20/04/2024

TE KISHA E SHNA NDOUT

0

Një qiri, për të mbajtur ndezur besimin në sprovë

Nga Albert Vataj

Isha me bashkëshorten edhe këtë të martë, në kremtim të të Martave të Mëdha te Kisha e Shna Ndout, Laç. Të jem i sinqertë me ju, aq sa jam përpjekur të jem me të lartin vullnet hyjnor, zemërhapur e mendjekthjellët, them, se unë kam një qasje jokonvencionale të të shprehurit të besimit.

Pak herë shkoj në Kishë, akoma më pak herë bëj kryq. Jam një katolik më shumë se me emër dhe traditë, me shpirt, ashtu siç të purifikuar e mban ai shëlbimin.

Kjo ndoshta ngase viti kur kam lindur përkon me vitin e zezonës komuniste mbi fenë dhe mua, kur kam lindur (23 korrik 1966) më ka pagëzuar në mënyrë të fshehtë në maternitetin e Shkodrës një murgeshë, e cila asokohe kryente obligimet sanitare në spital. Ndoshta edhe ngase brymosja ime fetare, ka kaluar përmes kaluarit të ndalimit dhe persekutimit diktatorial. Dhe… kremtet fetare na u desh t’i festonim gjithnjë nën survejim dhe frikë. Im at’ për 15 vite i’u qep nga pas sigurimi i shtetit, si përhapës i kulturës fetare, thjeshtë për faktin se kishim bibliotekë në familje dhe mes librave kishin qenë edhe ato fetar, apo tekstet e ndaluara, fati i të cilëve se mora vesh kurrë. Ndoshta, s’ka kurrfarë lidhje, por mënyra ime e besimit katolik krejt atipike, aty duhet të ket shkasin, por në bindjen time besoj dhe jam konsistent në njohjen dhe respektimin e të gjitha përkatësive religjioze.

Ndjesë për këtë parantezë disi të gjatë.

Te Kisha e Shna Ndout, një nga ritet e pelegrinëve është ndezja e qirinjve. Mund t’i blesh ato kudo që nga hyrja e Laçit deri te Kisha. Por problemi është ndezja e qirinjve, ngase përgjithësisht atje lart, ku Shna Ndoun e kanë lartësuar në një faltore shenjtëruar në mrekulli, fryn erë. I sheh teksa i jepen ritit të ndezjes së qirinjëve, kudo, por kryesisht në vendet e autorizuara. Është kjo një sprovë, e pse jo.

Sot ishte një ditë me më erë dhe shi dhe ndezja e qirinjve të njetit të mirë, apo të lavdisë së Shejtit Shna Ndue, për zemrën dhe shpirtin e të dashtunve, ishte një sfidë. E di, si kudo edhe në këtë sipërmarrje, me gjas, ai që duhet të fitojë me doemos është besimi që ngadhënjen.

Bashkëshortja ime, ajo që i lë shpirtit më shumë vend në këtë dorëzim shëlbyes, ajo ka çdo qiri për mirësi, mbarësi dhe lutje, për sa në zemrën dhe vullnetin e saj zënë vend. Përgjithësisht unë bëj shoqëruesin, shpesh përpiqem të asitoj, por jo dhe aq i denjë për një besimtar të thekur, që rri me kryq në gjoks, duar të paluara, e lutjet në buzë, N’emën t’Atit, t’Birit, t’Shpirtit, t’Shenjt! Amen!

Duke parë vështirësitë atmosferike dhe pamundësinë që qirinjtë e njetit të mirë e begatimin e shpirtrave në besim, të ndizeshin, në tentativat e dështuara të bashkëshortes, mu desh ta provoja fatin. Nuk e di nëse ka lidhje besimi me durimin, por arrita t’i mund të gjithë sa ishin atypari, të cilët më shpejt hiqnin dorë se tentonin që ky vullnet besimit të përmbushej.

Ndërsa era frynte, shiu deshti Zoti u urtësua dhe ndaloi, i ndeza qirinjtë një e nga një, ndërsa bashkëshortja thoshte fjalët e duhura. Të jem i sinqertë as se i’a kam idenë se ç’farë ajo pëshpëriste në lutje, dhe e përcjellte me shikim kah gjuhëzat e flakës së qirinjve që digjeshin. Vazhdoi për disa shumë minuta kjo sfida e ndezjes deri në fund të qirinjve. Unë ndez ato fikeshin.

Era frynte, qirinjtë fikeshin. Unë serish nga e para. Sërish, unë ndizi dhe era shuaj. Qëndresa ime po bënte ballë mjaft mirë. Me kunjat e shkrepsesh që ralloheshin një e nga një, unë ndiz e era shuaj. Përpëlitej ajo flakë përballë vullnetit tim të paepur, lutjeve të bashkëshortes sime, dhe shkrihej ajo parafinë e kuqe.

Ndërsa vijonte gara ime me erën, mendoja, a nuk është edhe çështja e besimit pikërisht kjo. A nuk është alegorikisht kjo erë që nuk më lë ta përmbush vullnetin tim, pikërisht ato vështirësi, ato mëdyshje, ato dilema, ato smira dhe xhelozi, ato papajtueshmëri me normat e urdhëresave të shenjta.

Ndërsa besimi im vihej në provë, më buzëqeshi fati dhe fitova/ Vendosmëria ime bërë qëndresë me shpirtin e besimit, që më shpërblen.

Qirinjtë e njetit të mirë, shpresë e dritë në udhën që na pret, dhe begatimit të hyjnores në besim, i ndeza dhe u pranuan për të gjithë. Flaka e shpirtit, ndoshta ende ndezur tek unë, u bë forcë dhe sfidoi, për të fituar lavdia e Zotit. Për t’u dëgjuar zëshmëria e vullnetit të mirë. Për t’u blatuar çdo përpjekje dhe sakrificë, atij zjarri hyjnor që zbret dhe hyn në ne, për të ndezur diellin, begatinë vezulluese të Zotit që na sheh me dritë e na shpërblen me besim.

Mrekulloftë çdo zemër shnjtëria e Shna Ndout. Diell ndezt në çdo shpirt vullneti i mirë, i cili sot ndez një qiri dhe nesër mbush me dritën e shpresës udhën që prin besimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok