21/12/2024
Resmi-Osmani

Tregim nga Resmi Osmani

Korrieri dhe Pirrua, pas nje ngarendjeje të gjatë ,që e bënte edhe më të lodhshme e të mundimshme shtresa e borës, duke iu ngjitur të përpjetës së sikletshme, së mbrami kundruan se si u shfaq si një mirazh fshati për ku ishin nisur. Të dy udhëtarët frymuan të lehtësuar dhe u ndalën një grimëkohë për tu prajtur.

Me shtëpitë e gurta,të ulta, mbuluar me rrasa të përhinjta, i strukur në shpatin jugor të majëmalit, mbuluar nga bora dhe mjegulla, i parë  nga poshtë, ngjasonte si i pezullt midis tokës dhe qiellit, që dridhej nga të mardhurit. Mbi të maja e malit, me kësulën e reve mbi krye, që dukej se papra vinin nga askund dhe shkonin në askund, rrokte qiellin. Dukej që dimërit bora dhe erërat e akullta, aty kishin limerin e tyre. Po të mos ishin shtjellat e përhinjta të tymit që dilnin nga tymtarët, do të ngjante i ngrirë e i pajetë. I largët dhe , i veçuar,në atë humbëtirë, si i harruar,midis qiellit dhe tokës, kishte dy rrugë këmbësore që e lidhnin me botën. Njera që rrokullisej tatëpjetë si në theqafje midis shkurreve për në luginë në xbaden e shtruar, e që mbante nj’a tri orë të mira më këmbë gjer në të sosur  dhe tjetra, kacavirrej në qafë të malit, nga ku , pasi arrije, në verilindje hapej  sa të zinte syri, lugina madhështore  me lumin në mes dhe fshatrat e largët e më tej vargmalet. Rruga, varej teposht, gjarpëronte mes pyllit dhe e lidhte me katundet e tjerë, strukur rrëzë malit, të qarkuar nga pyjet e ahut e të pishave, për të mbritur te Burojat përfund malit dhe fshati Lajthizës  kundruall.

Po bëhej kohë, që  fshati bjerri atë qetësinë e plogët, shkaktuar nga dimri, bora e të ftohtat, ku pushtimi i vendit dhe lufta vinin si një jehonë nga larg, pasi kur se pandehnin, çatisi befas për tu strehuar, çeta partizane e krahinës. Atëhere e ndërmëndën se lufta kishte çatisur edhe në fshatin e tyre të largët. Fshati sido i varfër e në skamje,  pas një ngurrimi e stepje të nemitur, pranoi të ndante me ‘ta strehën, vatrën e zjarrit dhe  kafshatën e pakët të  bukës. Pa menduar për telashet që mund t’u hapeshin. Sido qoftë, ishin djemtë e tij dhe luftonin kundër pushtuesit.Kështu tha pleqësia. Kaq mjaftonte. Nuk mënuan  dhe ngritën Këshillin Antifashist.

Çeta partizane , në ato muaj dimri egërshan, vend më të volitshëm e të mbrojtur s’kishte ku të gjente. Komanda italiane anipse ishte në dijeni nga spiunët e vet, nuk trimërohej të dërgonte në atë majëmali njësite ndëshkimore të bersalierëve, nga droja e të papriturave se do të pësonin humbje, ngaqë ushtarët do të fironin në pritat e zëna rrugës nga partizanët, pa mbërritur në fshat. Teksa çeta partizane, pas përgatitjeve, mund të sulmonte tinëz, tu shfaqej papritur si fanmtazmë, atje ku s’pritej, në befasi, postkomandave të armikut në qendrat e thella të lolkaliteteve. Të kapte armë dhe plaçkë tjetër lufte, aq të kërkuara për armatosjen e partizanëve të rinj, që i shtoheshin përditë  dhe  të ngjallte shpresën e lirisë te banorët, pa psuar humbje në të sajtë.

***

Pirro, i ardhuri i fundit në atë zemërdimri, u bë pjesë e çetës partizane. E dërgonte  njësiti gueril i qytetit dhe sillte për komisarin një letër nga qarkori. Atij i mbeti në mëndje ajo ditë kur u paraqit. Komandanti dhe komisari, ngroheshin rreth vatrës së zjarrit. Ai qëndroi gatitu,si i kishte hije një partizani, nderoi me grusht dhe tha me zë të plotë tingëllues: “Vdekje fashizmit”. Komandanti, pas përgjigjes ”Liri popullit”, drejtoi shtatin, i dha fytyrës ngurtësi për t’u dukur hijerëndë  dhe me atë synë e sprovuar e hetues, të ftohtë e depërtues, e vërejti një grimëherë, ngultazi, nga poshtë-lart siç kundron xhambazi një kalë para se ta blejë, aq sa ai u duk se u ndje në zor. U pa që s’ia mbushi synë. Ju duk i pa rrahur nga jeta. Si thuhet në kësi rastesh, buzëqumësht. Nga ata që në qytet i quajnë çun mamaje. Do të ishte një numër i shtuar për çetën apo një luftëtar? Ku ta dish,këtë duhet ta kishin menduar ata që e dërgonin. Duhet kohë, dhe prova e zjarrit- mendoi komandanti. I veshur si student, kapele me strehë, sapo vënë brisk në faqe. Duhej të ishte te të njëzetat mbase dhe më shumë. Kapota ushtarake i rrinte e madhe  dhe bënte të dukej si i futur në thes,  më imcak e i hajthëm. Mbeti duke pritur më këmbë.

-Mirëse erdhe.

-Mirëse ju gjeta

-Qytetar?

-Po. Nga Tirana.

-Student?

-Në vit të dytë, në univeritetin e Napolit. I lashë në mes studimet e mjekësisë.Si edhe disa shokë të tjerë.Erdha që të jem i dobishëm për vendin tim në këto kohë të vështira.

-Je pagëzuar në zjarr?

-Jo. Nuk kam patur rast. Por kam shpërndarë trakte dhe shkruar parrulla mureve. Kam bërë edhe ndërlidhësin dhe informatorin. Pjesëtar në grupet e edukimit.  Më diktuan. Rrezik të më arrestonin, prandaj më dërguan tek ju.

-E po bukur: intelektual, shkollar, gjysëm doktor, besoj edhe i gishtit. Një i tillë na duhej në çetë.-Pastaj bënë pyetjen që duhet ta kishin bërë të parën- Si e ke emërin?

-Pirro. Pirro Qirko.

-Ke të bësh me doktor Qirkon?

-Është im atë.

-Kemi dëgjuar këto kohë se doktori është bashkuar me nacinalistët. E vërtetë?

-Jo. Ai ka shoqëri e miqësi me disa nga krerët, por ka qëndruar mënjanë nga politika. Ka zgjedhur tu shërbejë të sëmurëve. Babë e bir në shumë gjëra kemi qëndrime të ndryshme. Na bashkon gjaku, por na ndajnë bindjet.

-Unë jam komandant Lisi. Të gjithë në çetë kemi nga një nofkë si emër të dytë.-Pseudonim – qartësoi komisari. – Që sot e më pas, ti do quhesh Studenti. Do të jetë emëri yt i luftës. Ke sjellë armë?

-Një revolver Berreta.

-Ndonjë porosi?

-Nuk më dhanë. Besoj do t’i keni te letra.

-Mirë. Dorëzoje revolverin te intendenti. Aty merr pushkën edhe ca veshje për të qënë dhe zerë vend në skuadrën e të rinjve, të mitralierëve. Te Petriti. Është te shtëpia e Lytos, në krye të fshatit.Pyet se do ta tregojnë. Do të jesh ndihmësi i tij për mitralozin Breda.

Studenti doli.

Komisari, që kishte ndjekur bisedën, pa bëzajtur një fjalë, çeli zarfin. Ndërkohë që po e lexonte, fytyrën ja pllakosi habija, shtangia, si t’i ishte fanitur nga ajo letër një fantazmë. S’po u zinte  besë syve. Dora që mbante letrën u drodh dhe iu var poshtë e pafuqishme si t’i rëndonte një peshë e rëndë. E lexoi sërish nga e para. Jo. Si bënin sytë. Ngriti supet, fërkoi sytë, shkundi kokën, vështroi me habi komandantin dhe duke thën: ”Pa shih ç’na qënka” i zgjati letrën.

Edhe komandanti, duke e lexuar, u duk se u zu befas, ju zgurdulluan sytë dhe goja i mbeti hapur, habitshëm, paksa shtrembër, si t’i ishte hapur para vetes një greminë apo fanitur një fantazmë. E përsolli letrën mbarë e prapë si të donte të çbënte atë që shihte. Por jo. Fare e rregullt. E shkruar me makinë shkrimi, e zeza mbi të bardhë, që fillonte me VFLP dhe mbyllej me datën , emërin dhe firmën e dërguesit politik të qarkorit . Nuk linte asfare për të dyshuar. Gjëja thuhej qartë dhe shkoqur, në pak rreshta, pa lënë vend për hamëndësime apo dyshime. Çudia ishte se si i ishte besuar sjellësit të  saj.

– Si thua, pse të na kenë zgjedhur pikërisht neve?

-Nuk e di. Njeriu nganjëherë si spjegon dot të gjitha. Mbase ngaqë ne jemi larg e të veçuar.

Përmbajtja e letrës i çarti dhe i vuri në zor. Një telash më shumë. E lehtë letra, i rëndë kumti. U humbi qetësinë. Bëri të mendohen  e vramendjen gjatë. Porosia, edhe pse e çuditshme dhe e veçantë në llojin e saj, ishte urdhër dhe urdhëri  duhej zbatuar dhe porosia ishte: sa më shpejt, në fshehtësi, pa zhurmë e pa bujë.

Por si dhe kur? Kjo ishte çështja. U takonte atyre ta vendosnin.

***

Sapo i zëvëndësuan në shërbimin e rojes, Studenti dhe Petriti morën rrugën e kthimit për në bazë. Muzgu erdhi i mjegullt dhe i acartë ,me plafet e borës së parreshtur, që pas rrugës qiellore vinin duke u spërdredhur për të pushuar dhe trashur shtresën e  qilimit të  bardhë mbi tokë. Petriti dhe Studenti, i ngjiteshin të përpjetës së kithët  duke çarë   shtresën e borës. Petriti ecte përpara, që të çelte rrugën, ndërsa Studenti shkelte pas tij në gjurmët e hapura. U desh të ecnin thuajse një orë. Dy njolla të zeza lëvizëse mes asaj shkretëtire të bardhë , shurdhërisë së muzgut dhe errsirës që po zbriste.

Kur mbrritën, te pragu i shtëpisë, shkundën nga supet dhe këmbët borën. Në dhomën përdhese, ku bujtnin, të zotët e shtëpisë ishin kujdesur dhe kishin ndezur zjarrin.Sapo hynë, ndjenë afshin e ngrohtë të zjarrit. Të mardhur, u liruan nga armët dhe veshjet e sipërme dhe u afruan për t’u ngrohur rreth vatrës. Nga veshjet e lagur nisi tu dilte avull.

Pa kaluar as gjysmë ore që ishin kthyer, dhe po merrnin veten nga të ftohtit, në dhomë hyri një partizan. Sillte një porosi . Petritin dhe Studentin i kërkonin komandanti dhe komisari.

– Tani-tha ai-pa vonesë, menjëherë.

-Di gjë përse na kërkojnë?

-Jo. S’më thanë përse. Vetëm kaq.

Petriti dhe Studenti, vështruan habitshëm njeri-tjetrin. Ç’të ishte kjo thirrje në atë orë? Sido, shkuan pas lajmësit. Trokitën dhe  hynë në dhomën që ishte vendkomanda. Komisari dhe komandanti qëndronin në këmbë, m’u pranë qoshes së pandriçuar mirë dhe zëulët diçka po fjalosnin. Qarkori priste një përgjigje për zbatimin e porosisë së ngarkuar.Vonesa ishte e pafalshme.

Petriti dhe Studenti, nga pamjet e fytyrave të tyre në hije, nuk mundën të kuptonin gjësendi. Qëndruan edhe ata në këmbë në mesdhomë përballë tyre, në pritje.

Ata të dy e ndërprenë bisedën. Heshtje e sikletshme. Dëgjohej vetëm brambullima e flakëve dhe kërcitja e druve të zjarrit që digjeshin në vatër.Prej tyre, hera-herës, shpërthenin shkëndija si ca fishekzarë të vegjël. Heshtjen e theu komandanti:

-Si shkoi turni i rojes, pati ndonjë gjë të veçantë për t’i kushtuar kujdes?

-Jo. Asgjë e veçantë, përveç ca fshatarëve me mushka që ktheheshin  nga pazari dhe borës e të ftohtit të acartë.

– Mirë, por nuk ju kemi thirrur për këtë.-tha dhe një grimëherë bëri kinse sikur mendohej – E dini pse ju kemi thirrur? Jo, nuk mund ta dini. E thashë se më është bërë zakon. As mund ta merrni me mënt. Ndaj, vini vesh  me vëmendje në këto që do t’u  thotë komisari.

Përsëri heshtje. Dukej që komisari nuk po ngutej, mbase po zgjidhte  fjalët që të ishin bindëse dhe të shprehnin thelbin e çështjes.

-Nga gjithë partizanët e çetës sonë, u zgjodhëm ju të dyve, duke besuar në moshën, guximin, trimërinë, vendosmërinë dhe mençurinë tuaj. Vlera këto që kërkohen për të kryer një mision të veçantë,  me shumë rëndësi, përgjegjësi dhe rreziqe. Vini re: nesër që në vëngjillë, kur të këndojnë gjelat e parë, do të niseni për të shkuar në Lajthizë, për të dorëzuar në çetën partizane të  atjeshme një zarf sekret. Nga dorëzimi i tij, varet një aksion i përbashkët i të dy çetave tona kundër postkomandës italiane. E dimë, rruga është e gjatë e lodhshme dhe e vështirë, mba nja katër orë. Më të vështirë e bën edhe moti i këtij dimri të ashpër me llohë, borë e cingërimë. Pa harruar që në fshatrat e Anamalit, ku ju do të kaloni, ka gjetur strehë  çeta balliste. Por s’kemi çtë bëjmë, koha nuk prêt.  Detyra është detyrë dhe urdhëri urdhër. I parë në këtë mision, do të jesh ti Petrit.  Jeni gati për këtë detyrë?

Po. Ata ishin gati.

-Ndonjë porosi?-Pyeti Petriti.

-Jo. Janë të shkruara në letër. E vetmja porosi, të jeni të kujdesshëm gjat rrugës dhe të arrini në Lajthizë patjetër, si i thonë fjalës gjall a vdekur dhe t’i dorëzoni zarfin sekret komandantit të  çetës së atjeshme. Merrni armatimin dhe një vakt bukë me vete.  Student, ti mund të dalësh. Petrit ti qëndro se kemi edhe diçka të veçantë për ty.

Studenti doli, por pasi bëri disa hapa në oborr, qëndroi në errësirë të priste Petritin. Shoku u vonua dhe ai filloi të mërdhinte. Kaq shumë gjëra kishin për t’i thënë? Kur Petriti doli, studenti i hodhi një vështrim pyetës, por pamja e fytyrës së shokut ishte e ngurtë, pa shprehje, me një maskë fshehtësie dhe dukej e padëshirë për të folur. Studenti nuk e pyeti. Ishte e kotë. E dinte që nuk do të kishte përgjigje. Po të  qe se ai duhet  t’a dinte, nuk i kishin thënë që të dilte e të priste jashtë. Dyshoj se diçka i fshihnin, por çfarë?

***

Kur u nisën, sapo kishte rënë drita, një dritë e mugët, e zbërdhylët  nga mjegulla që s’linte të shihje veç ca çape më tej. Kur arritën në Qafëmal, mjegullën e davariti shkulmi i erës së veriut dhe para tyre u shfaqën lugina dhe vargu i kodrave gjithë zbardhur nga bora. Në zbritje, rruga ishte e ngushtë dhe ata ecën njeri pas tjetrit. Dy njolla të zeza vogëlane, me pushkë në krahë, në shkretëtirën e bardhë, qarkuar nga hapësira pa anë e të katër horizonteve. U dukej vetja si të robëruar nga humbëtira e të braktisur në rrugëtimin që do të ishte fati i tyre i paditur , mbuluar me velin e mistershëm  të së pathënës, e të paditurës,  shkruar në një letër  në zarfin sekret, që i kishte nisur në atë mot të acartë në rrugën e gjatë e me rreziqe  të panjohura për ta.

Petriti përpara e Studenti pas, me sytë mbi shpinën e shokut. Çapisnin me kujdes, se bora kishte ngrirë dhe ishte rreziku të rrëshqisnin dhe rrokulliseshin në greminë. Zbritën tatëpjetën. Qëndruan. Frymuan thellë dhe fryma e avullt sapo delte nga goja kthehej në një fjollë mjegulle. Për më tej, rruga e ngushtë këmbësore, ishte e drejtë, çante në pyllin e rralluar, lakohej sipas reliefit, por e mbuluar nga shtresa e borës. Ndën të rrëpira,  me shkorreta të atykëtushme, stolisur si me filigrane argjendi nga bora e kallkanosur, zbriste tatëpjetë deri ku niste lugina dhe rridhte lumi.

Petriti,nxori kuletën dhe nisi të dridhte një cigare, por letra u gris dhe duhani u derdh mbi borë. “Dreq, shfryu ai- m’u paskan mpirë duart” dhe nisi të dridhte një cigare tjetër. Ia doli. I dha flakë shkrepses dhe e thithi me ashk , duke shfryrë një fjollë tymi nga goja dhe hundët.”Ikim,që të arrijmë në kohë, se rruga që kemi për të bërë është goxha e gjatë për në Lajthizën e largët.” E flaku duqin e cigars mbi borë dhe u nis me hapa të gjatë duke çarë borën. Studenti e pasoi duke shkelur mbi gjurmët e shokut. Ecnin në heshtje, duke dihatur. Hijet e gjata të trupave pas tyre, të shformuara që dridheshin e lëkundeshin mbi sipërfaqen e borës ,bënin që ata të dukeshin si  ca të përhënur, të ardhur nga një tjetër botë.

-Thuana një fjalë-ishte Petriti që foli.

-E ç’të them?Ne i kemi biseduar gjerë e gjat këto net.

-Ti ke qënë jashtë vendi, ke parë botë me sy, rrëfena gjëkafsh se kjo rrugë nuk soset gojëkyçur.

-Eh, të shkuara të harruara.

-Ishin të bukura italjankat?

-Si tërë graria, gjithkund. Kishte dhe të bukura. E shumë të bukura, por edhe të pabukura. Popull hesapi. Paçka se të ndryshëm në shumë gjëra nga ne.

-Ti zure ndonjë të dashur?

-Pata shoqëri të ngushtë me një vajzë të klasës.

-Ndonjë vajzë fashisti?

-Jo. I kishte prindërit punëtorë.

Petriti, i shtyrë nga kërshëria deshi të dinte më shumë, por Studenti nuk ia ushqeu biedën. Heshti dhe për vete të tij, me mëndje u kthye vite të shkuar. Se mëndja i ruan kujtimet,të largëta apo të afërta qofshin, në ca skuta të fshehta dhe i shfaq kur i kërkohen. Befas, u kaplua nga ca  ndodhi që në kujtesë kishin mbetur të pashlyera. Edhe pse tha të shkuara të harruara, në të vërtetë për të ishin të shkuara, por të paharruara.

“ Ishim Bashkëstudentë, në të njëjtën klasë. Ajo  më tha se e quanin Marija Xanoni. U pëlqyem që në shikim të parë. E qeshur, lozonjare, bënte hoka me italishten time të pasaktë dhe me theksat e fortë. E bukur? E ç’rëndësi ka bukuria,diku kam lexuar se një vajzë, nuk e duam se ështyë e bukur, por ajo është e bukur se e duam ne, ashtu si e shohin sytë tanë. Por Marija ishte edhe e bukur, edhe e dashur, e afruar, pa sqimë e paragjykime. Të dy uleshim në të njëjtyën bangë, i përgatisnim mësimet tok, u bëm të afërt dhe ndjenim dëshirën për të qënë e për të dalë bashkë. Nuk ,më harrohet ajo e diel. Dita e bukur,qielli napolitan i kaltër dhe drita lbyrëse. U takuam në sheshin e Plebishitit, pastaj morëm rrugën për në Kastel Nuovo, pranë portit e më tej në  kopshtin botanik. U ulëm nën tendën e jaseminëve dhe postateve të trëndafilave.Vështrimet tona ishin të ngazëllyera plot dritë dhe të përmalluara. Bashkuam duart dhe u puthëm, ëmbël, gjatë. Ndjeva sesi Marija fërgëllonte dhe pastaj e uli kokën mbi supin tim dhe më tha : -Pirro,amore mio, ti Voglio bene.[1]– Kjo ishte dashuria.Ishim të dashuruar, por ç’ishte dashuria në të vërtetë? A ishte për ne burim lumturie?Thonë e ç’nuk thonë për dashurinë:dashuria është të dëgjosh zërin e zemrës,është të zihesh dorëpërdorë në stolin e parkut,se dashuria është të shihesh sy më sy me ëngjëllin, se është malli për të gjetur një shpirt binjak si strehë për shpirtin tënd, që është dehje, se është verbëri. Isha i pushtuar nga magjia e kësaj ndjenje hyjnore që më bënte të lumtur dhe fillova ta shoh botën si më pëlqen të jetë dhe jo siç ishte në të vërtetë. Por ja që s‘ishte ashtu. Ishte lufta e mynxyrshme, pushtimi, që përmbysën gjithëçka. Erdhi ndarja, dashuria e bënte të dhimbshme. Marija më përcolli deri në port. U ndamë duke u përqafuar, asaj nga sytë i rrodhën lot. Ishte një lamtumirë. A do të shihemi më vallë?”

E ndërmëndi nga ato përsiatje një shuk bore që i ra mbi krye nga dega e një pishe. Disa hapa më përpara çante udhën Petriti. Çanta e shpinës e bënte të ngjante si gungaç, ndërsa pushka në sup, të dukej më i gjatë sesa ishte. Kapuçi i leshtë ishte veshur me  pah bore. Ecnin si të përhënur.

Se nga u poftis një korb që nisi t’u fluturonte herë lart mbi krye herë përpara e herë pas, sikur t’i ndiqte. Në sfondin e bardhë të borës dukej më i zi sesa ishte. Krrokama e tij e kobshme e çjerrë mbushte ajrin: krra, krra, krra, si të donte të pyeste: “ku po shkoni o të mjerë?”

-Po ky ogurzi, nga na u bë sebep! Thonë që ndjell ters.

-Je bestyt?

-Jo, por kështu thonë. Kur shfaqej në fshat dhe krrokonte, njerëzia i thoshin “Ngrënç kokën tënde”

– Petrit, rrëfena edhe ti gjësendi.

– E ç’të rrëfej? Jeta ime në fshat. Sa mbarova shkollën fillore,  shkova në stan, me dhën e me dhi. Bota ime ishte fshati ,stani , ngrysu e gdhihu, dimër-behar,me shi e me diell, kullotat në mal dhe një ngastër qiell mbi krye. Sido më vete e i veçuar, kishte edhe ajo jetë bukuritë e saj të çdo stine. Pjelljet e deleve, lodrimi i qingjave, qumështi që grafullonte në vedra. Sa mbusha tetëmbëdhjetë vjeç, më morën ushtar. Kur u ktheva Çeçua më martoi.

– E njihje vajzën me të cilën të martuan?

– Jo. As unë atë, e as ajo mua. Ishte nga rrethi miqësor i familjes. E kishin parë dhe pëlqyer emtat e mia. Ashtu është zakoni. Ne nuk martohemi, na martojnë. Qëlloi njeri i mirë, e dashur dhe punëtore. Nga martesa kemi dy fëmijë, djalë e vajzë.  Tok me të ëmën, që se kam ardhur në çetë, nuk e di  ç’bëhen, si ngrysen e si gdhihen. Ashtu erdhi radha e gjërave. Familja jonë u lidh me luftën. E tillë ka qënë denbabaden. Dikush spiunoi dhe italianët deshën të arrestonin Çeçon, por ai u shpëtoi. Fashistët i kallën flakën shtëpisë. Që atëhere  u bashkova me çetën partizane dhe u pranova në partinë komuniste dhe ja ku jemi. Kjo është e gjitha ajo që mund të them.

-Po ti, cila është familja jote?

-Babai, që është doktor, me shkollë të mbaruar në Vjenë, nëna , mësuese nga Normalja e Elbasanit dhe motra gjimnaziste. Nuk u ndam mirë. Babait nuk i pëlqeu që ndërpreva studimet. U shamatova me babanë dhe nënën, nuk donin që  të dilja partizan. Më kanë djalë të vetëm. Epo lufta si lufta,mendonin se mund të më ndodhte edhe më e keqja.Motra u gjend krah meje. Më duan dhe i dua shumë. Kjo është e gjitha.

U duk se fjalët u shterrën dhe rruga anamalit e zbardhur nga mbulesa e borës s’kish të sosur.

– Pa shihe orën, sa kohë ka që po rrugëtojmë?

– U nisëm në pesë,tani është shtatë. Po bëhen dy orë.

– Paskemi ecur pak. Duhet ta kishim përgjysmuar rrugën, s’kemi bërë as çerekun. O burra, t’u japim këmbëve.-tha dhe bëri përpara.

Në ato e sipër, nga lindja llapsi një vetëtimë e zjarrtë, gjarpërushe, vertikale që i dha dritë gjithë hapësirës e pas saj sakaq krisma e thatë e rrufesë që bubulloi  dhe jehona e përsëdyti. Suferina mori turravrapin dhe pylli rënkoi frikshëm. Nga retë e ulta, lloha e borës mbushi hapësirën me pllazet e saj fluturake. Të dy udhëtarët u zunë në befasi. Thuajse u errësua. Ata nuk mund të shihnmin pesë hapa më tej. Era ua përplaste flokët e akullta të borës në fytyrë, aq sa po u mpiheshin buzët, ngrinin qerpikët dhe errej shikimi. Rrotull asnjë strehë ku mund të mbroheshin. Një grimë herë, Studentit i humbi nga sytë Petriti, veçse iu bë se dëgjoi një britmë dhe  zhurmën e mbytur e me rënkime si e një rrokullisure tatëpjetë. Mandej në vesh i erdhi thirrja si piskamë e mbytur  e emrit të tij. Petriti, që kishte rrëshkitur e rrokullisur tatëpjetë, kërkonte ndihmë. Studenti u afrua në zgrip të monopatit dhe sytë i zunë turbull  si nja dhjetë metro më poshtë mbi humnerë,  turbull kurmin e shokut të ngecur mbi një shkurre.Ishte me fat që rastisi ajo shkurre, se përndryshe do të kishte përfunduar në humnerën e thellë e do të qe copëtuar në shkëmbinjtë.

-Petrit, o Petrit, më dëgjon?

-Pooo.

-Je lënduar?

-Nuk e kuptoj, më ther gjithë trupi.

– Ngrihesh dot?

-Jo, jam në pozicion të vështirë, po të lëviz kam frikë se mund të shkas tatëpjetë rrëzomës.Zëri vinte i zvargur, ankues, si nga një botë e largët, grykor e i mezidëgjueshëm.

– Atëherë mos lëviz. Prit se do zbres unë. Më dëgjon?

Studenti bëri përpara deri te një prroskë, ngaku, eci ngadalë I tendosur, në drejtim të kithët, duke hapur gjurmë për këmbët me bajonetën e pushkës e duke u stërmunduar të mbante drejtpeshimin. Ajo që pa kur hodhi sytë tatëpjetë i kalli datën, pjerrësia e zhveshur zbriste në një hon të thellë me shkëmbenj të thepisur. Bëri përpara. Çdo hap një stërmundim.Ndjeu që trupin po ia mbulonte djersa. U afrua dhe e arriti. Petriti ishte i shtrirë horizontalisht mbi shkurren dhe rënkonte.

-Mbahu se erdha. Je mirë?

-Jo. Më duket se më janë laberguar gjithë eshtrat.

-Ngrihesh dot?

-Nuk mundem.Trupi nuk më bindet, më ngjan si të jetë i drunjtë. –Prit pak.Stdenti zbërtheu rripin e mesit.

-Kapu me të dy duart pas rripit. Unë do të tërheq. Nguli thembrat në truall. Ashtu, ngadalë. Hiqe pushkën nga krahu. Hape bajonetën ngule në tokë dhe përdore për tu mbështetur. Shkel në gjurmët e mia dhe mos e lësho rripin. Dhe ata me një stërmundim siperan, duke ecur herë ngritur herë këmbadoras, pas një kohe që u duk se zgjati sa një jetë, ujë në djersë, ia dolën. Të dy u shtrinë me shpinë mbi borë duke gulçuar dhe  dihatur që të mbusheshin me frymë. Posht dorës së majtë të petritit, bora u skuq nga gjaku.

-Ç’është ajo pllangë gjaku?

-Më është xhvokshur lëkura e pëllëmbës së dorës. Gjë pa zarar.

-Të kishim një çikë jod apo alkol.

-Do ta pshurr dhe do ta pllakos me duhan. Ilaç barinjsh,është dorë me një. Ashtu edhe bëri.

Bora që u binte mbi fytyrë u kujtoi se duhej të ngriheshin. Petritit,që i dhimbte tërë trupi, hodhi krahun mbi supin e studentit dhe bënë përpara.Nuk e dinin sa kohë kishin që po ecnin,  për shkak të mugëtirës së përhinjtë, borës dhe mjegullës u përngjasonte si të ishin duke pluskuar brënda një sfere të stërmadhe pa horizonte. Koha humbi kuptimin, edhe pse s’ishte e tillë, u bë ujem e paqënë dhe e pa përcaktuar, si një trazim i ditë-natës. Papritur, si të   vinin nga hapësira qiellore, prapa tyre, u dëgjuan kumbimet e një zileje që tringëllinin me tinguj të argjendtë dhe nuk mënoi të fanepsej kalorësi, mbuluar me gunë si një fantazmë,hipur mbi mushkë. Ata u stepën në vend dhe Petriti mori në duar pushkën:

-Ndalu dhe mos u afro, hidhe armën, ndryshe do të qëlloj!-E kërcënoi Petriti.

-Dale mor djalë, e ç’armë zeza të hedh kur nuk e kam. Unë shkoj në punë time.- Tha kalorësi, i mbuluar me gunë e që ishte mesoburrë. Ai e hoqi gunën, zbriti nga mushka, e mori për kapistre dhe u afrua me kujdes.

-Për ku udha e mbarë në këtë kiamet?-pyeti kalorësi.

-Kjo s’ka ç’të duhet ty.

-Si të doni. Nga mua s’u vjen e keqe. E shoh që qënkeni partizanë. Bëni kujdes se në fshatin që keni përpara ka zënë  vend çeta nacionaliste e Profesorit dhe ata janë të hurit dhe litarit. Epo u shkoftë mbarë-Tha këto, i hipi mushkës me hovin e një të riu dhe shkoi në punë të tij. Ata e ndoqën me sy derisa njollën e zezë e gëlltiti mjegulla dhe tingujt e ziles u shuan. Kishin kohë që po ecnin kur në anën e sipërme të udhës u duk një kasolle e braktisur  barinjsh mbuluar nga bora. Mbajtën këmbët. Uria i kujtoi se duhet të hanin. Brënda kasolles mugëtira dhe drita e pakët që hynte nga dera pa derë, memzi linte të dukeshin gjërat. Ditë të shkuara,të tjerë aty kishin ndezur zjarr,kishte edhe shkarpa dhe degë drush të thata.Trualli ishte i terur.Petriti u ul. Studenti grumbulloi shkarpat mbi thëngjijtë e vatrës së mëparshme dhe u dha flakë me shkrepse. E ushqeu flakën me frymë deri sa gjyhëza e saj drithëruese pushtoi dhe ndezi drutë e i dha dritë kasolles. Afshi i ngrohtë i zjarrit nisi t’u gjallërojë trupat e mardhur dhe nën llapsjen e flakëve, ata panë fytyrat e handakosura të shoshoqit, si ca maska të ngurta që flaka i ngjyente në bronz. Pritën sa u bë prushi dhe thekën bukën e misërt që ishte bërë gur nga të ftohtit. Në një kupace u kishin vënë gjizë dhe gjalpë brumë, ullinj dhe një qepë. E shijuan ushqimin duke e mbllaçitur ngadalë kafshatë pas kafshate. E shuan etjen nga pagurja e alumintë. Petriti drodhi dhe ndezi cigaren dhe e thithi me ashk. Të ngrohtët dhe ushqimi u përtëriu fuqinë. Me padëshirë u ngritën dhe morën udhën. Porosia duhej çuar në vend. Në të ecur e sipër,Petriti preku xhepin. Zarfi sekret, shtysa e këtij rrugëtimi, ishte aty. Nisi të mendojë dhe  pyesë veten: ”Përse komisari, pa më parë në sy, por larg në humbëtirën e mureve, me zë si pëshpërimë, të rrafshët e të pangjyrë e të ftohtë, si të donte të mos më thoshte ato që më tha, se ky mision më ishte besuar si komonist që isha, dhe se për të çuar në vend porosinë përgjigjesha me jetë? Se po të binim në përpjekje zarfin duhet ta gëlltisja që të mos binte në dorë të armiqve? Përse komandanti më tha që veç pushkës të merrja edhe një revolver, me plumb në gojë, se do të më duhej kur të vinte çasti? Ajo që më bën të dyshoj e më çudit më shumë, që fshihet e mjegullohet prapa këtij misioni,  ishte porosia që kur të arrijmë te çezma e Lajthizës, të ndalemi dhe unë ta hap zarfin. Në të janë dy letra, e hapura është për mua,me një urdhër porosi, tjetra, e mbyllura, për komandantin e çetës partizane të atjeshme. Përse duhet ta bëj, kur zarfi sekret duhet t’ i dorëzohet çetës Partizane? Ai pyeste veten por nuk merrte përgjigje.

***

Petriti i dëgjoi njëhershe krismën e armës dhe pasthirrmën e dhimbshme të Studentit “oohhh, më goditën” që u plandos përdhe. “Barkas, shtrihu barkas”- urdhëroi dhe vetë rrufeshëm bëri të njëjtën:  u shtri rrafsh me tokën, me pushkë në dorë. I kishin goditur pas krahëve, nga perëndimi.Një krismë e vetme. S’pati të tjera. Ai pa sesi dy hije  po kaptonin të përkulur të përpjetën, por  sapo tërhoqi shulin dhe  mbushi  pushkën e mori shenjë të qëllonte,  nuk arriti ta bënte, se hijet u bënë fir pas të përpjetës si t’i kishte përpirë dheu. U kthyue ballas nga shoku. Studenti po rënkonte. Petriti ja uli pantallonat. Pa që plumbi kishte hyrë e dalë në kofshën e djathtë dhe e kishte shqyer mishin. Gjaku po skuqte borën, pluskonte me gulçe. ”Më kanë goditur venën femurale. -Tha me zë të shuar-S’kam shpëtim. Gjakrrjedhja mund të ndërpritet vetëm me operacion.Kaqë gjë e di nga ato dy vjet shkollë të mjekësisë”-tha ai duke murmuruar. ” Mos e thuaj atë fjalë. S’vdes njeriu nga një plagë plumbi në këmbë. Mbahu dhe bëhu i fortë.” Pa humbur kohë, grisi fundin e këmishës, e palosi disa herë sa sajoi një si jastëk , pllakosi plagën me ‘të, pastaj nxori rripin e pantallonave dhe e shtrëngoj fort kofshën mbi vendin e goditur. Gjakrrjedhja u pakësua por nuk u meh.

– E pe dot, kush na gjuajti?

-Dikush duhet të na ketë spiunuar. Mbase burri me mushkë. Gabuam që e lam të ikte para nesh.  Ishin dy. U zhdukën sa hap e mbyll sytë, aq sa nuk arrita tu përgjigjesha. E kush tjetër veç larove të ballit. Si tinzarë e frikacakë që janë, zenë prita e fshihen prapa ferrave dhe kafshojnë tinëz si qen të pabesë prapa krahëve. Si ta ha syri, ngrihesh dot që të vazhdojmë rrugën? Nuk na ka mbetur dhe shumë për të ecur.

– Ndihmomë.

Petriti e rroku nga shpatullat dhe gjoksi dhe e ngriti në këmbë.

-Kapu me dorë mbi supin tim, mbahu si të mundesh, dhe bëj përpjekje të ecim. E hedh dot këmbën e plagosur?”Zot o zot! Ç’qe kjo hata që na gjeti. Kësaj i thonë e gjetsh nga mos e pandehsh” Iu ankua vetes Petriti.

-Me zor…. Më…. Dhemb….. shumë….. -Zëri vinte i shuar nga dhembja e shpirtit, lëngata e pafuqia, fjalët të zvargura e me shkëputje nga njera-tjetra si të vinin nga humbëtira.

-Bëj durim.

Pas tyre, si një njollë e zezë fluturuese, u faneps sërish korbi që qëndroi mbi degën e zhveshur të një ahu dhe krra-krraja e tij e paprerë mbushi ajrin. Krra, krra, ku shkoni o të mjerë?

-Ngrënç kokën tënde, o zog i sterrosur-tha me zë Petriti, por zogu kobzi nuk e preu krrokamën.

Bënë përpara,të kapur me njeri –tjetrin. Ngadalë, të rënduar, duke dihatur, më së shumti duke u zvarrisur sesa duke ecur. Prapa mbi borë skuqnin pllangat e gjakut që s’kish të rreshtur së rrjedhuri.

Sa kohë kishin që ecnin? Nuk e dinin. Ata ishin të zhytur në atë gjithkohësinë që nuk ka as fillim as fund. Mugëtira mjegulla, bora, dita pa dritë e diell, lodhja dhe dhimbja e bënin kohën të pamatshme,  që dihej një fillim, por jo një fund, sado i dëshiruar.Një ditë sa një vit, një orë sa një muaj e një minut sa një orë. Ky ishte qerthulli i qënies ku po vërtitej e tashmja e vuajtjes së tyre.

U dëgjua një ulurimë e thekshme që ngjasonte me një angullimë rrënqethëse qeni e që ushonte frikshëm, pastaj një e dytë, e më pas të dyja.Nuk duhet të ishin larg. Ata shtangën. Kur kthyen kokën pas ajgëtuan si ndoca njëzet hapa larg dy ujqër,që po i ndiqnin.Kur ata të dy qëndruan, të njëjtën bënë dhe egërsirat.Pa rreshtur ulërimat.

-Qen apo ujqër?

-Janë ujqër, si duket të uritur, kanë ndjerë erën e gjakut mbi borë dhe na janë vënë pas.

-Si thua, do të na turren?

– Nuk jam i sigurtë, por nuk e besoj, ata janë dinakë dhe e dinë frikën. E di këtë nga koha kur më vinin rrotull stanit. Po na ndjekin pas, presin që ne të bëhemi pre e tyre, të gremisemi dhe pastaj të vinë të na shqyejnë. Po mbase uria ua mposht frikën dhe i trimëron. Do t’i vras.

Të dy ujqërit e përhinjtë, ishin atje, në pritje, hakërrues,të uritur, u dalloheshin sytë si thëngjij të ndezur.

Petriti e uli me kujdes Studentin që të mos lëndohej  dhe vetë ra në gjunjë.  I vuri pushkës fishekun në fole dhe mori shenjë. Mbajti frymën dhe ngadalë tërhoqi këmbzën. Jehoi krisma dhe u ndje amza  e pikërt e barutit. E kishte goditur. Njeri nga ujqërit u plandos në borë. Tjetra, që duhet të ishte ulkonja, u ul në bisht pranë trupit të mashkullit, ngriti kokën drejt qiellit dhe ia dha një ulërime të thekshme vajtimtare. Petriti mori shenjë përsëdyti dhe ulkonja ra e ngordhur mbi trupin e ujkut.

Frymuan të lehtësuar. Ekishin shmangur atë rrezik të papritur. Petriti u ndërmend dhe preku xhepin ku ishte ndryrë zarfi. Ishte aty, ai zarf që ishte shkaku dhe pasoja e gjithë kësaj që po ju ndodhte e që për të, po t’a donte rasti, mund të jepnin edhe jetën. Studentit, nuk i rreshtëte gjakrrjedhja, këmba e pantallonës i ishte bërë ujë nga gjaku që kullonte. Sytë i kishin humbur shkëlqimin dhe gjallërinë, zëri i ishte mekur teksa zbehja ia kishte shndrruar fytyrën e hijshme në maskë dyllë të verdhë , si e atyre që japin shpirt. Atij i shterrën fuqitë dhe nuk mbahej më dot në këmbë.

-Petrit….unë nuk mund të eci më….më janë shterrur fuqitë. Është e kotë….. më ler mua këtu, mbi udhë nën trungun e asaj pishe….. ja që ky është fundi im. Ti vazhdo rrugën për ku jemi nisur.

– Mos u ligështo. Gjë që s’bëhet. Jemi nisur bashkë dhe bashkë do të sosim.

Petriti e ngriti para duarve dhe e zateti në mezhdën e rrugës. Ia hoqi pushkën nga krahu dhe e hodhi në sup të tij. Me kujdes, që të mos e lëndonte e ngriti hopa dhe e hodhi mbi supe. Këmbët dhe krahët ia nxori para vetes që ti mbante më lehtë me duar, ndërsa gjoksin dhe barkun ia mbështeti mbi shpinë e të dy supet. U ngrit disi me zor, në hapat e parë iu morën këmbët, por mblodhi forcat dhe ngau përpara. I rëndë trupi, por ai ishte shoku i tij, gjithsesi mund dhe duhej ta mbante. E si mund të braktiset shoku bashkëudhëtar dhe bashkëluftëtar?! Nëse duhej vdekur le të vdisnin bashkë. Studenti merrte frymë duke gulçuar dhe rënkonte paprerë. Petritit dora e djathtë iu lag nga gjaku veshtullor që po mpiksej dhe i bënte gishtërinjtë të ngjiteshin me njeri-tjetrin. Edhe pse në të ftohtin e acartë , atë e theu djersa, nga balli i rridhte mbi sy dhe i shkaktonte cuksje që i mjegullonte shikimin. Ecte pa u ndalur, druhej se po të ndalej për tu shplodhur, nuk do të ngrihej dot më. Duhej ecur. Studenti rënkonte, herë-herë diçka donte të thoshte, por në vënd të fjalëve, dëgjohej një murmurimë e mbytur, si të jehonte nga thellësitë e një honi. Petriti ndjente në qafë ngrohtësinë e frymëmarrjes, shenjë që ai ishte i gjallë dhe frymonte. Por ah, rrjedhja e gjakut s’kish të sosur dhe pikat e tij linin pas gjurmën e përgjakur në borë.

Furtuna u meh. Bora rreshti. Nga jugu retë u çanë dhe nga e plasura një vrundull drite  u derdh mbi borë dhe argjendoj  gjithë luginën. Reflektimi i dritës nga bora i lbyri sytë. Dielli nuk dukej, por duhet të ishte afruar mesdita.

Nga lindja, aty ku duhej të përfundonte rruga, u dukën shtëpitë e Lajthizës,me çatitë e zbardhura nga bora dhje shjtjellat e tymit që dilnin nga tymtarët, të davaritura rrëzë kodrës që zbriste për në luginë. Petriti s’u zuri besë syve, i shkrapuliti disa herë, u bind se ajo që ajgëtonte, ishte fshati dhe jo asesi ndonjë vegim që ja truanin sytë si shkak i lodhjes. Më në fund, ja kishte dalë. Ja edhe çesma, edhe fshati kundruall. Fundi i rrugës së mundimshme, por jo i mundimeve.

Nga dy sylynat që dilnin nga muri i gurtë, rridhte vrundulli i bollshëm i ujit që derdhej në hauzin e mbushur me guriçka zalli të bardhë dhe duke murmuruar rridhte tatëpjetë. Në të dy anët e hauzit ishin dy sofate gjithë të gurta. Petriti e uli Studentin dhe ja zateti shpatullat pas murit, por ai fuqifikur, nuk mbahej dot dhe u brinjas e kryet iu vais. Petriti e mbajti që të mos rrëzohej.

-Erdhëm.Ja dolëm. Hapi sytë!-Asnjë lëvizje, kurrfarë përgjigje. Petriti u tromaks, dukej që shokut si kishte mbetur më pikë gjaku në trup. Fytyra dhe duart shafran të verdha.Frymëmarrja e rënduar nga grahmat e fundit , fytra e hijshme e mbërthyer nga ngërçi. U ul krah tij dhe e hodhi në gjoks siç kishte parë që bënin me ata që ndaheshin nga kjo jetë.

-Të lutem, mos ma bëj këtë, mos më ler, hapi sytë!

Studenti pati një grimëkohë kthjellim, hapi sytë që ishin të shuar e pa dritë dhe murmuriti zëshuar: “më premto se do të shkosh të takosh të mitë, nënën ….babain…motrën…tu thuash sesi vdiqa….e ku e kam varrin, që i kam dashur shumë…  Tha dhe dha shpirt mbështetur në  gjoksin dhe krahët e shokut. Petriti i mbylli sytë.Teksa gulçi i zuri frymën, trupi iu shkreh e pavetëdishëm lotët i rrodhën çurk . E shtriu, nën kokë I vuri çantën e shpinës dhe e mbuloi me kapotë.

U ndërmend që duhet të hapte zarfin. Ashtu bëri. Për të ishte letra e hapur. Pak rreshta. I lexoi. Të ishin të vërteta, të besueshme, ato që shkruheshin, apo një lajthitje e syve të lodhur? Përsëdyti leximin. Nuk kishte gabuar. Ato katër rreshta ishin si një shkrepëtimë rrufeje. Çdo shkronjë një plumb, çdo fjalë një e shkrehur flakëruese revolveri, çdo fjali vdekje e pabesë e  mynxyrshme, e tëra një varr i hapur që priste kufomën. Një urdhër i vrazhdë shkruar me mllef si të mos ishte fjala për një njeri, për vrasjen e shokut pabesisht, ashtu siç vritet një qen I tërbuar.  “Person i rrezikshëm, pjesëtar i Grupit të të Rinjve, spiun i italianëve,e kemi dënuar me vdekje. E dërgojmë tek ju që sa më shpejt  të mundni, këputini një plumb pas qafe. Pa zhurmë, pa bujë. Askush të mos e dijë

I gjendur i vetëm, përballë me trupin jetëshuar të shokut, shtrirë mbi borë, mbuluar me kapotë, Petriti nisi të përsjellë ndër mend si një përçartje: ”E padëgjuar. Studenti kishte ardhur në çetë, duke sjellë me vete në një zarf sekret dënimin e tij me vdekje. O zot! Dhe për vdekjen e tij (me një plumb pas qafe) më zgjodhën mua. Pse pikërisht mua? Mos vallë kam pamje vrasësi, e njeriut të pashpirt e kriminel, të hurit e litarit. Ah jo, s’duhet të ma bënin këtë rreng mua që jam shok i tij. Sido në më pak se një muaj, nën të njëjtën çati, u lidhëm shoqërisht, si i thonë: na u hëngër muhabeti, kemi ndarë bashkë kafshatën e bukës, ditët dhe netët e shërbimeve, mallin për njerëzit tanë, brengën që nuk ishte ndarë mirë me të atin, lotët e nënës dhe motrës kur e kishin përcjellë, mendimet dhe dëshirat për të nesërmen e pasluftës. Dhe pas gjithë kësaj, pikërisht nga mua,me dorën time, një plumb pas qafe! Më dhanë revolverin. Më thanë se ishte detyrë partie e më besohej si komunist. Për mos plotësimin e porosisë,( që s’ma thanë se cila ishte), përgjigjesha me jetë! E cilë pa? Këtë urdhëresë mizore, vendimin gjakatar, që pa e ditur, e mbajta si gjarprin në gji, gjithë kësaj rruge.”

U lehtësua nga armët dhe lau nga duart gjakun e mpiksur që kishte rrjedhur nga plaga e shokut. Goja i ishte bërë shkrumb, pështyma lak e hidhësirë.  Gropëzoi duart dhe shoi etjen si i limaksur e më pas  i hodhi fytyrës disa grushte uji që ishte akull i ftohtë. Shikimi iu kthjellua, por jo mendja. Pyeti veten: e si mund të vritet njeriu kësisoj, në lule të moshës, pa hetuar, pa dëshmitarë, pa gjyq, mbase nga një shpifje keqdashëse ,thashethem, një paragjykim nga cmira apo zilia, apo gabim i papërgjegjshëm që pranon të pavërtetat si të vërteta? E pse i kemi rrëmbyer armët dhe kemi marrë malet,që të luftojmë armikun që na ka zaptuar vendin dhe idealet e lirisë, apo për të vrarë shoshoqin mbase për një dyshim? Ah jo, kjo është mizore, e pa pranueshme.Nga sa u njohëm kam bindje se ai nuk ishte i tillë. Po a mundet që unë ta vrisja shokun me atë “Plumb pas qafe”? Urdhëri urdhër, detyra detyrë, disiplina-disipline, pa asnjë hezitim, zbatimi i detyruar.Bindje e verbër.Të tilla qënkan ligjet e pashkruara të luftës. Nëse do ta bëja, në fund të kësaj udhe, në sofatin e kësaj çesme do të kishte dy të vdekur, njeri me plumb pas qafe dhe tjetri me plumb në gojë! Eh,ç’mjerim. Kam dëgjuar të thonë  : jo çdo e keqe vjen për keq. Ai plumb që u shkreh nga një dorë e huaj tradhëtare, që i mori jetën shokut tim, më shpëtoi nga ajo detyrë e mynxyrshme vdektare. Gjithsesi, shokut i mori jetën, mua më vrau zemër e shpirt.

E teksa Petriti mëndje mjegulluar, i tronditur, përsillte mendime dhe arsyetime kësisoj, në çesmë erdhën dy gra me bucela për të mbushur ujë. Nga ajo që panë u shtangën dhe bënë të friguara hapa prapa, por pa ia shqitur sytë trupit të pajetë dhe atij tjetrit të armatosur por që dukej si i çakërdisur dhe humbameno.

-Ejani, mos u trembni. Nuk u bëj keq. Jam partizan.

Ato nganë përpara dhe u afruan. Më e vjetra, në mesmoshe, veshur me të zeza, pyeti:

-Është shoku yt,ka vdekur, bën ta shoh? Petriti pohoi pa fjalë duke ulur kryet.

Gruaja e veshur me të zeza, ngriti kapotën dhe zbuloi kryet e të pajetit.E tronditi ajo që pa.

-I bukuri i nënës, si nuse e shkruar, duket sikur fle. Ku u gjend ai plumb i zi pwr ty o bir?! Mjerë ajo se ç’mandatë do të marrë, do t’i përvëlohet shpirti, do të vajtojë me ligje pa të parë me sy. – tha dhe hoqi nga koka shaminë e i lidhi buzën, se goja i kishte mbetur paksa e hapur nga heqja kur kishte dhënë shpirt. -Do t’a ngremë e  marrim në fshat, ta qajmë me vaje e gjëmë  do ta  varrosim si të ishte djali ynë, djali i gjithë nënave.

-Lajmëroni komandantin e çetës partizane përsa patë dhe thojini që e pres këtu.

Të dyja grate, mbushën bucelat dhe u larguan duke marrë me vete edhe rëndesën e lajmit  të kobshëm.

***

Petriti, dorzoi zarfin sekret komandantit të çetës së Lajthizës dhe rrëfeu gjithçka kishte ndodhur, por pa dënimin me vdekje të shokut.

Trupin e pajetë të Studentit e varrosën me nderim në varrezat e fshatit. Kur e zbritën në varr, skuadra pushkatare zbrazi një batare.

Toka u trand. Një re klimtare derdhi mbi varr lote shiu. Atë për ta dalluar nga të tjerët,  e quajtën Varri i Partizanit.

Petriti nuk u kthye më në çetën e tij, qëndroi në atë të Lajthizës dhe luftoi deri në çlirimin e vëndit edhe si hakmarrje dhe peng për jetën e shokut. Për amanetin, që thonë se tret as dheu, ai shkoi dhe takoi prindërit e Studentit. U tha fjalët e tij të fundit dhe  sesi kishte dhënë shpirt në krahët e tij dhe ku gjendej varri.

Tiranë, janar-maj 2024.

[1] Pirro, i dashur, tëdua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok