NËNTORI I KUQ I FESTAVE APO NËNTORI I HESHTUR?
Ku janë flamujt, banderolat dhe simbolet kombëtare në muajin më të rëndësishëm të historisë sonë? Pse Shqipëria nuk vishet me ngjyrat kuq e zi në prag të festave të mëdha kombëtare?
Nga Enri Albert ZHOLI
Nëntori është muaji i festave më të mëdha të kombit shqiptar. Është muaji që mbart në vetvete historinë, krenarinë, sakrificat, qëndresën dhe momentet më kulmore të identitetit tonë kombëtar. Është muaji i Skënderbeut, i alfabetit shqip, i Pavarësisë dhe i Çlirimit. Por, çuditërisht, ndërsa historia jonë në këtë muaj flet me zë të lartë, rrugët, sheshet, ballkonet dhe fasadat e qyteteve tona shpesh qëndrojnë në heshtje. Atëherë lind një pyetje: A është Nëntori muaji i festave tona kombëtare apo po kthehet gradualisht në një Nëntor të heshtur? Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u kthye në Krujë, duke ngritur flamurin dhe duke nisur një epokë të lavdishme të qëndresës shqiptare kundër pushtimit osman. Kjo datë mbetet një nga simbolet më të fuqishme të historisë sonë kombëtare. Më 14–22 nëntor 1908, në Manastir, u mbajt Kongresi i Alfabetit, ku morën pjesë 50 delegatë nga të gjitha viset shqiptare, si dhe përfaqësues të shqiptarëve të mërgatës, nga Amerika, Egjipti, Sofja, Rumania, Italia e vende të tjera. Aty u diskutua dhe u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe, një ngjarje themelore për njësimin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ishte kurorëzimi i përpjekjeve shekullore të një populli për të qenë zot i fateve të veta. Ndërsa më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë, duke shënuar përfundimin e një prej periudhave më të vështira të historisë sonë. Katër momente historike, katër arsye madhore për të festuar, për të kujtuar dhe për të nderuar ata që sakrifikuan për këtë vend. Por çfarë ndodh sot? Në Tiranë dhe në shumë qytete të Shqipërisë, atmosfera festive kombëtare shpesh mungon. Nëpër ballkone shihen pak flamuj, në dritaret e banesave nuk dallohen simbolet kuq e zi, ndërsa në shumë rrugë, sheshe, institucione dhe pika të rëndësishme të qyteteve mungojnë banderolat dhe dekorimet kombëtare. Kryeqyteti, që duhet të jetë shembulli i festimit dhe i krenarisë kombëtare, shpesh nuk të jep ndjesinë se po afron 28 Nëntori. Pse ndodh kjo? Ku janë flamujt kombëtarë? Ku janë banderolat, shqiponjat dykrenare, ngjyrat kuq e zi dhe simbolet që duhet të na kujtojnë se jemi një komb me histori të lashtë, me gjuhë, tradita dhe sakrifica të jashtëzakonshme? Pse institucionet vendore dhe shtetërore nuk e marrin përsipër një organizim më të dukshëm, më gjithëpërfshirës dhe më dinjitoz të festave kombëtare? Mjafton të shohim se çfarë ndodh në disa vende fqinje. Në Greqi, në Maqedoninë e Veriut apo në Mal të Zi, në ditët e festave kombëtare, qytetet zbukurohen me flamuj, simbole dhe ngjyra kombëtare. Në kryeqytetet dhe qendrat kryesore të tyre krijohet një atmosferë që e ndien sapo del në rrugë. Flamujt valëviten në institucione, në sheshe, në fasada, në ballkone dhe në hapësirat publike. Qytetari e kupton se vendi po feston një ditë të rëndësishme të historisë së tij. A është kjo ultranacionalizëm? Absolutisht jo! Është respekt për historinë, për simbolet, për gjuhën, për heronjtë dhe për sakrificat e brezave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Të vendosësh flamurin kombëtar në ballkon, në dritare apo në oborrin e shtëpisë nuk do të thotë të jesh kundër dikujt tjetër. Do të thotë të respektosh vendin tënd. Të kujtosh rrënjët, të nderosh të parët dhe t’u përcjellësh fëmijëve ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Nuk mund të pretendojmë se jemi krenarë për historinë tonë, nëse nuk e shfaqim këtë krenari edhe në jetën e përditshme. Nuk mund të flasim për Skënderbeun, Ismail Qemalin, Kongresin e Manastirit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare vetëm nëpër podiume, fjalime dhe ceremoni zyrtare, ndërsa hapësirat tona publike mbeten pa simbolet që përfaqësojnë këto ngjarje. Sigurisht, festat kombëtare nuk maten vetëm me numrin e flamujve nëpër rrugë. Ato maten edhe me ndërgjegjen historike, me edukimin e brezave, me respektin për gjuhën shqipe dhe me përgjegjësinë ndaj atdheut. Por flamuri është simboli që i bashkon të gjitha këto. Ai është kujtesë, identitet dhe krenari. Prandaj, nuk duhet të jetë vetëm në duart e tifozëve në stadiume, në ceremonitë zyrtare apo në ditët e vizitave të personaliteteve të huaja. Ai duhet të jetë pjesë e dukshme e jetës sonë kombëtare. Bashkitë, institucionet shtetërore, shkollat, universitetet, shoqatat patriotike dhe organizatat e veteranëve duhet të marrin nisma konkrete për ta kthyer Nëntorin në një muaj të vërtetë festash. Dekorimi i qyteteve me flamuj, organizimi i aktiviteteve kulturore, koncertet, ekspozitat historike, orët e hapura në shkolla dhe përfshirja e qytetarëve do t’i jepnin këtij muaji madhështinë që meriton. Edhe familjet duhet të bëhen pjesë e kësaj atmosfere, duke vendosur flamurin kuq e zi në shtëpitë e tyre. Nuk është e nevojshme të shpenzohen shuma të mëdha parash për të krijuar një atmosferë festive. Mjafton vullnet, organizim dhe pak më shumë ndjenjë përgjegjësie kombëtare. Një flamur në një ballkon, një banderolë në një rrugë, një shqiponjë në një shesh, një aktivitet në një shkollë, të gjitha së bashku krijojnë një atmosferë që i jep jetë festës. Nëntori nuk është thjesht një muaj në kalendar. Është një kapitull i madh i historisë shqiptare. Është muaji që na kujton se liria nuk u dhurua, por u fitua me gjak, sakrifica dhe përpjekje të panumërta. Është muaji që duhet të na bashkojë përtej bindjeve politike, ndarjeve krahinore dhe dallimeve shoqërore. Le të mos kemi një Nëntor të heshtur, por një Nëntor të kuq, të gjallë, krenar dhe gjithëpërfshirës! Le të valëvitet flamuri kuq e zi në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo shkollë, në çdo institucion dhe në çdo familje. Sepse të duash atdheun nuk do të thotë vetëm të flasësh për të, por edhe ta nderosh atë me vepra dhe simbole. Flamuri nuk është dekor i festës. Është kujtesa jonë kombëtare!
