Tregim nga Liri Pone Bele

Thanasi, një burrë rreth të  65-ve, gëzonte respektin e gjithë banorëve të qytetit në profilin e arsimtarit si mësues matematike në disa shkolla 7-vjeçare e të mesme, deri në moshën e daljes në pension. Punën nuk e ndali, natyrisht jo me ritmin e mëparshëm, duke organizuar kurse tri herë në javë me nxënës të klasave të ndryshme, pavarësisht ambientit tejet të kufizuar, në katin e sipërm të njërës prej godinave trekatëshe ndërtuar viteve të para të socializmit. Kishte përshtatur tavolinë, disa karrige të vogla në të vetmen hapësirë të gjerë, ballkonin me pamje nga plantacioni i frutores së qytetit.  Ruante marrëdhënie miqësore me ish-kolegët dhe takohej me ta sipas mundësive të krijuara. Disa ishin larguar me familjet në kryeqytet, kishte dhe të tjerë larguar jashtë vendit, siç ishte dhe Isufi  më i afërti mik i tij. Kur ai kthehej përkohësisht në verë, krijonin mundësi të qëndronin së bashku, siç kishin bërë gjatë gjithë kohës, në shoqërinë e tyre shumëvjeçare.

Një pasdite të vonë fundgushti, i vetmuar, Thanasi qëndronte pranë tavolinës në njërën nga baret në qendër të qytetit. Filxhanin me kafe, të porositur orë më parë, as e kishte prekur. Së largu, dukej qartazi i kredhur në mendime, hidhte shikime të pikëlluara, të ngulura përtej rrugës. Askush nuk i tërhiqte vëmendje, pothuajse nuk ia kthente përshëndetjen as ndonjë personi të njohur që kalonte atypari apo të ngrinte dorën të shoqëruar me përkuljen e lehtë të kokës drejt një kalimtari që rastësisht kalonte në trotuarin përkundrejt që e njihte Thanasin dhe e përshëndeste duke shprehur respekt për të.

U dëgjua zëri i njohur i Isufit, pedagog në lëndën e psikologjisë. Prej vitesh nuk kishin pasur mundësi takimi, sepse ai jetonte familjarisht në Australi. Afërsia e fytyrës shoqërohej me aromën e mirënjohur të një duhanpirësi të pakorrigjueshëm. Gjithë përpjekjet në vite të familjes dhe të shokëve për lënien e duhanit nuk e bindën Isufin. Ai i hodhi krahët në shpatullat e Thanasit, shoqëruar me një  përqafim të zgjatur, të përmalluar e miqësor, qartazi i munguar, aq sa vetëm pas disa çastesh mundi të shqiptonte fjalët e para…

– Mirëdita, i dashur koleg! Kam më tepër se dy orë që po të kërkoj gjithandej. Doja të të takoja sa më parë dhe, kur nuk të gjeta në shtëpi, u mërzita. Tepër e shqetësuar, gruaja jote më tregoi se nuk kishe shkuar as për drake. Për më tepër, e shqetësonte gjendja jote e trishtuar ditëve të fundit. Kishe tejkaluar çdo kufi dje, kur, i përqendruar, diçka po lexoje. Gjatë natës, përsa tregoi ajo, nuk të zuri gjumi pothuajse asnjë orë, sot gjithë ditën gjendesh larg shtëpisë… Ajo nuk po mundej të shpjegonte asgjë… Tani, fatmirësisht jam pranë teje dhe dua të bisedojmë si përherë…

Isufi afroi karrigen në më të afërtin pozicion, me duart e veta mbante shtrënguar të dy duart e shokut, në të njëjtën kohë nuk po mund të shkëpusnin nga njëri-tjetri shikimet e vërteta miqësore të munguara gjatë. Disi më vonë filluan dhe fjalët  e  ngrohta…

– Të jem i sinqertë me ty e me veten time, ndihem fajtor që nuk munda të siguroja vazhdimësinë e lidhjes sonë këtyre viteve dhe u gëzova kur mësova se ndiheshe mirë duke u shoqëruar me të tjerë  bashkëmoshatarë, përshtypje pozitive të prezantuara qartë nga vetë ju katër pensionistët. Banorë autoktonë të qytetit tonë ju njohin mirë dhe gjithë energjitë tuaja, djersën e ballit, vitet e punës së ndërgjegjshme ju dhuruan respektin e tyre plotësisht të merituar, prandaj mënyra e organizimit të kohës suaj të përditshme shihet me admirim…

Thanasi nuk po përgjigjej. Ndiente njëfarë pengese, si ta kishin  shtrënguar në fyt. Frymëmarrja iu vështirësua dhe në ballin e rrudhur u dukën dy-tri pika djerse. Pas një heshtjeje të zgjatur, me një zë të ulët, iu drejtua shokut tejet të pikëlluar:

– Po, në të vërtetë u prezantuam në qytet për disa vite si “Grupi miqësor i moshës së tretë”. Do të doja të tregoja ty rreth jetës së tyre, rastësia që ndihmoi marrëdhëniet tona mirëkuptuese, ndonëse jo përherë… Sotiri ishte më i madhi në moshë midis nesh, me konstrukt të gjatë e të fuqishëm, sa pamja e tij e jashtme e tregonte shumë vite më të ri se mosha e vërtetë, ish-inxhinier nafte me përgatitje profesionale të vërtetuar edhe me punime shkencore; fizikisht i mbajtur mirë deri dy vjet më parë, kur u diagnostikua me një sëmundje të rrallë, për të cilën detyrohej të merte mjekime të kushtueshme, kryesisht të financuara nga i biri emigrant në Greqi. Jonuzi, farmacist, kishte probleme me artikulacionet e gjunjëve. Qysh nga fëmijëria e largët vuante nga reumatizma, gjë që e favorizoi qëndrimi i tejzgjatur në pozicion vertical, si edhe hapësira e kufizuar në vendin e punës përgjatë paradites e mbasdites. Pasojat drejtpërsëdrejti në kufizimin e lëvizjeve i shtoheshin dita-ditës. Shpesh mbetej mbrapa nesh, sa ndonjëherë na duhej të ndalonim duke e pritur. Mbështetja në bastun e lehtësoi paksa, por dukej në prononcimet e tij se nuk ishte arritur zgjidhja e duhur funksionale. I treti shok, Vangjeli, nuk kishte njohur ditë pushimi as të dielave  përgjatë dekadave, duke punuar me korrektësi e cilësi si murator, elektricist, hidraulik e zanate të  tjera, aq sa jo rrallë dikush e merrte  për ta pasur si Usta për një proces pune delikat brenda banesës personale, apo thjesht kërkonte mendim, këshillë profesionisti. E veçanta për të ishte dëshira për të lexuar libra të autorëve tanë dhe kryevepra të letërsisë botërore. Pothuajse ndiqte me vëmendje botimet e fundit, gjë që e mësuam saktë mbas njohjes sonë. Në raftet e dërrasave të përpunuara me duart e veta, numri i librave e kishte kaluar me disa qindra mijëshen. Sikurse na pohonte, të lexuarit e librave i lehtësonte disi mbilodhjen fizike të përditshme. Sigurisht përparësia i takonte kënaqësisë shpirtërore, duke u shprehur çiltërsisht se koha e lirë e kufizuar meritonte të harxhohej në një tjetër mënyrë. Aktiviteti fizik i përditshëm mundësonte të prezantohej i shëndetshëm dhe nuk e dinim se Vangjeli kishte një sëmundje serioze të zemrës, për të cilën ai nuk shprehte ankesa dhe nuk i shmangej as punës, kur kishin nevojë për ndihmën e tij. Fatkeqësisht, u  njoha me të vërtetën e zymtë tepër vonë. Zgjuarsia e veçantë e Vangjelit shoqërohej me karakter të fortë. Ai ishte natyrë e mbyllur në vetvete dhe shqetësimet e veta nuk dëshironte t’ua transmetonte miqve, pasi nuk donte që dhe ata të vuanin. Jeta ishte treguar e ashpër me të. Prindërit e tij shpejt u ndanë nga jeta dhe të  katër fëmijët u rritën jetimë. Ai, si më i madhi prej tyre, ishte i detyruar të mbetej i fundit në plotësimin e kërkesave të jetës së përditshme. Bashkëshortja mbartte në vetvete njërën nga format e mungesës së gjakut, anemi të lindur, për të cilën u njohën vonë, por të dy tregonin kujdes. Në njërën nga situatat kritike të humbjes së gjakut, gatishmëria e Vangjelit për të dhuruar sasinë e nevojshme të gjakut, iu refuzua në momentin e kontrollit paraprak të tij. Mjekët e njohën dhe e informuan për një sëmundje zemre të paditur më parë, e cila e kishte të domosdoshme ndjekjen mjekësore protokollare, por ai e anashkalonte. Nuk patën fatin e lumtur të mbanin në krahët e tyre fëmijë, ngrohtësia e të cilëve do të mund t’ua pakësonte sadopak egërsinë e jetës së përditshme. Lina punonte me ndërgjegje dhe përkushtim si edukatore në një kopsht fëmijësh dhe ngushëllohej me vogëlushët, ndërsa Vangjeli duhej të shtrëngonte mes duarve vetëm kaçavidën, çekiçin e  të tjera mjete pune që i mbante në një çantë me peshë të rëndë. Më kujtohet mirë, pesë vjet më parë, disa muaj mbas vdekjes së Linës, i katërti shok pensionist iu bashkua treshes sonë dhe shpejt shoqëria u konsolidua në një miqësi të vërtetë. Pavarësisht moshës, ajo fuqizohej çdo ditë e më tepër. Mungesat brenda grupit tonë shoqëror, thënë ndryshe, largimet disajavëshe të Jonuzit verën e vitit të kaluar dhe Vangjelit këtë vit, që fatkeqësisht u pasuan në mënyrë fatale me mbylljen e jetës së tyre, janë zanafilla e tjetërsimit të gjendjes sime shpirtërore. Jonuzi ishte njeri me një zëmërbutësi të skajshme dhe kishte prirje në fushën e pikturës. Ato pak krijime të ruajtura janë të vlerësuara nga profesionistët. Mendoj se piktura ishte një nga arsyet që e bënte të vuante së tepërmi në vete, edhe pse përpiqej të mos e prezantonte paraqitjen e vet jo të këndshme. Thjesht ecte me ndihmën e bastunit, shoqëruar me diferencën e disa metrave në rrugë kur shkonim së bashku, aq sa e kam të vështirë të përcakoj nëse e shqetësonte më tepër dhembja e  gjunjëve, apo ecja çalë e  tij. Jonuzi mundi të siguronte me vështirësi vizën e udhëtimit për në Angli, ku jetonte prej vitesh i biri emigrant me gruan dhe dy fëmijët e tij. Në muaj qëndroi atje dhe u kthye i lumturuar saje vendosjes së protezave metalike në të dy gjunjët. Na habiti pa masë mënyra e re e ecjes, pothuajse djaloshare, por piku i çudisë arriti kur mësuam shumën e paguar për këtë ndërhyrje, jo e zakonshme në radhët e moshatarëve tanë. Pagesa i tejkalonte mundësitë ekonomike të djalit, i cili, punonte gjatë paradites, disa orë mbasdite, dhe si truprojë në një diskotekë, deri mbas mesnate. Natyrisht, pasi hezitoi një copë here, na tregoi se pagesa kapte shifrën 11. 000 paund. Në këtë çast ishte radha jonë të heshtnim të turbulluar. Besoj se e vetmja pyetje në mendjen e secilit prej nesh ishte:

“Si mundi të zgjidhte Jonuzi në pozicionin e një prindi normal, midis flakjes tej të bastunit, mjetit ndihmës e të  zakonshëm për moshën drejt të 70-ve, kundrejt një vlere monetare të pakapshme, e gjykuar thjesht në përputhje me realitetin?”.

Kishte siguruar nëpërmjet vendosjes së protezave një ecje të shpejtuar dhe tani i paraprinte grupit tonë të pensionistëve duke qenë i pari në vendin e takimit të paracaktuar, si një nga treguesit e jetës moderne. Ama, vitet e moshës mbetën po ato. Asnjëri nuk u kthye pas. Isuf, puna jonë mësimdhënëse përgjatë dekadave na mundësoi njohjen e natyrës së një nxënësi, larminë e karakterit midis tyre, natyrisht duke qenë në hapat e parë të jetës. Se sa e mundimshme është të njohësh karakterin e një personi drejt të 70-ve, nuk mund të përshkruhet me fjalë, është tejet e vështirë ta përcaktosh plotësisht. Secila ditë e jetës nuk është  përsëritje e të mëparshmes, pjesa e rrugës të cilën çdokush detyrimisht përshkon, nuk është e shtruar, për më tepër mosnjohja e kthesave të papritura, të thella, nganjëherë të rrezikshme, nuk  mund të imagjinohen a të parandalohen, por ato pranohen si ligje të jetës…

Në njërën ditë të acartë në muajin janar të këtij viti, Jonuzi doli nga shtëpia herët në mëngjes. Rrugica pranë portës ishte e pa asfaltuar, tejet e dëmtuar, çka në kohë shiu formonte një pellg të vogël me ujë. Në kohë ngrice ajo kthehej në një sipërfaqe të akullt, të ngrirë, me trashësi disa centimetra, gjë e përsëritur gjatë dimrit. Jonuzi e shmangte ecjen në  sipëfaqen e akullt (“Është mjeshtëri e skiatorëve”, – shprehej). Na mungonte në takimet e përbashkëta, apo vonohej në pritje të shfaqjes së rrezeve të diellit që do të shkrinin akullin. Pas vendosjes së protezave, me naivitet, Jonuzi nisi ta vlerësonte veten më të ri. Mendësia fëmijërore po i udhëhiqte logjikën, që realisht duhej të ishte në përputhje me vitet e moshës. E shihte veten të aftë të kapërcente çdo vështirësi para tij, të meritonte gjithçka të munguar deri atëherë, sikurse lëvizja në një sipërfaqe të akullt, duke e nënvlerësuar me kokëfortësi rrezikun e mundshëm. Faktin e  zëvendësimit të artikulacioneve të gjunjëve po e gjykonte si një dhuratë çudibërëse.

Filloi të ecte me hapa të shpejtuar sapo doli nga porta e oborrit, në njërën nga ditët më të ftohta, kur ngrica mbretëronte kudo. Papritur pësoi humbje të ekuilibrit brenda sekondës dhe pësoi një rrëshqitje të  paevitueshme disa pëllëmbë më tej. Natyrisht gjunjët e rinovuar nuk mund të garantonin në tërësi ripërtëritjen e sistemit kockor dhe muskular të gjithë organizmit, ta përballonin momentin e beftë të përplasjes së fuqishme në murin e trashë me bllok. Për pasojë, goditja e fortë në kokë pas dy ditësh përfundoi në mënyrë fatale. I biri u kthye nga Anglia sa më shpejt iu krijua mundësia. Nuk mundem të harroj fjalët prekëse, ravijëzimet e lotëve drejt mjekrës, teksa po e përqafonim, për më tepër ne ishim në dijeni të qëndrimit ndaj të atit dhe e respektonim:

– Të vetmen kërkesë që shprehu kur u takuam, ishte ta ndihmoja për vendosjen e protezave metalike të gjunjëve, gjë që unë ia plotësova. U lumturua në momentin kur bastuni nuk ishte i dobishëm gjatë ecjes. Tani ndihem i lehtësuar për dhuratën time, që ai e meritonte plotësisht, po çfarë rezultati solli kjo? Sinqerisht u ndodha në pozicion të vështirë atyre ditëve dhe me ndërgjegje të plotë përzgjodha plotësimin e dëshirës së babait, ndonëse vlera e zëvendësimit të artikulacioneve të gjunjëve të tij i kapërcente mundësitë e mia ekonomike, gjithë kursimet në vite.

Biseduam gjatë me djalin e Jonuzit. Na tërhoqi vëmendje fakti se vitet e shumta të jetesës së tij në Londër e kishin ndihmuar të prezantonte një sjellje të kulturuar, të admirueshme. Djali nuk e përmendi faktin që, shpejt mbas mbërritjes, Jonuzi, në mënyrë këmbëngulëse, kalonte nga e para vizitë mjekësore në tjetrën, i përqendruar në takime me specialistë kirurgë të artikulacioneve. Mori vendim personal të realizonte sa më parë ndërhyrjen, kostoja e së cilës ishte e tejkaluar në kushtet aktuale. E njihnim këtë detaj, por djali iu shmang  bisedës rreth  atij problemi . Pikërisht qëndrimi i tij dinjitoz e rriti  respektin tone si miq te babait  tij ,për të.

Të tre shokët ndiheshim të pikëlluar mbas vdekjes së Jonuzit. Bënim përpjekje t’ia lehtësonim trishtimin njëri-tjetrit, gjë që zgjati vetëm disa muaj, sepse, në fillim të marsit, Sotiri vendosi të kalonte disa ditë në Athinë. Ndihej i lumturuar. Fati u dhuroi  të parin nip. Pas shumë vjetësh, i biri krijoi familjen e vet dhe lindja e vogëlushit ishte një ngjarje e shënuar për të gjithë.

Këtë vit e njohëm problemin serioz lidhur me shëndetin e tij. Nuk i shprehte ankesat, nuk tregonte hollësira. Ishte i diagnostikuar me një sëmundje të rrallë, për mjekimin e së cilës, medikamentet e kushtueshme, të përmuajshme e të pazëvendësueshme ia siguronte i biri. Mundësitë ekonomike të një pensionisti në situata të ngjashme, nuk kanë nevojë për koment.

Isuf, çuditërisht si të kishim një pakt midis shokësh, asnjëherë i përmendur me fjalë, dukej sikur kishim bërë një pakt të heshtur për të mos shprehur vend e pa vend shqetësimet personale dhe ankesat e ndryshme të moshës. Ato secili i mbante brenda vetes, për të mos e rënduar psikologjikisht shokun pranë. Ishte kjo gjë një nga bazat mbështetëse për vazhdimësi dhe funksionim normal të miqësisë, për mirëkuptim brenda një grupi me persona të moshuar. Qëllimi ynë i përbashkët ishte t’i dhuronim njëri-tjetrit momente zbavitjeje, qetësie apo thjesht një buzëqeshje të lehtë, natyrisht si përfaqësuese të natyrës njërzore. Ndonjëherë hedh vështrimin rrotull vetes dhe seç kam një përshtypje, mbase të gabuar, se në ditët tona kjo natyrë njerëzore fatkeqësisht po zbehet…

Mungesa dyjavore e Sotirit sinqerisht na u duk disamujore. Mbas kthimit, më tërhiqte vëmendjen gjendja e tij shëndetësore disi e ndryshme nga e mëparshmja. Për më tepër, Sotiri nuk u përgjigjej pyetjeve tona, sado dashamirëse të ishin ato. Pse vallë të mos ndihej mirë kur ne e dinim se arsyeja e udhëtimit e kishte lumturuar? Eh, si qenka jeta! Vjen një moshë, pensioni, dhe njihesh me njerëz që s’i ke parë e takuar apo i ke njohur fare pak në vite të mëparshme. Fillimisht, thjesht një përshëndetje e zakonshme midis bashkëqytetarëve të  njohur së largu. Pastaj, kohëzgjatja e qëndrimit dhe takimet e përsëritura mundësuan një farë afërsie, e cila shpejt u  pasua nga një miqësi e vërtetë. Fatkeqësisht, tani mbetën vetëm gjurmët e tyre në kujtesën time…

I trishtuar, Thanasi ndali një copë here dhe pastaj vazhdoi sërish:

– Saktësisht në orën 8. 00 të çdo mëngjesi, bashkoheshim në vendin e takimit  të paracaktuar, nisnim ecjen njëri pas tjetrit e ngandonjëherë krahë për krahë, por kësaj radhe të kushtëzuar nga ngadalësimi i detyruar i hapave të të ndjerit Jonuz. Pra, në respektim të shokut, bënim më të ngadalshmen mënyrë ecjeje, gjë që, kur dikush na shihte, mund ta rriste sadopak respektin…

Në një lokal të përzgjedhur pinim kafenë e mëngjesit. Ajo bëhej edhe më e shijshme, se shoqërohej përditë me buzëqeshjen  dashamire të djaloshit kamerier, kujdesin e tij ndaj nesh, kryesisht kur zgjaste krahun të ndihmonte, pothuajse e ngrinte peshë në ngjitjen e tri shkallëve para portës hyrëse, të ndjerin Jonuz.

Më pas, te kioska pranë blinim gazetën e preferuar dhe Vangjeli shkonte të pyeste edhe për librat e botuar së fundmi. Kohën e  kalonim në mënyrë të këndshme dhe pa e ndier, sepse loja shahut, domino dhe më rrallë loja me letra e paracaktonin atë… Përsëri mbasdite vonë, takimi ishte i programuar deri në detaje. Kështu, dita përfundonte e gëzueshme për secilin, në pritje të së nesërmes.

Për mendimin tim, koncepti i fjalëve “shoqëri” dhe “miqësi”, në  përmbajtjen e tyre nuk  lidhen me vitet e moshës. Nëse njerëzit mund të krijojnë miqësi midis tyre, atëherë sinqeriteti, respektimi i ndërsjelltë, jetëgjatësia dhe forca e saj mbeten të njëjta, pavarësisht se në çfarë periudhe të jetës u është krijuar mundësia e realizimit të saj.

Përgjatë këtyre viteve, rastisi të qëndroja pa u shkëputur asnjë ditë nga Vangjeli. Asnjëri prej nesh nuk u largua nga qyteti dhe ndiheshim të dy shpirtërisht më afër. Por edhe dy të tjerët që u larguan jashtë vendit përkohësisht, mbetën pjesëtarë në grupin e “katër  pensionistëve të pandashëm”, – siç e quanim veten shpesh…

Të më falësh, Isuf, për këto hollësi! E pranoj në mënyrë të sinqertë para teje dhe vetes sime se realisht midis nesh nuk mungonin debatet për ndonjë problem të veçantë, nuk ishin të pakta mospërputhjet në gjykimet dhe këndvështrimet tona, qëndrime individuale të egra, përherë në respektim të etikës, pa kaluar cakun e sjelljes korrekte. Për më tepër, kohëzgjatja e tyre i përkiste asaj nate; të nesërmen gjithçka vazhdonte në  të njëjtën linjë. Ah! Kjo pjesë e jetës sonë është e papërsëritshme përgjatë viteve të moshës së tretë. Koha mbase do të na japë mundësi të takohemi sërish të katërt, por duke e kërkuar me ngulm njëri-tjetrin në botën tjetër, atë të përjetshmen…

Ishte një moment tejet i vështirë për të dy. Thanasi fliste me një zë pothuajse të padëgjueshëm, ku dallohej një pikëllimi i thellë dhe i pashpjegueshëm, gjë që e turbulloi Isufin dhe pyetje  të shumta nisën  ta shqetësojnë, por, duke e respektuar shokun, bëri vetëm një:

– Nuk po e kuptoj, pse gjendja shëndetësore e Sotirit u rëndua brënda një kohe të shkurtër ? Nëse mundesh…

– Po. Së bashku me Vangjelin, iu gëzuam pa masë ardhjes së tij mbas mungesës dyjavore. Çuditërisht, shpejt na ra në sy se paraqitja disi më ndryshe, ishte një fakt i pakundërshtueshëm dhe çdo ditë e më tepër ajo theksohej. Na lindi dyshimi, na shqetësonte shkaktari i vërtetë i përkeqësimit të shëndetit. Pyetjeve tona të kujdesshme, ai u largohej. Pse?

Konstrukti Sotirit nuk përputhej me moshën. Ishte më i madhi midis nesh, por asnjëherë nuk kishte treguar shenja lodhjeje, edhe nëse e kishim kaluar kufirin e aktivitetit të përditshëm të grupit përgjatë gjithë kohës, para se të shkonte të takohej me të birin. Çfarë e detyronte të ndiente vështirësi në frymëmarrje, të ecte shumë më ngadalë se më parë, të fliste vetëm kur e pyetnim?

Natyrisht shpejt iu përshtatëm situatës, e vlerësuam atë duke  pakësuar kohën e qëndrimit së bashku, tregonim kujdes në temat e bisedës, vend takimi ynë tashmë bëhej fare pranë banesës së tij. Gjendja shëndetsore po rëndohej. E gjykuam të arsyeshme t’i shkonim me Vangjelin përditë në shtëpi. Qëndronim aq kohë sa ishte e dobishme për të prania jonë , në më të shumtën e rasteve biseda bëhej e shkurtër dhe më shumë mbizotëronin çastet e heshtjes.

Rreth tre muaj zgjati kjo gjendje shpirtërore tejet e rënduar për të  gjithë ne, sepse, pavarësisht situatës shëndetësore të cilën ne e vlerësonim, në momentin e largimit ai na drejtonte pa shprehur asnjë fjalë kërkesën dhe dëshirën për t’u ritakuar të nesërmen me një gjest nënkuptues: ngrinte parakrahun e djathtë,  shoqëruar në moment me lëvizjen e lehtë të gishtave, përkulte kokën dhe buzëqeshte në më të sinqertën mënyrë miqësore. Natyrisht, aprovimi ynë jepej në çast.

Një mbasdite hyri me vrull djali tij, natyrisht i informuar dhe tejet i tronditur. Iu afrua shtratit, e përqafoi fort, sikundër ndodh vetëm në raportin babë-bir, aq i përmalluar. Qartazi shihej njohja e saktë e përparimit të sëmundjes. Ngashërimi nuk e lejonte të shqiptonte asnjë fjalë. Në çastin kur po e mblidhte veten, nisi të fliste ngadalë. Ne e dëgjonim, por pa mundur të kuptojmë asgjë. Të prekur shpirtërisht, po shihnim sa nga njëri tek tjetri. Gjendja e rënduar i  vështirësonte Sotirit komunikimin me të birin. U ngrit gjysmë ndenjur. Frymëmarrja iu vështirësua, kolla pengonte të shprehej dhe vetëm lëvizte paksa kokën, në shenjë pohimi apo mohimi. Me një stërmundim shqiptoi:

– Nuk jam i penduar! Veprova me ndërgjegje dhe tani… po largohem pa keqardhje. E gjykova të drejtë veprimin tim…

– Baba! Si munde kësaj here të mos mendosh as për vete, as…? Së pari dëmtove shëndetin tend… Po ç’të mirë u dhurove njerëzve  të shtrenjtë, kur ti me ndërgjegje shpejtove vdekjen tënde?! Përse të mos bisedonim së bashku për të zgjedhur më të mirën tonë? Nuk më lehtësove mua, por më dhe më të rëndën goditje… Dihet se e vërteta del një ditë në shesh, por atëherë eshtë e pavlerë… Kësaj radhe ndërgjegjja jote, ndershmëria e tejskajshme ka një kosto të pamatshme për gjithë familjen, njëherazi për shokët pranë  teje…

Nuk mund të largoheshim asaj nate. Ishte një situatë e elektrizuar, shihnim marrëdhënien e natyrshme në një familje…   Të më besosh, Isuf, dëgjoja, shihja rrotull, por absolutisht nuk po orientohesha për se bëhej fjalë. Ishte e pa arsyeshme të ndërhyja dhe, në se jam ndier në më të vështirën pozitë përgjatë jetës sime, ishin pikërisht ato çaste prekëse. Të njëjtën situatë emocionale prezantonte Vangjeli, ulur pranë meje.

Iliri, me sytë të mbushur me lot që rrëshqinin drejt mjekrës, në heshtje vazhdonte të mbante të atin në kraharorin e vet. Duart shtënguar rreth qafës, me fytyrën përkulur në pjesën e sipërme e kokës me  flokë të rralluar, herë pas here e puthte me dhembshuri. Dukej që djali po përjetonte emocione të fuqishme, ndërsa Sotiri në ato momente aprovonte me një shikim të ngrohtë prindëror, por edhe përvuajtshëm veprimet e të birit dhe hidhte ndonjë shikim mbushur me ngazëllim drejt nesh… Heshtja zgjati disa çaste. Befas u dëgjua përsëri zëri i Ilirit:

– Baba! Të vërtetën ma tregoi nëna… Fatkeqësisht, tepër vonë…

Në  momentin pasues, pa e ndryshuar pozicionin e vet gjysmë ndenjur, me Sotirin të mbështetur në kraharor, Iliri, me një shikim të pikëlluar dhe tonin mbresëlënës në zërin e tij, na u drejtua:

– Kur im atë, njëkohësisht miku juaj, vendosi të më takonte në Greqi, e kishte për të parën herë, nga ana tjetër mundësitë ekonomike nuk e favorizonin ardhjen time të përkohshme në familje. Pra, mbas mbërritjes së autobusit të linjës, njëri nga shokët e mi e priti në staconin përkatës, e shoqëroi deri te banesa ime, se atë ditë e kisha të pamundur të largohesha. Jam i punësuar në fabrikën e çimentos me orar të zgjatur, deri në orën 18. 00. Babai  po më priste në shtëpi. Malli i zjarrtë për t’u takuar, më nxiti të shpejtoja pas pune, aq sa nuk kalova nga dhoma e pastrimit. Nuk u thellova në vlerësimin e sjelljes. Pa treguar as më të paktin kujdes për pamjen time mes pluhurit nga koka deri te këmbët, trokita në derën e shtëpisë. Në moment e hapën. Sigurisht ishte babai, që, në pritje për të më takuar, pothuajse llogariste kohën si të numëronte sekondat…

Çast i papërshkrueshëm kur Sotiri gjeti forcë të qëndronte gjysmë ndenjur, iu largua krahëve të Ilirit dhe filloi të tregonte:

– Sapo të hodha një vështrim nga koka te këmbët, u ndjeva shumë keq në ato çaste, sepse isha i sigurt se ndodhesha brenda shtëpisë sate. Kisha përqafuar vogëlushin, rreth një orë e mbajta në krahët e mi, ndërsa nusja jote, si përherë tregoi ndaj meje, respekt, mikpritje të natyrshme. Po të prisja me padurim, por, kur hapa derën, para meje qëndronte një qenie e çuditshme që, e mbuluar me pluhurin e çimentos, i shëmbëllente një maske mjeshtërore, të paimagjinueshme, absolutisht e pakrahasueshme me tim bir. Pamja e beftë dhe e panjohur më turbulloi… Para kësaj të papriture, u ndjeva i goditur në shpirt, mendimet u ndalën, nuk mund të dija nëse zemra ime do të më mbante ende të gjallë mbas asaj breshërie goditjesh të çrregullta. E vetmja gjë reale që vërtetonte praninë e tim biri ishin sytë, por ngjyra e tyre e natyrshme bojëqielli e kthjellët sepse po përhapte nuanca xixëlluese, të errëta, të egra, të huaja për mua… Sigurisht, qerpikët e rënduar nga pluhuri i çimentos pengonin reflektimin e qartë e të këndshëm, për më tepër, hapësira e hapjes ishte e kufizuar. Ndofta, pesha e pluhurit, i tejkalonte mundësitë? Humba nocionin e kohës dhe të vendit ku ndodhesha, po përjetoja njërin nga çastet më të vështirë të jetës, nuk po dija si të veproja. Sapo u kthjellova, pothuajse me shpejtësinë e një shkarkese elektrike, më lindi një ide si të shkrepëtinte rrufeja në qiell të pastër dhe mendova…

Iliri përsëri e rrethoi mes krahëve të vet. E mbante mbështetur në kraharor, i lutej me përgjërim të mos fliste më gjatë. Qartazi Sotiri po jetonte orët e fundit të jetës. Çdo fjalë e ndante nga tjetra, vështirësia në frymëmarrje po theksohej nga çasti në çast, duke u shoqëruar me një gulçim të fortë, teksa përhapej matanë dhomës në korridor, sytë e lagur gjysmë të mbyllur…

– Baba, të lutem, më lejo të vazhdoj unë, – Iliri po na shihte me trishtim. – Asaj dite, tepër i gëzuar që do të takohesha me të, m’u krijua përshtypja se orët nuk e ndiqnin njëra-tjetrën. Koha po zgjatej mbi të zakonshmen, mbase edhe cilësia e punës së kryer prej meje linte për të dëshiruar… Shpejtova të ngjisja shkallët. Trokita fort. Para meje po shihja i emocionuar dhe i lumturuar tim atë, por mbeta i habitur sepse në ato momente nuk po ndodhte e natyrshmja, e  përsëritshmja: hedhja në krahët e njëri-tjetrit, një instikt në bazën e të cilit qëndron lidhja direkte, gjenetike prind-fëmijë. Në mënyrë të pashpjegueshme dhe të paimagjinueshme, të dy shtangëm përballë njëri-tjetrit, si të ngujoheshim përmes derës së hapur. Shiheshim ngultas, pa mundur të shqiptonim asnjë rrokje të vetme. Në moment hamendësova mendimet , jo plotësisht të qarta:

“Mos vallë babai përpiqej të eleminonte një pengesë imagjinare që pamja ime e tjetërsuar impononte?”.

Po prisja të më shtrëngonte në gjoksin e tij, të përqafonim njëri-tjetrin, të shkriheshim në një trup të vetëm… veprime të panumërta qëkurse njoha veten time…

E kam të pamundur t’i përshkruaj çastet e mëvonëshme. Afroi buzët mbi ballin tim të djersitur. Kur u largua paksa, unë dallova qartësisht skicimin e tyre të ravijëzuar nga një shtresë e hollë pluhuri çimentoje, sigurisht e transferuar nga balli im në momentin e puthjes. Pastaj më preku vetëm qerpallat, se qerpikët e rënduar nga pesha e çimentos u përpëlitën në vetëmbrojtjen instiktive. Në vijim, përshkoi disa herë me të dyja duart flokët e mi, ku sasia e pluhurit të çimentos ishte gërshetuar me kaçurrelat e dendura. Po i ndiqja lëvizjet e lehta të gishtërinjve të duarve për të pastruar pluhurin e mbetur në to. Njëkohësisht tundi kokën, shoqëruar me rrotullime të pakta disa çaste, si të donte të faktonte mendimet turbulluese:                                                                                                         -Ilir! E dija se punoje shumë, i gëzohesha përkushtimit tënd, por kurrë nuk mund ta imagjinoja se një ditë pluhuri i çimentos do të më pengonte të njihja djalin tim… Nuk na ke treguar…       – Më vjen keq, baba! Është gabimi im që vrapova të takoheshim dhe nuk plotësova procesin e fundit të mbarimit të turnit. E kemi të caktuar brenda programit ditor të bëjmë menjëherë pastrimin e trupit në dushet përkatëse para largimit, për më tepër sot, kur një mosfunksionim në repartin e… (në moment sajova diçka të pavërtetë, e domosdoshme për të dy, sepse do të  ndihmonte të zgjidhej situata e vështirë). Të lutem, më fal! Baba, na edukove ta duam punën, ta fillojmë e mbarojmë me cilësi, me ndërgjegje, pavarësisht vendit dhe specifikës së saj. Si mund të harroj se ti asnjëherë nuk shprehe më të voglën ankesë kur ktheheshe në shtëpi mbas një pune të stërlodhshme mendore, ndonjëherë edhe fizike, kur ju punonit për hapjen e  puseve të reja të naftës….

Çuditërisht, sapo i përmenda fjalën “puse nafte”, shikimi i tij u zbut dhe u ëmbëlsua në mënyrë të magjishme… Nuk mund ta përcaktoj sa gjatë qëndruam përqafuar. E pamatshme koha. Ai nuk e hiqte krahun nga shpatullat e mia. Të parat fjalë pasuese të përshëndetjes (sepse po dyshoja që ishte duke bërë njëfarë përpjekje për t’u treguar i natyrshëm), ishin:

– Se mos harroj të të them, Ilir. Fillova punë në një pikë karburanti. Atje më paguajnë…

– Oh, baba! Tani po më gëzon se e di mirë si ndihesh ti duke punuar… Nga ana tjetër, lehtësohem dhe unë. Medikamentet e tua këtej e tutje do të mundesh t’i sigurosh me të ardhurat që do të kesh…

Besoj se më kuptoni, flas sinqerisht me ju  miqtë e tij, sepse po i qëndroni pranë duke i dhuruar afërsi njerzore në çastet më të vështira të jetës, kur e ka të pamundur të dalë nga shtëpia dhe pikërisht ju e respektoni, e ndihmoni realisht.

Për ta qartësuar këtë situatë serioze e të pakorrigjueshme, rrjedhojë e një punësimi irreal, im atë mendoi një formë të përshtatshme ndihme për mua në momentin kritik kur vetëm  pjësërisht njohu kushtet në të cilat punoja përditë. Sapo u kthye, ai bisedoi me nënën dhe u mirëkuptuan të mbetej një sekret midis tyre duke e gjykuar së bashku se do të ishte mirë të më kursenin shpenzimet ekonomike në kushtet e krijuara mbas lindjes së djalit. Por çfarë përfitimi na solli? Tani po përjetojmë më të hidhurin…

Disa orë më vonë, Sotiri, në grahmat e fundit të jetës, ndodhej në krahët e të birit. Dukej se mbështetja në kraharorin e Ilirit e lehtësonte. Me sytë të mbyllur, kokën të anuar lehtësisht majtas, po e dëgjonte të birin, por e kishte të pamundur të përgjigjej…

– Baba, të lutem, më lejo të vazhdoj. Nuk mundesha ta shpjegoja përkeqësimin e shëndetit, mbasi ne u takuam së bashku. Pyeta nënën, por ajo, e ndodhur në një pozitë të vështirë midis djalit dhe të shoqit, zgjodhi t’i përmbahej së vërtetës…Ku jemi tani ?

E nesërmja ishte dita e fundit e jetës së Sotirit. Nuk mundem ta përshkruaj, por ai mbeti në zemrën time ende i gjallë si i veçantë, i sinqertë, një përfaqësues sublim i sakrificës njerëzore.

Thanasi nuk po mundej të vazhdonte bisedën. Shihte drejt Isufit, i lënduar, si të kërkonte në heshtje ndihmë, aprovim me fjalë nëse ai po i qëndronte shpirtërisht pranë mikut të vjetër, njëra nga gjërat më të çmuara gjatë jetës së njeriut, pavarësisht moshës.

– E kuptoj që u zgjata, por dua të të shpreh një gjykimin tim, – vijoi Thanasi. – Sjellja e djalit të Jonuzit, shëmbëllimin e së cilës e gjetëm tek i biri i Sotirit, gjë që e njohim mirë te djemtë tanë, faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme ndershmërinë, dinjitetin dhe zemërmadhësinë e  brezit të sotëm. Po shprehem lirshëm, Isuf, por me keqardhje më duhet të pranoj qëndrimin ekstremisht të kundërt të njërit prind krahasuar me tjetrin. Pra, brezi ynë…

– Po, jam dakord. Problematike është mosha jonë, – pohoi Isufi. – Së largu kisha dijeni për miqësinë tuaj të admirueshme që ka krijuar respekt nga të njohurit tanë të përbashkët dhe ky fakt më ka sjellë kënaqësi. Ajo çka nuk mundem të kuptoj, është vetmia jote e kohëve të fundit, gjendjen shpirtërore të veçantë që asnjëherë përgjatë viteve të shumta të mëparshëm së bashku, nuk e ke prezantuar. Mos po gaboj, po e teproj? Të kërkoj ndjesë! Megjithatë, çfarë të ka ndodhur ty, Vangjelit më pas? Po më dukesh i zhytur në hidhërim dhe të njëjtin shqetësim për ty më shprehu dhe gruaja  jote… Nëse e sheh të arsyeshme të më tregosh shkakun e kësaj situate, do të ishte mirë për ne, sepse erdha të takoheshim së bashku. E kam ndier mungesën e takimeve tona, më kishte marrë malli shumë për ty. Po, kuptoj qartë, e ndiej se kam detyrë të të ndihmoj si një mik të vjetër. Tani le të flasim hapur… Po të pres.

Pas disa çastesh, Thanasi u shpreh:

– Isuf, takimi ynë i sotëm është një ndihmë e paçmueshme për mua. Ai përkon me situatën më të veçantë të përjetuar prej meje, një dramë shpirtërore e shumëfishtë. Tri ditë më parë u nda nga jeta Vangjeli… Pra, brenda gjashtë muajve të fundit… Asnjëri prej ne të katërve nuk e pranonte se, pasi janë kapërcyer të 65-at, koha rrit shpejtësinë e ecjes së saj

Thanasi, me një shikim pothuajse të përhumbur shihte drejt Isufit dhe priste fjalën e tij.

– Oh! Po ndiej keqardhje për shokët e tu, ndonëse s’i kam njohur së afërmi, – tha Isufi. – Thjesht një përshëndetje kur punoja në qytetin tonë, por, kur mësova për marrëdhëniet midis jush, organizimin perfekt të kalimit kohës, u gëzova. Ndiej një detyrim shpirtëror të shprehem për ta. U prehshin në paqe! I paharruar qoftë kujtimi i tyre! Sinqerisht të jam pranë shpirtërisht. Nuk e kam ditur më parë, pa do të kisha ardhur pa vonesë.

Thanasi qëndronte mendueshëm, pa folur, si  të hezitonte të shprehte diçka të papërmendur në bisedën e deri atëhershme dhe çuditërisht, në mënyrë të papritur, shikimi drejt Isufit në të njëjtin çast po prezantonte hidhërim edhe një ndjenjë faji. Natyrshëm, në pritje të lutjes për ta falur… Çfarë mund të kishte ndodhur? Momente të paqarta, ndërsa heshtjen e thyeu Isufi, duke e theksuar tonin miqësor:

– Mendoj se ty të shton dhimbjen e humbjes së tre shokëve edhe diçka tjetër. Është mirë ta shtjellojmë së bashku.

Një ravijëzim u vu re në fytyrën e Thanasit, pothuajse një buzëqeshje e brendshme, nënkuptuese, si një ndjesi falënderuese:

– Ti e ke njohur psikologjinë jo vetëm në pozicionin e mësuesit, Isuf. Natyra të ka falur talentin e rrallë, pothuajse një magji reale, mundësinë të depërtosh në thellësi të botës shpirtërore të shokut përballë, vlerën e së cilës e përcakton vetë personi i ndihmuar prej teje. Konkretisht, në këto çaste është radha ime të të falënderoj që po më nxit të shpalos brengën time. Besoj sinqerisht se  më pas do ndihem tepër i lehtësuar, falë ndihmës sate.

Ja :-   Dhimbja e thellë për largimin e Jonuzit, Sotiri u rëndua tri ditë më parë se Vangjeli të bënte një vdekje të papritur në orët e paradites. Aq e papritur… Ai nuk mundi të merrte më të shpejtën ndihmë nga ekipi mjekësor. Ata e transportuan në repartin e urgjencës dhe bënë të pamundurën për ta shpëtuar. Ekspertiza mjeko-ligjore vërtetoi shkakun e vdekjes së tij, një shkallë e avancuar e dëmtimit të aortës. Kur mësuam për problemin tepër serioz vdekjeprurës, m’u kujtuan episode të kaluara. Ai e anashkalonte apo ndërronte temën e bisedës kur ne shokët e tij e pyesnim për gjendjen shëndetësore, aq sa ndonjëherë më krijohej njëfarë dyshimi se Vangjeli ruante një farë fshehtësie për gjendjen e vet shëndetësore. Nuk shprehte ankesa në momentet e lodhjes fizike, ndonëse diçka e pazakontë prezantohej në pamjen e tij. Çfarë e rëndonte?

– Se si e përjetova humbjen e shokut të tretë, tani e kam të vështirë të shprehem. Të nesërmen, teksa ndodhesha i vetëm në shtëpi, iu afrova bibliotekës për të marrë ndonjë libër. Thjesht po kërkoja ndonjë mënyrë si të kaloja orët e mbasdites të cilat më dukeshin të zgjatura. As dëshiroja të ndërroja ambient, ndonëse gruaja më lutej të dilnim së bashku, duke dashur që të shkëputesha nga mbyllja në vetveten time, sepse e shihte dhe e përjetonte gjendjen time të pikëlluar që po thellohej më tej. E refuzoja prerazi, nuk ndihesha mirë pa miqtë e mi, tashmë të larguar përgjithmon.

Dje papritmas m’u kujtua një bllok shënimi që Vangjeli më pati dhënë kohë më parë. Ka të ngjarë që linja e mendimeve të mija atyre çasteve të shkonte paralel me kujtimet për të. E gjeta të vendosur në një cep të tavolinës sime. Doja të mësoja sa më shpejt se çfarë shkruhej brenda atyre fletëve, një veprim të cilin duhej ta kisha bërë pa vonesë, pasi koha e lirë nuk më kishte munguar…

“Janë pjesëza të jetës sime, do të doja t’i njihje, Thanas, se të vlerësoj si njeri të veçantë prandaj  kam besim të plotë tek mendja dhe zemra jote”, – më pati thënë.

Fillova të lexoj faqet e para. I përqendruar brenda tyre, nuk e ktheva kokën në çastin e hapjes së derës. Gruaja u ndje e lehtësuar kur më pa se isha duke lexuar dhe, si përherë, pa treguar kuriozitet, pa më ndërprerë – mirëkuptimi ynë i përhershëm. Më pas ajo u shqetësua se i tërhoqi vëmendje heshtja ime e zgjatur. Për më tepër, nuk shkova as të haja darkë me të, siç bëja zakonisht.

Mbasi e përfundova leximin e atyre shënimeve, tronditja ime mori përmasa të mëdha dhe m’u shumëfishua hidhërimi në shpirt. Më duhet ta pranoj ndershmërisht se mbaj përgjegjësi për sa mësova prej tyre, përballë indiferencës sime të pafalshme…

Kujtoj njërën nga mbasditet ulur pranë njëri-tjetrit. Po përmendnim pjesëza të jetës së kaluar së bashku ne, të katër shokët. Në çastet kur shihnim karriget e tyre mbetur shkretë, situata u bë më e trishtuar, e panjohur deri atëherë dhe fjalët u pakësuan. Mos vallë një urdhëresë e lindur mbas vdekjes së Jonuzit, Sotirit, miqve tanë të shtrenjtë na i kufizonte bisedat? Por, jo, koha e qëndrimit së bashku, ndonjëherë ishte më e zgjatur deri sa,  një mbasdite arriti kulmin kur nuk shkëmbyem asnjë fjalë dhe në momentin e ndarjes, para përshëndetjes së zakonshme, Vangjeli m’u duk se donte të më bënte një pyetje (një çast u tërhoq; mbase për shënimet në një bllok rreth tre vjet më parë?). Shikimin drejt meje nuk po mundesha ta qartësoja, si të nënkuptonte diçka…

Thanasi, me shikim pothuajse të përhumbur, shihte para vetes dhe psherëtinte.

– Kam bërë gabimin më të madh të jetës, Isuf. Nuk kam ndihmuar shokun tim, që kishte nevojë më tepër se kush tjetër t’i qëndroja pranë shpirtërisht. Ndihma nuk është përherë ulëritëse; një shikim i drejtëpërdrejtë mund të jetë kërkesa reale për të, pritja për një përgjigje… Pikërisht më vret ndërgjegjja se para syve të mi pata mijëra të tillë. I neglizhova… Po tani ç’vlerë ka indiferenca ime? Kujt do t’i kërkoj falje? Vangjeli u bashkua me Jonuzin, me Sotirin dhe unë jetoj me ndërgjegje të vrarë.

*   *   *

Kam mbajtur prej shumë vitesh në një ditar ngjarje të shënuara të jetës sime. E përse më duheshin ato kur gjithçka është e ruajtur brenda meje? Mendova të përmbledh në një faqe të vetme gjithë jetën time. Dëshiroj t’ia tregoj Thanasit, tek i cili besoj se do të më japë ndihmën e munguar që të vazhdoj jetën si gjithë të tjerët, sepse kam njohur disa anë  të dhimbshme të saj.

Rrethanat më detyruan të merrja drejtimin e  familjes kur ende isha në moshë të njomë. Të dy prindërit ndërruan jetë para kohe. Nuk munda ta mësoja shkaktarin e kësaj tragjedie dhe e kam një peng në veten time. Mendoj se është pothuajse e paimagjinueshme dhe e pabesueshme që një adoleshent 14-vjeçar të kujdesej për motrën, dy vëllezërit, edhe pse ndihma e të afërmve dhe komshinjve i kapërcente kufijtë e mundshëm. Fatmirësisht, motra shpejt ia mori dorën punëve brenda shtëpisë, por… çfarë ndodhte jashtë saj?

Përgjatë viteve të shkollës 7-vjeçare arrita nivelin e nxënësit  mesatar, falë përqendrimit gjatë orëve të mësimit. Sa për detyrat, kur mundesha, i plotësoja brenda oborrit të shkollës…

Shërbimi ushtarak më ndihmoi të njihja disiplinën, jetën shoqërore, disa procese pune në repartin e prapavijës, të cilat, mbas mbarimit të kursit të arsimit profesional mundësuan profesionalizmin, punën e lodhshme në repartin e mirëmbajtes me çantën e rëndë mbushur me vegla pune hedhur mbi supe; në një të vogël bukën e drekës me një fetë djathi, pa harruar shishen e ujit.

Njohja dhe martesa me Linën, dashuria midis nesh, më lumturonte vitet e para, por mungesa e fëmijëve, fakti që më diagnostikuan me fazën e përparuar të ngushtimit të kllapave të aortës (rastësisht, në çastin kur Lina pati një gjakderdhje të papritur, urgjentisht duhej të dhuronim gjak për të  kompensuar sasinë e humbur – isha njëri prej tyre), u befasova kur mjekët pas vizitës mjekësore protokollare nuk më lejuan se diagnostikuan një dëmtim të avancuar të kllapave të aortës. Realisht  ndodhesha në prag të ndërhyrjes kirurgjikale, gjë që nuk e kisha ditur më parë.

Ishte një informacion tepër tronditës, shumëfishuar mbas vdekjes Linës. Përpjekjet e shumta nuk arritën të zgjatnin jetën e saj. I helmuar pranova realitetin. Për më tepër, diagnoza më detyronte të pakësoja aktivitetin fizik (u binda se dhimbjet e gjoksit, të përsëritura viteve të fundit, padrejtësisht i kisha vlerësuar si treguese të mbilodhjes së përditshme).

Mbeta në vetmi të thellë. Para meje, rruga kryesore ishte mbyllja në vetvete. Motra dhe vëllezërit jetonin larg me familjet e tyre; nuk merrja guxim të  bisedoja as me miqtë apo shokët e punës. Me siguri nuk do besonin që në organizmin tim ekzistonte një sëmundje serioze e zbuluar rastësisht, kur asnjë çast gjatë gjithë ditës së punës nuk rastisi të mbetesha pas tyre.

Një gabim i pafalshëm: mjekët më këshilluan të isha nën kontroll të rregullt mjekësor, gjë që nuk e kreva, plotësisht i ndërgjegjshëm. Njoha punën dhe e doja atë pa asnjë mëdyshje. U vura me shpatulla mbas murit në çastet kur tre vjet mbas vdekjes së Linës mendova të bashkëjetoja me një grua të njohur dhe respektuar prej meje, me të cilën na favorizuan rrethanat të afrohemi. Solla në mendje kontrollin mjekësor të tri viteve më parë dhe e gjykova të arsyeshme të konsultohesha me specialistin kardiolog. Nuk i harroja rekomandimet e tyre që të isha i kujdesshëm në gjendjet emocionale, t’i kufizoja sa më tepër të ishte e mundur. Pas ekzaminimit, mjeku më pyeti nëse kisha ndonjë shqetësim, duke pritur në heshtje përgjigjen time. Papritmas u ndjeva  në  pozitë të vështirë për të treguar shkakun e konsultës mjekësore. Pasi  e përsëriti pyetjen, pohova se ndihesha mire dhe e vetmja arsye për të cilën shkova… Por nuk  mund të vazhdoja të flisja më tej. Në moment ktheva kokën drejt Rinës, e cila po më shoqëronte në pritje të aprovimit për martesën tone. Larg e larg i kisha treguar arsyen e hezitimit. Thjesht tregova se kisha menduar për martesë me… (ngrita lehtësisht kokën drejt Rinës; gruaja ime tre vjet më parë kishte ndërruar jetë).

Mjeku po më shihte me vëmendje, i përqendruar, ngultas. As tani nuk e kuptoj përse m’u krijua njëfarë dyshimi se mos ndoshta mjeku po bluante në mendjen e vet për moshën time. Në moment, unë, i paduruar, pa u thelluar, si kurrë më parë, kapërceva kufijtë e etiketës njerëzore. Thënë ndryshe, pozicionin e vërtetë të pacientit e zëvendësova me atë të ekspertit mjekësor.

– Jam i sigurt se “Viagrina” do të më ndihmojë! Kam dëgjuar për efektet pozitive të saj.

Reagimi i shpejtë i tij më dha përgjigjen e merituar, me vlerë të dyfishtë. Ishte një nënqeshje ironike, shoqëruar me fjalët sqaruese se medikamenti njihet me emrin “Viagra”; së dyti, me një ton të rreptë sqaroi prerë:

– Kur pacienti kërkon një konsultë mjekësore, detyrimisht duhet të jetë në pritje të përgjigjes përkatëse. Asnjë pacient nuk ka të drejtë t’i sugjerojë mjekut përdorimin e një medikamenti, emrin e të cilit nuk e di me saktësi dhe as rrethanat specifike të përdorimit. Konkretisht, ty Vangjel nuk të lejohet ta përdorësh, për shkak të fazës së përparuar të sëmundjes së zemrëse dhe të moshës… je mbi 60 vjeç.

Në moment ula kokën si një fëmijë i zënë në faj. Nuk gjeta forcë as ta shihja në sy, as ta përshëndesja e ta falënderoja dhe, krahë për krahë me Rinën, iu drejtova derës. Fjalët ishin të padobishme… E pranova, më mirë të them iu nënshtrova goditjes shpirtërore të radhës. Kuptova se ajo, e bashkuar me të mëparshmet, u kthyen në një front lufte ndaj meje. I mbetur fillikat në mes të sheshit të betejës, jeta ime ishte transformuar në njërën nga llojet e luftës, vetëm se pa armë…

Vetmia mori përmasa të frikshme. Lexoja libra njëri mbas tjetrit, disa i rilexoja, por asnjëri nga shkrimtarët apo personat e përshkruar me karakterin e vërtetë njerëzor nuk më përshëndeti, qoftë me më të thjeshtën përshëndetje… Shpirti po kullonte gjak dhe po shteronte nga dita në ditë…

Rastësisht shkreptiu një shkëndije shprese. U njoha dhe u afrova me tre moshatarë pensionistë, midis të cilëve veçoja Thanasin, për karakterin e tij të sinqertë dhe zgjuarsinë e skajshme. Ishte përherë i natyrshëm, i ndjeshëm, prezantonte vetveten. Përgjatë kohës së qëndrimit bashkë, orët i kalonim në mënyrë të këndshme. Pastaj përshëndeteshim: “Natën e mirë!” (ku do ta gjeja unë mirësinë? Ajo më kishte braktisur përfundimisht)… Të tre shokët kishin familjet e tyre normale. I admiroja. Faktikisht, asnjëherë nuk shprehja brengat e mia, paraqitesha i qetë, pothuajse gjithçka të mbyllur brenda meje. Shpresoja vetëm se një ditë Thanasi do t’u afrohej burrërisht dhe njerëzisht, portave të shpirtit tim. Ato do të hapeshin në moment dhe ai do të kishte mundësi të shihte, të njihte, të vlerësonte, dhe të ushtronte forcën e duhur për ta penguar lëngatën time. Mbase gjaku që kullonte çurkë prej shpirtit tim të pikëlluar deri atëherë, do të humbiste pika-pika.

E njihja forcën shtrënguese të kaçavidës, përdorur mijëra herë në duart e mia si hidraulik dhe e prisja një efekt të tillë që do ta siguronte jo një mjet i hekurt, por afërsia e veçantë njerëzore e mikut tim… Fatkeqësisht mbeta vetëm në fazën e pritjes… Përgjatë 24 orëshit, më takonte që 2/3 e kohës të mbetesha i izoluar nga jeta, nga bota. Prita me ditë, me javë dhe muaj të kuptoja që Thanasi i ishte afruar shpirtit tim, zemrës sime të përlyer me gjak, kur unë vetë ia ofroja nëpërmjet njohjes me këto shkrime… Asnjë shenjë nuk u duk… Asgjë, asgjë. Sikur një thërrime shprese të shquaja së largu, do të ishte gjë e madhe për mua. Fati im paska qenë i shkruar, nuk kam asnjë mjet, as forcë ta kundërshtoj, jam i detyruar ta jetoj këtë jetë që padrejtësisht më filloi, vazhdoi dhe po përfundon mes vuajtjesh rrethuar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok