28/04/2024

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË: GJERGJ MARTINI- SHKODRANI QË U FLIJUA PËR KOSOVËN (1917- u pushkatua më 24.XI. 1946)

0

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Mësuesi atdhetar, Gjergj Martini u lind më 29 gusht 1917 në Hot të Shkodrës. Baba kishte Martinin dhe nënën Pashkë. Qysh herët mbeti jetim, për të u kujdesën kushërinjtë e tij. U shkollua në Shkodër, në të cilën e kishte dërgua famullitari i fshatit. Gjergj Martini kishte kryer gjimnazin e ulët, për të vazhduar më vonë Normalen e Elbasanit dhe pas përfundimit të normales, ai punoi si mësues , së pari në Vlorë, pastaj në Shkodër e Kukës. Gjatë kohës sa punonte si mësues në Vlorë, njihej me një vajzë të bukur, e quajtur Zografe. Zografja gjithashtu ishte mësuese dhe punonin s’bashku në të njëjtën shkollë. Në Zografen, Gjergji do të gjej shpirtin e vet binjak dhe pas një kohe ata martohen. Zografja, për kohën, ishte një intelektuale, e cila lexonte shumë dhe fliste disa gjuhë të huaja. Ajo, në Tiranë kishte përfunduar gjimnazin, ndërsa në Shkodër kishte kryer me sukses të shkëlqyeshëm shkollën “Academia d’Italia”.

Pas kapitullimit të Jugosllavisë, më 1941, Kosova bashkohej me shtetin shqiptarë. Andaj Ministria e Arsimit e shtetit shqiptar kishte marr vendimin që në Kosovë të dërgonte mbi 300 mësues e arsimtar për të hap shkolla shqipe në tërë territorin e Kosovës. Sikurse edhe miqtë e tij, Gjergj Martini ishte ndër të parët që paraqitet vullnetarisht s bashku me të shoqen që të vijnë në Kosovë, për tu inkuadruar në sistemin arsimor. Ata ishin të betuar që të punonin për të mirën e saj, dhe deri në frymën e fundit të jetës të angazhohen për lirinë saj. Në fillim, s’bashku me gruan fillojnë të punojnë si mësues së pari në Mitrovicë, pastaj në Gjakovë, në Prizren, në Prishtinë e përsëri kthehej për të vazhduar në Gjakovë. Në fillimin e vitit 1945, i ndodhë një tragjedi e madhe, nga tifoja i vdes bashkëshortja- Zografja, shoqja e jetës, duke i lënë vajzën e tyre të vogël. Zografja kishte vetëm 25 vjet. Dhembja ishte tepër e madhe për Gjergjin e ri.

Pas një kohe martohej për herën e dytë, me një grua që quhej Lina Shkreli,  dhe Lina llogaritej se ishte njëra ndër mësueset e para në Kosovë. Lina Shkreli, Gjergjin e përshkruan si njeri të gjithanshëm. Në kujtimet e saja, ai duket kësisoj: “Gjergji jashtëzakonisht shumë e donte muzikën, teatrin, sportin, bile ai e kishte shkruar edhe një dramë që e quajti “Kosovarja” dhe e kishte vu në skenën e Teatrit të Gjakovës. Këndonte bukur”. Duke e parë punën e madhe që bënte Gjergj, ajo shton se, “atë e caktojnë drejtor të shkollës në Gjakovë. Drejtor e kishin emërua edhe në Prizren dhe përsëri edhe në Gjakovë”. Gjatë kohës së shkurtër martesore, Lina do të mbetet shtatzëne, mu në kohën kur do të arrestohej Gjergji. Ajo lindi një djalë , deri sa Gjergji ndodhej para gjykatësve në Prizren. Djalin e pagëzoi me emrin Anton, ngase kështu kishte dëshirua Gjergji. Edhe Antoni, kishte pasur fatin e njëjtë si të babait, vdiq në moshën 20 vjeçare.

Gjergj Martini duke e parë se Kosova përsëri u okupua, pa hamendje ai iu bashkua Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, në të cilën dha një kontribut të jashtëzakonshëm si në aspektin intelektual edhe në atë patriotik. Angazhimi i tij kryesor ishte në formimin e Komitetit Qendror të Rinisë të LNDSH. Angazhim  të madh zhvilloi në formonin e komiteteve të rretheve, qyteteve e fshatrave anë e kënd Kosovës. Qëllimi ishte, që nëpër mes tyre të bëhet sensibilizimi i popullatës për situatën e krijuar dhe për çdo rast të fillohej me përgatitjet për një kryengritje të armatosur kundër pushtetit jugosllav, dhe të punohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Po ashtu, të fillohej me grumbullimin e ndihmave për grupet e atdhetarëve që ishin në male.

Organizimin e Komitetit Qendror e kishin bërë në këtë mënyrë: Kryetar komiteti ishte caktua Hajdar Pllaneja. Ndërsa, për sektorin propagandistik ishte caktua Kolë Parubi; për sektorin e informimit ishte caktua që ta udhëheqë Gjergj Martini; sektorin e armatimit- Enver Sudi; dhe sektorin e shëndetësisë ishte caktua Marsel Vuçaj. Ata nën direktivat e prof. Ymer Berishës, mbanin takime të rregullta dhe merrnin vendime për punët që i pritnin. Aktiviteti i tyre nuk zgjati shumë. Veprimtaria e tyre shpejt u zbulua. Gjergj Martini u arrestua s bashku me at Bernard Llupin, Marie Shllakun, Kolë Parubin etj. Gjatë burgut në hetuesi, Gjergji u mor në pyetje pesë herë. Ai haptas iu tha hetuesve se ishte i pakënaqur me sistemin komunist andaj edhe ishte angazhua në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare. E pranoi se kishte bashkëpunua me Kolë Parubin, Hajdar Planejen etj. Kishte marr pjesë në grumbullimin e armatimit, ngase ishin përgatitur për tu mbrojtur nga hordhitë çetnike e partizane dhe me çdo kusht të bënin bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet.

Procesi më i madh gjyqësor, dhe që zgjoi interesimin e masave të gjëra shqiptare, pa dyshim ishte Procesi gjyqësor i At Bernard Llupit, Kolë Parubit, Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumë të tjerëve, që ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të prof. Ymer Berishës. Procesi i lartpërmendur filloi me 29 qershor 1946 dhe përfundoi me 11 korrik po të njëjtit vit, që dot thotë se zgjati gjithsej 13 ditë pa llogaritur ditët e hetuesisë e të tjera. Prokuror publik i këtij procesi, siç ishte bërë rregull si në çdo proces tjetër ishte Ali Shukriu. Procesi u mbajt në Prizren. Para trupit gjykues, që e përbënin kryetari i trupit gjykues- Dragutin Janjiq, gjyqtar porotë ishte Ismet Mulla dhe Selajdin Ahmeti. Procesmbajtës ishte Branisllav Kijari. Mbrojtës të të akuzuarve ishin Bozhidar Zuleviq dhe Hysamedin Ejupi, Jovo Poznanoviq dhe Urosh Golluboviq me të vetmin avokat edhe ai ishte një rus i mbetur pas lufte këtu, Vlladimir Znamenski nga Gjakova.

Me 29 qershor, Prizreni i bukur kishte ditë zie. Para trupit gjykues të okupuesit, në bankën e zezë u ulën 27 të akuzuar shqiptarë. Ata akuzoheshin ve vetëm pse kishin dashur vendin e tyre, lirinë dhe një Shqipëri Etnike.

Dënimin me vdekje e kreu seksioni i Punëve të Brendshme, pran Këshillit Popullor, përmes organeve të policisë më 24 nëntor 1946, në Prizrenin e heronjve. Në ekzekutim ishin prezent: 1. Udhëheqësi i Seksionit të Punëve të Brendshme pranë Këshillit Popullor të vendit në Prizren Njazi Maloku; 2.Udhëheqësi i S,P.B. pranë Këshillit Popullor të Krahinës Autonome të Kosovës, delegat i emëruar nga M.P.B. të R.P. të Serbisë- Gligorije Sharanoviq; 3. Ndihmësi i Prokurorit publik për Kosovë- Sadri Doqi; 4. Mjeku i rrethit- Luciano Matroni. Pushkatimi është kryer saktësisht në ora 6 e 30 minuta në mëngjes, pa prani të publikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok