24/11/2024

Nga Edison Ypi

Qafa të trasha, balle të dhjamura, bythë të gjëra, barqe burrash, Tirana dhe Shqipëria po përmbyten nga monstruozitete antropometrike.

Recetat e dietologëve, këshillat e mjekëve, vizitat te ekspertët, frekuentimi i palestrave dhe pishinave, sado të efektshme, sado të shtrenjta, nuk po i ndalin deformimet, trashjet, sëmundjet, lodhjet, ngordhjet, vdekjet, varrosjet.

Diabeti, Zemra, Mushkëria, Ankthi, po bëjnë kërrdinë. S’ësht çudi pas pak të zhdukemi nga faqja e dheut.

Shqipëria i ndërtoi më së fundi grataçielat, autostradat, tunelet, supermarkatat, restorantat, hotelet, dhe të tjera kollajllëqe të shumpritura konsumistike. Por nuk po e shtojnë proporcionalisht lumturinë. Përkundrazi, po shkaktojnë një dëshpërim misterioz që s’kuptohet nga vjen e ku po shkon.

Të ngecur në qorrsokakun e problemeve me shëndetin, tek kujtojnë se ishin më të shëndetshëm dhe ndjeheshin më të fortë kur hanin pak dhe visheshin keq, shqiptarët po çfaqen të ngathtësuar, të mpirë, të hutuar, po duken sikur u ke rënë me çekiç gome në kokë. Trurin, gjymtyrët, shqisat, që dikur ua mbante gjallë “hovi revolucionar”, tani s’ka cili hov tua përtërijë, as cili revolucion tua shërojë. Tani s’ka hove dhe revolucione. Tani ka fruta dhe perime të modifikuara, dhëmbë të kalbur, diabet, dhjamë, ankesa nga më të frikshmet; Ndjehem i këputur, më merren mentë, më fërshëllen koka, më mpihet këmba, dora, gishtat, më flihet gjumë, shoh ëndërra me sy hapur, dëgjoj daulle me veshë mbyllur, më janë ngathtësuar gjymtyrët, më janë ndryshkur organet, e të tjera e të tjera.

Gjendja alarmante kërkon një zgjidhje, një rrugëdalje.

Cila kavo çeliku, cili vinç apo çengel gjigand, mund t’i nxjerri shqiptarët nga fundi i gropës së frikëshme me mure materiale kilometrike dhe thellësi shpirtërore humnerore ku kanë rënë ? Çfarë mekanizmi duhet shpikur që qeflinjtë e muhabeteve, ekspertat e thashethemeve, mjeshtrat e intrigave, adhuruesit e epeve dhe legjendave, të pasionuarit e lahutave dhe çiftelive, trimërive dhe heroizmave inekzistente, të gjithë këta pra, t’i shkulësh nga zgëqet e rehatit, qoshet e parazitisë, kafenetë e ngrohta, kolltuqet e dashura, divanat me susta, shiltet e buta ?

Një ditë, aty nga fillimi i Pandemisë, pa ndonjë qëllim, sa me u gjin’ Kola n’pun, i hyra me e ndreq biçikletën që e kisha hedh’ në një qoshe. E krruajta, e pastrova, e lava, e lubrifikova, ja ndërrova zinxhirin, e fryva, i shtrëngova ca vida.

Ta përdorja s’bëhej fjalë. Askush nuk përdorte biçikletë. Për shkak të trafikut të dendur, dalja nëpër Tiranë me biçikletë ishte ekuivalente me vetvrasjen e sigurtë.

Mirpo, pas ca ditësh, në një moment, kur për një nga arsyet e shumta mu shkrep të vetvritem, mora biçikletën, dola. Kur ç’të shoh ?! Anës rrugës, diçka e paimagjinueshme. Shirit i dedikuar për biçikleta ! Me vija me ngjyra, me shigjeta, me shenja të ngulura, me të gjitha. S’u besova syve. Hoqa dorë nga vetvrasja. Çfar’ po shihja ishte krejt njësoj si në Romë, Milano, Paris, Londër, dhe kudo gjetkë në vendet e qytetëruara. Parajsë biçikletash në mes të ferrit të makinave. Kur s’u çmenda atë çast, nuk do çmendem kurrë.

Të nesren, të pasnesren, e kështu me rradhë, dy herë në ditë nga gjysëm deri në një orë, kaluan javë dhe muaj. Biçikleta më hyri në qef. Me biçikletën dhe korsitë e biçikletave u dashurova. Jo vetëm unë. Shumë e shumë të tjerë. Ndërkohë, mbi korsitë lëviznin mijëra e mijëra biçikleta.

Brenda kësaj euforie, një ditë ndjeva një bezdi të çuditëshme të këndëshme si trikoja e leshit e veshur në mish, që të ngroh, të masazhon, dhe gërvisht pak. E ndjeja, por s’po e kuptoja çfarë ishte, nga më vinte mrekullia që kishte ndodhur brenda meje. Pas pak minutash, erdha në vete. Pas disa muajsh biçikletë mbi korsitë e dedikuara, nuk ndjeja më asnjë dhimbje mesi. Ai mes prej të cilit kisha shumë dimra që ankohesha dhe e kisha konsideruar të marrë fund, brenda pak muajve ishte bërë më i fortë se mesi i Herkulit.

Gjatë euforisë së mesit të ringjallur, mora vesh se Tirana ka 45 kilometra korsi biçikletash. Nëse kjo shifër, të cilën e verifikova, të duket e ekzagjeruar, mund të vazhdosh të jetosh rehat pa asnjë kokëçarje, testi i arsyetimit të shkrutër dhe  ndjeshmërisë së pakët, pra testi i bastardit, të ka dalë pozitiv.

I hyra një hesapi për të pasur një ide rreth efekteve pozitive që shkaktojnë mbi shëndetin e 100 mijë përdoruesve 45 kilometra korsi të dedikuara.

-Korsitë në fjalë, apo Venat e Qytetit, gjallërojnë 100 mijë Tru, po aq Zemra, dhe po aq sisteme qarkullimi gjaku.

-Heqin dhimbjet eventuale nga 100 mijë kolona vertebrale.

-Përmirësojnë punën, fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë, e 3 milionë e 300 mijë rruazave kurrizore që u përkasin 100 mijë përdoruesve të korsive.

-Përmirësojnë punën e mijëra e miliona, nerva, muskuj, kyçe, artikulacione.

-Meqënse gjaku atje ku shkon shëron, biçikletat dhe korsitë, forcojnë në përgjithësi shëndetin. E po u ndreq shëndeti i disave, nuk mund të qëndrojë indiferent shëndeti i të gjithëve.

Pra, me vetëm një biçikletë dhe korsinë përkatëse që të ruan mos hysh derr e dalësh sallam mes ndonjë Benzi 100 mijë Euro të ndonjë fukarai pukjan dhe Toyotas 80 mijë Euro të një fukarai mallakastriot, duke përmirësuar rrënjësisht shëndetin, i ke thënë ciao ankesave, dhimbjeve, dyshimeve, ecejakeve, farmacive, ilaçeve, antidepresivave, këshillave, vizitave, dietave  palestrave, pishinave.

Bitëllsat mund t’i grisin kapuçat e njëritjetrit, por jo të prishin korsitë e biçikletave, Venat e Qytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok