04/11/2024

MIRËNJOHJE PËR JETË E MOT PËR KONGRESISTIN ELIOT ENGEL

0

Nga Frank Shkreli

*Shënim: Shkrimi më poshtë, botuar me 8 janar, 2021 me rastin e daljes në pension të ish-kongressistit amerikan, Eliot Engel —The Biden Administration Should Rethink Its Kosovo Policy (foreignpolicy.com)– po ribotohet me rastin e botimit të artikullit të ish-Kongresistit Engel, linku i bashkangjitur këtu, në revistën prestigjoze amerikane, Foreign Policy.  Në artikullin e tij, — që u bë lajm ditët e fundit — ish-Kongresisti Eliot Engel kritikon Administratën e Presidentit Biden dhe Departmentin Amerikan të Shtetit për mënyrën se si janë duke u marrë me çeshtjen e Kosovës në përgjithësi dhe me marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në veçanti.  “…Dëshira e tij (Presidentit Biden), e zjarrtë për të ruajtur stabilitetin në Evropë ka shtrembëruar pikëpamjen e administratës së tij për konfliktin e gjatë midis Serbisë dhe Kosovës”, shkruan Eliot Engel..

Si anëtar i Partisë demokrate që është, ish-kongresisti Engel shprehet në artikullin e tij se, në përgjithësi, ka qenë i kënaqur me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara — nën udhëheqjen e administratës së presidentit Biden — kanë mbështetur demokracinë, sundimin e ligjit dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor  — Eliot Engel shfaq shqetësimet e tija për trajtimin, e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Departamenti Amerikan i Shtetit”, shkruan Eliot Engel në artikullin e tij botuar ditët e fundit në revistën prestigjoze amerikane, Foreign Policy.

Artikulli i Z. Engel, në mbështetje të Kosovës sot – me të cilin ai shpreh kritika të forta ndaj administratës së Presidentit Biden, tregon se mbështetja e tij për kauzat e shqiptarëve ishte e sinqert, jo vetëm gjatë gjithë asaj kohe kur ishte një zë i fortë në Kongresin Amerikan — për Kosovën dhe për shqiptarët — por që edhe tani që është në pension dhe i shtyrë në moshë, vazhdon të qendrojë në mbështetje të Kosovës.

Më poshtë, mund të lexoni një shkrim mirënjohës për mbështetjen që Z. Engel i ka dhënë, historikisht, çeshtjes shqiptare, përfshir Kosovën gjatë dekadave (botuar me 8 janar, 2021).  Ndihma e tij dhe ligjvensëve të tjerë amerikanë, ishte jetike atëherë, kur Kosova kishte nevojën më të madhe për ndihmën e Amerikës, për të mbijetuar si entitet dhe si popull me të drejta të njeriut dhe me identitet shqiptar. Artikulli im modest, i shkruar me rastin e daljes së tij në pension nga Kongresi, ishte një falënderim dhe mirënjohje e sinqert për veprimtarinë e Z. Eliot Engel në mbështetje të kauzave të drejta të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor – atëherë dhe sot.

Për ata që nuk e kanë lexuar më heret po e ribotojmë në shenjë mirënjohjeje të vazhdueshme prej nesh për qëndrimet e tija të forta dhe parimore, në mbështetjte të Kosovës, madje edhe nëqoftse ai detyrohet të kundërshtojë edhe politikat e Presidentit Biden, në lidhje me politikën aktuale amerikane ndaj Kosovës siç bëri në artikullin e ditëve të fundit, botuar në Foreign Policy.  Vijon artikulli me disa foto, që mbante titullin, “Përgjithmonë vetëm mirënjohës për Kongresmenin Eliot Engel”, botuar në Janar, të vitit 2021, me rastin e daljes së tij në pension. Frank Shkreli: Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel | Gazeta Telegraf

———————————

Përgjithmonë vetëm mirënjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Nga Frank Shkreli

Pas 32 viteve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i votuar për 16-mandate nga votuesit e zonës 16- elektorale në New York, për herë të parë kur ishte në moshën 41- vjeçare, Z. Eliot Engel doli në pension, Kongresisti dhe miku i madh i shqiptarëve dhe njëri prej mbështetësve më të dalluar në Kongresin amerikan të  drejtave të shqiptarëve kudo, Z. Eliot Engel i dha fund karrierës së tij politike në Washington, si anëtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe si Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme.

Në fjalimin e tij lamtumirës që mbajti në Kongres me 17 dhjetor, 2021, Eliot Engel tha se ishte tepër i nderuar që ka shërbyer si anëtar dhe veçanërisht, vitet e fundit, edhe si kryetar i Komisionit të Punëve Jashtëme të Kongresit amerikan. Ai rrfeu, në fjalën e tij, se kur kishte filluar karrierën e tij në Kongresin amerikan në vitin 1989, Kryetari i Kongresit në atë kohë, Tom Foley i kishte kërkuar që të jepte tre preferencat e tij se në cilin komision të Kongresit do të dëshironte të shërbente. Ai tha se përgjigjja e tij kishte qenë se vetëm dëshironte të shërbente si anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit, me shpresën se, eventualisht, do të emërohej si anëtar i këtij komisioni.

Ai ka thenë me atë rast se qysh në rini kishte zhvilluar një interesim për çështjet ndërkombëtare, kryesisht për arsye të origjinës së tij. Gjyshërit dhe gjyshet e tij ishin emigrantë nga Ukraina, ka thenë ai, të cilët emigruan në Amerikë, për të shpëtuar kështu jetën e tyre dhe të familjes.  Për ndryshe, ka shtuar ai, ata me siguri do t’I k ishin zhdukur në holokaustin e Luftës së Dytë Botërore.

Amerika, ka vazhduar Z. Engel, ka qenë dhe është një strehim për njerëzit e vuajtur nga e gjithë bota. Ai kujtoi vitet e fëmijërisë dhe ditët studentore në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur mësonte për Amerikën, si një fener i lirisë dhe i demokracisë në botë, si  shpresë për të luftuar dhe për të kundërshtuar regjimet e ideologjisë komuniste shtypëse. Por bindjet e tij u formuan gjatë viteve të rinisë nga babai i tij, një anti-komunist i përbindur, ka thenë ai për babin e tij. Z. Engel shtoi se ai vet ka besuar dhe beson, se Amerika mund dhe duhet të jetë një forcë për mirë në botë dhe se beson bindshëm në vlerat amerikane që mbështesin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor kudo në botë. Ishin këto vlera dhe bindje që bënë kongresistin e ardhshëm që në vitin 1989, të interesohej për të drejtat dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve, në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta. Në fjalimin e tij lamtumirës në Kongres, me rastin e daljes në pension, Zoti Engel ka përmendur shumë nga arritjet dhe sukseset e karierës së tij politike 32-vjeçare — në fushën e politikës së brendshme dhe të jashtme, duke përfshir interesimin dhe veprimtarinë e tij për çështjen e Kosovës, si një prej çështjeve ndërkombëtare, për të cilën, ç’prej fillimit, ka menduar të luante, një rol të rëndësishëm, “për të ndryshuar gjendjen” për më mirë, në atë vend, siç është shprehur ai në fjalimin e lamtumirës në Kongresin amerikan, në Dhjetor, 2021.

Në fjalimin e tij, Z. Engel përmendi mikun e tij prej dekadash dhe aktivistin e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Harry Bajraktari, si personin i cili e ka njoftuar në atë kohë për gjëndjen e rëndë në Kosovë, në ato vite dhe njeriu i cili e njohu Z. Engel me komunitetin shqiptaro-amerikan, komunitet i cili do i rrinte pranë dhe do e mbështeste deri në ditën e fundit të karierës së tij. Kongresisti Engel ishte dhe vazhdon të jetë ndër ata politikanë amerikanë që beson se Shtetet e Bashkuara, duhet të vazhdojnë të jenë në krye të përpjekjeve në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë, pprfshir Kosovën e Shqipërinë, pore dhe Ballkanin Perëndimor si rajon, historikisht, plot turbullira e konflikte.

“Unë gjithmonë kam rezervuar një vend të veçantë në zemrën time për Ballkanin dhe në veçanti për Kosovën”, ka nënvizuar Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. “Në vitin 1999, unë kam mbështetur fuqimisht ndërhyrjen e Administratës së Presidentit Klinton në Ballkan, ndërhyrje, që tani e dimë se ka parandaluar një gjenocid të vërtetë. Që atëherë, unë kam vazhduar të jem një kampion i sovranitetit të pavarësisë së Kosovës. Ai vend ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe tani Kosova njihet nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”, tha Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës. Puna e tij për Kosovën i ka thenë Z. Engel gazetës the ‘Washington Post’, ishte një veprimtari, “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës.”

Nëqoftse më lejohet një shënim personal me këtë rast, pasi kam pas nderin dhe privilegjin ta njihja nga afër, por edhe të punoja me Z. Engel dhe stafin e tij, sidomos gjatë kohës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar shqiptaro-amerikan. Unë e kam njohur Z. Engel si njërin prej antarëve më të vendosur dhe më parimorë, në vazhdimësi, të Kongresit amerikan, kur vinte puna tek Kosova dhe çështjet shqiptare në përgjithësi. E kam thënë edhe herë tjera se është e vërtetë se, sidomos, gjatë 50-viteve të fundit, shqiptarët kanë pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane, nga të dy partitë kryesore — republikanë e demokratë — nga presidentë e senatorë e deri tek kongresmenë të shumtë gjatë viteve, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve, kur shqiptarët ishin në një prej orëve më të zeza të historisë së tyre, ndihmën dhe  veprimtarinë e të cilëve unë dhe të tjerë, jemi përpjekur t’a vemë në dukje, nga koha në kohë. Por, mund të them me bindje të plotë se, si rrallë ndonjë tjetër politikan amerikan — megjithë qëllimet e mira dhe punës së tyre të mirë që kanë bërë në favor të shqiptarëve gjatë viteve — nuk ishte si Kongresmeni Eliot

Engel, i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin më të madh: si një kauzë morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare të tijën, si një çështje e lirive dhe të drejtave bazë dhe dinjitetit njerëzor. Ky ishte besimi dhe parimet e tija, si njeri dhe si politikan.

Thonë se mënyra më e mirë të njohësh dikë është që të udhëtosh me ta. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA/NAAC) gjatë mandatit tim, kishte vendosur së bashku me zyrën e Kongresistit Eliot Engel që të bënim një turne në trojet shqiptare, pasi ai donte të njihej edhe më mirë me problemet e shqiptarëve në trojet e veta. Vizita, e vetmja e këtij lloji, për të cilën gazeta ‘Illyria’ e Nju Jorkut, (shiko foton më poshtë) pat botuar një kronikë të gjatë me foto nga takimet e shumta të delegacionit të (KKSHA) dhe Kongresistit Eliot Engel me udhëheqësit shqiptarë, pat bërë një jehonë shumë pozitive në Shqipëri, Kosovë dhe në Mal të Zi, si rrjedhim i vizitës nga data 2 deri 10 Korrik 2005.  Në atë kohë, Kongresisti Engel kryesonte grupin e interesave shqiptare në Kongres (Albanian Caucus), që përbëhej nga anëtarë demokratë dhe republikanë. Duke u kthyer nga vizita që patëm bërë në trojet shqiptare, ndodha që në në fund të vizitës, në aeroplan për në Nju Jork, të isha vetëm për vetëm me Zotin Engel, ashtuqë pata mundësi të bisedoja gjerë e gjatë me “kongresistin e shqiptarëve” për hallet tona, në një atmosferë më të relaksuar dhe jo formale.

Më kujtohet se me atë rast më ofroi ndihmën e tij të pa kursyer, sidomos në marrëdhëniet e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA-s) me Kongresin, duke më thënë se zyra e tij ishte e hapur për mua si drejtor i NAAC-ut dhe se stafi i tij në Washington dhe në Nju Jork do ishin gjithmonë në dispozicionin tim, kur të kisha nevojën e tyre, si organizatë dhe si komunitet.

Por, fatkeqësisht, me largimin e kongresistit Eliot Engel nga Kongresi, interesat dhe çështjet shqiptare në Kongresin amerikan mbeten pa përfaqësues, të nivelit dhe të interesimit, siç kishte Eliot Engel për shqiptarët, për 32 vjet që ai shërbeu në kongres. Me largimin e Kongresistit Eliot Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka humbur shumë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi, pasi jo vetëm që i njihte mirë punët e Ballkanit, por për më tepër, Z. Engel kishte vërtetë një përafërsi dhe përkushtim të sinqert ndaj të drejtave të mohuara të shqiptarëve gjatë dekadave. Mungesa e tij në Kongres, nevojit një ndërmarrje të re dhe urgjente nga komuniteti, si dhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, për një rishqyrtim serioz të boshllëkut të madh që ka lenë largimi i Zotit Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, një boshllëk që mund të ketë pasoja serioze negative për situatën e përgjithëshme në Ballkan dhe për marrëdhëniet, deri tani të ngushta, midis Shteteve të Bashkuara dhe dy shteteve shqiptare.

Thank You, Congressman Engel, për të gjithë ndihmën dhe kujdesin që kini treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tre dekadave të mandative tuaja në Kongresin amerikan. Falënderime dhe Mirënjohje përgjithmonë, Z. Engel, për miqësinë dhe për mbështetjen tuaj historike për të drejtat e Kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta shekullore. Falënderimet tona të përjetëshme dhe përgjithmonë mirënjohje për Ju!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok