Vrasja në kufi e Përparim Pashakos më 1 prill 1990

Nga Kastriot Dervishi
Më datën 1.4.1990 ditën e diel, në mëngjes, në sektorin e postës kufitare Zminec, Sarandë, u vra në tentativë për t’u arratisur, Përparim Zihni Pashako (i datëlindjes 1958, beqar, i papunë, ish shofer në parkun e turizmit në Tiranë, banues në lagjen nr.10 në Tiranë) dhe u kap në tentativë për t’u arratisur Engjëll Duro Çako (i vitlindjes 1959, me punë shofer në Ndërmarrjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov”, banues në lagjen nr.10 në Tiranë).
Të dy personat udhëtuan nga Tirana për në Sarandë me Tiranë e autobusin e linjës në Ballshit që kalon nga Delvina, zbritën rreth orës 16.00 në fshatin Metoq të Sarandës dhe prej këtej nisen në këmbë në drejtim të kufirit.
Pasi ishte konstatuar prekja e klonit, u njoftuan postat kufitare Grazhdan, Zminec, Perdhikal, Vulister, reparti ushtarak, fshatrat Zminec, Karroq për mbylljen e drejtimeve në thellësi sipas planit. Për situatën e krijuar dhe masat e marra njoftua komanda e repartit dhe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme si dhe u dërgua në vend grupi operativ në përbërje të të cilit shkoi dhe komisari i repartit. Pasi i shohin të dy shokët, u lëshojnë qenin e kufirit, i cili përleshet me ata. Arrijnë të kapin Engjëllin. Përparimi shkëputet, por qëllohet nga ushtari më i afërm.
Për vigjilencë të lartë të shërbimit u dekoruan me medaljen “Për ruajtjen e mbrojtjen e kufirit shtetëror të RPSSH”, komandanti i postës dhe 6 ushtarë dhe u stimuluan 8 të tjerë, nënoficerë e ushtarë. Përparimi u varros në Sarandë.