09/11/2024

Tirana, stacioni i dytë i Aurela Gaçes

0

Pas mungesës 5 vjeçare tanimë po mban premtimin e dhënë: gjithmonë e më shumë në Tiranë. Me hitet e vjetra por së shpejti dhe me albume të reja apo koncerte. Jeta në Amerikë përtej zhgënjimeve shqiptare

Mesa duket e kishte pasur shumë seriozisht Aurela Gaçe dhjetorin e kaluar kur, pas pesë vjetëve largimi dhe shkëputjeje nga Shqipëria, tha se tashmë do të rikthehej gjithmonë e më shpesh. Ka mjaftuar një ftesë për të kënduar në spektaklin e “Miss Universe Albania”, organizuar nga “Jeta Media Company” që ajo të gjendet sakaq në Tiranë. Po aq e zhurmshme dhe e qeshur, në shoqërinë e miqve të vjetër, me këngën “Jetoj”, me të cilën fitoi çmimin e parë në festivalin e vitit 2001, vetëm pak muaj përpara se të ikte drejt Amerikës, dukej sikur koha nuk kishte kaluar për as edhe një çast edhe ajo kishte qenë gjithë kohës këtu. Nëse nuk do të ishte për linjat më elegante të trupit nën petkat e zeza dhe flokun e zi, aq ndryshe nga imazhi prej biondeje me të cilin u largua, gjithçka do të ishte dukur si një kthim në kohë. Ajo është një ndër të vetmet që ia del mbanë që edhe pas një shkëputjeje 5-vjeçare të mos ngjallë thjesht nostalgji, por të shijohet sikur të kishte qenë ditë pas dite në atë skenë.

Nuk tingëllon aspak një zgjedhje e rastësishme kjo e këngës. Pikërisht i fundit çmim i parë, i ardhur atëherë kur duhej pas kaq e kaq zhgënjimesh me këngë hite, por që juria nuk u jepte çmimin e parë (ose ia jepte një ditë më pas, pa i lënë mundësinë e triumfit në skenë) bashkë me premtimin se ajo këngë do të përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Evropian. Gjë që nuk ndodhi. Anulimi nuk do të ishte diçka që mund ta linte indiferente Aurela Gaçen. Vetëm pak muaj më pas, në shkurtin e 2002-shit, ajo do të largohej duke e lënë këtu zhgënjimin që pësoi. Kishte arritur majat që mund të arrijë një këngëtar në Shqipëri. I kishte marrë këtij vendi gjithçka që mund t’i merrej, të mira dhe të këqija. Nuk kishte plane për ndonjë karrierë ndërkombëtare. Siç ishte dhe tejet e zhgënjyer nga bërrylat alla- shqiptarçe. Ikja drejt Amerikës erdhi pikërisht në momentin e duhur, ndonëse ajo nuk kishte menduar ndonjëherë si të përhershëm largimin. Ndryshe nga tani, kur është shumë e sigurt teksa thotë se e ka vendosur: nuk do të kthehet më për të jetuar në Tiranë. Tani që ka zbuluar Amerikën është e bindur se këtu do të jetë e pranishme vetëm me këngët dhe albumet e saj të reja. Jeta e saj do të vijojë andej.

Kur iku, nuk mendonte aspak kështu. Madje nuk e dinte se do të rrinte kaq gjatë pa ardhur në Tiranë. Sepse nuk e dinte se çfarë ishte Amerika dhe sa kohë duhet të presësh për të siguruar letrat që duhen për një lëvizje të lirë. “Këto letra munda t’i siguroj vetëm pak muaj më parë”, rrëfen ajo teksa udhëtimin e parë drejt Tiranës e rezervoi për mesin e dhjetorit, kohë kur ishte disi më e lirë e kur mund të rrinte pak më gjatë. Sigurisht një dhuratë për fundvit për familjarët e saj bashkë me pengun që nuk mund ta kalonte me ta natën e ndërrimit të viteve, kur i duhej të ishte sërish atje, sepse kishte nënshkruar një kontratë pune për tre netët e festës së madhe. Tashmë jeta e saj është e lidhur ngushtë me New Yorkun. “Në çastin që vendosa të ikja drejt Amerikës, nuk e mendoja se do të ndodhte kështu. Arsyeja kryesore që ika ishte ime motër, që kishte nisur studimet atje. Mendoja se pasi të sistemoja atë do të kthehesha. Por ndërsa prisja të më dilnin letrat, kuptova se ishte më mirë të qëndroja përfundimisht atje”. Nuk do t’i duhej shumë kohë për ta kuptuar këtë gjë, ndoshta sepse që në fillim Amerika i priu për mbarë. “Unë shkova me një vizë pune. Kisha firmosur një kontratë që veç rrogës më siguronte dhe apartamentin ku do të jetoja. Ç’ka do të thoshte se kisha një bazë të sigurt për t’ia nisur mbarë jetës së re”. Por a mjaftonte kaq për t’u ndjerë mirë? “Sigurisht që jo. Paratë që unë fitoja nga puna më duhej t’i shpenzoja për dokumentet dhe avokatët, për motrën që vazhdonte studimet. E të gjitha këto kushtonin jo pak. E në fillim nuk ishte e lehtë të siguroje aq sa të duheshin për të përballuar të tilla shpenzime, sepse unë gjendesha në një vend ku më njihnin fare pak, për të mos thënë aspak”. Aurela tregon se nëse nuk do të kishte pasur ndihmën e Eli Farës dhe të Valbona Çobës zor se do të shpëtonte prej atij hutimit që e kishte mbërthyer në ato ditët e parë të jetës amerikane. “Ishte një tjetër botë, që nuk e njihja aspak. Më duhej të nisja një jetë krejt të re ndërsa isha 27 vjeç dhe ndjeja se në Tiranë kisha krijuar një karakter që nuk i shkonte shumë përshtat Amerikës”. Por do ta mblidhte mendjen shumë shpejt për të besuar se do t’ia dilte mbanë edhe këtë herë.

Aurela e kishte provuar ca vite më parë se ç’do të thoshte të nisje një jetë të re. Kur do të vendoste të shkëputej nga fshati Llakatund, ku kishte lindur e ishte rritur, për të jetuar e për t’u bërë e famshme në Tiranë, nuk ishte më shumë se 19 vjeç. Nuk kishte pse të mos ia dilte mbanë tani që ishte 27 vjeç. “Këtë herë sigurisht që ishte edhe më e vështirë. Mes fshatit tim dhe Tiranës atëherë nuk kishte kaq shumë ndryshime sa ç’pashë mes Shqipërisë dhe Amerikës. Atëherë kur zbrita nga fshati në kryeqytet isha më moskokëçarëse dhe gjithsesi e dija se në ç’dyer duhej të trokisja për të provuar shansin. Ndërsa atje nuk dija nga të hidhja këmbët”. Gjithsesi edhe atje nuk do t’i duhej më shumë se një vit për t’u integruar ashtu si duhej në jetën amerikane. “Kuptova se duhej të hyja brenda komunitetit të shqiptarëve që nuk më njihnin fare. Arrita që pas fare pak kohësh ata të mos thoshin më ka ardh një gocë nga Tirana të këndojë, por të më thërrisnin në emër. E kjo do të thoshte punë më shumë e para më shumë”. Në Amerikë me kaq duhej të kënaqej. Ajo e dinte që në fillim se ku po shkonte, e dinte se atje nuk mund të bëhej fjalë për festivale e për koncerte të mëdha.

Nuk mund të ketë koncerte apo ture si të këngëtarëve amerikanë, por kjo nuk do të thotë që asaj i ka munguar apo ka për t’i munguar kënaqësia e një salle të mbushur plot me njerëz që këndojnë në kor këngët e saj. Mjafton një “search” minimal në internet për të parë që ajo është absolutisht më e kërkuara ndër këngëtarët shqiptarë që këndojnë në Diasporë. Mjafton vetëm lajmi se do të këndojë ajo, që biletat të stërshiten. Thuhet se është më e paguara ndër ta. Por kjo është vetëm aq sa thuhet. Ky është një argument për të cilin Aurela nuk jep detaje. Sigurisht që fiton aq sa për t’u ndjerë mirë dhe e pavarur. Dhe kjo të bën dhe disi më të ndërlikuar si tip kur vjen fjala për të zgjedhur në njeri për t’u martuar apo edhe për të jetuar nën të njëjtën strehë. “Unë kam mbërritur në një moshë kur e di vetë se çfarë duhet dhe çfarë s’duhet të bëj me jetën time e kur zor se mund të lejoj njeri që të më mësojë e të më imponojë mendimet e tij. Në gjithë këto vite më është dashur të lodhem shumë për të siguruar buxhetin tim e për të ndërtuar një jetë normale dhe gjithçka kam kaluar më ka bërë shumë më të fortë nga ç’kam qenë më parë. Ndaj jam e bindur kur them se një mashkull duhet të jetë shumë i fortë nëse pretendon se mund të mbajë një femër kaq të fortë në krah. Unë e di që shumëkush thotë për mua- ajo është e frikshme. Unë nuk jam e frikshme. Jam thjesht shumë e fortë”. Në fakt është thjesht fobi e saj. Sepse nuk duket as e fortë dhe aq më pak e frikshme. Eshtë thjesht një vajzë që i është dashur të bëjë gjithçka vetë në jetë. Me linjat elegante nën petkat e zeza dhe modelin e ri të flokëve alla -franceze është thjesht një ikonë e artit, e detyruar ta ndajë karrierën dhe jetën mes dy kontinenteve. Tashmë me më shumë ndalesa në Tiranë.

Jeta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok