06/12/2024

Atdhedashuria fillon nga vendlindja – një libër me vlera shumëdimensionale i autorit Ibrahim Kabili

0
Atdhedashuria-Ibrahim-Kabili

(Nuk mjafton të dish të shkruash, por duhet të dish të duash)

Nga Fran Cara

Ibrahim Kabili, mësuesi i përkushtuar dhe i pasionuar i historisë vjen para lexuesve me një libër mjaft interesant dhe me vlera shumëdimensionale.

Libri përmbledh rreth 78 shkrime publicistike të propaganduara ndër vite në media elektronike dhe në organe të ndryshme shtypi.

Ky libër është konceptuar dhe strukturuar në katër krerë:

I-Benda një “Zonjë e rëndë”, dhe disa kontribute të njerëzve të saj.

II-Për Kosovën, forcimin e shtetit të saj, dhe bisedimet me Serbinë.

III-Artistët, njerëz që përçojnë vlera artistike dhe atdhedashurie.

IV- Disa opinione, mendime, vlerësime dhe falenderime.

Ibrahim Kabili është një emër i njohur dhe me vlera të spikatura si mësues i historisë dhe drejtues shkolle, me mbi 42 vite punë në arsim, si hulumtues e studiues, si publicist dhe veprimtar shoqëror, për zonën e Zall-Bastarit, Krahinën e Bendës, Kosovën.

Libri është fryt i një pune disavjeçare të përkushtuar dhe profesionale qëmtuese, studiuese, strukturuese e deri në realizimin e tij në të shkruar. Përmes këtyre shkrimeve sillen një shumësi vlerash e të dhënash historike, gjeografike, atdhetarie, socialpsikologjike, kulturore dhe artistike, arsimore dhe shëndetsore, ekoturistike, fetare dhe etnokulturore etj., për zonën e Zall-Bastarit, Krahinën e Bendës, Kosovën dhe Çamërinë.

Një vlerë e pakontestuar është ndjenja e dashurisë për atdheun. Kjo ndjenjë autorit i ngjizet në vendlindje, kalitet e forcohet duke fluturuar nëpër gjithë trojet shqiptare, brenda dhe jashtë kufinjve të shtetit amë, e kthehet përsëri në themelet dhe trojet e vendlindjes. Njerëzit dhe atdhetarët e spikatur që lënë gjurmë dhe bëjnë histori në periudha kulmore e ngjarje të mëdha përbëjnë thelbin e shkrimeve të tij. Për vendlindjen, Bastarin dhe fshatrat e Krahinës së Bendës ka rreth 42 shkrime, që çdo lexuesi i zgjojnë interesin dhe kërshërinë. E pa dyshim, në qendër të tyre janë:  disa atdhetarë dhe dëshmorë; nga Veli Alla, Isuf Pula, Islam Lila, Ibrahim Basha, Arjan Sala, si dhe dëshmorët e LANÇ nga Krahina e Bendës: Sulejman Elezi, Xhemal Dërvishi, Mahmud dhe Anife Sula; imamë dhe intelektualë të spikatur me kontribute edhe në arsim, si: Hysen Cavoli, Hasan Lila, Liman Tafa dhe Hasan Hysa; disa mësues-artistë dhe drejtorë shkollash; 1 mjek; 2 ushtarakë; 1 inxhinier mekanik; të vlerësuar si njerëz të mirarsimuar, me kontribute të çmuara intelektuale dhe profesionale e të lidhura me rrënjë të thella me vendlindjen e tyre, e që  kanë bërë për Të. Pjesa e parë mbyllet me aktet prej heroi, që treguan dy bijtë e Krahinës Shkëlzen Tafa dhe Klodian Elqeni, në mbrojtje të jetës dhe parandalimin e krimit. Dhe pa dyshim autori nuk mund të anashkalojë, madje i jep vendin që meriton, si biri i denjë i Bastarit, shkrimtarit bejtexhi, Zenel Bastari.

Kosova është ëndrra e rinisë së autorit. Ai i kushton 28 shkrime mjaft të arrira asaj dhe një, Çamërisë.

Ibrahim Kabili është shumë i apasionuar pas këngës dhe këngëtarëve. Një vend nderi u jep 9 artistëve-këngëtar të mëdhenj me vlera kombëtare duke i cilësuar edhe atdhetarë të flaktë. Ai shkruan me një afeksion të veçantë dhe si një biograf i vërtetë për ta, si: Ilir Shaqiri, Sali Mani, Fitnete Rexha, Nexhmie Pagarusha, Shkurte Fejza, Arif Vladi, Merita Halili, Dërvish Shaqa dhe Fatime Sokoli. Këta artistë i portretizon dhe i skalit me shumë dashuri dhe për secilin jep gjithë arsenalin e artit të tyre të mrekullueshëm.

Në këtë libër ka edhe 3 shkrime nekrologjike, një shënim udhëtimi për arritjet e viteve të fundit në Zall-Bastar, disa poezi dhe konsidarata vlerësuese për autorin.

Nga gjithë brendia e librit del se autori ka shkruar pa mëllefe, pa ndarje e veçime, pa ndikime politike e partiake, por përmes mendimit të pjekur dhe të peshuar shumë herë e mjaft mirë. Ai udhëhiqet nga lajtmotivi:

“l pari është Atdheu, Krahina e Bendës, vendlindja e tij dhe e gjithë atyre njerëzve që shkruan për Ta. Këtij lajtmotivi i shkojnë më së miri për shtat vargjet e Çajupit: “Ku të duket balta; / më e ëmbël se mjalta?,/-Në Shqipëri! /

Jeta e Ibrahim Kabilit është e lidhur si mishi me kockën me vendlindjen e tij, Bastar i Mesëm, me Krahinën e Bendës dhe gjithë trojet shqiptare. Eshtë kjo arsyeja që i mban të gjalla, të freskëta dhe të forta urat e komunikimit me njerëzit dhe ecurinë e jetës së tyre. Ndaj e vlerëson si një borxh që s’mund t’i kthehet kurrë vendlindjes, qoftë edhe me këtë libër, apo me librin “Benda në rrjedhën e historisë” me bashkautor, kolegun e tij, Hysen Hysa, një libër me vlera paraenciklopedike për Bendën.

Të shkruash për historinë e fisit, vendlindjes, krahinës dhe njerzit e saj me më shumë kontrobute, nuk mjafton të dish të shkruash. Mbi të gjitha duhet të dish të duash. Të ndjesh mall e brengë për vendlindjen, të ndjehesh krenar për historinë e krahinës, njerëzit e saj dhe atdheun, për sakrificat e të parëve në shekuj për të mirën e familjes, krahinës dhe të mbarë kombit. Dhe këtë autori, si misionar dhe vizionar, me vullnet, dëshirë dhe këmbëngulje e realizon mjaft mirë duke synuar me mish dhe me shpirt që t’ua lerë brezave si amanet e testament që të njohin rrënjët nga kanë ardhur, kush janë dhe të projektojnë të ardhmen, ashtu siç duhet të jenë, duke ruajtur identitetin e tyre si Bendas dhe si Shqiptarë.

E.Renan ka thënë: “Një atdhe përbëhet nga të vdekurit që e kanë themeluar dhe nga të gjallët që e vazhdojnë”. Ibrahim Kabili i ka shërbyer me devocion atdheut tërë jetën si mësues i përkushtuar, drejtor shkolle, si studiues i zellshëm dhe veprimtar shoqëror në Krahinën e Bendës.

Motivet, si forcë shtytëse për kultivimin e ndjenjës së atdhedashurisë dhe udhëheqjen e gjithë veprintarisë së tij jetësore në formimin e karakterit dhe personalitetit vetjak janë të shumta:

1-Dhënja e mësimit të historisë për një periudhë 40-vjeçare në shkollën e mesme;

2-Studimi i figurave të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe shkrirja e pasurisë së tyre në shërbim të Kombit;

3-Ngjarjet e mëdha të historisë sonë kombëtare, si:

a-Lidhja Shqiptare e themeliar në Prizren;

b-Kryengritjet e mëdha të viteve 1911-1912;

c-Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë;

ç-Vendimet e Fuqive të Mëdha – padrejtësia më e madhe ndaj Kombit Shqiptar, rasti më tragjik për një komb të ndarë në 6 shtete;

d-Lufta e Shkodrës kundër serbo-malazezëve dhe kontributi i Bendës në të;

e-Kongresi i Lushnjës dhe Qeveria Delvina – (Besëlidhja e Bastarit);

ë-Revolucioni i Qershorit (1924).

4-LANÇ dhe shndërrimet socialekonomike gjatë regjimit monokratik;

5-Shndërrimet demokratike të pas viteve ’90 dhe trajtimi i problemeve në këndvështrimin realist të kohës;

6-Figurat e mëdha atdhetare të historisë sonë kombëtare, si: Gergj Kastrioti, Ismail Qemali, Fan Noli, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Azem Galica, vëllezërit Gërvalla, Ukshin Hoti, Adem Demaçi, Adem Jashari etj.

7-Ka urryer deri në ekstremitet Esadin dhe esadistët, Sinanin dhe sinanistët, Morinën dhe morinistët…;

8-Eshtë motivuar nga folklori dhe këngëtarët më në zë të Kombit, të cilët me këngët e tyre kanë skanuar të gjithë historinë tonë kombëtare dhe protagonistët e saj;

9-Për autorin, pavarësisht bindjeve të tij, partitë politike kanë lindur vonë dhe nuk kanë ndikim në formimin e tij. Për të atdhetarizmi është i shenjtë, partia e tij është SHQIPTARIA;

10-Pikë referimi të atdhetarizmit ka vendlindjen e tij, Krahinën e Bendës që është angazhuar në të gjiha kthesat e historisë, është krahinë me tradita të spikatura dhe një thesar i larmishëm i trashëgimisë kulturore;

11-Kosova është gjysma më e mirë e autorit, ndaj dhe një kapitull i kushtohet asaj.         Prandaj respekti dhe mirënjohja për mësues Ibrahim Kabilin përmblidhet më së miri në sentencën e De Amiçis: “Shqiptoje me nderim emrin mësues, se mbas emrit të prindit është më i ëmbli”. Eshtë pikërisht kjo lidhje profesionale dhe shpirtërore me Bendën “Zonjë e rëndë”, me mësuesit, kolegët, intelektualët, imamët-mësues dhe atdhetarë, mjekët, inxhinierët dhe ushtarakët që e deshën vendlindjen e tyre, si djep i atdhetarizmit për ta, dhe me përkushtim i shërbyen asaj.

Një vlerë e autorit është se kontributet e secilit prej tyre i vendos në kontekstin kohor dhe hapësinor. Eshtë e pamundur t’i përmendim me emër e t’i analizojmë në këtë trajtesë modeste, veprimtaritë dhe vlerat për secilin prej këtyre personaliteteve të kulturës dhe të arsimit të Bendës. Këta janë trajtuar mjaft mirë nga autori për secilin. Por po ia përcjell lexuesit si një aksiomë: “Mësues Ibrahimi është udhëhequr tërë jetën nga lajtmotivi naimjan: “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë”, të cilin e ka motivuar të trajtojë sa më shumë figura dhe emra të tillë.

Ashtu siç e kanë vlerësuar kolegët, eprorët, nxënësit dhe komuniteti mësues Ibrahimin, edhe ai me përkushtim, respekt dhe mirënjohje vlerëson intelektualët, studiuesit, mësuesit e përkushtuar, ish-drejtorët model të shkollave, biznesmenë dhe figura të tjera që kanë kontribuar për krahinën. Shkrime të tilla portretizojnë mjaft mirë dhe i vlerësojnë duke u dhënë vendin e merituar personaliteteve të spikatura në fushat dhe profesionet e tyre.

Zhvillimet arsimore dhe kulturore, artistike dhe sportive të trajtuara nga autori në shumësinë e shkrimeve të këtij libri,  flasin më së miri për botën e pasur shpirtërore dhe figurat e spikatura që kanë dalë prej Krahinës së Bendës në këto fusha.

Kontributi i Bendës në ngjarje të mëdha të historisë jepet për Luftën e Shkodrës me 10 të vrarë, Kongresin e Lushnjës, etj.

Kontributi i Bendasve gjatë LANÇ është shprehje e fuqishme e atdhetarizmit të kësaj krahine, ku kanë dhënë jetën 4 dëshmorë të saj, të cilët janë përmendur më sipër.

Një ndër plagët e shoqërisë që kanë rënduar edhe në Bendë, është migrimi dhe emigrimi. Autori i bën një analizë të thellë dhe të logjikshme migrimit dhe emigrimit nga periudhat e hershme deri në ditët sotme.

Me logjikë të ftohtë dhe me objektivitet jepet një vështrim i shkurtër mbi Bendën e viteve 1920-1924. Me konçizitet analizohen anët pozitive dhe negative të regjimit të Zogut, plagët sociale, ekonomike, arsimore dhe shëndetsore, patriarkalizmi në familje, qëndrimin rëndues ndaj gruas dhe problemeve etnokulturore për këtë periudhë historike. Vlerëson vendosjen e rendit, si dhe figura të spikatura FANNOLISTE, por edhe fshikullon prerjen në besë të njerëzve antizogistë, si Lim Hoxha nga Adem Reçi, i nxitur dhe i paguar nga Zogu.

Autori i qëmton vlerat për të gjitha fushat e krijimtarisë dhe profesioneve dhe krenohet që Benda ka shumë njerëz të tillë, ata i bëjnë nder vendlindjes, krahinës, Tiranës e më gjerë.

E veçanta e letërsisë publiçistike është që t’u përgjigjet flakë për flakë problemeve të përditshme apo ngjarjeve tronditëse. Këtë Ibrahimi e zbaton mirë në veprimtarinë e tij shkrimore. Akti heroik i luftëtarit të UÇK-së, Skerdilajd Llagami; rënia në krye të detyrës e dëshmorit Ibrahim Basha në Lazarat në luftë me kriminelët e drogës; sakrifikimi i jetës nga heroi humanist, Dëshmori i Atdheut Arian Sala, në emër të shpëtimit të jetëve; vdekja aksidentale e djalit të ushtarakut Bajram Hoxha, Jonadit, etj,  Ibrahimi jo vetëm i shkruan dhe i pasqyron sa më shpejt, por shpalos për lexuesin dhe dhimbjen e madhe që ndjen në shpirt për këto fatkeqësi tronditëse. Autori skalit portretet e Skerdilajdit Llagamit, Ibrahimit Bashës dhe Arian Salës. Çdo njeri që i lexon këto shkrime mbushet me ndjenja atdhedashurie dhe nderimi të përjetshëm për heronj të tillë.

Në shkrime të tilla autori shpaloset para lexuesit si një njeri që ndjen dhe i përjeton me shpirt. I dhemb edhe kur sheh një zog që ka ndërruar jetë nga të ftohtit në dimër, apo ndonjë stuhi në pranverë. Por mbi të gjitha, e përjeton fuqishëm kur të tjerëve u ndodh një fatkeqësi. Veçanërisht kur nënat vishen me të zeza për humbjen e jetëve të bijve të tyre. Ky është Ibrahimi: njeriu, mësuesi, prindi, i ndjeshëm deri në dhimbje për humbjen e jetëve, për të shumtat halle ekonomike e gjithçka që ua bëjnë shpirtin plot plagë njerëzve gjatë të tyres jetë.

Kështu e njoha, kështu rezulton me shkrimet e tij, kështu do të mbetet  gjithnjë si njeriu që sakrifikon gjithçka për të nxjerrë në dritë vlerat  e krahinës së tij, Benda, të atdhetarëve të spikatur, intelektualëve, studiuesve, mësuesve dhe artistëve, mjekëve dhe ushtarakëve, imamëve dhe biznesmenëve, të veprimtarive atdhetare, kulturore, artistike dhe sportive që i bëjnë nder krahinës dhe më gjerë.

Kështu e njoha dhe i tillë do mbetet në kujtesën time kolegu dhe miku i mirë Ibrahim Kabili, bujar dhe mikpritës, dora e ngrohtë dhe fjalëmbli për çdo mësues që vinte nga vise të tjera, si edhe për mua autorin e këtyre radhëve, i pari dhe i vetmi mësues Mirditoro-Pukjanë që punoi vetëm 5 muaj (2015) në Shkollën e Mesme të Bashkuar Zall-Bastar, në Bendën e Historisë dhe të të madhit Zenel-Bastari, poetit të bejtexhinjve, që kurrë s’iu dha vendi i merituar, ndonëse ishë shumçka më afër Rilindasve tanë ATDHETAREFAMËMËDHENJ.

Për autorin Kosova ka qenë dhe mbetet ëndrra e rinisë së tij. Ai jo vetëm e njeh mjaft mirë historinë e saj, por ndjek me shumë vemendje edhe zhvillimet politike, veçanërisht pas çlirimit të saj e themelimit të shtetit të pavarur. Në shkrimet për këto zhvillime shpreh shqetësimin e tij qytetar, që vjen edhe nga profesioni, për difekte serioze të disa udhëheqësve politikë dhe drejtues të qeverisë. Derjt për drejt, me guxim dhe pa ekuivoke fshikullon çdo veprim të tyre në dëm të popullit, pavarësisë dhe njohjes së Kosovës nga Serbia mbi bazën e reciprocitetit. Shqetësohet për fatin e saj dhe akuzon çdo manovër djallëzore politike e diplomatike të Isa Mustafës apo Hashim Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë në dëm të lirisë edhe të pavarësisë së Kosovës. Komandantët e Luftës së UÇK-së vlerësohen lart si fitues të luftës, por i fshikullon ato si humbës të paqes. Autori vlerëson me nota maksimale Hashim Thaçin për vlerat e treguara në luftë me UÇK-në dhe bisedimet në Rambuje. Njëkohësisht nuk mund të pajtohet me qëndrimet dhe veprimet e dyzuara të tij në lidhje me çështjet jetike të sovranitetit të Kosovës dhe sidomos rreth bisedimeve me Serbinë, dhe teoritë për ndryshim kufinjsh apo shkëmbim territoresh.

Ramush Haradinaj përshkruhet si një hero i gjallë, por nuk mund të pajtohet me të si kryeministër i Kosovës për fryerjen tej mase të administratës së lartë shtetërore, për pagat shumë të larta që nga vetja dhe kabineti qeverisës, për ratifikimin e kufinjëve me Malin e Zi, ku Kosova humbi 8200 ha tokë, për votimin e gjykatës speciale në mënyrë të njëanshme. Vlerëson taksën 100% dhe dhe i thotë Jo, në shumë shkrime, shëmbimit të territoreve apo ndryshimit të kufinjve.

Në të gjitha shkrimet e tij shpalos prirjet e tij politike, të një politike të drejtë e të përgjegjshme në shërbim të Atdheut, të Kosovës dhe gjithë Kombit Shqiptar, në shërbim të popullit. Ai vlerëson Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin si politikanë të rinj e që premtojnë dhe jep argumente bindëse për çfarë shkruan, por me guxim dhe sinqeritet fshikullon gjithë veprimet dhe mosveprimet e kastës së vjetër politike e qeverisëse të Kosovës, e aq më tepër për kurthet politike të ngritura ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit përmes mocionit të mosbesimit. “Këto janë skenare politike që nuk i shkojnë për shtat Kosovës dhe popullit martir të saj. Koha e afërt do të sjellë zhvillime të reja. Kosova nuk mund të mbetet peng i kastës së vjetër politike. Votuesit e Kosovës e dhanë verdiktin e tyre me zgjedhjet e tetorit. Sovrani të jep pushtet, por nuk të lejon ta keqpërdorësh atë. Në rastin Kurti u shpërdorua vota popullore”, -shkruan autori.

Patosi i autorit si qytetar dhe atdhetar i thekur shpërthen me vërejtje, thirrje dhe lutje ndaj Ramush Haradinajt, që të mos bëhet benjamin i LDK-së së Isa Mustafës, i Listës Srbska, apo të disa drejtuesve të tjerë partish që u bashkuan përmes pazaresh të mbrapshta politike kundër Qeverisë Kurti, duke dhënë, si në shumë raste analoge, edhe sygjerimet e tij tendencioze që duhet të godasin fort si kambanë në trutë e gjithë klasës politike të Kosovës.

Pas analizash të hollësishme për gabimet e udhëheqjes politike dhe qeverisëse të Kosovës në bisedimet me Serbinë, autori këmbëngul për ndryshime rrënjësore të qeverisjeve të ardhshme në këto bisedime, pa as një kompromis, si të barabartë dhe pa asnjë ndjenjë inferioriteti.

Kthimi i situatës politike në favor të Kosovës kërkon një bashkëpunim më të madh dhe më dinjitoz midis pozitës dhe opozitës, qeverisë dhe parlamentit. Autori thërret në kupë të qiellit: “Kosova nuk duron më ndarje, ndryshim kufinjsh, zgjedhë të huaj, nuk mund të vihet më nën Serbi”. Politikanë si Isa Mustafa e ndonjë tjetër i akuzon deri edhe për tradhëti kombëtare. Njëkohësisht autori është besimplotë se Thaçi dhe Veseli do të dinë të mbrojnë Luftën e UÇK-së dhe veten e tyre në Hagë.

Politika e Serbisë dhe e disa partnerëve të saj nuk po lënë gur pa luajtur e mjet pa përdorur për të paralizuar shtetin e Kosovës. Autori qorton drejt për drejt, ashpër dhe me argumente, apatitë dhe moskundërpërgjigjen e politikës dhe të Qeverisë së Kosovës, i cilëson si servilizëm e inferioritet, me politikë difensive e jo profesionale, deri në nënshtrim të tyre ndaj Serbisë. Sipas tij zgjidhja është nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke me Serbinë. Kosova, ardhmëria e saj është në plan të parë dhe jo lufta për kolltuqe pushtetore në dëm të njohjes së Kosovës.

Autori nge zërin që të bashkohen politikanët e të dy shteteve tona, të angazhohet i gjithë potenciali intelektual, shoqëritë civile dhe komunitetet fetare për mbrojtjen e Luftës së UÇK-së dhe komandantëve të saj sipas aksiomës atdhetare ” Një komb, një qëndrim”. Vetëm bashkimi dhe jo ndarja sjell zgjidhjen e problemeve të Kosovës, me Serbinë. Në këtë libër fshikullohen politikanët që shohin dhe vënë në plan të parë interesat e tyre dhe nuk bëjnë pothuajse asgjë për popullin. Kjo ide ilustrohet edhe me vargjet shumë domethënëse të Kreshnik Avdiut ku thuhet: “Ngjoni mirë shqiptarët e mi, / Na ka hy n’midis një dreq, / Hapni sytë o populli jem, / Ka nis’ puna me u ba keq,/ Kan’ nisë vuajtjet me u harru, / N’krye t’vendit njerëz pa mend,/ Dallkaukët shumë janë shtu,/ Dojn m’e ba copa kët’ vend,/ Sot po baj thirrje me zemër, / Jam shqiptar e kam një emër,/ Na kan’ shkel’ e na kan’ vra,/ Me armiq muhabet s’ka”.

Te shkrimi “Vjosa dhe Albini, përballë sfidave të mëdha” përcillen mesazhe për një frymë të re dhe premtuese për të ardhmen e Kosovës dhe të zhvillimeve më të mira ekonomike, socialpolitike, kulturore dhe arsimore, duke u bazuar edhe në faktin se këta të dy janë jo vetëm shumë të arsimuar, por janë shumë të miriluminuar.

Ndjenja e atdhedashurisë është gjithmonë e freskët dhe e fuqishme për autorin dhe, si për Kosovën, i dhemb në shpirt edhe për Çamërinë. Këtë e shpreh me shifra dhe fakte në shkrimin “Çamëria, plaga që kullon gjak”. Asaj i janë rrëmbyer 12000 km 2, vrarë mbi 20000 çamë në vitet 1912-1913, vdiqën nga uria, sëmundjet etj, 28000 vetë, rreth 22000 vetë u detyruan të vijnë në Shqipëri në vitet 1944-1945 nga’ bandat e Zervës. U zhvilluan masakra të tmerrshme nga zervistët në Filat,  Parga, Gumenicë  Paramithi etj. Në të gjitha shkrimet e tij për Kosovën, Kabili jep rekomandimet e tij që gjykon se janë për të mirën dhe të ardhmen e saj, si në planin politik dhe diplomatik për bisedimet me Serbinë, distancim të prerë nga teoritë e ndarjes së kufinjve, shkëmbime të territoreve apo bashkëngjitje të tyre, ai e ndjen përsëri rrezikun për krijimin e Serbisë së Madhe, ide të cilat janë të papranueshme për mbarë Kombin Shqiptar. Mesazhet e tij janë të drejtpërdrejta dhe këmbëngulëse për të gjithë politikanët e Kosovës.

Mirënjohja ndaj dikujt që të ka vlerësuar apo të ka ndihmuar është një ndër virtytet më të qenësishme të njeriut, në mos kryevlera e tij. Ibrahimi e njeh dhe e adhuron këtë postulat-virtyt. Kjo shihet në çdo qelizë të shkrimeve të tij në këtë libër, që nga titulli dhe deri në shkrimin e fundit

Një njeri i tillë meriton mirënjohjen e të tjerëve. E kjo pasqyrohet mjaft mirë në kapitullin e fundit “Disa opinione, mendime, vlerësime dhe falënderime” për autorin.  Falenderimet bëhen nga autori në emër të shumë personave me të cilët ka bashkëpunuar në vite. Mendoj se ky kapitull ka vlerat e tij.

Gjithë përmbajtja e librit është një punë e menduar mirë dhe gjatë në udhëtimin e vështirë për të ndriçuar në mënyrën më të mirë të mundshme, me një gjuhë shqipe të pastër e sintaksë fjalie të qartë, periudha dhe ngjarje të rëndësishme, protagonistëve të tyre, duke u dhënë më shumë rëndësi realiteteve konkrete dhe argumenteve.

Për të përmbyllur vlerat e këtij libri do të përdor  një thënie të publiçistit të spikatur, studiuesit dhe poetit Bedri Islami: -Njohja me këtë libër u shërben lexuesve( shën.im) “për të shikuar më gjerë, për të analizuar më thellë, për të përcaktuar më saktë…” (Gazeta “Dita”, 24 dhjetor 2019, f.7).

Autorit, kolegut dhe mikut tim të mirë, Ibrahim Kabili, i them “I lumtë dora dhe mendja dhe i uroj jetë të gjatë e sjelltë edhe vepra të tjera të arrira”.

Fran CARA

Tiranë, më 13.05.2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok