14/10/2024

Nga Edison Ypi

Qysh fëmijë e dija se për shkak të kushërinjve të arratisur ose në burgje dhe internime, mbiemri Ypi ishte sa i lavdishëm dhe problematik.

Kur isha nja 10 vjeç, një mbrëmje dimri, daja që kishte ardhur për vizitë, i tha babait;

-Po të merr më qafë mbiemri Ypi. Ruaje veten, familjen. Na ruaj dhe ne të tjerët. Ndërroje mbiemrin.

-Si ta bëj ? e pyeti babai me qesëndi.

-Bëje “Shkëmbi”.

Fisniku, aristokrati, patrioti, eruditi, folësi i disa gjuhëve të huaja, anglofili që katër fëmijëve nuk ua vuri emrat Hasan e Hysen, Merjem e Myzejen, por Dezdemona, Elizabeta, Edison, Eduard, ju përgjigj dajës me kërcënim;

-Kurrë nuk do ta ndërroj mbiemrin !

Ypi elegant me një rrokje dhe tre gërma, Ypi muzikor me dy zanore të pafundme dhe një bashkëtingëllore të butë në mes, Ypi misterioz me irracionalen “Pi” brenda; këtë Ypi ta bëje Shkëmb, nuk dukej keq. Mbase  daja kishte të drejtë. Me ndërrimin e mbiemrit ndoshta rreziqet do paksoheshin, vuajtjet do rralloheshin, do merrnim frymë lirisht, nuk do tmerroheshim ditët e kongreseve, nuk do trembeshim ditën e parakalimeve, nuk do na ngrinte gjaku ditën e votimeve. Në fund të fundit Edison Shkëmbi nuk tingëllonte keq. Por refuzimi i babait  ishte, megjithatë, i arsyeshëm. Babai e kishte të qartë se pikërisht pse ishte delikat, muzikor, artistik, Ypi ishte më i fuqishëm se Shkëmbi.

Episodi me dajën dhe babain që refuzoi ta ndërronte mbiemrin, më mbeti në përfytyrim si një varkë në mes të oqeanit, që ulet e ngrihet, duket e të zhduket, por nuk mbytet.

E dija që në Durrës jetonte Esat Ypi. E dija gjithashtu se Esat Ypi nuk ishte kolonjar, pra nuk e kishim kushuri.

Në botë Ypi kishte vetëm në Starje, në Kolonjë. Si ishte e mundur që Esati, pa qënë kushuriri ynë, ta kishte mbiemrin Ypi ?!

Misterioziteti kërcënues i Ypit të rrethuar me internime,  burgosje, pushkatime, varje në litar, po aq sa na pengonte ne ta pyesnim Esat Ypin, pamundësonte dhe Esat Ypin të na spjegonte ne pse e mbante atë mbiemër.

Mirë ne që rrota e proletariatit nuk na lejonte ta luanim bishtin nën mbiemrin llaftarisës, po Esat Ypi pse nuk e ndërronte vallë mbiemrin kërcënues por i kishte thënë byrum belasë dhe vazhdonte të vuante nën rrotën diktatoriale ?

Një ditë, të vërtetën ma zbardhi vetë Esat Ypi.

Më 20 janar 1920 duke dalë nga zyra, rrëfen Esat Ypi, vranë pabesisht ideatorin e Kongresit të Lushnjes, avokatin Abdyl Ypi. Në varrimin madhështor e mori fjalën babai i Esat Ypit, Asllani. Në fund të ligjëratës, Asllan Ypi u tha të pranishmëve;

Abdyl Ypin e kisha mik për shpirt, e kisha vëlla. Si Abdyl Ypi edhe unë, për armë kam lapsin dhe librin, për ideologji patriotizmin, për Atdhe Shqipërinë, për mbrojtës të madhin Zot. I them dorës kriminale që e goditi Abdyl Ypin, juve që jeni këtu, përmes jush edhe gjithë shqiptarëve, se prej këtij çasti nuk quhem më Asllan Demiri, por Asllan Ypi.

Gjatë diktaturës Asllan Ypi i refuzoi këshillat e përsëritura të miqve për ta ndërruar mbiemrin.

Vizionari patriot Asllan, për tu vllazëruar me idhullin e tij të vdekur, intelektualin patriot Abdyl Ypi, nuk prenë gishtat dhe pinë gjakun e njëritjetrit, por diçka shumë më madhështore se gjakpirja, diçka unikale në historinë e botës dhe njerzimit, i mori Abdyl Ypit mbiemrin. Asllan Ypi vuajti, por mbiemrin sa të rrezikshëm po aq të bukur dhe të lavdishëm nuk e ndërroi kurrë, për asnjë arësye, për asnjë çmim.

Esat Ypit, sa më tepër vuante aq më i dashur i bëhej mbiemri i adoptuar prej babait vizionar Asllan Ypi.

Përipecitë sfilitëse të Esat Ypit dashuruar pas mbiemrit të lavdishëm po aq sa dhe babai i tij, vazhduan edhe pas shembjes së diktaturës.

Mbiemrin Ypi nuk e ndërroi Asllani edhe po ta varje.

Nuk e ndërroi babai im që e kishte të vetin, edhe po ta vrisje.

Nuk e ndërroi Esati që e trashëgoi nga Asllani, edhe po ta pushkatoje.

Nuk do ta ndërrojë kurrë, askush, për asnjë arësye.

Ypi vuajti. Ypi u rropat. Ypi u përpëlit. Por Ypi nuk vdiq. Ypi kurrë nuk do vdesi. Ypi nuk është mbiemër. Ypi është Frymë.

Për inat të hyzmeqarëve qëllimi i vetëm i të cilëve është të bëhen bejlerë, Ypi që Bej ka qënë, Bej është, Bej do jetë, do trashëgohet dhe huazohet pafund, nga brezi në brez, denbabaden.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok