Terrori komunist mbi Shkodrën dhe malësinë

Nga Kastriot Dervishi
Nisur nga humbjet që pësuar në aventurën e tyre terroriste, komunistët organizuan dy operacione kundër popullsisë. Operacionet u zhvilluan sipas këtyre datave:
1-Më 14 – 31 janar 1945
2-Më 1 – 16 shkurt 1945
Operacioni i parë përfundoi me humbjen e komunistëve dhe zmbrapsjen e tyre. Operacioni i dytë është quajtur “spastrimi”. Operacioni mbi veriun e vendit kishte karakter thellësisht antikombëtar, i frymëzuar edhe me këngët e llojit: Luaje, luaje goce këmbënë; t’ia q…gegës mëmënë”.
Më 26.1.1945 mbërriti në Shkodër, Mehmet Shehu. Ai urdhëroi menjëherë që terrori të niste nga qyteti. Duke njohur rëndësinë dhe natyrën e papërkulur të Shkodrës, Shehu “bllokoi” qytetin nga 29 janari deri më 2 shkurt 1945, duke arrestuar 168 persona, duke krijuar një gjendje të paparë ndonjëherë. Mehmet Shehu i shkruante Enver Hoxhës se Ferit Radovicka me tre batalione do marshonte nga Jugosllavia e do dilte në Vermosh për të goditur “armikun” pas shpine nga veriu. Ndreko Rino me dy batalione do sulmonte në drejtimin Bogë-Okël për të dhënë goditjen nga lindja. Ndërsa Abaz Fejzo me katër batalione do sulmonte nga Broja. Operacioni do zhvillohej në trekëndëshin Bunë-Drin-Shëngjin.
Qëndresa e popullit të Malësisë mori fund ditën e arrestimit të Prek Calit më 16.2.1945. Ky i fundit ishte në fortesën e fundit në shpellën e Vuklit së bashku me disa burra të tjerë. Qëndroi në kushte të vështira për 7 ditë. Partizanët nuk e mundën dot Prek Calin pavarësisht se kishin forca të shumta ushtarake. Cali pranoi të dalë nga shpella në “besë” të Abaz Fejzos.
Bashkëlidhur, harta e veprimit ushtarak të partizanëve në fazën e dytë. Vini re hyrjen e trupave nga territori jugosllav në krahun e majtë të hartës.