12/12/2024

TË RINJTË DHE RREZIQET E “LIMFËS SË DHUNËS” NË SHOQËRI…

0
u1_Fran-Gjoka

Pse të rinjtë janë “infektuar” nga përdorimi i dhunës?

Nga Gëzim TUSHI, Mjeshër i Madh

Fran GJOKA, Publicist

Dhuna, në shoqërinë e sotme, është bërë një nga patologjitë e rrezikshme. Gjithnjë e më shumë shfaqet si fenomen në zgjerim. Realisht ka studime sociale dhe konkluzione sociologjike të kryera nga institucionet shtetërore dhe organizatat jo qeveritare të shoqërisë civile, që japin informacion dhe fakte që dëshmojnë se tani janë të evidentuara qartë të gjitha format kryesore të dhunës, si dhuna ndaj grave, fëmijëve shpesh edhe dhuna politike ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Në se do ta vlerësojmë nga shtrirja dhe intensiteti, besoj se duhet të shqetësohemi që jetojmë në një shoqëri me tregues të lartë dhe të patolerueshëm të dhunës.

Ontologjia dhe fenomenologjia e dhunës po bëhet gjithnjë e më shumë e ndërlikuar. Shkaqet janë të thella: historike, kulturore, antropologjike. Me natyrë konceptuale, kur problemin e observojmë në dimension global, por dhe kontekstuale, kur atë e shikojmë në sfondin e zhvillimeve në realitetin social të shoqërisë shqiptare, e cila gjithashtu është e përfshirë nga përmasa alarmante të dhunës. Që shfaqet në të gjitha format e saj, duke prekur shtresa të gjëra dhe individë të shumtë. E përhapur në zonat urbane dhe rurale, në ambiente të jetës private, sikurse është familja, por dhe në habitatet e jetës publike, në rrugë, në shkollë e kudo. Në se fenomenit do t’i bëjmë një “prerje moshore”, mund të themi se fenomeni i dhunës është bërë “kancer social”, që ka prekur të gjitha shtresat e moshat, që konfliktohen dhe krijojnë probleme, të cilat pastaj i “zgjidhin” vetëm me një mjet, sikurse është dhuna, që po sjell një degradim social të paimagjinueshëm se deri ku mund të shkojë. Megjithatë, për të qenë kompatibël me realitetin tonë dhe të vërtetat e saj, dhuna është një dukuri, e cila në mënyrë të vecantë ka prekur të rinjtë. Limfa e dhunës është “modus viventi” dhe “modus operandi” për shumë të rinj, të cilët e konsiderojnë atë instrument të domosdoshëm të efikasitetit social, të luftës për të përballuar sfidat, garën, konkurencën, rivalitetin, dominancën dhe për garantimin e suksesit. Fakti që përmasat e dhunës janë të lidhura dhe aplikohen më shumë nga të rinjtë ka arsyet e veta moshore, fizike, psikologjike të lidhura me nivelin e pjekurisë së adoleshentëve dhe të rinjve. Është mosha e shpërfaqjes së treguesve fizikë mbi ato shpirtërorë dhe intelektuialë. Kjo është arsyeja pse tek të rinjtë dhuna është bërë pjesë integrale e personalitetit të tyre, nga që ata e kanë vështirë të rregullojnë e të kontrollojnë raportet midis anës fizike e seksuale tejet të zhvilluar dhe një prapambetjeje relative në nivelin e zhvillimit të balancuar mendor, emociaonal e shpirtëror. Studime të sociologëve dhe psikologëve kanë evidentuar shumë shkaqe dhe boll faktorë që e lidhin dhunën në shoqëri, më së shumti të lidhur me shtresën sociale dhe grupin madhor të të rinjve. Intelektuali i shquar amerikan, Feerid Zaharia, thotë, mbase në mënyrë pak metaforike, por dhe shumë pranë të vërtetës së realitetit, se po qe se i mbyllim të rinjtë diku larg nga shoqëria, me siguri që niveli i krimit në atë shoqëri do të ulet me 90%. Në shoqërinë shqiptare fenomenet e konflikteve dhe dhunës midis të rinjve apo midis tyre dhe më të moshuarve, sikurse janë prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë, janë bërë dukuri emergjente, të shpeshta, të vrazhdta dhe shumëformëshe. Nga dhuna verbale e psikologjike, tek bulizmi dhe ajo fizike e seksuale. Nivelet dhunës në familje, shkollë e ambiente publike, të ushtruara e të realizuara nga të rinjtë, tregojnë se po kalojmë paradoksalisht një situatë sociale të “demokratizimit të dhunës”. Për fat të keq, në shumë marrëdhënie e relacione midis të rinjve, vendin e kulturës, komunikimit qytetar, tolerancës, humanizmit, mirëkuptimit, empatisë po e zë kundërkultura e dhunës. Ne jemi përballur në shoqërinë tonë jo vetëm me përmasa alarmante të dhunës midis të rinjve, por dhe me nivele të larta egërsie, të shoqëruara me dhunime, gjymtime e vrasje makabre, të cilat të bëjnë ndonjëherë të mendosh, të pyesësh veten: -Ku po shkojmë kështu? Sinqerisht, në shumë aspekte të dhunës dhe raste të shfaqjes së formave makabre të tipologjisë së saj, duket se po vjen një lloj njeriu, i cili edhe pse mijra vite më parë iku nga “bota e kafshëve”, por që tani po merr formën e një lloj “bishe njerëzore”. Sepse ka një tendencë të thellë midis të rinjve, të cilët po zbehin kulturën e dialogut për të zgjidhur problemet, kontradiktat e mosmarrëveshjet dhe po zgjerojnë përdorimin e mjeteve të kundërkulturës së dhunës. Është vërtetë tronditëse kjo përmbysje e madhe e shoqëruar me shfaqje ekstreme të agresivitetit rinor. Padyshim që ka arsyet e veta metamorfoza e dhunës në shoqërinë tonë, ky kalim kaq i shpejtë nga “konvencioni edukativ” i edukatës totalitare e autoritariste të djeshme, në nivelet e arbitraritetit, dhunës dhe agresivitetit të sotëm rinor. Sigurisht, një nga faktorët që ka ndikuar në këtë situate, është ndryshimi i rrethanave politike dhe kushteve sociale në shoqërinë tonë. Problemi është se a mund, a kemi potencialet e duhura kulturore, sociale, edukative e ndikuese që të ndreqen rrethanat që prodhojnë këto nivele të dhunës rinore? Aq më shumë kur analiza e shkaqeve të dhunës rinore në shoqërinë tonë, në shkollë dhe familje janë ose me arsye banale apo më saktë shkaqe që i bëjnë të rinjtë shpesh të jenë të paepur pikërisht për “kauza moshore” të gabuara? Të gjithë ne prindër, mësues, edukatorë, por dhe përfaqësues të shoqërisë civile e intelektualë, më të drejtë bëjmë pyetjen se pse në shoqërinë shqiptare e veçanërisht midis të rinjve ka kaq shumë objekte sherri dhe subjekte rinore që grinden midis tyre? Pse ky nivel dhune në shoqërinë shqiptare?

Në kuptimin sociologjik duhet bërë interpretim shumë i kujdesshëm i realiteteve të dhunës në shoqërinë tonë. Sidomos të asaj pjese të dhunës që është e lidhur me të rinjtë dhe që shfaqet brutalisht në ambientet e tyre të jetës sociale dhe personale. Padyshim të rinjtë nuk janë qënie mekanike që veprojnë edukativisht njësoj. Kjo sepse shoqëria postmoderne shqiptare nuk është më unike, drejtivore, e unifikuar në veprimet njerëzore dhe vecanërisht të të rinjve. Natyra individualiste e jetës dhe mungesa e kushteve për paradigma të ngurta të përbashkëta të sjelljes sociale, kërkon të pranojmë nevojën e ekzistencës së shumë diversiteteve të sjelljes së të rinjve dhe bashkë me të edhe nevojën e respektimit reciprok e qytetar në marrëdhëniet midis tyre. Ky është kusht për të shmangur intolerancat, dhunën dhe agresivitetin social të të rinjve tanë. Duhet pranuar që si popull kemi difektet tona, që shfaqen dukshëm në shfaqjet e intolerancës dhe mungesë së hapësirave dialoguese dhe kushteve për mirëkuptim interpersonal. Në këtë kuptim, shpeshherë dhuna është pasojë e mungesës së kulturës qytetare dhe respektimit të “palës tjetër”. Kjo ka bërë që në shoqërinë tonë të bëhet pengesë e fortë për zhvillimin e qytetërimit ekzistenca në përmasa jo normale të “kulturës së dhunës” në vend të zhvillimit të tolerancës dhe kulturës së dialogut. Ne kemi të trashëguar shumë vlera, por dhe shumë mangësi në qytetërimin tonë, që kanë ardhur deri në ditët tonë. Kjo është një nga arsyet pse tek sjelljet e të rinjve tanë ka shenja të forta dhune që burojnë nga ndjenjat e forta të egoizmit, kokfortësisë, intolerancës së konvertuar në shfaqjen e përmasave shqetësuese të dhunës qytetare. Duhet t’i njohim dhe pranojmë difektet e qytetërimit dhe sjelljes jo qytetare, që infektojnë sjelljen e të rinjve, të cilët e kanë vështirë që në vend të dhunës të përdorim dialogun. Kjo sepse akoma në familje, shkollë, komunitet e shoqëri nuk kemi kultivuar aftësinë e duhur të sjelljes qytetare dhe akoma më të vështirë e kemi që në këtë proces, sa herë që ndodhin konfilkte të konvertuara në dhunë, shumë shpesh të rinjtë tanë e “kqyrin veten nga perspektiva e tjetrit”. Në këto kushte është detyrë madhore e familjes, shkollës, medias, fesë, shoqërisë civile, ligjit, shtetit dhe gjithë aktorëve të tjerë social që të angazhohen seriozisht në betejën për të korrigjuar “kulturën e dhunës” dhe ndryshuar “karakterin destruktiv” të sjelljes qytetare tek të rinjtë. Pa diskutim që qytetërimi ynë të bëhet i mirë, duhet zgjeruar dhe thelluar lufta kundër dhunës, sidomos të asaj rinore, aty ku ajo është më e shpeshtë, e përhapur dhe intensive. Filozofi italian, Gianni Vattimo, thotë se është “Qytetërimi si pakësim i dhunës”. Kjo do të thotë që na duhet ndërtimi i një strategjie në të gjithë institucionet e edukimit dhe sigurisë morale në mënyrë që dhuna jo vetëm të mos rritet, por përkundrazi duhet të bëjmë gjithçka që ajo të frenohet. Kjo do të thotë që të ndërtojmë strategji e të përdorim ato metoda e mjete që duhen në mënyrë që kulturës së dhunës t’i kundërvemë kulturën e antidhunës. Logjikisht kjo kërkon që të shqetësohemi seriozisht për nivelin e lartë aktual të intolerancës rinore. Me ata duhet të merremi në mënyrë që të kultivojmë kulturën e dialogut, humanizmit dhe të zgjerojmë kufijtë e tolerancës komunikative. Koha kërkon një shikim më të thelluar, për të ndikuar mbi të rinjtë, në mënyrë që ata të bëhen “ferment social” me ndikim të gjerë që shoqëria jonë të bëhet shoqëri e “dialogut social”, tolerancës, mirëkuptimit dhe jo “shoqëri e dhunës”, egërsisë, neurotizmit, konfliktit absurd, të cilat janë deformim dhe përçudnim i qytetërimit modern. Në këto rrethana, ajo që na duhet është të mësojmë të rinjtë tanë, që problemet dhe konfliktet në një shoqëri nuk zgjidhen me dhunë, por me fjalë, me dialog të arsyeshëm. Sepse treguesi i parë i një qytetërimi të vertetë është realizimi i standardit të sundimit të të folurit, gjuhës, komunikimit, arsyes, mbi zgjidhjet e dhunshme. Korrigjimi i pasionit të dhunës rinore është një nga detyrat madhore të shoqërisë, për të rregulluar “shëndetin e shoqërisë” dhe përmirësuar standardet e qytetërimit shqiptar… Sociologët modernë, analizues të hollë të shkaqeve, efekteve dhe formave të shfaqjes së dhunës janë të mendimit se “Specialiteti i dhunës është që të ushqejë urrejtje dhe të ngjallë frikë mes njerëzve. Unë besoj te jo dhuna dhe them se mbi botë nuk ka për të pasur paqe dhe qetësi përderisa njerëzit të mos mësojnë të ushtrojnë antidhunën, ngase ndjenja kundër dhunës është e lidhur me dashurinë dhe u jep zemër njerëzve”. (Ramin Jahanbegloo, “Përplasja e intolerancave”, fq. 23-24)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok