04/10/2024

KALVARI I ZENEL BEJ LIMAJËS PAS NJË FIRME  TË ENVER HOXHËS

0

Nga Bajram CANAMETI

Zenel beg Limaja është njëri nga ata patriotët që u bë theror prej ideve të tij liridashëse dhe veprimtarisë patriotike që shoqëron këto ide.Është kjo një arsye e errët dhe e ndërtuar djallëzisht nga organet e pushtetit të asaj kohe kur shohim se në krye të dosjes hetimore gjendet një firmë e diktatorit, i cili pasi ka marrë të dhënat, lehtësisht dhe me shpejtësi firmos dhe firmën e shoqëron me fjalët:Të pushkatohet!

Për të mbërritur te kjo fjalë tmerruese që të ngjeth mishtë, gjithçka ishte kurdisur që herët, kur Allaman Selmani, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Matit, mblodhi fshatarët e Burgajetit te xhamia e fshatit dhe u kërkoi që të firmosnin për pushkatimin e Zenel Limajës.Një nga banorët, Sali Barçi, iu drejtua popullit dhe kryetarit:”Zenel beg Limaja është nga ata burra të rrallë që i duhet fshatit dhe vendit.Ai ka vënë veten në rrezik, që të mos vriteshim dhe të mos digjeshim nga fashizmi.Shpërndahuni dhe mos firmosni!Nuk kemi burra për të pushkatuar!”

Mbledhja dështoi.Fshatarët u shpërndanw dhe kryetari mbeti vetëm dhe ata që e shoqëronin po ashtu…

Në fakt, kjo mbledhje ishte sa për të testuar popullin, edhepse, sa herë arrestoheshin apo dënoheshin njerëzit, flitej në emër të tij.Kjo ishte një nga hipokrizitë vrastare dhe monstruozitetet e pështira të diktaturës.Diktatura do të vazhdonte me planet e saj në eleminimin e figurave të tilla, që shiheshin si rrezik potencial për të ardhmen e saj.

Papritur, më 12.08.1946, Zenel Limaja arrestohet dhe katër ditë më vonë familje e merr vesh.Ai arrestohet në Durrës me akuzën si pjesëmarrës në Lëvizjen e Legalitetit, duke u cilësuar si “armik i popullit” dhe si element i rrezikshëm që synonte rrëzimin e pushtetit popullor.

Pas 16 ditësh, Gjykata Ushtarake në Tiranë, me datë 28 .08.1946, e dënon me pushkatim.

Pa kaluar dy muaj, më datë 8.10.1946, në dhomën numër dy të burgut të Durrësit, hapet dera dhe merren për t`u ekzekutuar Zenel Beg Limaja, Musa  Ruçi, Ndue Marashi dhe Sabri Hoxha.Të gjithë ishtin të rinj, përveç Zenelit që ishte më i moshuar, 43 vjeç.

Për këtë ngjarje, Hysen Hoxha, ish-i burgosur politik, që ndodhej prezent, shkruan në gazetën “Liria” më 19 prill 1995:”Mishtë na u rrëqeth.E morëm me mend se çfarë po ndodhte.Bisha komuniste donte gjak.Ata, sapo dolën në korridorin e burgut, thërritën:Rroftë Shqipëria!Rroftë Flamuri!e kështu u nisën sypatrembur për t`u flijuar”.

I rrëmbyen dhe i pushkatuan diku në Bishtin e Pallës.Eshtrat e tyre akoma nuk janë gjetur.Shpirti i tyre thërret edhe sot për drejtësi.

Pas 29 vitesh prej kësaj ngjarje makabre, revista “Në shërbim të popullit”, në numrin e saj dt.6.06.1975, f.33, shkruan:”Gjykata ushtarake zhvilloi në Durrës gjyqin kundër dhjetë të pandehurve, pjesëtarw të Legalitetit të rrethit të Matit, të kryesuar nga Zenel beg Limaja, Musa Ruçi, Sabri Dunga etj.Këta tradhtarë, pronarë e nëpunës të regjimeve të kaluara, anëtarë me përgjegjësi të Legaliteti, gjatë LNÇ ishin kundër partisë.Pas çlirimit, kanë bërë agjitacion e propagandë kundër partisë, mbanin lidhje me të arratisur dhe siguronin baza strehimi për ta.Një punë armiqësore të theksuar zhvilluan në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945.Qëllimi I tyre ishte të sillnin në pushtet Zogun”.

Gjatë viteve 1945-46, reparte të caktuara ushtarake dhe që quheshin F”orca të Mbrojtjes”, me komandantët e tyre gjakpirës, lëviznin fshat më fshat duke rrëmbyer patriotw, intelektualë, duke u sekuestruar pasuritë e tyre dhe duke i vrarë gjyq e pa gjyq, të cilët, megjithëse nuk kishin kryer asnjë vepër kundër popullit dhe lirisë, prapë cilësoheshin të rrezikshëm dhe armiq potencialë për të ardhmen kundër sistemit ushtarako-policor komunist që po instalohej me shpejtësi.

Për grackat e tyre, këto forca ndëshkuese përdorën lloj -lloj marifetesh, si:spiunllëkun, mashtrimin, grabitje, dhunën, kërcënimin, hipokrizinë, intrigat, mbledhjet e hapura me popullin, premtimet e çfarë nuk përdori, duke sajuar edhe prova false që i inskenonte në mënyrë të fshehtë për t`i përdorur provat e tij false në gjyqe të sajuara e të montuara me kujdes, që ato të dilnin gjasme sa më”të drejta”.

Vetëm në rrethin e Matit  janë pushkatuar me gjyq e pa gjyq 167 patriotë e intelektualë, dhe vdiqën në burgjet e diktaturës 68 intelektualë.Gjatë këtij sistemi barbar u burgosën  272 intelektualë, u shpallën kulakë  61 familje të kamura, u cilësuan “armiq të popullit” 252 familje dhe u internuan 147 familje.Një bilanc dramatik që rrëfen për përmasat dhe thellësinë e errët e munduese të këtij regjimi monstruoz.

PO KUSH ISHTE ZENEL BEG LIMAJA

Zeneli u lind në Burgajet në vitin 1903 në një familje fisnike  me lidhje gjenealogjike me familjen Zogu.I ati, Hasan beu, ishte një burrë i mençur dhe me tipare fisnike e me autoritet në krahinë.Zeneli  bashkë me të vëllanë, Aliun, pasi mbaruan  shkollën fillore në Lis, dhe Internatin në Burrel, vazhduan Normalen në Elbasan.

Që në moshë të re, Zeneli dallohej nga intelekti, sakrifica, patriotizmi;punoi në administratën e Zogut në Mat, Dibër e Mirditë i mbrujtur me cilësi të tilla si:I ditur, i komunikueshëm, i ndershëm dhe i sinqertë.Edhe pse nuk kishte mbaruar shkollën ushtarake, ai ishte i dhënë pas artit ushtarak.Fashizmin e priti me pushkë.Në bashkëpunim me Krerët e Matit mori pjesë në të gjitha takimet  për organizimin e kryengritjes së armatosur kundër  garnizionit fashist.

Pas kryengritjes së 31 korrikut 1943, Zeneli, në bashkëpunim me Ali e Enver Lufin, Sali Barçin, Hazis Kasemin e Ferit Stafasanin, Xhep Gazën e shumë të tjerë, mori masat për të mbrojtur me armë në dorë fshatin Burgajet.I ngriti prita autokolonës fashiste duke i shkaktuar dëme të mëdha në ushtarë dhe në armatim.Në bashkëpunim me çetën nacionaliste të Sali Llanit, u inkuadrua në vendosjen e qetësisë e rregullit në Mat.

Në kohën e pushtimit nazist, shtëpia e tij dhe e Xhep Gasës u bë bazë për komandantin e Çetës së Dibrës, Haxhi Lleshin, se ai priste e përcillte me bujari të gjithë ata që luftonin pushtuesin e huaj.Për këtë, edhe vetë u inkuadrua në  radhët e forcave nacionaliste.

Sikurse dihet, pas Mbledhjes së Mukjes, nën ndikimin e emisarëve jugosllavë u fut fitili i përçarjes, se nacionalistët donin Kosovën, Perëndimin, ndërsa komunistëtt internacionalistë donin sllavët.

Në dhjetor 1943, kryetari i legalitetit dhe anëtar i  Këshillit Kombëtar të LNÇL, Abaz Kupi, thirri në fshatin Lis të Matit, Krerët e Selitës, të Kthellës e të Matit, dhe të Katër Grykëve, ku u bë e ditur tradhtia komuniste-sllaviste dhe u përcaktuan masat për të mos rënë në këtë kurth.

Në këtë takim, Zenel beg Limaja pranoi që shtëpia e tij kthehej në zyrat e xhandarmërisë për sigurimin e popullsisë dhe ruajtjen e rendit dhe të qetësisë.

Tashmë, Mati ishte çliruar dhe vazhdonte  qeverisjen pa pushtues.Nënprefekt u zgjodh Ismail Çupi, i shkolluar në Perëndim, që vinte nga një familje me emër në krahinë, kapiten Kurt Kurti u caktua rrethkomandant i Matit dhe koomandant i xhandarmërisë u caktua Enver Lufi, të dy kishin mbaruar  Akademinë në Itali.

Në shtëpinë e Ali Lufit u vendos nënprefektura.

Si zogist që shpresonte për rikthimin e Zogutr, Zeneli ishte zgjedhur sekretar i Legalitetit.

Pas çlirimit, Forcat e Mbrojtjes i vrasin vëllanë, Aliun, që ishte intelektual antikomunist.

Zenelit i sekuestrohet pasuria:I konfiskohen 128 kokë dele, 2 qe pune, 12lopë e viça, 1 kalë shale dhe 2 mushka, si dhe të gjitha orenditë shtëpiake.Zeneli kalon në ilegalitet.Një pjesë të shokëve i dënuan me gjyqe dhe pa gjyqe, ca u burgosën dhe vdiqën burgjeve.

Gruaja e tij, një zonjë e vërtetë, me djalin, Qemalin 6 vjeç, do të vuante cilësimin e padrejtë si “armike e popullit” dhe përveç vrasjes së Zenelit, arrestohen edhe dy vëllezërit e tij, Fetah e Isuf Limaja, të cilët dënohen.Edhe Xhep Gasa, që kishte strehuar Haxhi Lleshin, shpallet kulak.

Vritet Halil Branica, Enver Lufi  e burgoset hafiz Musa Stafasani, një intelekt i rrallë që kishte mbaruar për teologji në Stamboll, i lidhur me Frashëllinjtw e me kontribut për gjuhën shqipe.

Qemali i vogël, djali i zenelit, që i ati e la 6 vjeç, rritet me luftën e klasave në shpinë.Por nuk mjaftonte ky etiketim, ai shpejt akuzohet për agjitacion e propagandë dhe dërgohet në burgun e Spaçit për të vuajtur dënimin e pamerituar.Dhe sa vuajti e ëma e tij heroike, gruaja  qëndresëtare e fëmijtë?Një kalvar i pafund…

Tashmë, Qemali është 84 vjeç dhe nuk i ka humbur shpresat të gjejë eshtrat e babait të tij, që ai të ketëtë një varr pranë të afërmve dhe farefisit.Shpresa e tij vazhdon…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok