13/12/2024

Zoti pastë mëshirë për ne!

0
Albert-Vataj

Nga Albert Vataj

Çdo shërbim është një mall që i ofrohet kundërvleftës për ta përfituar. Por jo çdo mall është shërbim i interesit tonë, më shumë se një mundësi, që dikush të bëhet i pasur, shumë i pasur, aq sa t’ia lejojë vetes të marrë në dorë fatin tonë dhe të bëjë me të ç’të dojë.

Keni dëgjuar shprehjen, “se malli i mirë nuk ka nevojë për reklamë”. Sigurisht që jeni dëshmitarë se plehrat, helmet, toksinat, çdo gjë e mundshme për të qenë një aset interesi financiar, pavarësisht cilësisë apo certifikimit, u bëhet kaq shumë reklamë, sa e kemi të pamundur të mos i bëjmë ato që i ofrojnë si shërbim, ndoshta jo tamam vrasëse të jetës sonë, se sa dhunues monstruoz të saj.

Flitet e përflitet, akuza ngrihen dhe të ndëshkuarit i’a hedhin paq. Dhe… në një kohë ku secili sheh punën e vet, ata që ngrenë zërin, ata që ankohen, ata që drejtojnë gishtin akuzues, aq bëjnë dhe asgjë më shumë nuk ka vlerë se sa injorimi, mbivendosja e një skandali mbi një tjetër dhe gjetja e një zgjidhjeje origjinale, kujameti tre ditë zgjat, edhe pse vetë Zotit ju desh një javë.

Ndoshta ne të gjithë jemi viktima dhe viktimatarë, fajtorë të pafaj, në një të sotme të rrëmujshme, ngjashmërisht me nxitimin për të zënë sekush një vend në anijen që na largon nga përmbytja, pa e vrarë mendjen se fundosja është i vetmi fat i saj.

Që t’i përflasim si gojët e liga, armiku nuk është vetëm tregtari që mbledh kazanëve të botës hedhurina, plehra të cilat në vendet e origjinës duhet paguar për t’i ekzekutuar, por kriminelët që i njohim si biznesmenë, të cilët pavarësisht rrezikut që barti mallrat që ato sjellin për të tregtuar, fitimi prezumon mbi përgjegjësinë. Ata nuk kanë pse ndihen të penduar, kur s’ka kush i bën ato fajtor. Me para ata blejnë çdo indulgjencë dhe u legjitimohet çdo akt demoniak. Si të pretenduar, palë në këtë mizori, janë edhe ata që na përfaqësojnë dhe na mbrojnë, që janë: Institucionet shtetërore, organizatat e mbrojtjes së konsumatorit dhe media. Kjo e fundit, për një garanci emergjence mbijetese, në një realitet ku ato janë të vetëpërjashtuar për shkak të një malli surrogat që ofrojnë dhe shijes prej balte që promovojnë. Asaj kur i intereson, dhe këtë e ka tashmë një zeje mjeshtërore, bën zërin denoncues të konsumatorit, dhe përnjëherësh nga akuzator kalon në bankën e avokatit të djallit. Dhe e bën këtë punë, ndoshta më mirë nga të gjithë punët që i ka mbetur të bëjë, si informim publik.

Gjithçka që këto aktorë i bashkon në një “ekzekutim” publik të njerëzve e bëjnë për para. Për para, jo për të mbijetuar ata dhe për të vdekur ne, por ata për t’u bërë të pasur, shumë të pasur, dhe ne për të qenë të dënuar me vdekje.

Natyrisht që ju kanë rënë në sy, denoncime të mediave, televizioneve kryesisht, të cilët në një përpjekje për të përfaqësuar dhe mbrojtur konsumatorin, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shantazhojnë tregtarët kriminelë, individë e sipërmarrës, institucione dhe organizma, të cilët të mësuar me llogari dhe hesape, preferojnë të hedhin miliona për të mbyllur gojën medias dhe për të na e bërë varrin ne.

E keqja nuk qëndron vetëm te fakti se mashtrohemi nga media që kujtojmë se po na mbron ashtu siç na gënjen mendja se po na argëton apo iluminon, ndërkohë që ajo po garanton mundësitë financiare për të mbijetuar, duke na e ngulur gjithnjë e më thellë thikën e kostos së jetesës. E keqja qëndron, se në këtë lojë makabre vrasjeje kolektive, roli kryesor në këtë tragjikomedi i është besuar virtuozitetit të institucioneve shtetërore, të cilët, fusin gjithnjë e më thellë duart në xhepat tanë, më pamëshirshëm se çdo kusari, për të marrë çfarë është e tyre. Sepse shteti jeton me taksat tona, por edhe taksat që ne japim duhet t’i shpërbëjnë interesave tona publike, ndoshta edhe përfaqësimit dhe mbrojtjes së çdonjërit prej nesh, përballë institucioneve dhe zyrtarëve parazitë dhe mediokër, e pse edhe para të drejtës për të patur të drejtë për të marrë drejtësi në organet ligjzbatuese.

Aaaaaa, jo! Shteti ka një arsye të bishtnojë në këtë rast, duke luajtur me kartën e mosndërhyrjes në pavarësinë dhe indipendencën e funksionimit të institucioneve dhe sipërmarrjes. Për të marrë paratë e veta dhe pak ca si shumë më shumë, shteti i ka gjetur taksidarët e regjur me vaj e uthull, për ta bërë këtë punë më mirë se ç’duhet.

Për të cekur pak te problemi i shëndetësisë. Një mall i keq dhe një shërbim i diskutueshëm, jo vetëm ai shtetëror, që ofrohet falas dhe pothuajse falas e ka edhe mundësinë, për të t’u ofruar si kapacitet rehabilitimi shëndetësor. Kjo nëse nuk je aq bujar dhe nuk e do veten më shumë se sa paratë që ke në disponon, të cilat duhet t’i japësh që nga roja deri te sanitarja, nëse nuk do të jesh i vlefshëm sa një mall falas. Për të mos folur për arsimin, i cili si mall, është jo më pak i papranueshëm si çdo mall tjetër që ofrohet jo më shumë se si një mall nga matrapazë.

Problem nuk është vetëm një sistem i korruptuar, të cilin nuk e kuron dot as Betimi i Hipokratit, as masat ndëshkimore të ndërgjegjes, sikurse as nismat shtetërore shterp për të riparo pagat, apo për të falsifikuar investimet ambicioze në këtë sektor. Problem janë, jo vetëm mjekët e paaftë, laboratorët që manipulojnë rezultatet e analizave, por edhe industria farmaceotike, një industri e bërbindshme abuzimi. Ilaçet që tregtohen, por kryesisht ato të rimbursuart, nuk janë vetëm të paefktshme, por edhe të rrezikshme. Ti trajtohesh për t’u kuruar, dhe nuk e di se është dikush tjetër që mendon më pozitivisht për ty dhe shëndetin tënd, duke të të ofruar në vend të medikamenteve helme dhe kimikate, për të ta shkurtuar sa mundët rrugën tënde të jetës, për ta afruar më pranë këtë tmerr pafund. E megjithatë, kjo ka funksionuar. Nëse dikur rrinim në radhë për të marrë racionet e ushqimeve, bulmetit, mishit, apo perimeve, sot ka radhë për analiza dhe ilaçe, vizita dhe konsulta, në klinika, qëndra ambulatore dhe spitale.

Për të shkuar te ndërtimtaria, kryemonstrat me kravata e veshje firmato, ata që blejnë dhe shesin tokën dhe jeton tonë, me para, shumë para. Ata, në bashkëpunim me një sistem zhvatës të bankave, kanë futur në kurthin e ububushëm të një skllevërve modernë, të gjithë ata që besojnë se ky vend bëhet, se e ardhmja është këtu, se “guri i rëndë peshon në vend të vet”. Ndoshta diçka në përngjasim me një burg, ku një qytetar që kërkon të bëhet me një strehë sado modeste, për vete dhe fëmijët, është i dënuar me mbi 20-25 vite në “Gulagun e Siberisë” modene, ku të duhet të punosh, për një apartament dhe të paguash dy të tillë, dhe t’i dalësh zot vetes, se kurrkush tjetër nuk ta gjen dermanin. Je i punësuar në një treg të pasigurt, ku mosha 40-vjeçare e lart, kategorizohet si e papajtueshme me normat e punëmarrjes, ku nuk ke asnjë të drejtë, ndoshta as të kërkosh pagën, kur ajo të është shtyrë për një arsye apo për një tjetër, ku nuk guxon të kesh ëndrra, kurrsesi nuk duhet të sëmuresh, apo të kesh nevoja, dhe, nuk mund as të vdesin. E për çfarë për disa metra katrore banesë, për bukë dhe helm.

Jo më pak prapa në këtë apokalips asgjesues, janë edhe politikat sociale si mall, projektet ekonomike, mikro dhe makro. Shitja e çdo gjëje dhe keqmenaxhimi i kapaciteteve dhe të ardhurave që gjerohen si rrjedhojë, duke përqëndruar gjithçka në zonat urbane, dhe duke qenë mundësi dhe përfitim vetëm në pak duar, kanë ndëshkuar me braktisje dhe shpopullim fshatra dhe qyteza të tëra, duke e shndërruar Shqipërinë që Zoti na e bëri Parajsë, në një ferr.

Ky sistem i kalbur, duhet denoncuar, po jo vetëm, duhet gjenden mënyrat dhe mjetet për ta bërë këtë, në kushtet kur populli si konsumator është i papërfaqësuar dhe i pambrojtur, ku zëri i individit humbet në shkretëtirën e ankimeve dhe akuzave, ku fuqia e votës dhe vullneti i sovranit janë vetëm retorika e maskës së politikës. Le ta bëjmë këtë ndoshta për të shpëtuar më shumë se gjithçka, njeriun e ndershëm, i cili është shansi i vetëm dhe i fundit.

A nuk më thotë dikush, se për çfarë më shumë u nxitën rebelimet popullore, shpërthyen revolucionet, u bënë luftëra, u derdhën lumenj gjaku, idealeve që ju blatuan jetë, shembujve që i ngjitëm në shtatore, monumente dhe kujtesë?!

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, në fokusin e përciptë të këtyre kushteve dhe të një zemërate legjitime, timin e shumë njerëzve të ndershëm ende të këtij vendi, çfarë mund të themi, veçse të përsërisim atë që paraardhësit tanë, si paraardhësit e tyre, edhe ne, thanë dhe themi: Zoti na mëshiroftë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok