Vrasja e Miladin Popoviçit, treguar nga Qazim Vula
Nga Kastriot Dervishi
Qazim Vula e ka pasur shtëpinë mjaft afër vendit ku u vra Miladin Popoviçi. Kur erdhi në Shqipëri ai kujtonte bisedat me Haki Tahën. Për këtë vrasje ishin arrestuar 60 persona nga OZN-a. Pjesë nga dëshmia:
“Në vitin 1945 pasi mori fund lufta dhe Jugosllavia u çlirua, në Kosovë vjen si komandant Miladin Popoviçi. Në këtë kohë atje filloi një torturë në masë, sidomos në popullin e Kosovës; bëhej një propagandë e keqe, duke thënë se tani edhe Shqipërinë do ta okuponin dhe bënin koloni të Jugosllavisë. Vetë Miladini pati thënë se në Shqipëri do të dërgonin ushtrinë, punëtorët dhe teknikët e tyre dhe se së shpejti e gjithë Shqipëria do të okupohej. Duke parë se në Kosovë po bënin tortura dhe vrasje në masë të popullsisë shqiptare dhe nga ana tjetër Kosova u shkëput nga Shqipëria, për më tepër flitej se edhe Shqipëria do të bëhej koloni e Jugosllavisë, unë kam biseduar me Haki Tahën dhe Enver Sudin, i pari nga Gjakova e i dyti prej Prishtine, se kjo nuk durohej, prandaj duhej bërë diçka për Kosovën dhe Shqipërinë. Haki Taha, si më i ditur nga ne, njeri me shkollë dhe mësues, na tregoi se shkaktar për të gjitha këto që po ngjanin në Kosovë, ishte Miladin Popoviçi, prandaj ky duhej zhdukur fizikisht. Hakiu tha se pasi ta bënte këtë do vriste veten, vetëm që Kosova të mos vuante më. Para se të vepronte, Hakiu gjeti një flamur të Shqipërisë, ia dha një gruaje për ta qëndisur me fije ari fjalët: “Kosovës liri – bashkim me Shqipërinë”. Gruaja e shkoi por për fjalën e dyti, nuk i doli ari. Për këtë unë dola, gjeta fije ari dhe shkrova atë që mungonte. Më 13 mars 1945 Haki Taha e vendosi në gjoks flamurin në shtëpinë time, nën një jeleku lëkure. Doli i armatosur dhe u nis të vriste Miladin Popoviçin. Dolëm bashkë. Rreth 100 metra nga shtëpia, u ndamë. Unë shkova në Pazar se ishte ditë pazari, ndërsa Hakoi u nis në zyrën e Miladinit. Më parë shkroi një letër sikur donte të shtrohej në spital se ishte sëmurë e për këtë i duhej ndihma e Miladinit. Sapo ia dha letrën e vrau me revolver italian. Pas vrasjes doli dhe u fsheh në një plevicë bari. Pas dy ditësh qëndrimi, nga uria doli në qytet, por këtu ra në pritë të patrullave. Për të mos rënë në dorë i gjallë te ata, vrau veten”.