11/12/2024
Rikthimi-i-Fishtes

Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave – një hap përpara, dy mbrapa

AT GJERGJ FISHTA DHE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË – NJË HAP PËRPARA, DY MBRAPA

Nga Frank Shkreli

Ka disa vite që me penën time të pavarur e tepër modeste – pa pasur nevojë t’i them kujt tungjatjeta do të thoshte Fishta — kam bërë thirrje dhe kam kërkuar rivlersimin e veprës, jetës dhe të figurës së madhe të At Gjergj Fishtës nga entet zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, me besimin se pa vlerat e At Gjergj Fishtës, po varfërohet kultura dhe po de-shqiptarizohen trojet shqiptare.  Fatkeqsisht, gjatë 30-viteve të tranzicionit të ashtuquajtur “post-komunist” në Shqipëri – ndonëse librat e At Gjergj Fishtës botohen dhe mund të blihen dhe të lexohen nga kushdo që dëshiron, një përmirsim nga ç’ndodhte në regjimin komunist kur veprat e tija ishin rreptësisht të ndaluara – këto tre dekadat e fundit, trajtimi zyrtar nga nivelet më të larta qeveritaro-shtetërore dhe akademike, s’ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i trajtimit të egër anti-kombëtar ndaj Poetit të Madh të Kombit, nga ana e ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës, i dënuar, i dëbuar dhe i përjashtuar, ç’prej vitit 1940 kur edhe ndërroi jetë Gjergj Fishta.

Por ja, thonë se shpresa vdes e fundit dhe në këtë moment të fundit, pas 3 dekadave “post-komunizëm”, më në fund, me kënaqësinë më të madhe mësova për mbajtjen e një konference në Tiranë, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. A mund të jetë ky fillimi i një rehabilitimi zyrtar i kësaj figure të madhe të Kombit, një hap i parë i rivlerësimit të veprave dhe kontributit të tij — të përjashtuar dhe të harruar — në shumë fusha të kulturës dhe historisë kombëtare. Mbetet për tu parë, por me thënë të drejtën u emocionova prej gëzimit duke mos u besuar syve ndërsa lexova çdo fjalë e fjali nga njoftimi dhe nga përmbledhjet e kumtesave që u mbajtën me këtë rast, të botuara në faqën e internetit të (ASHSH), përfshir fjalën e Kryetarit të Akademisë, Z. Skender Gjinushit dhe ekspertëve të tjerë pjesëmarrës kushtuar Fishtës dhe veprave të tija, në këtë 150-vjetor të lindjes.

Megjithë vonesën e pajustifikuar prej tre dekadash “pluralizëm” (por më mirë vonë se kurrë, thotë populli), për të bërë vlerësimin e nevojshëm të figurës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, unë e vlerësoj dhe e përshëndes nismën ose hapin e parë në këtë drejtim nga një ent zyrtar prestigjoz i shtetit shqiptar, siç është Akademia e Shkencave e Shqipërisë, megjithëse nuk jam i qartë se si do shkohet përpara.

Sipas njoftimit të (ASHSH), Konferenca akademike “ad honorem”), me rastin e 150-vjetorit të lindjes, (1 tetor, 1871) “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”, është hera e parë, ose “një hap” i parë, siç e cilësoi Akademiku Gjinushi.  Siç duket, Z. Gjinushi i mati fjalët me kujdes – për të mos shkelur ndonjë vijë të kuqe në lidhje me trajtimin e Gjergj Fishtës — pasi ndoshta as ai nuk e di se si do të shkohet përpara në vlerësimin e Fishtës.  Sepse, ashtu si këto 30-vjetë të kaluara të një tranzicioni të pafund për një demokraci të vërtetë, zyrtarisht, ashtu si në kohën e regjimit të Enver Hoxhës — Fishta gjithnjë konsiderohet si “reaksionar”, “tradhëtar”, “bashkpuntor i agjenturave të huaja”, e ku ta dijë unë se çfarë epitetesh të tjera fyese janë përdorur kundër Gjergj Fishtës që nga periudha enveriste, e që mbeten edhe sot pjesë e fjalorit të disave për të përshkruar Fishtën.

Por, megjithëse është hera e parë që Akademia e Shkencave e Shqipërisë ndërmerr një veprim të tillë, tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, prapseprap, kjo  është një ngjarje që duhet të mirëpritet dhe të përshëndetet nga të gjithë ata që admirojnë veprat dhe kontributet e shumta të At Gjergj Fishtës por edhe nga të gjithë ata që besojnë në liri, demokraci dhe në lirinë e fjalës në veçanti — që personaliteti i Gjergj Fishtës si “poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar dhe botues”, trajtohet, më në fund, në një forum shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Akademiku Skënder Gjinushi u shpreh me rastin e hapjes së konferencës se, “Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës”, duke shtuar se ky, “Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë. Ose siç pati shkruar Naimi: Unë jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj”, ka thënë në fjalën e hapjes së konferencës, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademik Skënder Gjinushi.

Kryetari i Akademisë së Shkencave u shpreh gjithashtu se konferenca e javës që kaloi ishte vetëm një hap, “për të inkurajuar mirësekëthimin e Fishtës”, duke lenë të nënkuptohet se dikush tjetër mban frenat që pengojnë, për të mos thenë që ndalojnë gjithnjë, rivlerësimin e plotë të At Gjergj Fishtës.  Po kush mund të jenë këto forca të errëta, që për 30-vjetë ndalojnë “mirësekëthimin e plotë të Fishtës?  A janë këta politikanët aktualë hipokritë të të gjitha ngjyrave që para botës euro-atlantike na paraqiten sot si pro-perëndimorë të flakët — a po janë nostalgjikët e Enverit, politikanë dhe akademikë — të cilët për 30-vjetë tani sillen si anadollakë dhe talebanë të anti-vlerave kulturore dhe kombëtare ndaj figurave më të nderuara, monumente të historisë dhe kulturës së Kombit shqiptar?  Figura, si At Gjergj Fishta, njëri prej personaliteteve shqiptare më pro-perëndimore në historinë e Kombit, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

Kujt i pengon ende sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, figura dhe vepra e At Gjergj Fishtës dhe pse?  Pse u deshën tri dekada që të mbahej një konferencë – “një hap i parë” për “mirësekëthimin e Fishtës” – sipas vet Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë?  Kush i pengon hapat e tjerë që duhet të merren në këtë drejtim dhe pse duhet të matet me hapa të tjerë rivlersimi i Gjergj Fishtës? Kush e jep lejen dhe kush i përcakton “hapat” për një rivlersim të tillë?  A është Fishta një hajdut a person i korruptuar që duhet të kalojë nepër “vetingun” politik të “drejtësisë” së re të pushtetarëve të Tiranës?  Si është e mundur që 30-vjet pas shembjes së komunizmit, At Gjergj Fishta mbetet, zyrtarisht, ende i padëshiruar dhe i përjashtuar, i etiketuar me damkën “tradhëtar” dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare si dhe nga kultura, shkenca dhe akademia – si “armik” e “reaksionar”, ashtu siç konsiderohej edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, megjithëse Fishta nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim?  Këto do ishin ca pyetje që vet pjesëmarrësit duhej të bënin në konferencën e javës që kaloi, kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.

Sot, këta politikanët e sodit që gjithnjë refuzojnë Fishtën na paraqiten para audiencave prestigjoze amerikane dhe ndërkombëtare si properendimorë ku e kur ua lypë nevoja, por refuzojnë Fishtën, promovuesin e vërtetë të vlerave perëndimore dhe arkitektin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Nuk mund të pretendosh se je properendimorë dhe kundër ose indiferent ndaj At Gjergj Fishtës.  Këtë duhet ta dinë edhe diplomatët perëndimorë në Tiranë!

Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon jetë i padëshiruar vendin e vet | Gazeta Telegraf

Në mungesë të pyetjeve më lartë dhe të përgjigjeve nga autoritetet shqipotare për një vlerësim të vërtetë dhe më të gjithanshëm të kontributit të Gjergj Fishtës në jetën kombëtare, sidomos kontributeve të tija në fushën politike dhe kombëtare, konferenca e Tiranës, siç duket, për të mos dashur të turbullonte ujërat e zeza të jetës aktuale politike dhe akademike shqiptare — e kishte gjetë të arsyeshme të përqëndrohej më shumë tek kontributet e Fishtës, jo në fushën politike, por në fushën albanologjike, një fushë kjo e sigurt për ta trajtuar Fishtën.  Ndërkohë që sipas të gjitha gjasave, nuk dihet se cili do të jetë “urdhëri zyrtar” për hapa të tjerë, sa i përket “rikthimit” të At Gjergj Fishtës dhe nga kush do jepet leja: Kryeministri, Kuvendi, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Presidenti, nga kush?  Vendim shumë i vështirë ky për Tiranën zyrtare!!! Edhe sot pas 80-vjetësh e kanë frikë Fishtën.

Po pse ky trajtim për 80-vjet i Gjergj Fishtës nga Atdheu tij për të cilin jetoi e punoi gjithë jetën dhe pse “Fishta u fshi nga defteri” nga regjimi komunist, siç  pyeste dikur Profesori i ndjerë shqiptaro-amerikan dhe ish i burgosur i regjimit enverist, Arshi Pipa në një artikull (Fishta dhe Komunizmi) Frank Shkreli: Gjergj Fishta dhe komunizmi | Gazeta Telegraf, të botuar në gazetën Shqiptari i Lirë në Nju Jork me 31 Janar, 1961.  Në atë artikull, Profesori i nderuar shkruante se 2-3 vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt “tabu”.  Por, megjithëkëtë, shkruan ai, qysh në fillim të regjimit, shihej se nga frynte era.  Nëpërmjet “qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosishë, mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhëri që të vinin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës por edhe të Faik Konicës.  Kështu filloi dalngadalë të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Gjergj Fishtës dhe të veprave të tij.

Kjo ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e Jugosllavisë, për t’u bërë republikë e shtatë e saj dhe udhëheqja komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet e tij kundër Jugosllavisë.”  Si përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, të vitit 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist brenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa.

Se si kjo “vijë ekstremiste” komuniste ndaj Fishtës ka mbijetuar sot e 80-vjetë më parë – sidomos këto tre dekadat e fundit — as dreqi nuk mund ta marrë me mend, as ta kuptojë, se si dhe pse për pothuaj një shekull?

Profesor Arshi Pipa: “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”. Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “Karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.

Por një përgjigje e pjesëshme ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë se Fishta i përkiste urdhrit françeskan, ka shkruar Prof. Pipa, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë, ka arsyetuar Profesor Arshi Pipa. Fishta, si përfaqësuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, sipas tij.  Një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe, shprehej Pipa në artikullin e tij. “Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për komunistët”, është shprehur Arshi Pipa.  Ndërsa në fund të artikullit, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit të Kombit, botuar në Nju Jork në Janar të vitit 1961, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan Arshi Pipa bën pyetjen: “A do të mbetet Fishta përgjithmonë armiku numër një?” Ai shprehej optimist, duke thënë: “jo përgjithmonë” ka nënvijuar ai. Pipa shpresonte se ndryshimi zyrtar i regjimit komunist ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, do të ndodhte, kur sipas tij, “komunizmi të ndërroj qime”.  Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se, megjithëse komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” Fishta ende mbetet i përjashtuar, ose të pakën jo i mirëseardhur dhe i pa pranuar, zyrtarisht.

“Ujku qimën e ndërron, por vesin jo”, thotë një fjalë popullore.  Mbetet për tu parë nëse Konferenca në150-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, shënon vërtetë, hapin e parë zyrtar, “për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës” – siç u shpreh Kryetari i kësaj Akademie, Z. Skënder Gjinushi.  Presim gjithashtu, për të parë nëse ujku, vërtetë, ka ndërruar jo vetëm qimën por edhe vesin, përfshir qendrimin armiqësor 80-vjeçar ndaj At Gjergj Fishtës, në këtë 150-vjetor të lindjes së Poetit Kombëtar.  Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për paqë dhe pajtim të shqiptarit me shqiptar. Siç tha edhe ditët e fundit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, “Ka ardhur koha të kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”.

Kështjella shqiptare është e tronditur në themel. Sot, më shumë se kurrë, Kombi shqiptar ka nevojë për mësuesin e madh të dashurisë për Kombin — At Gjergj Fishtën! Mos hezitoni, kemi pritur mjaft dhe me durim për 80-vjetë!

“Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj.”, tha Kryetari i Akademisë, Skender Gjinushi ndërsa e përqëndroi kumtesën e tij në tri meritat e mëdha të Fishtës si krijues.

Njëri prej ligjëruesve në konferencë, Imzot Gjergj Meta, nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e vlerësoi atin françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), si figurën më të madhe dhe më të fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të Shtetit të ri sovran shqiptar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok