07/10/2024

U SHËNUA 110 VJETORI I RËNIES SË HEROINËS SULLTANES SË QAFËS

0

Nga Vahit Nasufi

Rrëzë malit Ujmir, i cili me një peisazh magjeps, zbukuron anën veriore të Kërçovës me një lartësi mbidetare prej 2062m, shtrihet fshati Qafë. Ky fshat i vogël, por, me zemër të madhe, i banuar etnikisht me shqiptarë, ndodhet ndërmjet komunës së Kërçovës dhe asj të Gostivarit, me një largësi gati të barabartë. Karakteristike është se fshati Qafë me teritor i takon komunës së Gostivarit, por, fshati zbaton traditat kërçovare! Pa dyshim se vlen të theksohet, se fshati Qafë ose siç e quan populli i kësaj ane, vendlindja e Sulltanës, historiani nga Kërçova, Dr. Sc. z. Ilmi Veliu, na rrëfente se në kohën ilire fshati Qafë ka qenë kufiri mes Dardanisë me kryeqytet Shkupin dhe Penestisë me kryeqytet Uskanën, (Kërçovën e sotme), më vonë në kohën osmane ka qenë kufiri mes vilajetit të Kosovës dhe Manastirit, kurse sot është kufiri mes Kërçovës dhe Gostivarit.

Kush ishte Sulltana e Qafës dhe ç`bëri ajo?

Për ata që më pak kanë dëgjuar për këtë heroinë të kombit tonë, dy-tri fjalë për veprën e saj heroike. Sulltana ishte bija e Mazllam Saliut nga fshati Qafë. Ajo ishte një vajzë e re, e bukur dhe shumë trimëreshë. Vlen të ceket se Sulltana ka qenë e fejuar në fshatin Sërbicë. Kur sërbët barbarë sulmojnë fshatin Qafë, tubojnë  burrat e pafajshëm të këtij fshati dhe i çojnë në oborrin e Mazllam Saliut, duke i rrahur dhe torturuar. Sulltana edhe pse shumë e re në moshën18 vjeçare, kur i sheh torturat dhe masakrat e çetnikve, ndaj bashkëfshatarëve të saj, me që nuk i ka qëlluar asnjë armë zjarri, ajo merr gërshanët e dhenve të cilat i ka fshehur mirë dhe fluturim del në oborr dhe ia ngul në zemër nipit të Mikajl Brodit, të cilin e ka lënë pa shpirtë të shtrirë për toke, dhe lëndon rëndë dhe disa të tjerë. Që t`mos bie e gjallë në duart e armikut, dikush aty Sulltanën e vret me pushkë. Kjo ngjarje historike ka ndodhur më 4 gusht 1913. Me këtë akt heroik që bëri Sulltana, ky fshat, në rrafshin e tij i ka ndërtuar përmendoren e cila vizitohet nga shumë vizitorë, të cilët në restorantet që ndodhen pranë përmendores, sipas dëshirës, mund të shërbehen me pije të ndryshme freskuese dhe ushqime tradicionale.

Manifestimi

Edhe pse temperaturat e 4 gushtit 2023, ishin shumë të larta, në këtë përvjetor numri i pjesëmarrësve ishte i konsiderueshëm, në mesin e të cilëve ishte kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti, kryetari i komunës së Kërçovës, z. Fatmir Dehari, kryetari i komunës së Gostivarit, z. Arben Taravari, ambasadori i MV në Zvicër, z. Rexhep Demiri dhe shumë të tjerë. Para se të fillonte manifestimi i përvjetorit të 110, për heroinën Sulltanën, kryetari i BDI -së z. Ali Ahmeti vendosi lule në bustin e kësaj heroine, pastaj lule vendosën edhe kryetarët e dy komunave, z. Dehari dhe z. Taravari. Këtë manifestim të organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, siç na tha njëri prej organizatorëve, z. Naser Selimi një shahir me vlera të larta, nga fshati Qafë, por, me vendbanim në Gostivar, e moderoi z. Faik Jusufi, me prejardhje nga ky fshat, i cili fjalën hyrse ia dha kryetarit të Shoqatës Humanitare të fshatit Qafë që vepron në shtetin Helvetik, përndryshe një rapsod i mrekullueshëm, z. Bekim Selimit, për t`ia lënë radhën prof. z. Qamil Aliu i cili foli për veprën e lavdishme të kësaj heroine të këtij fshati, por, jo vetëm, pasi kjo është heroina e gjithë shqiptarëve.

Në vazhdim u lexuan dy poezi për Sulltanën dhe më pas u kënduan disa këngë burimore nga grupe dhe këngëtarë të mirënjohur. Pasi përfundoi programi artistik, u shpërndanë mirënjohe për disa kontribues dhe pastaj të gjithë të pranishmit shkuan në vendin e ngjarjes ku Sulltana bëri aktin heroik, aty kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti, hodhi gurthemelin ku do të ndërtohet shtëpia e Mazllam Qafës si muze historik. Kjo heroinë me vrasjen e tiranisë, ka mbushë faqet e historisë, të cilës i kanë kushtuar  shumë këngë të cilat jehojnë anë e mbanë trollit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok