15/06/2024

PLAGËT E AGIM MATOS I DHEMBIN IBRAHIM KADRIUT

0

Nga Timo Mërkuri

Para disa ditësh miku dhe poeti Ibrahim Kadriu më dërgoi poezinë e tij “Jashtë eklipsit”kushtuar poetit Agim Mato të cilën  e shoqëronte me një shënim ku më sqaronte se e pati shkruar rreth një vit e gjysëm para ikjes së Matos në amëshim   (i bie të jetë krijuar në fund të vitit 2019 ose fillim të vitit 2020, pasi Agimi iku më 10 maj 2021), ja pati dhënë për ta lexuar Agimit , por ende nuk e ka përfshirë në ndonjë vëllim poetik të botuar dhe mua ma jipte për ta lexuar.

Sigurisht që u preka nga kjo përkujdesje e tij, pasi të jesh poet dhe të mos shkruash poezi për një mik poet, i cili ka vuajtur një padrejtësi, kjo është normale, por të shkruash  poezi për një mik poet që ka vuajtur një padrejtësi shoqërore në një kohë që ti vetë ke vuajtur padrejtësinë shoqërore dhe dhunën e pushtuesit kjo tregon një zemër të madhe, ndaj unë, duke parë se poezia ishte plot ndjenja të ngrohta, të cilat e kalonin cakun e një kortezie, madje ndjeheshin si pjesë e një dhimbjeje të përbashkët  e pyeta autorin se në cilin nga Manifestimet tona ishte njohur me Agimin, për të patur një qasje kohore. U habita kur ai më thotë se me Agim Maton ishte njohur në vitin e trazirave 1997, kur kishte ardhur me makinë në Tiranë, dhe pas një bisedimi me Pandeli Koçin erdhën  bashkërisht dhe familjarisht për pushime në bregdetin e Sarandës. Në Sarandë i priti Agim Mato dhe i shoqëroi deri në Borsh,ku ata dëshironin të kalonin pushimet dhe Agimi  kishte një mik te i cili sistemoi Ibrahimin me bashkëshorten , ndërsa Pandi te një familje tjetër aty pranë. “Ajo shtëpi ku më vendosi Agimi ishte e mrekullueshme, si një kënd Diznilendi me kopsht e burime uji në oborr. Për çdo ditë pronari i saj na përgatiste mëngjesin, kurse në mbrëmje shtronte pije…’’ e pasqyron poeti pritjen e bërë nga miku i Matos dhe më pas vazhdon: “Agimi u kthye në Sarandë, por ne jemi takuar  në takimet poetike të “Triremës Joniane”. Viteve të fundit e shihja se nuk ishte mirë. Më dhimbsej, se ia dija biografinë e jetës. Këtë poezi që ta dërgova (të cilën siç të tregova e ka lexuar edhe Agimi) e kam shkruar një vit e gjysmë para vdekjes së tij Nuk më kujtohet data e saktë.Të përshëndes nga ky këndi në studion time ku e kaloj të shumtën e kohës”.

E lexova poezinë e Ibrahim Kadriut dhe mqse e njihja shumë mirë jetën e Agim Matos, pse jo vetëm që ishim bashkëqytetarë edhe banonim në një lagje, por ishim dhe miq që na lidhte poezia, u preka shumë nga dashuria vllazërore që shfaqte gati në çdo fjalë e varg poeti gjilanas. Që Agim Mato kishte aftësionë të bënte mik çdo njeri të pastër që i afrohej, këtë e dija, por që këtë ndjenjë miqësie e ngrohtësie ta kutivonte dhe te tjetri, këtë e shoh dhe te kjo poezi e Kadriut e shkruar me fjalë të thjeshta, por që dëshmonin se thjeshtësia është sinqeriteti I shprehjes në një miqësi të sinqertë. Të kuptojmë një gjë, poetet kosovarë në Sarandë janë pritur si vëllezër, jo në kontekstin metaforik, por në atë real, vëllazërim që i kapërcente hapësirat e bashkpunimeve letrare, madje vazhdon edhe sot në rrugë institucionale dhe private, sidomos (por jo vetëm) me krijuesit e Gjilanit. Në Gjilan Ars.Club “Beqir Musliu” në 11 qershor 2016, pas botimit të librit të Matos “Shkretëtirë Harrimi” ju organizua ceremonia e promovimit të krijimtarisë poetike, ku  Ibrahim Kadriu ishte ndër organizatorët e referuesit. Vlen tju them se dhe titullin e kësaj poezie “Jashtë eklipsit” Kadriu e ka huazuar nga titulli i vëllimit poetik “Jashtë eklipsit” të Matos, botuar në vitin 2012 te Shtëpia Botuese e tij “Milosao”si një shenjë triumfimi i tyre, pasi të dy dolën nga “eklipset” moniste.

Për sa i përket Ibrahim Kadriut po ju them se është një poet e shkrimtar i kuotave të larta të letërsisë shqipe në Kosovë, i njohur dhe përkthyer në disa gjuhë europiane. U lind më 1945 në Zhegër, Gjilan,  ka mbaruar Fakultetin Albanologjik në Prishtinë. Ka punuar qysh nga viti 1968 në gazetën famëmadhe “Rilindja” deri në mbylljen e saj. Ka punuar në disa organe të përditëshme shtypi si “Zëri”, ”Plejada”, “Hareja” etj. Është fitues i disa çmimevedhe veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë si serbokroatisht, rumanisht, norvegjisht, malezeze, turqisht, italisht, suedisht, arabisht, frëngjisht etj. Krijimtaria e tij është përmbledhur në dhjetë volume, të cilat autori mi ka dhuruar me dashamirësi dhe dëshmoj për nivelin e lartë artistic të tyre. Jeton e punon në Prishtinë.

I-Ajo që bie më shumë në sy te kjo poezi është dashuria vëllazërore që shfaq poeti Ibrahim Kadriu për poetin Agim Mato, dhimbja që ai përjeton për vuajtjet e sivëllait të tij jugor dhe ngrohtësia që i afron atij, ndonëse nuk kanë qenë të pakta dhimbjet dhe vuajtjet që ka përjetuar dhe ai vetë. Në poezinë “Jashtë eklipsit” të Kadriut, ndjenja e dashurisë vëllazërore, dhimbja dhe ngrohtësia për poetin Mato shfaqen qartë përmes vargjeve të tij të ndjera dhe të përzemërta. Po shfaqim disa vargje që shfaqin këto ndjenja dhe një analizë të tyre të shkurtër: Vargu “Jashtë eklipsit ta bëra pritën, / Të shihja ku je dhe ku ishe –” ku, Kadriu shpreh dëshirën e tij për të takuar dhe për të kuptuar gjendjen e Matos, duke përjetuar së bashku me të vuajtjen dhe peripecitë. Përdorimi i frazës “ta bëra pritën” që ka kuptimin “të prita” tregon një akt kujdesi dhe mbështetjeje, sikur të ishte në rolin e një vëllai mbrojtës.

-Te vargjet “Të gjeta të ngatërruar me ditën / Kur veç dridhje shpirti kishte.” Kadriu tregon se e ka gjetur Maton në një gjendje të trazuar shpirtërore. Përdorimi i fjalës “dridhje shpirti” reflekton një empati të thellë për vuajtjet e Matos, duke ndarë dhimbjen e tij dhe duke e ndjerë atë si të ishte e vetja.

-“Të gjeta mbi valë deti pa busulle, / Në mëshirë të erërave, aq përplasje…” pikturon me vargje Maton si një njeri në përpëlitje dhe të trazuar, si një anije pa busull mbi valë deti, ku përdorimi i metaforës së “mbi valë deti pa busulle” nënkupton një gjendje të pashpresë. Kadriu e përjeton këtë situatë me një dhimbje të thellë për mikun e tij dhe dëshiron ta ndihmojë atë të gjejë rrugën e duhur.

Portretizimi i Matos me vargjet:”I mëshiruar me të keqen kolle – / Udhëkryqeve t ‘jetës me ngasje.” tregon dhembshurinë e poetit për vuajtjet e Matos, duke e parë atë të përplasur me sfida të mëdha në jetën e tijku paraqitja e  “udhëkryqeve të jetës me ngasje” sugjeron kompleksitetin dhe vështirësitë që Mato ka hasur, dhe empatia e Kadriut është e dukshme.

Kadriu tregon qartë dhimbjen e tij për plagët e vazhdueshme që Mato ka marrë në jetën e tij si një i persekutuar te vargjet: “Të gjeta duke numëruar plagët / Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis,” duke shprehur ndjenjën e empatisë dhe solidaritetit për mikun e tij. Interesant është se Kadriu thekson në këtë varg se plagët janë “të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis“, duke vënë në dukje se: ndryshe nga ai në Kosovë, që ka jetuar nën shtypjen moniste e dhunën serbe, Mato ka vuajtur nga ndjekja dhe persekutimi i bashkëatdhetarëve të tij shqiptarë.

Si hymn tingëllojnë vargjet:”Se si të shpëtoi barka në ato valë, / Miku im i kalitur me kërbaç –“, me të cilat Kadriu shpreh admirimin dhe respektin e tij për forcën dhe qëndrueshmërinë e Matos, duke e portretizuar atë të afërt dhe të fortë si: “miku im i kalitur me kërbaç“, duke shfaqur ngrohtësinë dhe vlerësimin e tij për mikun që ka përballuar kaq shumë sfida dhe ka dalë i fortë.

Pra, poezia e Ibrahim Kadriut është një shprehje e dashurisë vëllazërore, empatisë dhe ngrohtësisë së tij për poetin Agim Mato, ku Kadriu ndan dhimbjen dhe sfidat e Matos, duke shfaqur një solidaritet dhe dëshirë për ta parë atë të gjejë paqe dhe qetësi në jetën e tij. Kjo shprehje e ndjenjave të Kadriut për Maton e bën poezinë një veprim të fuqishëm të miqësisë dhe humanizmit.

II- Lind pyetja se pse Ibrahim Kadriu, nje poeti njohur për përdorimin e vargut të lirë, zgjedh të shkruajë poezinë “Jashtë eklipsit” kushtuar Agim Matos në formë të rregullt me ritëm dhe rime, duke ju qasur formës tradicionale? Mendoj se ai e bën këtë për disa arsye të mundshme:

-Duke përdorur një strukturë më tradicionale dhe formale, Kadriu mund të synojë të nderojë dhe respektojë poetin Agim Mato. Forma e rregullt e vargut mund të përçojë një ndjenjë solemniteti dhe serioziteti që i përshtatet temës së rëndë dhe përjetimeve të vështira të përshkruara në poezi.

-Struktura e rregullt e vargut me ritëm dhe rimë mund të theksojë emocionet dhe ndjenjat e forta të shprehura në poezi. Rima dhe ritmi krijojnë një muzikë të brendshme që mund të theksojë dhimbjen, ngrohtësinë dhe dashurinë vëllazërore që Kadriu ka për Maton..

-Duke ndjekur traditën e poezisë lirike, Kadriu mund të krijojë  lidhje me poetët e mëparshëm dhe të përfitojë nga fuqia e formave të provuara të shprehjes poetike. Struktura e rregullt mund të lidhet me traditat më të vjetra të poezisë shqipe dhe të krijojë një ndjenjë kontinuiteti dhe vazhdimësie kulturore.

Forma e rregullt mund të simbolizojë një kërkim për rend dhe stabilitet në mes të kaosit dhe dhimbjes që shprehet në poezi. Kjo strukturë e qëndrueshme mund të shërbejë si një kontrast ndaj përvojave të paqëndrueshme dhe të dhimbshme të shprehura në vargje, duke krijuar një ndjenjë shprese dhe qëndrueshmërie.

III- Poezia “Jashtë eklipsit” nga Ibrahim Kadriu është një homazh i ndjerë për poetin Agim Mato,shkruar me dashuri e dhimbje e cila, ndonëse ka element të tradicionalitetit që shërbejnë si sfond poetik, në kontekstin e poezisë moderne, i qaset kryesisht rrymës ekzistencialiste dhe simboliste të modernizmit.

-Themi se poezia i qaset rrymës së ekzistencializmit sepse trajton vuajtjen dhe luftën e individit (Mato) në një sistem represiv dhe absurditetin e ekzistencës së tij nën një ideologji shtypëse. Këto janë tema që lidhen me ekzistencializmin, i cili shqyrton luftën e individit për kuptim dhe autenticitet në një botë që mund të shfaqet  armiqësore për individin. Në këtë poezi, poeti shpreh ndjenjat e izolimit, vuajtjes dhe kërkimit të kuptimit të protagonistit, Agim Mato, në një botë që është shpesh  armiqësore ndaj tij dhe konkretisht, a)-Trajtimi i vuajtjes dhe luftës së individit, në aspektin e izolimit dhe humbja e drejtimit:”Të gjeta mbi valë deti pa busulle, / Në mëshirë të erërave, aq përplasje…” ku shfaqet  ndjenja e humbjes dhe izolimit të Matos, që është një temë qendrore në ekzistencializëm, pse njeriu ndjehet i humbur dhe pa drejtim në një botë të pakuptimtë dhe të paqartë.

b)-Vuajtja nën një sistem shtypës:”Të gjeta duke numëruar plagët / Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis, / I një ideologjie aq të largët – / Të shtrydhte ndjenjat – ai pis.”janë vargje që theksojnë vuajtjen e protagonistit nën një sistem represiv dhe ideologjik që e shtyp dhe e dënon atë. Ekzistencializmi shpesh shqyrton mënyrën se si individi përballet me shtypjen dhe absurditetin e një sistemi të tillë.

c)-Absurditeti dhe sfidat e ekzistencës:”I mëshiruar me të keqen kolle – / Udhëkryqeve t ‘jetës me ngasje.”janë vargje që shprehin sfidat dhe absurditetin e jetës së heroit, duke reflektuar ndjenjën e përhershme të konfliktit dhe pamundësinë për të gjetur kuptim.

ç)-Mbijetesa dhe kërkimi për kuptim: “Se si të shpëtoi barka në ato valë, / Miku im i kalitur me kërbaç – / Që ethet në vazhdim të ishin halë / Të shkuarat në tretje, jetë të mirë paq.”shprehin mbijetesën e heroit përmes sfidave të jetës dhe kërkimin për një jetë më të mirë dhe paqe të brendshme. Ekzistencializmi shpesh shqyrton përpjekjen e individit për të gjetur kuptim dhe paqe në një botë që është shpesh kaotike dhe e paqëndrueshme.

-Mato paraqitet si një individ i izoluar, që përballet me sfida të mëdha dhe ecën në jetë pa ndonjë drejtim të qartë (“pa busullë“),por ndjenja e izolimit dhe alienimit dhe mungesa e orientimit janë thelbësore për ekzistencializmin. Shprehja “izolimi dhe alienimi” përdoret për të shprehur dy aspekte të ndryshme të ndjenjës ndarjes nga bota dhe nga shoqëria, ku: Izolimi përbën ndjenjën e vetmisë dhe izolimit fizik ose emocional nga të tjerët dhe vjen nga mungesa e lidhjeve shoqërore ose nga ndjenja e përjashtimit. Izolimi ndikon në qëndrimin e individit ndaj vetvetes dhe të tjerëve, dhe mund të krijojë ndjenja të, mungesës së kuptimit dhe dëshirës për t’u lidhur. Poezia “Jashtë eklipsit” e Kadriut mund të lidhet me rrymën ekzistencialiste dhe  simboliste të modernizmit. Në këtë poezi, protagonisti Agim Mato paraqitet si  individ dënuar dhe i izoluar, duke përjetuar sfida të mëdha. Ndjenja e alienimit dhe mungesa e orientimit janë thelbësore për ekzistenciali-zmin.

Përmendëm shprehjen “izolimi dhe alienimi”  dhe sqarojmë se: Izolimi dhe alienimi në kontekstin ekzistencialist analizohet në dukurinë e: a)- izolimit, i cili është shprehur te vargjet:”Të gjeta mbi valë deti pa busulle,/ Në mëshirë të erërave, aq përplasje.” të cilat shprehin  një ndjenjë të qartë të izolimit fizik dhe emocional. Mato është i humbur dhe pa drejtim si një anie “një valë deti pa busullë“, duke përjetuar “përplasje” dhe sfida nga erërat, që simbolizojnë forcat dhe pengesat e jashtme.

b)-Në dukurinë e alienimit:”Të gjeta të ngatërruar me ditën / Kur veç dridhje shpirti kishe.”ku Mato ndihet i vetmuar në jetën e përditshme, duke përjetuar vetëm “dridhje shpirti“. Kjo ndjenjë e thellë e përjashtimit nga bota rreth tij është një element thelbësor i ekzistencializmit.

c)- Në përjetimin e  vuajtjes nën një sistem shtypës:”Të gjeta duke numëruar plagët / Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis, / I një ideologjie aq të largët – / Të shtrydhte ndjenjat – ai pis.”vargje që shprehin vuajtjen dhe alienimin e Matos nën një sistem ideologjik që e shtyp dhe e dëmton vazhdimisht. Ndjenja e izolimit nga shoqëria që e dënon dhe e përndjek është një temë e rëndësishme në ekzistencializëm.

ç)-Në përjetimin e luftës për mbijetesë dhe kuptim:”Se si të shpëtoi barka në ato valë, / Miku im i kalitur me kërbaç – / Që ethet në vazhdim të ishin halë / Të shkuarat në tretje, jetë të mirë paq.”vargje që tregojnë përpjekjet e Matos për të mbijetuar dhe për të gjetur kuptim në një botë të paqartë dhe të vështirë. Barka që shpëton përfaqëson luftën për ekzistencë dhe kërkimin e një drejtimi dhe kuptimi të ri në jetë.

Më sipër theksuam se shprehja “izolimi dhe alienimi” përdoret për të shprehur dy aspekte të ndryshme të ndjenjës ndarjes nga bota dhe nga shoqëria.Për të sqaruar kuptimshmërinë e përdorimit prej nesh sqarojmë se: Izolimi fokusohet më shumë në mungesën e lidhjeve shoqërore, ndërsa alienimi është një ndjenjë më e thellë e ndarjes dhe largimit nga bota dhe nga vetvetja. Kjo mund të ndodhë kur individët ndiejnë se ata nuk përqasen me shoqërinë rreth tyre, përjetojnë një ndjenjë të madhe përjashtimi, ose ndiejnë se realiteti i tyre është i papërshtatshëm me perceptimet aktuale shoqërore. Alienimi mund të shkaktojë ndjenja të mungesës së identitetit, humbjes së kuptimit dhe ndjenjën e vetmisë së thellë.

IV-Poezia “Jashtë eklipsit” e Ibrahim Kadriut ka qasje me rrymën simboliste të modernizmit për arsye se: a)-Përdor simbole të fuqishme, si “valë deti pa busullë,” “erërave,” dhe “barka,” të cilat krijojnë një kuadër të pasur kuptimor për gjendjen emocionale dhe psikologjike të Matos. Te vargu:”Jashtë eklipsit ta bëra pritën,” ku fraza “ta bëra pritën” ka kuptimshmërinë të bëra pritjen, të prita aty jashtë eklipsit. Eklipsi në titull dhe në fillim të poezisë simbolizon një periudhë të errët dhe të mbuluar të jetës së protagonistit, duke përfaqësuar shtypjen dhe mungesën e lirisë gjatë regjimit ideologjik. Jashtë eklipsit nënkupton daljen nga kjo errësirë  në dritë dhe liri.Simbolizmi është një nga rrymat kryesore të modernizmit që përdor simbole për të shprehur ide dhe emocione komplekse.Te vargjet: Të gjeta mbi valë deti pa busulle, / Se si të shpëtoi barka në ato valë,”valët e detit simbolizojnë sfidat dhe paqëndrueshmërinë e jetës, ndërsa barka simbolizon udhëtimin e jetës dhe përpjekjet për të mbijetuar. Barka pa busullë përfaqëson mungesën e drejtimit dhe orientimit në jetë, një temë e zakonshme në simbolizmin modernist.

b)- Gjendja e brendshme e Matos shfaqet përmes imazheve të jashtme, si përplasja me erërat dhe valët, që janë teknikë tipike e simbolizmit për të ilustruar emocione të thella dhe përvoja shpirtërore.  Kështu te vargjet:- “Në mëshirë të erërave, aq përplasje…”, erërat që përplasen simbolizojnë forcat e jashtme që ndikojnë në jetën e protagonistit, duke krijuar një atmosferë të pashpresë dhe sfiduese. – Vargjet: Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis, / I një ideologjie aq të largët – / Të shtrydhte ndjenjat – ai pis.”simbolizojnë ndikimin e ideologjive të largëta dhe të huaja që shtypin dhe dëmtojnë individin. “Pis” cilëson më tepër  natyrën e keqe të kësaj ideologjie, se sa individin përgjegjës, ndërkohë që vargjet “Miku im i kalitur me kërbaç” tregon për një individ që është formuar dhe kalitur nga përvojat e dhimbshme dhe të ashpra të jetës, ku kërbaçi simbolizon dhunën dhe vuajtjen që ai ka përjetuar, por edhe rezistencën dhe fuqinë për të mbijetuar dhe për të kërkuar kuptim dhe autenticitet në jetën e tij.

Në thelbin e saj, poezia “Jashtë eklipsit” përfaqëson një kombinim të fuqishëm të rrymave ekzistencialiste dhe simboliste të modernizmit. Përmes përdorimit të simboleve dhe figurave të fuqishme letrare, Kadriu arrin të krijojë një portret të ndjerë dhe të thellë të përjetimeve dhe ndjenjave të protagonistit, duke e bërë atë një shembull të rëndësishëm të letërsisë moderniste. Bota e brendshme e poezisë ngjan me një zemër të vetme që rreh në harmoni me trupin e poetit jugor, të lidhur mes tyre si vëllezërit siamezë. Zemrat dhe shpirtrat e tyre ndajnë të njëjtin puls, duke ushqyer jetë dhe ndjenja të përbashkëta për të dy poetët. Dhe ne të ndjejmë më afër Ibrahim Kadriu.

Sarandë, më maj 2024

 

Brahim KADRIU

 

JASHTË EKLIPSIT

 

(Agim Matos, poetit nga Saranda)

 

Jashtë eklipsit ta bëra pritën,

Të shihja ku je dhe ku ishe –

Të gjeta të ngatërruar me ditën

Kur veç dridhje shpirti kishe.

 

Të gjeta mbi valë deti pa busulle,

Në mëshirë të erërave, aq përplasje…

I mëshiruar me të keqen kolle –

Udhëkryqeve t ‘jetës me ngasje.

 

Të gjeta duke numëruar plagët

Të bëra vazhdimisht nga i njëjti fis,

I një ideologjie aq të largët –

Të shtrydhte ndjenjat – ai pis.

 

Se si të shpëtoi barka në ato valë,

Miku im i kalitur me kërbaç –

Që ethet në vazhdim të ishin halë

Të shkuarat në tretje, jetë të mirë patsh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok