Zhvillimi i arsimit në Kosovë gjatë shekullit XIX
Nga Dr. Qazim Namani
Në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptarët nuk gëzonin të drejtat e tyre për tu shkolluar në gjuhën amtare.
Shqiptarët katolik i kishin shkollat e tyre në Prizren, Gjakovë, Pejë, Janjevë, dhe Stubëll por mësimi zhvillohej në gjuhën italiane. shqiptarët mysliman detyroheshin që mësimet ti vijojnë në gjuhën turke.[1]
Për territorin e Kosovës së sotme nuk kemi të dhëna të bollshme lidhur me zhvillimin e kulturës dhe arsimit deri në reformat e Tanzimatit. Dihet se më parë kanë ekzistuar disa shkolla fetare në qytete, ku shkolloheshin fëmijët e të punësuarve në administratën osmane. Kur në shekullin XIX aq sa më tepër qe forcohej islamizimi i popullatës po aq vinte në shprehje sidomos te popullata që jetonte në qytete ndikimi i kulturës islame. Serbët që në vitin 1836 kishin arritur pëlqimin nga Perandoria Osmane që të hapin dy shkolla fillore në Prizren. Në vitin 1848 serbët kishin hapur shkolla edhe ne Gjakovë, Pejë, Vushtrri dhe Graçanicë.[2] Para reformave të Tanzimatit hapjen e shkollave e bënin bashkësitë fetare, ndërsa pas reformave të Tanzimatit edhe pushteti filloi të interesohet për hapjen e shkollave.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX te popullata shqiptare kishte lindur dëshira për të hapur shkolla në gjuhën amtare.
Ministria e Arsimit në P.O. është themeluar në vitin 1857 dhe shkalla e investimeve në kulturë dhe arsim në trevat shqiptare ishte shume e ulët. Gjatë vitit 1883 në territorin e Vilajetit të Kosovës për shkolla janë shpenzuar 180.795 groshë.[3]
Për ta penguar këtë lëvizje kulturore të popullit shqiptar, Perandoria Osmane. filloi të hap shkolla fillore shtetërore me plan programe turke. Shkolla shtetërore në territorin e Kosovës së sotme janë hapur fare pak duke filluar që nga viti 1876.[4] Gjatë kësaj kohe hapeshin mejtepe dhe ndërtoheshin xhamia me qëllim që popullit shqiptar ti rrënohen ndjenjat kombëtare, duke përfituar nga asimilimi dhe nënshtrimi i tyre. Edhe përkundër misionit të klerikëve mysliman që të mësohet gjuha turke, shqiptarët në pjesën dërmuese, arritën të ruajnë gjuhën dhe traditat kombëtare.
Në këtë kohë qeveria turke e kishte lejuar Serbinë e cila ishte e përkrahur nga Rusia që të hapte shkolla në gjuhën serbe brenda territorit administrativ të P.O. për përhapjen e shkollave serbe në territorin e Kosovës së sotme në atë kohë ka shkruar dhe gazeta “Prizren” që kishte filluar të botohej në gjuhën turke dhe serbe që në çdo fashat q ka mbi 100 shtëpi të ndërtohet nga një shkollë e bukur.[5]
Në vitin 1888-89 në Vilajetin e Kosovës pa sanxhakun e Shkupit, Serbia i kishte hapur 24 shkolla për meshkuj dhe 4 shkolla për femra me 38 mësues duke mos e llogaritur Bogosllavinë (shkollë fetare) në Prizren e cila kishte 92 nxënës dhe 2 arsimtar.[6]
P.O. në Vilajetin e Kosovës kishte hapur këto lloje shkollash: Sibijan, mektebe, që i mbante populli dhe ishin kryesisht nëpër fshatra. Në disa qytete ishin hapur edhe shkolla shtetërore fillore si Iptidaije dhe pro gjimnaze Ruzhdije. Në Shkup ishte hapur shkolla normale dhe gjimnazi i lartë Idadije. Në qytetet tjera të Vilajetit të Kosovës ekzistonin medresetë që përgatiteshin klerik mysliman.[7] Sibijan ishin mektebe që nuk kishin programe të caktuara nuk kishin regjistër as orare kur fillonte puna. Kryesisht punohej me fëmijë të vegjël të cilët që nga ditët e para ishin të detyruar të mësonin përmendësh lutjet në gjuhën arabe pa ditur përmbajtjen e lutjeve.[8]
Duke e parë dëshirën e madhe që e kishin shqiptarët për kulturë dhe arsim në gjuhën shqipe si dhe interesat e tyre strategjike Austro-Hungaria dhe Italia në disa vende të Vilajetit të Kosovës kishin hapur shkolla për popullatën katolike shqiptare në gjuhën shqipe.[9]
Austro-Hungaria financonte shkollat në Prizren, një për vajza dhe një për djem me 80 nxënës, në Gjakovë një shkollë fillore, në Pejë shkollën fillore me 30 nxënës, në Zym një shkollë fillore më 50 nxënës, në Ferizaj një shkollë private, në Janjevë një shkollë, në Letnicë një shkollë prej vitit 1888, në Shkup një shkollë me 103 nxënës. [10]
Në shkollat shqipe të hapura për katolik kishin filluar të mësojnë edhe fëmijët mysliman por qeveria turke merrte masa ndaj prindërve të fëmijëve që vijonin mësimet në këto shkolla. Shqiptarët në çdo tubim që kishin si kërkesë të tyre e shtronin arsimin në gjuhën amtare. Në një tubim që është mbajtur në Fushë Kosovë në muajin shkurt të vitit 1901 e të cilin e kryesonte Haxhi Zeka nga Peja është kërkuar hapja ë shkollave në gjuhën shqipe.[11]
Qeveria turke i ndiqte të gjithë shqiptarët që posedonin libra në gjuhën shqipe. Këtë më se miri e përshkruan korrespodenti i gazetës “Drita” kur shkruan se kush ka libra le ti mbyll në një thes dhe ti dorëzoi në organet shtetërore, duke shkruar se mjerë atij qe i gjendet ndonjë libër që flet për Skënder Begun.[12]
Në këtë periudhë kohore ka pasur raste kur njerëzit si autodidaktë kanë mësuar të lexojnë dhe shkruajnë në gjuhën shqipe, por janë burgosur vetëm pse janë gjetur me libra shqip në dorë.[13]
Mihaceviv Lavro i cili gjatë vitit 1907 patë rastin të kaloi nëpër Vilajetin e Kosovës ka shkruar se: Pa marrë parasysh rrezikun , njerëzit lexonin gazeta e libra shqip ku përmes tyre zgjohej dashuria për atdheun dhe fitoheshin njohuritë për situatën politike të kohës.[14]
Në shekullin e XIX kur Ipeshkvia e Prizrenit ishte në duar të grekëve, shkollimi në gjuhën serbe në këto treva u bë përmes bashkësive shkollore kishtare. Ndikim të madh në jetën kulturore dhe arsimore kishte përfshirja e Kosovës në kuadrin e propagandës nacionale dhe politike-arsimore serbe.[15]
Serbia në Kosovë i themeloi bashkësitë kishtare shkollore si organe të vet administrimit lokal dhe e bëri mbështetjen e fortë me ndihmat e saja të gjithmbarshme duke i konsideruar si shkolla të veta.[16]
Në fazën e tretë prej vitit 1890-1912 numri i shkollave serbe në Kosovë u shtua dukshëm. Në bazë të dokumenteve dëshmohet se në këto shkolla mësohej: Qëndrimi i fuqive të mëdha rreth Vilajetit të Kosovës, reformat ne Turqi, çështja e Deçanit, konfliktet në mes të ipeshkvit të Rashës dhe Prizrenit etj.[17]
Arsimi në gjuhën serbe gjatë shekullit XIX në Kosovë u zhvillua nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë.[18]
Ndër lëndët kryesore që mësoheshin ishin mësimi i krishterë më nga 2 ore në javë dhe gjuha serbe deri në 10 orë në javë.[19]
Popullata shqiptare katolike ishte marrë në mbrojtje të Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Këto shtete kishin hap shkolla në disa vende të Vilajetit të Kosovës. Këto shkolla në saj të aktiviteteve të patriotëve shqiptar u bënë qendra të zhvillimit të vetëdijes kombëtare.[20]
Lidhur me hapjen e shkollave serbe në Kosovë shkruan edhe gazeta “Prizren” e cila kishte filluar të botohej në gjuhën turke dhe serbe. Atje shkruan me simpati lajmërohet urdhri i Vilajetit që në çdo fshat që ka më se 100 shtëpi të ndërtohet një shkollë e bukur.[21]
Në saj të aktivitetit të Qeverisë Serbe, popullata serbe në pikëpamje të arsimit i ka pas gati ato të drejta që i kishin serbët në serbi. Vilajeti i Kosovës pa sanxhakun e Shkupit i ka pasur 24 shkolla për meshkuj dhe 4 tjera për femra, me 38 mësues dhe mësuese duke mos e llogaritur Bogosllavinë (shkolla fetare ) në Prizren në të cilën kishte 92 nxënës dhe 8 arsimtar.[22]
Për popullatën katolike shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX Austro-Hungaria dhe Italia kishin hap shkolla në gjuhën shqipe në Shqipërinë veriore. Në Prizren një për vajza dhe një për djem me 80 nxënës, në Gjakovë shkollë fillore, në Pejë shkollë fillore me 30 nxënës, Në Ferizaj një shkollë private, në Zym një shkollë me 50 nxënës, në Janjevë një shkollë, ne Letnicë një shkollë prej vitit 1888, në Shkup një shkollës me 103 nxënës.[23]
Në tubimin që është mbajtur në Fushë Kosovë, gjatë muajit shkurt të vitit 1901 të cilin e kryesoi Haxhi Zeka nga Peja, u shtua çështja e shkollave në gjuhën shqipe. Shqiptarët në çdo tubim të vetin e shtronin këtë çështje.[24]
Në fund të shekullit XIX kur bëheshin përpjekje për të hapur shkolla në gjuhën shqipe P.O. kundërshtonte që mësimi me nxënës shqiptar mysliman të zhvillohej me alfabet latin. Në fillim të shekullit XX këtë qëndrim e mbajti edhe qeveria Xhon-turke e cila e mori pushtetin në vitin 1908. këto masa i shtynë shqiptarët që të ngritën në kryengritje për të kundërshtuar ndaj padrejtësive që ju bëheshin. Në këtë periudhë vlen të përmendet kontributi i Hasan Prishtinës i cili i dërgoi disa të rinj nga Kosova në shkollën pedagogjike shqipe në Elbasan.[25]
Ministria e Arsimit të Turqisë, dërgoi në Kosovë libra në gjuhën shqipe për arsimin fillor, por me shkronja arabe.
Në qytetin e Prishtinës krahas dërgimit të librave P. Osmane përmes njerëzve të vet përhapte në popull propagandë për admirimin e disa figurave të parëndësishme që ishin përfshi në këto libra, për shkronjat arabe, duke futur në to edhe disa shkronja latine. Në popull ishte krijuar pa kënaqësia dhe u shkaktuan kryengritje, të cilat u shuan nga armata turke. Në kohën e shpërndarjes së këtyre librave elementët e përmendur në Kosovë propagandonin në popull duke thënë: ne ju thamë të mësonit shkronjat latine, ju nuk pranuat, tani qeveria turke do të ju detyroi të mësoni me zor dhe do të kërkoi nga ju bidatë (Sajime në kundërshtim me fenë myslimane).[26]
Ndikimi i propagandës greke ka qenë i madh për arsye të pozitës së privilegjuar të patriarkales së Stambollit në Turqi. Çerdhja e kësaj propagande ka qenë Ipeshkvia e Prizrenit e cila ishte ne duar të grekëve prej vitit 1830 e deri në vitin 1896. Grekët propagandën e tyre e përhapnin me anë të popullatës vllahe (arumune – cincare) në Prizren, Ferizaj, Lipjan dhe në disa vende tjera me anë tw një numri të vogël murgjish e manastiresh.[27]
Propagandës greke ju kundërvunë në mënyrë të organizuar këshillat shkollore kishtare, klerikët e famullive, mësueseve, tregtarëve. Në këtë kohë gjuha greke në kishë dhe mënyra e të kryerit të meshës ishin nën presionin sistematik. Nga ky organizim i fuqishëm i propagandës serbe shkollat vllaho-grekë nuk kanë mundur të qëndrojnë shumë, dhe numri i vogël i murgjve grek u tërhoq vetë prej manastireve.[28]
Në vitin 1913 në Janjevë ushtria serbe bëri presione me forcë kundër kishës katolike të Janjevës me qëllim që besimtarët të detyroheshin që të heqin dorë nga feja e tyre. Në këtë peshkopatë që numëronte rreth 800 katolikë të ashtuquajtur “Laraman” u bënë presione që këta banorë ose të deklarohen mysliman ose ortodoks, por jo katolikë.[29]
Kishat tjera edhe pas pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe, vazhduan traditën e tyre për përkujdesje dhe ruajtjen e këtyre objekteve të kultit
Në vitin 1878 kur me mijëra familje shqiptare dhunshëm dëboheshin nga sanxhaku i Nishit në shenjë të hakmarrjes organet e pushtetit të Perandorisë Osmane i organizuan malësorët që ta rrënojnë kishën e Deviçit. Në këtë situatë të vështirë Rustë Alija rojtar i kishës i ftoi shumë fshatar shqiptar për rreth pa dallim fisi për ta mbrojtur kishën. Shqiptarët e armatosur u mblodhën shpejtë në oborrin e kishës. Duke e parë organizimin e shqiptarëve sulmuesit u tërhoqën dhe kisha shpëtoi nga shkatërrimi i sigurt.[30]
Bazuar në burimet e shkruara dhe në kujtesën e popullatës shqiptare gjatë shekullit XIX, tri kishat e njohura në Kosovë: Kisha e Deçanit, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Devçit i kishin rojet e tyre nga familjet shqiptare të cilat zgjidhte fshati ose fisi dhe ia prezantonin kryemurgut zgjedhjen e rojeve, zakonisht me përzgjedhje pajtoheshin edhe autoritetet e pushtetit Osman.[31]
Historijani serb Stojan Novakoviq i cili ka qenë në Pejë më 1889 shkruan se shqiptarët e Rugovës e ruajnë manastirin tash e 300 vite. Gjatë luftës 1876-1878 manastirin e ruajtën 10-15, shqiptarë nga Rugova të armatosur.[32]
Për mbrojtjen e Patriarkales së Pejës përveç rugovasve tjerë vetëm nga familja e Zhuj Veselit janë vrarë gjashtë meshkuj.[33]Siç shihet edhe përkundër masave, që ndërmorën osmanët por edhe serbët, popullata shqiptare e këtyre viseve e ruajtën traditën qindravjeçare për monumentet e tyre kulturore.
Ka pasur raste kur edhe serbët e kanë sulmuar për ta plaçkitur kishën e Deviçit dhe duke e mbrojtur kishën prej serbëve janë vrarë rojet shqiptare Sejdia e Delija, ndërsa kushëriri i tyre Ajeti është plagosur në dorë.[34]
Mbrojtja e kishave në traditën e shqiptarëve ishte e rregulluar edhe me kodin kanunor ku shprehimisht thuhej: “Kisha shpat e konop ska… kush e dëmton kishën është i detyruar të gjobitet.[35] Siç shihet kishat ishin në mbrojtje kanunore dhe kolektive fisnore te popullata shqiptare.
Popullata shqiptare e Kosovës i kanë ruajtur kishat dhe manastiret ne trevat e tyre, madje edhe ne kohën e viteve 1876-1878 kur ushtria e borgjezisë serbomadhe i bëri hi e pluhur të gjitha xhamitë dhe shtëpitë e shqiptarëve prej Prokuple e deri ne Nish.[36]
Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, kisha e Deviçit për një periudhë u shndërrua në seli të nënprefektit “naçallnikut” të rrethit. Në kishë u vendos post xhandarmëria dhe një kthinë u shndërrua në burg. Kjo kishë tani u bë qendër ku popullata shqiptare që e ruajti me shekuj tani burgosej, torturohej, plaçkitej e vritej nga organet e pushtetit më qëllim që ti zhdukë dhe shpërngulë shqiptarët nga trojet e tyre.[37]
Gjatë luftës së dytë botërore kishën e Deviçit për nevoja të tyre e shfrytëzuan ushtarët italian, të cilët një natë para se të shkonin e lanë zjarrin e ndezur. Zjarri ishte përhapur dhe kisha dhe kisha ishte djegur. Kjo kishë është rindërtuar pas luftës së dytë botërore.[38]
[1] Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 1998, fq. 195
[2] Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 1998, fq. 195
[3] Tomoski Tomo, dokumentite od Vienkata arhiva za Makedononija (1878-19030), Skopje, 1955, fq. 24
[4] Todora P. Stankovic, Putne beleske po staroj Serbiji, 1871- 1898 Beograd, 1910, fq. 102
[5] Mitropan Stojan, Prillozi za istoriju stampe u staroj Serbiji i Macedoniji 1871- 1912, Skopje, 1933, fq.18
[6] Jovanovic. M. Jovan, Juzna stara Serbija od kraja XVIII veka do oslobodjenja, Beograd, 1938, fq. 78
[7] Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosovës, më 1878-1912, Prishtinë, 1969, fq.42
[8] Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosovës, më 1878-1912, Prishtinë, 1969, fq.43
[9] Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosovës, më 1878-1912, Prishtinë, 1969, fq.43
[10] Urosevic A. Prva skola za nase katolike u Letnici, Juzni pregled, Br.10, Skopje, 1936, fq.168
[11] Stojanovic Vladimir, Drustveno politicke prilike medju Arbanasima u kosovskum Vilajetu na
pocetku XX veka i arbanaski otpor proptiv reforma 1902-1903, “Istorijski casopis”, SANU, knjig.
XI, Beograd, 1960, fq.185
[12] Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosovës, më 1878-1912, Prishtinë, 1969, fq.44
[13] Konstantin Cekrezi, Razvoj arbanaskognacionalizma, “Nova Evropa” knj.XIII, Br.%, Zabreb, 1926, fq.145
[14] Mihacevic Lavro, Po Albaniji , Zagreb, 1911, fq.44
[15] Dr. Jagosh K. Gjillas, Shkollat serbe në Kosovë nga viti 1856-1912, Prishtinë, 1969, fq. 302
[16] Dr. Jagosh K. Gjillas, Shkollat serbe në Kosovë nga viti 1856-1912, Prishtinë, 1969, fq. 303
[17] Dr. jagosh K. Gjillas, Shkollat serbe në Kosovë nga viti 1856-1912, Prishtinë, 1969, fq. 307
[18] Dr. Jagosh K. Gjillas, Shkollat serbe në Kosovë nga viti 1856-1912, Prishtinë, 1969, fq. 308
[19] Dr. Jagosh K. Gjillas, Shkollat serbe në Kosovë nga viti 1856-1912, Prishtinë, 1969, fq. 184
[20] Po aty fq. 25
[21] Mitropan stojan, Prihozi za istoriju Stampe u staroj Serbiji I Macedoniji 1871-1912, Skopje 1933, fq.18
[22] Jovanovic M. Jovan, “Juzna Stara serbija od kraja XVIII veka do oslobodjenja, Beograd, fq, 78,
Shukri Rahimi, Shukri Rahimi, Vilajeti I kosovës, 1778-1912, fq. 42
[23] Urosevic Anastasje, Prva skola za nase katolike u Letnicii “Juzni pregled” br.10, Skopje 1936, fq.331
[24] Stojanovic Vladimir, Drustveno-politicke prilike medju Arbanasima u kosovskim Vilajetu na
pocetku XX veka, I arbanaski otp[or protif reforma 1902-1903 god., “Istorijski Casopis”, SANU,
knjiga Xi, Beograd, 1960, fq.185
[25] Sylejman Kylqe, Shqipëtarët në historinë osmane, Tiranë, 2004, fq. 208
[26] Sylejman Kylqe, Shqipëria në historinë Osmane, Tiranë, 2004, fq. 208
[27] Dr. Jagosh K. Gjillas, Shkollat serbe në Kosovë nga viti 1856-1912, Prishtinë, 1969, fq. 302
[28] Dr. Jagosh K. Gjillas, Shkollat serbe në Kosovë nga viti 1856-1912, Prishtinë, 1969, fq. 303
[29] Leo Freundlich, Golgota shqiptare, Tiranë 1995, fq 60
[30] Mark Krasniqi, Gjurmë e Gjurmime, Prishtinë, 1979, fq. 135. 136
[31] Mark Krasniqi, Gjurmë e Gjurmime, Prishtinë, 1979, fq. 133
[32] Mark Krasniqi, Gjurmë e Gjurmime, Prishtinë, 1979, fq. 140
[33] Mark Krasniqi, Gjurmë e Gjurmime, Prishtinë, 1979, fq. 142
[34] Mark Krasniqi, Gjurmë e Gjurmime, Prishtinë, 1979, fq. 145
[35] Shtjefën Gjeçovi, Kanuni I Lekë Dukagjinit, Shkodër, 1933, fq. 3
[36] Mark Krasniqi, Gjurmë e Gjurmime, Prishtinë, 1979, fq. 165
[37] Mark Krasniqi, Gjurmë e Gjurmime, Prishtinë, 1979, fq. 147
[38] Mark Krasniqi, Gjurmë e Gjurmime, Prishtinë, 1979, fq. 147
