15/06/2024

Triptik politiko-ironik

0

NGA NDUE DEDAJ

  1. (MOS) TA RRITËT ZOTI PUSHTEDEN

Një ndër urimet, që me gjasë zë fill me shekullin XX, është “Ta rritët Zoti pushteden”, që në gjuhën letrare do të thotë pushtetin. Kjo ishte në atë kohë kur pushteti i shqiptarëve ishte në fillimet dhe ishte normale t’ia uroje dikujt edhe pushtetin, postin, karrierën shtetërore, natyrisht dhe atë politike. Ne e kemi hasur tek At Anton Harapi, duke bërë fjalë për vitin 1918 në Shkodër. Por zor që kjo shprehje të këtë qenë aktive në kohën e regjimit komunist, pasi njerëzit nuk mund t’ia uronin pushtetin dikujt që me anë të pushtetit nesër do t’iu kërcente në qafë. Mund të jetë rikthyer si shprehje në fillimet e demokracisë, por me siguri më vonë askush nuk ia ka uruar pushtetin dikujt, pasi përmes të pushtetit ai dikushi do ta vidhte vendçe!…

Prandaj sot e gjithë ditën është aktuale e kundërta e saj: “Mos ta rritët Zoti pushtetin!”

  1. TELEVIZIONET SI “KARUSEL” I POLITIKËS

Duket se media televizive e mbrëmjes, në rreth dhjetë emisione debatesh e opinionesh në javë, nuk ka një agjendë të veten, por vetëm t’i përgjigjet “flakë për flakë” politikës së ditës, një sëmundje e së kaluarës. Bën ndonjë xhiro Kryeministri, brenda ose jashtë vendit, lëshon ndonjë nga ato të tijat dhe mediat në darkë komentojnë për tre orë rreth asaj që ishte dhe s’ishte, duhej apo s’duhej, shkurt e lagu s’e lagu. Sigurisht agjenda e kreut të qeverisë ka raste që prodhon lajm, por jo përditë e përnatë. Sa për kryebashkiakun e Tiranës, dihet që ai s’rron dot pa kamerat, por si duket as kamerat pa atë. Të vetmet kamera që ai kurrë nuk do t’i kishte dashur janë ato që japin protestat e opozitës para godinës së Bashkisë që drejton. Apo, sa herë që kreu i PD – së del në foltorën e shtëpisë, do të ketë dhe kronika televizive apo emision live. I teket kryetarit tjetër të PD-së të mbajë një fjalim për një orë, mediat informative e japin të gjithin, edhe se ai pas tri ditësh do të mbajë prapë po atë fjalim! Po ashtu, edhe kur presidenti i partisë së tretë ka për të bërë deklaratën e radhës kundër SPAK-ut, mediat janë aty.

Ku me gjetë kamera dhe mikrofona që të vijnë prapa, edhe kur nuk ke asgjë për të thënë.

  1. SI MOS ME QENË “SHOK PARTIE”

Në vitet ’80 isha mësues fshati dhe kaloja vazhdimisht nga miniera, ku ishte qendra e punës, posta, dyqanet etj. Sekretari i organizatës së Partisë të njërit nga sektorët e nëntokës, një minator me shkollë nate, më ndalonte herë pas here në “koenfìdencë” dhe më thoshte se para se t’i dërgoja shkrimet në gazetë, duhet t’i shihte Partia, dmth ai. I thosha se dhe atje ku i çoja artikujt kishte Parti, kështu që nuk ishte e nevojshme, por ai ngulmonte: “Puna asht që dhe ti të jesh shok Partie si ne”.

Nuk do të isha kujtuar për këtë detaj, nëse… dreqi ta marrë, kanë kaluar dyzet vite e prapë nuk na ndahen tutorët ideologjikë vullnetarë, që kërkojnë të shkruajmë si “shok Partie”, mirëpo me keqardhje këtë kërkesë të tyre nuk mundemi me e plotësue, as majtas e as djathtas. Pa merak, nuk ua heqin veshin në organizatë nëse nuk mbani qëndrim ndaj nesh, që nuk përçojmë vijën e partisë në shkrimet tona, pasi jemi në demokraci!

Nuk ka asnjë te keqe që ju nuk rroni dot pa qenë “shokë Partie”, por ky është problemi juaj e jo yni! S’keni ç’bëni, jemi të dënuar të biem dakord, për të mos qenë dakord!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok