10/11/2024

Veliu nuk është pasqyrë vetëm e Ramës: Produkt i sistemit pervers të Rilindjes!

0

Nga Enver Bytyçi

Ardi Veliu nuk është pasqyrë e Edi Ramës, as e Sandër Lleshit. Ai është produkt i një sistemi që si filozofi ka denigrimin e familjes shqiptare, të dinjitetit dhe integritetit të qytetarëve shqiptarë, të personalitetit të çdo kujt që nuk është me Rilindjen. Eshtë pasojë e perversitetit politik e moral të regjimit të sotëm në Shqipëri. Ky sistem funksionon si një mekanizëm i plotë jo vetëm në kupolën e shtetit, të policisë, prokurorisë, gjykatave, administratës publike, por edhe të medieve të kapura prej shtetit.

E jo vetëm kaq ky sistem pëlqehet jo pak nga qytetarët tanë, të cilët mbartin një kulturë politike e të përgjithshme nga sistemi totalitar. Problemi nuk është vetëm Ardi Veliu, problemi është Edi Rama, i cili çdo post të destinuar për ushtrim dhune ua beson njerëzve të hurit e të litarit. Kështu ndodhi me prefektët, të përzgjedhur nga hierarkia e lartë ushtarake e diktaturës. Kështu ndodh me ish-oficerët e sigurimit të shtetit, të komanduar dhe emëruar në poste të larta në polici dhe struktura të tjera ligj-zbatuese. Kështu ndodh edhe në shumicën e medieve shqiptare, ku shteti ka instaluar një kontrollor nga soji i Ardi Veliut!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar në paraqitjen e tij në komisionin e Sigurisë të Kuvendit u shfaq jo thjesht duke dëshmuar “shfaqjet e huaja” të një djali 15 vjeçar dhe jo vetëm që të justifikonte dhunën barbare të policisë së tij kundër atij 15 vjeçari. Ai shfaqi në atë takim mentalitetin dhe filozofinë e trashëgimisë nga prindi te fëmija të sjelljeve të këqija dhe “shfaqjeve të huaja”! D.m.th lufta e policisë dhe shtetit të rilindjes kundër qytetarëve shqiptarë bazohet në filozofinë e genit biologjik, njësoj si në diktaturat e majta komuniste!

Prandaj kryepolici shqiptar nuk denigroi dhe nuk ka fyer vetëm nënën e djalit 15 vjeçar, duke shpifur për një pamje të paqenë. Ai ka shkuar shumë më thellë. Ka manifestuar konceptin diktatorial dhe filozofinë e luftës me genin e shqiptarëve, të cilët guxojnë të lëvizin me biçikletë në kohë pandemie. Aq e dukshme është kjo qasje filozofike e praktike, saqë e vërejmë lehtë në përpjekjet e qeverisë së rilindjes për ta shpopulluar Shqipërinë prej shqiptarëve!

Kryepolici nuk e kishte problemin me mbrojtjen e vartësve të tij, të cilët edhe në diktaturë mund të merrnin ndëshkime ndoshta më të rënda. Problemin e kishte me guximin e të riut për sfiduar shtetin e dhunshëm, që izoloi gjithë shoqërinë shqiptare në mënyrë barbare e të pakuptimtë. Problemi i Ardi Veliut nuk ishin e nuk janë dhuna policore, sepse atë ai e tejkaluar në dhjetëra raste me kundër trumave masive. Nuk e ka e nuk mund ta ketë as me fenomenin. E gjithë brenga e tij është ajo çfarë mendon kryeministri i vendit: Pse qytetarët shqiptarë guxojnë ta kundërshtojnë diktaturën. Pra çeshtja lidhet me ruajtjen me çdo kusht e me çdo mjet të pushtetit. Denigrimi moral bazuar në filozofinë e trashëgimisë “të së keqes”, vlen si mjet i kësaj lufte speciale të qeverisë së rilindjes, njësoj si në qeveritë e diktaturave.

Ajo video që kryepolici shqiptar paraqiti në institucionin përgjegjës për mbrojtjen e demokracisë e të dinjitetit njerëzor ishte mjeti më pervers i mundshëm për të na thënë se “shtetin shqiptar e mbron një qeveri dhe polici e moralshme”, që “lufton kundër shfaqjeve të huaja liberale”, si në kohën e komunizmit. E ndërkohë shqiptarët përballen me një qeveri e kryeministër që fyen dhe denigron çdo njeri që i del përpara, përfshirë politikanë, gazetarë, shkrimtarë, artistë, mjekë, profesorë, shkencëtarë, këdo, pa përjashtim.

Dhe si përfundim, zgjidhja nuk gjendet te Ardi Veliu, jep apo nuk jep ai dorëheqjen, zgjidhja e vetme është e duhet të jetë largimi sa më parë i qeverisë Rama, e cila prodhon filozofinë e mjerimit dhe shkatërrimit të identitetit dhe personalitetit të qytetarëve shqiptarë, madje bazuar në doktrinën e trashëgimisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok