21/12/2024

TRE HERONJ NË BELSHINË TË BERISHËS SË PUKËS

0
Flamuri-Kombetar

Nga Ismet Balaj

Inxhinier Kol Dedaj, ky intelektual i shquar në profesionin e tij, po jep kontributin e tij edhe në fushat e tjera të shkencës, historiografisë, kulturës siç është botimi i librit historik-etnografik, monografinë: “Në Panteonin e Lirisë”. Që me titullin e tij Panteon – Tempull, memorial madhështor ku shënohen njerëzit  e shquar të një vendi, autori e fton lexuesin në njohjen e vlerave, ngjarjeve dhe figurave të shquara kombëtare.

Libri u kushtohet tre dëshmorëve të atdheut: Mark Dedës me dy të bijtë: Ndoc dhe Mëhill Mark Deda. Perandoria turke, pas ardhjes në pushtet të Turqëve të Rinj (1908) u bë edhe më e egër e si zakonisht edhe e pabesë. Premtimet që u bënë shqiptarëve, Turqit e Rinj , jo vetëm nuk i mbajtën, por e shtuan terrorin edhe më shumë. Për këtë qëllim Stambolli më 1910 dërgoi në Kosovë dhe gjithë Shqipërinë e Veriut, Ministrin e Luftës, Shefqet Turgut Pasha, me mijëra ushtarë aziatikë për çarmatosjen me çdo mjet të shqiptarëve. Edhe kazatë (kaza ndarje administrative turke, Puka me 7 bajrakët ishte një kaza) u pajisën më me shumë ushtarë aziatikë.     Inxhinier Kol Dedaj, ka bërë përpjekje serioze për ta paraqitur të vërtetën historike ashtu siç ka ndodhur, pa zbukurime e teprime, por thjeshtë edhe qartë. Kështu kuptohet shumë mirë veprimtaria e Mark Dedës dhe e bijve të tij që për pesë vite luftuan me armë në dorë kundër pushtuesve turq, serbë e malazezë gjatë viteve 1910-1915, vite shumë të vështira për popullin shqiptar. Të tre ishin jo vetëm luftëtarë për mbrojtjen e Berishës nga turqit a pushtues të tjerë por edhe të krahinave të tjera shqiptare.

BABAI, MARK DEDA ME TRE BIJTË: NDOCIN, MËHILLIN E GJERGJIN NË LUFTË PËR ÇLIRIMIN E ATDHEUT NGA TURQIT, SERBËT DHE MALAZEZËT (1910-1915)

  1. Mark DEDA (Mark Dedë Marku,1840 – “5 dhjetor 1910”), dëshmor i atdheut, luftëtar kundër reformave të Tanzimatit, për mbrojtjen e autonomisë së malësisë, zbatimin e Vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ka qenë pjesëmarrës dhe luftëtar aktiv për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë nga pushtuesit malazez (1878-1881). Qëndrestar dhe kryengritës antiturk në vitet 1908, 1909 dhe 1910. Ka frymëzuar dhe u ka prirë djemve Ndoc, Mëhill e Gjergj Mark Deda që të mos dorëzoheshin, por të vazhdonin luftën deri në çlirimin e plotë të atdheut nga Turqia si edhe kundër serbëve e malazezëve që kërkonin pushtimin e Shqipërisë. Dhe të tre bijtë e tij e vazhduan luftën pa ndërprerje deri sa dy: Mëhilli e Ndoci, ranë në fushë të betejave si trimat e atdhetarë të vendosur. Marku, më 5 dhjetor 1910 ra duke luftuar gjatë rrethimit të kullës së tij, duke u prirë të bijëve për qëndresë e luftë kundër ushtarëve turq. Të bijtë e mbajtën amanetin e babait. Ndoci ngriti çetën luftarake, bashkë me të vëllaznit, dhe patiotësi Gjelosh Keqani, vëllezërtit Koliku,  Mëhill e Ton Karati etj.  që vazhduan të luftonin deri më 1915, ku u vranë 13 vetë në Mollë të Shoshit duke luftuar kundër serbëve që kërkonin pushtimin e Dukagjinit e në vazhdim edhe të territotreve të tjera të Shqipërisë.
  2. 2. Ndoc Mark DEDA, (1880-1915), luftëtar trim legjendar i Berishës, i Pukës e i kombit shqiptar. Kur më 1910 Ministri i Luftës i Përandorisë Turke, Shefqet Turgut Pasha, erdhi me ushtri të madhe dhe kërkoi çarmatojen e popullsië shqiptare, Ndoci, bashkë me të atin, Markun dhe të dy vëllezërit Mëhilli e Gjergji vendosën të mos dorëzonin armët, por të rezistonin e të luftonin kundër ushtrisë turke, bashkë me çetën e ngritur e cila quhej Çeta e Ndoc Mark Dedës. Çeta e armatosur levizi në mënyrë demonstrative nëpër Berishë e për rreth. Ky veprim shqetësoi forcat turke në Pukë, Iballë e deri në Shkodër. Kështu vepruan edhe çetat e tjera brigjeve të Drinit, por edhe në bajrakët e tjerë. Valiu i Shkodrës, mobilizoi forcat ushtarake dhe urdhëroi operacion ndëshkimor në kazanë e Pukës. Këngëtari popullor bashkëkohës i këtyre ngjarjeve, Prendush Gega, këndon:

N`atë Stamboll po këndon gazeta:

Ç`a ka thanë Ndoc Mark Deda?

S`i nap (jap) armët sa t` jetë jeta,

Sa t`jetë jeta armët s`i nap,

Për pa i la zaptijët me gjak.

Forcat ushtarake turke të Pukës e rrethuan shtëpinë e Mark Dedës më datën “5 dhjetor 1910”, natën e festës së Shënkollit dhe bënë thirrje për t`u dorëzuar. Trimat nuk u dorëzuan, por u përgjigjen me armë, duke shkaktuar të vrarë e të plagosur në radhët e ushtarëve. Në këtë luftë mbeti i vrarë i zoti i kullës, Mark DEDA. Nga jashtë çeta goditi rrethuesit dhe i detyroi të tërhiqen. Pastaj u mblodh katundi dhe organizoi varrimin e Mark Dedës. Çetarët e ndihmuan  Ndocin bashkë me vëllezërit e plagosur për të dalë nga rrethimi dhe për t`i çuar në vendin e quajtur “shpella”, te then Drini qaf’ën, që ndodhej në anën e djathtë, ndërsa Belshina ndodhej në anë të majtë.

***….

Për të kaluar Drinin, përgatitën një trap.  Lëkurët e tetë dhive të shtëpisë e të anëtarëve të çetës që i kishin prerë  për natën e Shenkollit, të fryra me ajër, i lidhen nën trupa pishe të prerë për këtë qëllim, I hypen me radhë të plagosurit bashkë me gjashtë shoqërues dhe dolën në anën tjetër, ku ishte shpella.  Hyrja ishte shumë e vështirë, por u realizua me zbritjen duke i lidhur një e nga një me litar. Ndezën zjarr. Shpella kishte zvarranikë, lakuriq etj që dimëronin në letragji. Si të ngordhur i hodhen në Dri.  Rroba të fjetjes e ushqim kishn marrë me vete, por edhe u furnizuan rregullisht nga anëtarët e çetës.. Këtu  jetuan gjatë dimrit, u ushqyen dhe u mjekuan deri sa u shëruan, dolën në pranverë dhe  u kthyen  në Berishë. Kjo shpellë prej asaj kohe quhet  “Shpella e Ndoc Mark Dedës”…

Edhe në fillim të pranverës 1911 ushtria e xhandërmëria turke e Pukës bëri përpjekje për të sulmuar përsëri Berishën nga qafa e Qyqeshit, në verilindje, por pësoi disfatë, sepse çeta kishte zenë pozicione dhe i detyroi ushtarët të kthehen. Në muajin mars e në vijim  të vitit 1911 u ngritën në kryengritje malësia e Pukës, e Mirditës, e Dukagjinit , Malësi e Madhe, Shkodrës e Lezhës, prandaj çeta doli nga krahina e Pukës dhe mori pjesë në aksione luftarake.   Në prill të vitit 1911 Ndoci me vëllezërit e shoqëruan për në Mirditë Terenc Toçin (Arbëresh) i cili kishte ardhur nga Italia për të ndihmuar formimin e Qeverisë së Përkohshme, maj 1911 në Kimëz. Kontributi i Ndoc Dedës me çetën e tij ishte i dukshëm edhe në verë të vitit 1912 në luftën e popullit të Pukës që u çlirua me forcat e veta nga garnizoni ushtarak dhe administrata turke e Pukës, më 8 shtator 1912. I rëndësishëm është edhe aktiviteti i Ndocit me çetën e tij, bashkë me çetat e Dukagjinit në luftë kundër serbve e malazezëve duke i ndjekur deri në Vrakë, duke vrarë edhe disa prej tyre, të cilët e kishin rrethuar   edhe Shkodrën (dhjetor 1912-pranverë 1913). Çeta në pranverën e vitit 1915 u thirr nga Mehmet Shpendi e Ded Gjo Lulu në luftë kundër serbëve, e malazëzve që kishin sulmuar Malësinë e Madhe e   Dukagjinin për t`i pushtuar. Ndoci bashkë me çetën shkuan dhe vazhduan luftimet nëpër fshatrat e Dukagjinit. Por në pëballjen me forcat pushtuese në Mollë të Shoshit, u vra Mëhill Marku Deda dhe u plagos rëndë edhe Ndoci. Prej plagëve të marra vdiq në verën e atij viti.  Ndoc Mark Deda, bashkë me çetën e tij luftoi për pesë vjet (1910-1915) kundër pushtuesve turq, serbë e malazezë për çlirimin jo vetëm të Berishës por edhe Pukës e të Shqipërisë, duke rënë dëshmorë dhe mbyllur me nder e lavdi jetën e vet.

  1. Mëhill Mark DEDA, (1889-1915), dëshmor i atdheut. Ishte pjesëmarrës aktiv dhe luftëtar i vendosur e trim në çetën e të vëllait, Ndoc Mark Deda që nga viti 1910-1915. Mëhilli u dallua si luftëtar trim. Në çdo aksion që merrte çeta që nga 5 dhjetori 1910. Më 1911 Mëhilli shoqëroi nëpër Pukë e Mirditë patriotin Terenc Toçin (arbëresh, kishte ardhur nga Italia). Terenc Toçi organizoi kryengritjen antiturke dhe bashkë me përfaqësuses të të gjitha krahinave të Shqipërisë, formoi Qeverinë e Përkohshme me 1911 në Kimëz. Po kështu Mëhilli mori pjesë edhe në kryengritjen e Lezhës më 1911. Njëkohësisht bashkë me shumë pukjanë për mbrojtjen e Shkodrës nga rrethimi serbo-malazez (1912-1913). Mëhilli kaloi në Dukagjin bashkë me vëllanë dhe çetën e tij dhe në luftë kundër serbo-malazezve më 1915, ra për të mos vdekur kurrë.

Ka kaluar më se një shekull që Ndoc Mark Deda, bashkë me të vëllanë, Mëhillin, duke u prirë i ati tij, Mark Deda, nuk jetojnë fizikisht, por ata janë të gjallë në kujtesën historike të popullit, janë dëshmorë të kombit tonë. Lavdia e tyre rron, për sa kohë do të ketë nevojë për trima, e për trima do të ketë nevojë sa të ketë komb e atdhe, e komb e atdhe do të ketë kurdoherë, ndaj edhe sot u këndohet me lavdi siç u këndohet mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e atdheut në kohë të ndryshme.

Si përfundim: Mark Deda, dhe tre djemtë e tij, i pari vet i ati, Marku, më 5 dhjetor 1910, u vra në mbrojtje të trojeve, njerëzve e të shtëpisë së tij në përleshje me forcat rrethuese ushtarake turke. Ndërsa dy të bijtë: Ndoci dhe Mëhilli u vranë nga serbët e malazezët më 1915 në qëndresen kombëtare të mbrojtjës së trojeve shqiptare. Mbijetoi vetëm Gjergj Mark Deda, i cili la pasardhës. Edhe Gjergji, ashtu si ati edhe dy vëllezërit mori pjesë aktive në të gjitha luftërat që çeta e Ndocit kreu detyra të rëndësishme luftarake kundër pushtuesve turq, serbë e malazezë. U plagos në krah dhe plumbi i mbeti në trup gjithë jetën, prandaj edhe dora i mbeti sakat gjithë jetën. Por siç thotë populli: Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtë, Gjergji mundi të jetojë e të vazhdojë trashëgimin e të atit Mark Deda. Ai pati 4 djem: Prendushi, Marku, Mushaku dhe Nikolla. Nikolla është babai i inxhinier Kolës, Gjergji për aktivitetin e tij luftarak në shërbim të çeshtjes madhore të çlirimit të atdheut, komuna e Iballës e ka shpallur” Qytetar Nderi”.

LIBRI KA VLERA NJOHËSE DHE EDUKATIVE:

  1. Ky libër na mëson mbi heroizmin e popullit tonë ndër shekuj me fakte e argumenta të shumta. Mbi të gjitha qendresa, lufta e mbijetesa e Mark Dedës me të bijtë e tij është për brezat e sotëm e të ardhshëm një shëmbull, një simbol frymëzimi për ta dashur atdheun, për të sakrifikuar edhe jetën për lirinë e tij.
  2. Inxhinier Kol Dedaj, ka mundur të mbledhë me kujdes shumë të dhëna nga burime të ndryshme për ta sjellë librin sa më të plotë e të vërtetë të ishte e mundur. Falë vullnetit, këmbënguljes e durimit ky studiues ka shkruar, nëpërmjet hulumtimeve, edhe listën e të gjithë dëshmorëve të rrethit të Pukës të plotë 83 dëshmorë. Nëpërmjet një pasqyre që përmban të dhënat përsonale për secilin, si edhe nr. e datën e vendimit të shpalljes dëshmor, vendin e vitin e rënies. Kështu ka ndihmuar edhe studiues të tjerë të fushës së historisë për t`i përdorë këto të dhëna në studimet e tyre kushtuar Pukës. Libri ka 89 referenca ku është mbështetur hartimi. Referenca janë të dhëna që fillojnë që me luftën e qëndresën e 5 dhjetorit 1912 dhe deri këto vitet e fundit. Kryesisht ka shfrytëzuar akivat e vendit tonë, bibliotekat, gazeta e revista të ndryshme që e kanë pasur për temë historinë e Mark Dedëdhe e të bijve: Ndoc, Mëhill e Gjegj Mark Deda. Pothuaj është bërë një hulumtim shterrues. Një punë e tillë ka ndikuar shumë në hartimin e librit të plotë dhe për çdo lexues është i qartë, i pranueshëm dhe i besueshëm. Kjo luftë e qëndresë e Mark Dedës me djemtë e tij Ndoc, Mëhilli e Gjergj, për 5 vite është e veçantë, por edhe e rëndësishme në historinë tonë jo vetëm të Pukës por edhe në shkallë vendi. Është për t`u çuditur që kjo qëndresë e luftë pesëvjeçare, nuk është dëgjuar nga patrioti, poeti, shkrimtari dhe mendimtari më i madh i të gjitha kohrave për Shqipërinë, Patër Gjergj Fishta. Në librin madhor të tij “Lahuta e Malcis” Fishta ka vetëm një poemë-kanga e 25, ku përmend Pukën vetëm një herë. Fantazia e imagjinata e poetit krijon një këngë poemë më të gjatën në këtë libër. Ja dy fjalë: Dy zanat e Pukës, Suta e Pasula, mbasi çmenden 7 bajraktë në fushë të Iballës, hypin mbi breshka dhe fluturojnë për në Kotorre të reja (Mali i Zi). Atje „përleshën „me zanat malazeze dhe mbas disa orë luftimi të “përgjkashëm”, zanat e Pukës “ i mbytin zanat e Malit të Zi ”. Këto, zanat malazeze, i jepnin “fuqi”ushtrisë së Mark Milanit që luftonte kundra shqiptarëve (1880-1881) (Lufta e shqiptarëve për mbrotjen e Plavës e të Gucisë). Me që zanat malazeze “vdiqen”, fuqia e Mark Milanit bie prandaj humbën luftën me shqiptarët…!!! Jam i bindur se po të kishte një informacion fare të thjeshtë për këtë histori të trimave të Belshinës së Berishës, do të bënte poemën më të madhe epiko-heroik, ose dramë a tragjedi që do të përmendej edhe sot si më të mirat e letërsisë sonë.

Kulla 2-kate, e Mark Dedës u banua nga pasadhësit deri në vitet e fundit, e vazhdon të mirëmbahet prej tyre, dhe është në gjëndje të mirë. Në vitin 2018 producenti i mirënjohur Kombëtare Ndue Uk Cama (Mjeshtër i Madh) me stafin e tij, tek kjo kullë bëri xhirimet dhe realizuan filmin dokumentar „Ndoc Mark Deda-Tribun Liriee“. Kjo Kullë mendojmë që duhet të kërkohet në Ministrinë e Kulturës që të shpallet MONUMENT KULTURE.

Kuriozitet dhe jo vetëm… Në pemën fisnore të Berishajve ka një të dhënë që të tërheq në mënyrë të veçantë vemendjen. “… Vëllazëria e Pogut pati një rritje natyrale të ngadaltë…Nga luftat e vazhdueshme u vra edhe burri i fundit i vëllazërisë, duke lënë shtatëzënë të shoqen. Mbas tetë muajsh lindë një djalë, por e deklarojnë se ka lindur vajzë e ia kanë vënë emrin Marë. Gjakmarrësit nuk vrisnin dot një vajzë, sepse vajzë nuk lind trashëgimtarë në shtëpinë e të atit…për të marrë gjakun. Kështu u rrit e veshur si vajzë. Mbas disa vitesh, “vajza” shoqërohej me një vajzë tjetër, e mbas disa kohe, vajza tjetër mbetet shtatëzënë. U zbulua se “vajza e fisit të Pogut” ishte djalë. Pleqësia arriti t`i pajtojë e “vajza” u deklarua djalë dhe u muar në mbrojtje nga fisi. Kështu vazhdoi e vazhdon edhe sot të zhillohet ndër breza.

Ky material është bazuar në librin : ”Panteoni i Lirisë”, autor inxhinier Kol Dedaj, Recensent  Prof. Dr. Bajram Xhafa,  Redaktor Xhemal Meçi (Mjeshtër i Madh).

Tiranë, më 14 shkurt 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok