19/04/2024

RRAFSH KOSOVA, VETËM ALBIN KURTIN TA HEQIM QAFE!

0

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Tej një viti më parë, i shkrova kryeministrit Albin Kurti, me shokë, pse nuk ua kujton BE-së dhe SHBA-së, ngulmimin për shpalljen e Kosovës shtet multietnik, ndërkohë që, tani, kërkojnë Asociacion njëetnik!? Dhe, asociacione të tilla mund të kërkojnë edhe komuniteti boshnjak, turk dhe ai rom, me derivatet e tij. Edhe pse, realisht, multietniciteti i Kosovës, është imponim artificial, ngaqë komunitetet janë të vogla në numër dhe nuk plotësojnë, as për së afërmi, normën multietnike.

Skandaloze: 94 % banorë shqiptarë e minoritarë kanë 27 komuna, 4 % serbë 10 komuna!

Por, kjo bëhej, për ta kënaqur Serbinë, me privilegje enorme, për pakicën serbe në Kosovë dhe me prapavijën e qartë, për të ardhur ke asociacioni që kërkon sot, përkatësisht, ndarjen e Kosovës nesër! Ndërkombëtarët bënë marrëzira, madje, deri në krim, sepse me decentralizimin, krijuan fshat e komunë serbe! Shih raportin: 27 komuna shqiptare me komunitete tjera, me 94 % banorë dhe 10 komuna serbe, për 4 % banorë serbë!! Këtë fakt, shumë domëthënës, vetëm kohëve të fundit ka filluar ta potencojë përsëritshëm kryeministri Kurti. Dhe, mirë bënë, sepse Kushtetuta e Kosovës e përjashton një krijesë të tillë, me rrjedhoja fatale për shtetin e Kosovës.

Borrell, cinikisht, përgjigjet se “Kushtetuta nuk është Bibël të mos ndryshohet!” Realisht, Kushtetuta është Bibël e Kuran për një shtet, aq më parë kur dihet prapavija e këtij “biçim” asociacioni. Ndërkohë, kryeministri Kurti e ka thënë e përsëritur aktin hileqar në Mbledhjen e Dejtonit, për “zgjidhjen pajtuese”, të boshnjakëve dhe serbëve në Bosnje, pikërisht, me krijimin e asociacioneve serbe, brenda shtetit të Bosnjes dhe Hercegovinës!

Nga ai asociacion krimineli Dodik me dodikët e tij, shkal-shkallë, arritën ta krijojnë “Republika Srpska”, duke asfikësuar dhe bllokuar funksionimin normal të shtetit të Bosnjes. Populli boshnjak, sot, rron me frikën e agresionit të vuçistëve serbë dhe të wagneristëve rusë, të gatshëm për ta aneksuar gjysmën e territorit. Ndërkombëtarët, pacipërisht e kriminalisht, e njohën “Republika Srpska”, edhe pse ishin garantues të Marrëveshjes së Dejtonit dhe të shtetit unik të Bosnjes dhe Hercgovinës.

Ka një nguti të skajshme të BE-së dhe, sidomos, të Amerikës, për realizimin e asociacionit njëetnik serb. Brishtësia shtetërore në Bosnje, Mal të Zi, Kosovë; aktivizimi i grupit militar rus “Wagner”; bazat ushtarake rreth Kosovës, – janë dëshmi e bollshme e interesit rus, për të hapur fronte krizash në Ballkanin Perëndimor, përmes  veglës të saj, Serbisë. Ndërkombëtarët po veprojnë njësoj si me Demarkacionin, për ta larguar dominimin serborus në Mal të zi, ky i fundit u shpërblye me 8.200 hektarë tokë të Kosovës!

Besëprerët opozitarë shpallën, paraprakisht, pranimin e Asociacionit!

“Kur zotin e shtëpisë, e kafshon qeni i vet, dikush është duke e ushqyer”, – na mëson një urtësi popullore. Dhe, kjo lëndëzohet e dëshmohet bindshëm me sjelljen e opozitës komplete të Kosovës. Është shumë cinike, kur opozita e quan vetën “opozitë konstruktive!” Rrenë e kulluar.

Përkundrazi, opozita e sotme, me fajësinë kriminale të ratifikimit në Parlament të faljes të 24 hektarve tokë Manastirit të Deçanit; nënshkrimit dhe votimit në Parlament të Demarkacionit dhe të Asociacionit; të bërjes banditeske të Hashimit president, të njeriut të shantazhuar me dosjen e madhe vrastare të atdhetarëve, ushtarakëve luftëbërës dhe të veprimtarëve kombëtarë shqiptarë! Dhe, deri te lobimi i paguar, për ndarjen e Kosovës!!

Sot, kur duhet të jenë të bashkuar të gjithë, përfshi subjektet politike, pozitë-opozitë, Shoqëria civile dhe populli mbarë, për ta mbrojtur, të paktën, këtë hapësirë të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, horrakët opozitarë, PAN-istë, kokëtojnë me miq dhe armiq, “rrafsh Kosova, vetëm Albin Kurtin ta heqim qafe”, sepse po i kërcënon me Vetting; me sekuestrim pasurive të grabitura; me vjedhje zyrtare, tenderime e haraç privat. Një opozitë kaq destruktive, kurrë nuk e ka pasur Kosova.

Sjellja e poshtër dhe kriminale e opozitës të sotme, në veçanti, e PAN-it, me gadishmërinë për të bërë lëshime Serbisë, për ta ripërtrirë makro-kontrabandën me bandat serbe të Veriut, ka trimërua ndërkombëtarët dhe nuk e fshehin presionin, mujëshinë enorme të tyre, duke kaluar caqet diplomatike, me kërcënimin e hapur, se “kemi gjetur partnerë të bollshëm, për ta bërë asociacionin edhe pa Kurtin e partinë e tij!” Kjo gjuhë është ndjellakeqe, e trishtë dhe skandaloze!

Në variantin e parë të Kornizës franko-gjermane, nuk ka ekzistruar fare çështja e asociacionit dhe, aq më pak, të imponohet si normë e parë, për nismën e bisedimeve rreth kësaj Kornize, si bazë për marrëveshje. Tolerimi një mujor i barrikadave të bandave serbe në Veri, me dirigjim të presidentit serb Vuçiq, edhe pse KFOR-i dhe EULEX-i kishin garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, ishte një ogur, një sinjal i keq për Kosovën. Asaj nuk i lejohet mbrojtja e kufijve të vet!

Andaj, Kosova është në mëshirën dhe besimin e ndërkombëtarëve. Poshtërimin e skajshëm me barrikadat e bandave serbe e ruse, e përjetuan rëndë shqiptarët e Kosovës dhe të botës. Dhe, ky ishte zhgënjimi i madh dhe prerje në besë. Këtë truk e gatoi shefi i politikës të BE-së, Borrell, kur ua kujtoi kompetencat KFOR-it dhe EULEX-it, të jenë “në rolin e sihirxhinjëve”, pavarësisht të vringëllimit të armëve të bandave dhe plagosjen e policëve të Kosovës! Dhe, barrikadat u dyfishuan, duke bllokuar edhe rrugët lokale, dytësore!

Mbrojtja e shtetit nuk është kokëfortësi, është detyrë e përgjegjësi!

Kundërshtia e Kurtit, për themelimin e asociacionit, nuk ka të bëjë me asfarë kokëfortësie. Përkundër, është e përligjur e logjike, është detyrë dhe përgjgegjësi, pasi paraprijës kemi asociacionin në Bosnje, që sot është bërë “Republika Srpska!” Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe u bashkuan dhe themeluan një asociacion; më 9 janar 1992, shpallën pavarësinë; dhe, më 28 shkurt 1992 miratuan Kushtetutën!

Krimineli Dodik i Bosnjes, tashmë, i uroi bandat e Veriut, për realizimin e “Republika Srpska” në Kosovë, me perspektivën e qartë, që, së bashku me atë të Bosnjes, në një të ardhme të afërt, t`i bashkohen Serbisë mëmë, në emisionin e madh të “Botës Serbe, përtësisht, të “Serbisë së Madhe!”

Vërtet, është e vështirë përballja me Amerikën, sjellëse e lirisë dhe bërëse shtet e Kosovës. Por, ndihmon një letër e pesonaliteteve amerikane, drejtuar ish-presidentit Trump, ku qortonin Administratën e tij dhe bënin thirrje “nëse e çliruam Kosovën, mos i bini në qafë me kërcënime, për t`ia bërë Serbinë hisedare tani dhe, më vonë, aneksuese të Veriut të Kosovës nga ajo!”

Megjithatë, dhëndurët amerikanë të Serbisë, duke shfrytëzuar shantazhimin e Hashim Thaçit me dosjet e krimeve, të cilat i posedon Serbia, për vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, ishin duke e bërë fakt të kryer ndarjen e Kosovës. Fatmirësisht, ishte një sektor i pavarur nga Presidenca amerikane, që prangosi Thaçin, për ta shpëtuar ndarjen e Kosovës.

Mendoj se kryeministri Kurti nuk do ta pranojë asociacionin, me elementet që kërkon Serbia. LVV nuk ka ngarkesa kriminale si PAN-i, krerët e të cilit janë një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, partitë-banda të tij, duhet shpallur të jashtëligjshme, si përgjakëse të Kosovës. Përkundër, Kurti, me shokë, janë të pashantazhueshëm. Ata kanë dhënë prova se nuk bëjnë pazare me armikun, në këmbim të tokave shqiptare.

Edhe po të shkojnë në zgjedhje, të gjitha sondazhët, Vetëvendosjen e nxjerrin fituese bindëse. Sepse ish-dialoguesit, përgjatë një dekade, vetëm gjëmë i kanë sjellur Kosovës.

Është një normë ligjore ndërkombëtare e zhbërjes të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke sjellur faktet kush dhe pse realizoi marrëveshje, me elemente të bollshme tradhtie, me nënshkrimin ilegal dhe mashtrimin perfid. Dhe, këtë ia kam thënë Albinit. Por, nuk më rezulton trim. Ishte këshillë e artë, – shko Hashim në Hagë -. Por, u pendua dhe -kërkoj kthimin e Hashimit nga Haga -! Sikur Haga të ishte “Hani i Dilit”, në Prishtinë, për llapjanët dhe gollakasit!

Vetëm një shpresë na ngrohë. Vështirë të besohet se Amerika aprovon kufirin në Lumin Ibër, në mes të qytetit të Mitrovicës, kur mund ta lërë këtë kufi prapa maleve, atje ku juridikisht është tani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok