27/12/2024

TË PIKTUROSH ME FJALËN

0
Avdulla-Kenaci-Liridona

(Vështrim mbi librin me tregime dhe novela “Liridona” të shkrimtarit Avdulla Kënaçi)

NGA KUJTIM MATELI

Autori Avdulla Kënaçi, pas dy vëllimeve me tregime “Enigma e një nate” dhe “Autokritika”, që e kuotuan atë në një pozicion të dukshëm në letërsinë shqipe, doli para pak kohësh përpara opinionit letrar me vëllimin e tretë me tregime e novela të titulluar me emrin domethënës “Liridona”. Është një nga autorët më të suksesshëm të këtyre viteve të fundit, i cili ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, por edhe të kritikës letrare. Prej më shumë se një dekade jeton e punon në Toronto të Kanadasë ku duket se ka gjetur një mjedis të përshatshëm për të zhvilluar talentin e tij duke i dhuruar lexuesit vepra dinjitoze, shkruar me një gjuhë të gjallë e plot kolor. Gjithnjë ka rrokur e rrok tema me interes kombëtar.Krijimtaria e tij intensive, si prej një filli të kuq, përshkohet tej e tej nga krenaria e të qenit shqiptar. Ai me guxim lëvron si temat e së shkuarës, ashtu edhe ato aktuale, brenda dhe jashtë Atdheut. Nëse do të nisësh të lexosh një krijim të tij, është e pamundur ta lësh përgjysmë, sepse ai di sesi të shtrojë konfliktin e ngjarjes duke të bërë kureshatr ta çosh leximin deri në fund. Kjo vërteton se ai prej kohësh e njeh “sekretin”, apo teknikën e të shkruarit dhe di çfarë t’i servirë lexuesit dhe si ta futë në kurth, apo ta intrigojë. Le të analizojmë shkurtimisht disa nga temat e këtij vëllimi:

Tek tregimi “At dhe bir” tregohet se si u krijuan disa fshatra të rinj në jug të Shqipërisë në vitet e socializmit. Lebër të zbritur nga malësia e Kurveleshit në buzë të lumit Drino dhe vllehët e ardhur nga malet e Gramozit, krijojnë një vendbanim të ri, fshatin me emrin Qelefun. Harmonia midis lebërve dhe vllehëve tregohet nëpërmjet miqësisë së krijuar midis disa familjeve labe e vllahe. Ishte një fshat i ri, i sapo krijuar, por që banorët i besonin njëri-tjetrit sikur të kishin qenë aty së bashku në shekuj. Ata i besojnë njëri-tjetrit edhe detaje që mund të përbënin vepër penale sipas ligjeve të shtetit të diktaturës. Shqiptarët i besojnë njëri-tjetrit, jo vetëm brenda njësisë së tyre të banimit, por edhe kur ndodhen jashtë trojeve shqiptare. Te tregimi “Ngjarje në sheshin Duomo” përshkruhet hollësisht solidariteti midis emigrantëve shqiptarë, shpaloset jeta që ata bëjnë në vendet ku kanë shkuar dhe sakrificat e tyre për t`u bërë pjesë e shoqërisë ku kanë emigruar.Tregimi “Një gur i shenjtë” rrëfen për një familje shqiptare, atë të Dalin Mirakajt dhe të bashkëshortes së tij, Selimesë apo Selmës siç e thërrasin në Kanada. Me vete kishin marrë dhe një copëz gur nga Kisha e Laçit, nënkuptohet një copë atdheu. Për vendin e shenjtë kishin një adhurim të veçantë, ashtu si shumë bashkëkombas të tyre. Duke qenë larg, nuk kishin mundësi ta vizitonin, por ajo copë guri ishte vetë kisha e Shën Ndout brenda vendbanimit të ri të tye. Ai gur i vogël në formën e një zogu që e kishin marrë në kishën e Laçit, ishte jo vetm fatsjellës, por edhe një orakull: u kishte parashikuar fluturimin nga Shqipëria në Kanada. Ndaj ai ruhej si një nga gjërat më me vlerë që ata kishin. Një ditë Dalini po e kërkonte në shtëpinë e tij sendin me vlerë që u kishte mundësuar çdo gjë të mirë që ata kishin dëshiruar, po atë e kishte marrë vajza e tyre Sibora që studionte në një tjetër qytet të Kanadasë, edhe me ngulmimin e Selmës që t`i jepte fat të mirë vajzës së tyre. Tregimi përcjell idenë se fati i mirë gjendet te vetë njeriu. Në kishën e Shën Ndout në Laç, njerëzit mblidheshin me dëshirën e mirë që familja t`u kishte mbarësi dhe për këtë luteshin, por edhe luftonin fort sipas parimeve që vetë shoqëria i kishte krijuar dhe, që aty në Laç, u jepnin edhe një fuqi hyjnore. Dhe në të shumtët e rasteve ashtu ndodhte: familjet kishin atë që dëshironin.Ndryshe ndodhte në Kanada. Sibora u martua me një afro-amerikan, që e ndërtuan familjen mbi parime të ndryshme dhe ajo nuk funksionoi. Nuk funksionoi as guri çudibërës që familjes së Dalin Mirakajt i kishte sjellë vetëm mbarësi. Tregimi përcjell mesazhin se fati gjendet brenda vetë njeriut, brenda vetë familjes. Realizohet ajo që dëshiron, ajo për të cilën lufton. Fuqia hyjnore është energji pozitive që i vjen njeriut nga jashtë, si nxitje në atë që këmbëngul dhe për të cilën lufton. Fuqia hyjnore i përcjell njeriut mesazhin se nuk është vetëm në këtë botë ku jeton, se përtej rrethit të familjes, miqve të tij dhe shoqërisë, gjërat që kanë bekimin hyjnor, e kanë mundësinë të realizohen, vetëm kur njeriu ecën në udhën e drejtë.

Tregimi “Liridona” nga ku është zgjedhur edhe titulli i vëllimit, tregon për një familje shqiptare kosovare që ishte ndërtuar mbi një njohje të sipërfaqshme, ku çifti ishte lidhur më shumë nga një shtysë e jashtme, pa e njohur mirë njëri-tjetrin. Liridona, e cila kishte emigruar në Kanada qysh kur ishte e vogël, në ato kthimet e saj në vendlindje, në Kosovë, njihet me një nëpunës të shtetit të Kosovës, Shabiun. Pa një njohje të plotë, ajo arrin të martohet me të. Shabiu na jepet në tregim si një bashkëshort që nuk i kontribuon ecurisë së familjes, por kërkon ta nënshtrojë Liridonën me anë të forcës dhe intrigave.  Midis çiftit shfaqet një konflikt që nuk mund të rregullohej mbi bazën e një bashkëpunimi të ngushtë në familje. Liridona përfaqëson femrën që nuk u nënshtrohet presioneve dhe dhunës për hir të ruajtjes së familjes. Ajo mbi gjithçka ka lirinë në të gjithë dimensionin e kuptimit të saj. Një njeri që nuk është i lirë, nuk është i denjë as për familjen, as për shoqërinë. Dimensioni i lirisë është i shenjtë, si në rrafshin nacional, shoqëror dhe familjar. Njeriu i lirë në perëndim, që jeton në lirinë e vet në përputhje me lirinë që gëzon e gjithë shoqëria, është një forcë aktive që i shërben familjes dhe shoqërisë, kombit të vet, por edhe në rrafshin global. Lufta për lirinë është një luftë e shenjtë që çon përpara individin, familjen dhe shoqërinë. Në këtë kuptim, Liridona e kapërcen luftën e saj brenda familjes, merr përmasa më të gjera duke u bërë përfaqësuese e atyre grave që luftojnë për ta çuar përpara shoqërinë njerëzore.

Me temë nga Kosova është edhe tregimi “E përdhunuara”. Autori ka ditur të na mbajë të ndezur kureshtjen nga fillimi në fund duke gjurmuar jetën e një nuseje të re e cila ishte dëbuar me dhunë nga vatra dhe fshati i saj prej forcave militare serbe gjatë luftës së vitit 1998. Jo vetëm kaq, por ajo ishte përdhunuar në grup prej pushtuesve ushtarakë duke pësuar në vetëdije një goditje të pariparueshme psikologjike. Nëpërmjet këtij tregimi tronditës, duke mësuar ngjarjen, ne urrejmë shkaktarët e kësaj tragjedie dhe i denoncojmë publikisht masakrat e tyre monstruoze duke ia bërë të njohura gjithë opinionit botëror. Ky është ndër tregimet më të dhimbshëm e tronditës.

Tregimi “Fshat i përgjumur” shpalos mikpritjen dhe natyrën e bukur të fshatrave shqiptare.Operatori dhe gazetarja e një televizioni nisen në një nga fshatrat malorë të Shqipërisë së jugut për të bërë një dokumentar. Në një lartësi që shkon mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, fiksojnë pamje të mrekullueshme me ngjyra që digjnin si zjarre të vegjël në pllajën malore. Fshati Gurrëz, ku ata do të shkonin për të bërë një dokumentar, kishte rreth njëqind shtëpi. Ishin shtëpi dykatëshe, të gjitha të mbuluara me dërrasë guri. Nga larg të jepte përshtypjen se do të ishte një fshat i banuar dhe se braktisja nuk e kishte prekur rëndë këtë fshat, por kur arritën, panë se vetëm katër çifte pleqsh ishin banorët e atij fshati.Nëpërmjet shtjellimit të subjektit shpalosen karakteret e banorëve: të dashur e mikpritës, ku secili mundohej t`i kënaqte mysafirët sa më mirë. Nëpërmjet bisedave mësohet se fshati me 100 familje, kishte patur një shkollë me 200 nxënës, kurse tani ajo ishte e braktisur nga fëmijët, por e mirëmbajtur me shpresën se do të mbushej një ditë përsëri. Nga bisedat midis katër çifteve që kishin mbetur dhe grupit prej dy vetash që do të realizonin dokumentarin, kërkohej që jeta të përtërihej përsëri nëpërmjet turizmit, për vlerat natyrore dhe historike që kishte fshati, me histori, traditë dhe kulturë të dokumentuar nëpërmjet disa qindra tregimesh dhe gojëdhënash që banorët ruanin për fshatin e tyre. Ky mesazh: për të mos e braktisur vendlindjen, për ta vizituar atë dhe për t`u rikthyer sërish, është amanet i brezave që e ruajtën fshatin e tyre edhe në kohë shumë të vështira pushtimi e varfërie. Vatrës kurrë nuk duhet t`i shuhet zjarri. Ky mesazh përcillet si jehonë që del nga ato gryka malesh që kërkojnë njeriun e tyre t`i shkelë ato vende e ta gjallërojnë përsëri, si në ato kohë kur fshati gumzhinte si zgjua bletësh.

Tregimi “Xha Kasëmi” na kthen dy shekuj mbrapa, jep traditat dhe zakonat në një fshat malor të Labërisë në shekullin e XIX. Tregohen shkaqet pse familjet shqiptare të besimit të krishterë para pushtimit osman u kthyen në myslimane. Gratë në shtëpi ruanin emrat e vjetër të besimit të krishterë, kurse burrat kishin emra myslimanë që t`u shpëtonin takasave të rënda që perandoria osmane u vinte familjeve të besimit të krishterë. Familja quhej e krishterë apo myslimane sipas emrit që mbante kryefamiljari. Tregimi na jep edhe një anë tjetër të familjes shqiptare, që në kushtet e mungesës së shtetit apo mospranimit të shtetit, siç ishte rasti i shtetit të perandorisë osmane, rregullimi i shoqërisë bëhej nëpërmjet kanunit. Tregohet se një marrëdhënie seksuale e bërë para martesës, konsiderohej e paligjshme dhe mashkulli dënohej me vdekje duke e konsideruar përdhunim. Vendimi merrej nga Pleqësia e fshatit që kryesohej nga kryeplaku. Që mashkulli të shpëtonte nga dënimi me vdekje, duhej që edhe femra ta pranonte marrëdhënien seksuale si dëshirë të saj. Megjithëse femra nuk dënohej me vdekje, paragjykimi që binte mbi të ishte e barabartë me vdekjen. Kjo ështe arsyeja pse Vullneti, djali i akuzuar për përdhunim, e mori fajin mbi vete, duke e çliruar Sofinë, vajzën që ai donte, nga akuza dhe paragjykimet që do të rëndonin mbi të. Vullneti pranoi të vetëflijohej për të shpëtuar nga paragjykimet dhe dëbimin e familjes së saj nga fshati.
Kryeplaku Kasëm shfaqet si karakter i spikatur në përpjekjet e tij për të zbardhur të vërtetën, njeri i mençur dhe i drejtë. Vendimi për dënimin me vdekje do të ishte përgjegjësi ligjore e tij dhe e Pleqësisë, të cilët kishin vlerën e një gjykate dhe vendimi i tyre vlerën e një vendimi gjyqësor. Një Pleqësi apo një gjykatë duhet t`i shkojë së vërtetës deri në fund, edhe kur zbardhja e së vërtetës duket e pamundur. Në të njejtën kohë, Kasëmi jepet edhe si njeri me vizion që në radhë të parë shikon se sa do t`i shërbente krahinës dhe atdheut. Kurveleshi do të fillonte së shpejti kryengritjen kundër reformave të Tanzimatit dhe djemtë do të ishin ata që do të mbushnin formacionet luftarake, ndaj Vullneti duhej shpëtuar, kurse Sofia do të lindte djem dhe vajza që do të plotësonin të rënët në beteja.

Novela “Si ta ketë shkruar Zoti” trajton krahinën e Labërisë në atë periudhë historike, kur Kanuni i Labërisë ishte Kushtetuta e asaj krahine me ndikim të fuqishëm në jetën e shoqërisë. Në zbatim të saj ishte pleqësia e fshatrave. Shkurtimisht subjekti i kësaj novele është ky: Agush Hilgjinit, fisi i Muçomatajve i një fshati tjetër, i kishte vrarë djalin. Sipas ligjeve kanunore familjes së Agushit i lindte e drejta për të marrë hak, duke vrarë vrasësin e djalit të tij.  Mirëpo Agushi e vonoi hakmarrjen dhe kjo përbënte shkelje të kanunit, sepse vrasësi duhej ndëshkuar dhe këtë të drejtë e kishte vetëm familja e Agushit. Kur e pyesnin se përse po vonohej dhe a do ta merrte hakun, ai u përgjigjej: ‘si ta ketë shkruar Zoti’ apo ‘do t`ua var sharkun te dera Muçmatajve’ që nuk kuptohej, nëse do të hakmerrej apo jo. Agushi kishte thurur një plan për hakmarrjen, që më në fund u realizua dhe që konsulli austriak, nga intervista që kishte patur me Agushin, e kishte cilësuar si plakun më të mençur të krahinës.”
Brenda kësaj ngjarjeje, Agushi është personazhi më i spikatur i novelës, njeri i mençur dhe i urtë, zbatues i ligjeve të kanunit. Brenda novelës ngjarjet rrjedhin natyrshëm dhe do të shohim se djali i tij, përfaqësonte një frymë të re që po lindte në krahinën e Labërisë, për moszbatimin e kanunit. Një tjetër personazh i kësaj novele që tërheq vëmendjen e lexuesit, është Ferriku, njeri intrigant, që nxiste bashkëfshatarët e tij për ta dëbuar Agushin nga fshati, sepse nuk po zbatonte kanunin, por që kishte si qëllim të rrëbente pronat e tij. Novela ka brenda saj një galeri personazhesh, të cilët me veprimet e tyre pasqyrojnë shoqërinë labe në organizimin e saj kanunor që i jepte mundësinë të ekzistonte në kushtet e mungesës së shtetit.

Ashtu si në dy vëllimet e mëparshme, edhe tek ky i treti, nuk mungojnë temat nga emigracioni i shqiptarëve, madje vëllimi çelet pikërisht me dramën e një inxhinieri që ka mërguar në Kanada së bashku me bashkëshorten për një jetë më të mirë e të sigurt, me fillimin e pandemisë, pas tërmetit në Durrës, është tregimi “Gruaja përballë”, i pari për nga renditja kronologjike. Emigracioni në kontinentin amerikan nuk idealizohet,përkundrazi, jepet me vërtetësi e realizëm, si një dramë, ashtu si edhe tregimi “Ata të rrugës Marlin” dhe novela “Numri 5001”, me të njëjtën temë, pra kuturisja për të lënë atdheun nuk është një fushë me lule, por disa herë dramëose tragjedi siç përfundon jeta e një studenteje të re, e mashtruar nga premtime joshëse për jetesën e mrekullueshme në kontinentin amerikan. Dy personazhet kryesorë përfundojnë me humbje jete. Një realitet i hidhur ky që ne si lexues na bën të matemi mire, kur kemi të bëjmë me kurbetin dhe dëshirën për të prekur parajsën sa hap e mbyll sytë.

Mundëm të sjellim disa nga tregimet dhe novelat e këtij vëllimi për t`u njohur shkurtimisht me personazhet dhe karakteret e tyre. Ky shkrim është një ftesë për cilindo që nuk duhet ta lërë këtë libër pa e lexuar. Tregimet e Avdulla Kënaçit janë një oaz qetësie shpirtërore, ku të duket se nuk të mungon asgjë: kur je larg shuan mallin për Atdheun dhe vendlindjen, kur je në vendlindje të nxit dëshirën për të njohur botën që të rrethon. Duke lexuar tregimet dhe novelat e Avdulla Kënaçit rrethohesh nga njerëz që e duan jetën, natyrën dhe atdheun, nxitesh për të bërë diçka më të mirë për vete dhe për të tjerët, ndërsa dhjetëra pyetje kërkojnë përgjigje prej teje. Aty e kupton se qenia njerëzore i shembëllen valës së një lumi që lartësohet për një çast dhe pastaj bëhet pjesë e masës së madhe ujore. Megjithatë, dëshira e madhe dhe e përjetshme e qenies njerëzore për të mbetur valë, nuk i mungon, edhe kur atij i janë dobësuar fuqitë fizike dhe mendore. Personazhet e Avdulla Kënaçit nuk e njohin moshën, nuk e njohin dëshpërimin, as pesimizmin, ata janë aktivë deri në ditët e fundit të jetës së tyre.

Avdulla Kënaçi duket sikur nuk ka lënë hapësirë gjeografike pa e shkelur me këmbën dhe mendjen e tij, që nga vendlindja e tij në Shqipëri e gjer në Kanadanë e akullt të kontinentit amerikan. Ka vëzhguar me kujdes natyrën në të gjitha stinët e vitit, ngjyrat që krijohen nga rrezatimet qiellore dhe derdhen butësisht mbi tokë gjatë gjithë kohës, papushim, zhurmat që krijojnë erërat e forta shpateve të maleve ku barinjtë kullotin tufat e bagëtive. Në këto vende, njeriu dhe mjedisi natyror shkrihen dhe plotësojnë njëri-tjetrin dhe lexuesi e ndjen se ndodhet para një artisti të madh që nuk ndalet së pikturuari shpirtin njerëzor me të gjitha sekretet e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok