Ypi denbabaden
Nga Edison Ypi
Qysh fëmijë e dija se për shkak të kushërinjve të arratisur ose në burgje dhe internime, mbiemri Ypi ishte sa i lavdishëm dhe problematik.
Kur isha nja 10 vjeç, një mbrëmje dimri, daja që kishte ardhur për vizitë, i tha babait;
-Po të merr më qafë mbiemri Ypi. Ruaje veten, familjen. Na ruaj dhe ne të tjerët. Ndërroje mbiemrin.
-Si ta bëj ? e pyeti babai me qesëndi.
-Bëje “Shkëmbi”.
Fisniku, aristokrati, patrioti, eruditi, folësi i disa gjuhëve të huaja, anglofili që katër fëmijëve nuk ua vuri emrat Hasan e Hysen, Merjem e Myzejen, por Dezdemona, Elizabeta, Edison, Eduard, ju përgjigj dajës me kërcënim;
-Kurrë nuk do ta ndërroj mbiemrin !
Ypi elegant me një rrokje dhe tre gërma, Ypi muzikor me dy zanore të pafundme dhe një bashkëtingëllore të butë në mes, Ypi misterioz me irracionalen “Pi” brenda; këtë Ypi ta bëje Shkëmb, nuk dukej keq. Mbase daja kishte të drejtë. Me ndërrimin e mbiemrit ndoshta rreziqet do paksoheshin, vuajtjet do rralloheshin, do merrnim frymë lirisht, nuk do tmerroheshim ditët e kongreseve, nuk do trembeshim ditën e parakalimeve, nuk do na ngrinte gjaku ditën e votimeve. Në fund të fundit Edison Shkëmbi nuk tingëllonte keq. Por refuzimi i babait ishte, megjithatë, i arsyeshëm. Babai e kishte të qartë se pikërisht pse ishte delikat, muzikor, artistik, Ypi ishte më i fuqishëm se Shkëmbi.
Episodi me dajën dhe babain që refuzoi ta ndërronte mbiemrin, më mbeti në përfytyrim si një varkë në mes të oqeanit, që ulet e ngrihet, duket e të zhduket, por nuk mbytet.
E dija që në Durrës jetonte Esat Ypi. E dija gjithashtu se Esat Ypi nuk ishte kolonjar, pra nuk e kishim kushuri.
Në botë Ypi kishte vetëm në Starje, në Kolonjë. Si ishte e mundur që Esati, pa qënë kushuriri ynë, ta kishte mbiemrin Ypi ?!
Misterioziteti kërcënues i Ypit të rrethuar me internime, burgosje, pushkatime, varje në litar, po aq sa na pengonte ne ta pyesnim Esat Ypin, pamundësonte dhe Esat Ypin të na spjegonte ne pse e mbante atë mbiemër.
Mirë ne që rrota e proletariatit nuk na lejonte ta luanim bishtin nën mbiemrin llaftarisës, po Esat Ypi pse nuk e ndërronte vallë mbiemrin kërcënues por i kishte thënë byrum belasë dhe vazhdonte të vuante nën rrotën diktatoriale ?
Një ditë, të vërtetën ma zbardhi vetë Esat Ypi.
Më 20 janar 1920 duke dalë nga zyra, rrëfen Esat Ypi, vranë pabesisht ideatorin e Kongresit të Lushnjes, avokatin Abdyl Ypi. Në varrimin madhështor e mori fjalën babai i Esat Ypit, Asllani. Në fund të ligjëratës, Asllan Ypi u tha të pranishmëve;
Abdyl Ypin e kisha mik për shpirt, e kisha vëlla. Si Abdyl Ypi edhe unë, për armë kam lapsin dhe librin, për ideologji patriotizmin, për Atdhe Shqipërinë, për mbrojtës të madhin Zot. I them dorës kriminale që e goditi Abdyl Ypin, juve që jeni këtu, përmes jush edhe gjithë shqiptarëve, se prej këtij çasti nuk quhem më Asllan Demiri, por Asllan Ypi.
Gjatë diktaturës Asllan Ypi i refuzoi këshillat e përsëritura të miqve për ta ndërruar mbiemrin.
Vizionari patriot Asllan, për tu vllazëruar me idhullin e tij të vdekur, intelektualin patriot Abdyl Ypi, nuk prenë gishtat dhe pinë gjakun e njëritjetrit, por diçka shumë më madhështore se gjakpirja, diçka unikale në historinë e botës dhe njerzimit, i mori Abdyl Ypit mbiemrin. Asllan Ypi vuajti, por mbiemrin sa të rrezikshëm po aq të bukur dhe të lavdishëm nuk e ndërroi kurrë, për asnjë arësye, për asnjë çmim.
Esat Ypit, sa më tepër vuante aq më i dashur i bëhej mbiemri i adoptuar prej babait vizionar Asllan Ypi.
Përipecitë sfilitëse të Esat Ypit dashuruar pas mbiemrit të lavdishëm po aq sa dhe babai i tij, vazhduan edhe pas shembjes së diktaturës.
Mbiemrin Ypi nuk e ndërroi Asllani edhe po ta varje.
Nuk e ndërroi babai im që e kishte të vetin, edhe po ta vrisje.
Nuk e ndërroi Esati që e trashëgoi nga Asllani, edhe po ta pushkatoje.
Nuk do ta ndërrojë kurrë, askush, për asnjë arësye.
Ypi vuajti. Ypi u rropat. Ypi u përpëlit. Por Ypi nuk vdiq. Ypi kurrë nuk do vdesi. Ypi nuk është mbiemër. Ypi është Frymë.
Për inat të hyzmeqarëve qëllimi i vetëm i të cilëve është të bëhen bejlerë, Ypi që Bej ka qënë, Bej është, Bej do jetë, do trashëgohet dhe huazohet pafund, nga brezi në brez, denbabaden.