vendit e ndjekin me vëmendje situatën në atdhe dhe kërkojnë më shumë përgjegjshmëri nga institucionet. Sipas tij, protesta është një instrument demokratik për të reaguar ndaj padrejtësive dhe abuzimeve. Ai sjell si shembull Greqinë, ku, kur shfaqen fenomene të tilla, qytetarët ngrihen masivisht në protesta, duke kërkuar transparencë, drejtësi dhe llogaridhënie nga qeverisja.
-Protestat kundër qeverisë në Shqipëri a janë ndier edhe në Greqi?
Sigurisht. Ne emigrantët i ndjekim me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe i mbështesim protestat qytetare. Çdo protestë sjell një frymë të re dhe rrit përgjegjësinë e qeverive ndaj qytetarëve. Unë jam i majtë, jam me Partinë Socialiste, por jo me mënyrën se si po qeveris Rilindja e Edi Ramës. Mendoj se PS ka bërë gabime të mëdha në qeverisje dhe është shkëputur nga elektorati i saj. Pas zgjedhjeve askush nuk vjen të dëgjojë emigrantët në Athinë. Ka probleme me korrupsionin, me pronat dhe me mënyrën se si trajtohen qytetarët. Edhe unë vetë kam pasur probleme me çështjet e pronës në Dukat.
– Në Greqi, kur konstatohet korrupsion, si reagojnë qytetarët?
– Greqia ka një frymë të fortë qytetare dhe kombëtare. Kur shfaqen skandale apo raste korrupsioni, reagimi është i menjëhershëm. Nëse do të kishte korrupsion të përmasave që dëgjojmë shpesh në Shqipëri, i gjithë populli do të ishte në këmbë. Këtu nuk falen lehtë skandalet publike. Për çështje shumë më të vogla se ato që ndodhin në Shqipëri, Athina është mbushur me protesta. Ne emigrantët kemi mësuar shumë nga kjo kulturë reagimi qytetar.
– Pse ka rënë numri i emigrantëve shqiptarë në Greqi?
– Ka disa arsye. Një pjesë e shqiptarëve kanë kërkuar mundësi më të mira ekonomike dhe janë larguar drejt vendeve të Europës Perëndimore, Amerikës apo Kanadasë. Një arsye tjetër është se ekonomia greke nuk ka më të njëjtat nevoja për punëtorë si në vitet e para të emigracionit. Po ashtu, kriza ekonomike e vitit 2010 bëri që shumë emigrantë të ktheheshin në Shqipëri ose të zhvendoseshin në vende të tjera.
– Tani Greqia po i drejton sytë nga Egjipti për fuqinë punëtore në bujqësi?
– Po. Greqia ka nisur zbatimin e marrëveshjeve me Egjiptin për të sjellë punëtorë sezonalë në sektorin bujqësor. Fermerët grekë kanë nevojë për fuqi punëtore dhe interesimi për këtë program ka qenë i madh. Kjo tregon se mungesa e punëtorëve në bujqësi është bërë një problem serioz.
– Cili është mendimi juaj për situatën brenda Partisë Socialiste?
-Mendoj se brenda PS-së ekzistojnë dy rryma. Njëra lidhet me grupin e ish-aktivistëve të lëvizjes “MJAFT”, të cilët sot mbajnë pozicione të rëndësishme në qeveri dhe në Bashkinë e Tiranës. Sipas mendimit tim, ky grup ka marrë një ndikim shumë të madh në vendimmarrje. Ndërkohë, pjesa tradicionale e socialistëve ndihet e lënë mënjanë. Kjo ka krijuar pakënaqësi dhe ndarje të brendshme.
– A jeni dakord që në Zvërnec të realizohen investime?
– Sigurisht që po. Unë jetoj në Greqi dhe e di mirë se sa të rëndësishme janë investimet e huaja për zhvillimin ekonomik. Investimet sjellin vende pune, rrisin mirëqenien dhe zhvillojnë zonat ku realizohen. Por gjithçka duhet të bëhet me transparencë dhe në bashkëpunim me komunitetin lokal. Nëse qeveria do të kishte zhvilluar më herët konsultime dhe takime me banorët, ndoshta situata nuk do të kishte arritur në këtë pikë tensioni.
– Mendoni se në protesta ka edhe elementë që i fryjnë situatës për interesa të caktuara?
– Sigurisht që ka. Ka individë, grupe apo shoqata të ndryshme që përpiqen të përfitojnë nga situata. Disa mund të kenë interesa të tjera, ndërsa në raste të caktuara mund të ketë edhe ndikime të tërthorta politike. Megjithatë, problemi kryesor që unë shoh është mungesa e liderëve. Protestat kanë frymë, kanë pjesëmarrje dhe energji, por nuk kanë drejtues që të artikulojnë qartë kërkesat dhe të udhëheqin lëvizjen. Pa lidership është e vështirë të arrihen rezultate konkrete. Edhe nëse Edi Rama do të largohej sot, pa një alternativë të besueshme dhe pa liderë të rinj, situata politike nuk do të ndryshonte shumë.
– Ministria e Emigracionit dhe Azilit në Greqi ka prezantuar së fundmi një projektligj që sjell ndryshime të rëndësishme në kuadrin e emigrimit. Por sa përfitojnë emigrantët shqiptarë dhe cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë ata?
– Ligji i ri sjell disa përmirësime të rëndësishme për emigrantët, përfshirë edhe shqiptarët, por jo në përmasat që pretendohet nga autoritetet greke.Së pari, synohet përshpejtimi i procesit të rinovimit të lejeve të qëndrimit. Deri tani shumë emigrantë janë detyruar të presin dy ose edhe tre vjet për të marrë dokumentacionin e rinovuar. Me ndryshimet e reja, kjo procedurë pritet të përfundojë në afate shumë më të shkurtra, duke shmangur pasigurinë dhe vështirësitë që krijoheshin për emigrantët.Së dyti, do të thjeshtohen dhe përshpejtohen procedurat për ata që hyjnë në Greqi me kontrata pune ose me sistemin e njohur si “viza me faks”. Kjo do të ndihmojë punëtorët sezonalë dhe ata që kërkohen nga tregu grek i punës, veçanërisht në sektorët e bujqësisë, turizmit dhe ndërtimit.Shtylla e tretë lidhet me azilkërkuesit. Deri më sot, personat që kishin status azilanti ose kartë aplikuesi duhej të prisnin deri në gjashtë muaj për t’u futur në tregun e punës. Me ligjin e ri, ata do të kenë mundësi të punojnë menjëherë pas regjistrimit të tyre, duke u integruar më shpejt në jetën ekonomike të vendit. Nga ana tjetër, kjo kategori nuk do të përfitojë më ndihmat sociale që merrte më parë.Megjithatë, duhet thënë se këto masa përbëjnë më shumë përmirësime procedurale sesa ndryshime rrënjësore. Emigrantët shqiptarë do të vazhdojnë të përballen me probleme të tjera që lidhen me burokracitë administrative, kostot e dokumentacionit dhe kushtet e tregut të punës. Pra, ka përmirësime konkrete, por jo aq të mëdha sa paraqiten në deklaratat zyrtare.
A mendoni të ktheheni për fundimisht në Shqipëri?
Kam shumë dëshirë të kthehem, sepse jam nga Dukati, një vend I bukur dhe i begatë, ku kam rrënjët e mia dhe kujtimet më të mira. Shqipëria mbetet vendi ynë dhe askush nuk mund ta harrojë. Megjithatë, dëshira nuk mjafton. Ka disa problem që më bëjnë të stepem dhe të mendohem gjatë.
Së pari, shëndetësia lë ende shumë për të dëshiruar. Arsimi ka bërë disa hapa përpara, por ende nuk është në standardet që kërkojnë familjet që kanë jetuar për dekadanëve ndete uropiane. Mbi të gjitha, më shqetëson pasiguria juridike e pronës. Kam kaq vite që pres të zgjidh çështjen e pronësisë për një cope tokë dhe ende nuk kam marrë një përgjigje përfundimtare.Një tjetër factor janë fëmijët tanë. Ata janë rritur dhe formuar me një standard tjetër jetese, me shërbime publike më cilësore dhe me më shumë siguri ekonomike. Është e vështirë t’u kërkosh të lënë gjithçka dhe të jetojnë me paga që Shpesh nuk përballojnë koston e jetesës. Nuk është çështje vetëm e të ardhurave, por edhe e cilësisë së shërbimeve, sigurisë juridike dhe perspectives për të ardhmen.Prandaj, edhe pse zemra më thërret të kthehem në vendlindje, realiteti I sotëm më detyron të jem i kujdesshëm. Shpresoj që Shqipëria të përmirësohet në këto drejtime, në mënyrë që jo vetëm unë, por mijëra emigrantë të tjerë, ta marrin me bindje vendimin për t’ukthyer.
