18/04/2024

Ura e Ibrit, ura e Danubit dhe ndërmjetësi kontravers Miroslav Lajçak!

0

NGA ENVER BYTYÇI
Para dhjetë vitesh presidenti i Hungarisë u nis për të vizituar hungarezët e Sllovakisë. Një urë midis të dy vendeve ndan kufirin hungarez dhe pakicën prej diku 500 mijë hungarezësh në Sllovaki. Të dyja këto vende ishin janë anëtare të NATO-s dhe BE-së. Dhe megjithëse qytetarët e të dy vendeve kanë të drejtë të lëvizin lirisht pa kontrolle kufitare në të dy vendet, autoritetet e Sllovakisë e ndaluan presidentin hungarez pikërisht te Ura e Danubit dhe nuk e lejuan të vizitojë bashkëkombasit e tij përtej asaj ure.
Nuk jam i sigurt nëse Miroslav Lajçak ishte atëherë shef i diplomacisë sllovake apo jo. Por kjo ngjarje m’u kujtua sot kur njeriu që është ngarkuar të bëjë paqen midis Kosovës dhe Serbisë e në rajonin tonë nxit konfliktin në vend të paqes. M’u kujtua në momentin kur Lajçak tha se “Ura e Ibrit nuk duhet të hapet”! Sepse, sipas tij duhet të bien dakord dy palët. Kush janë dy palët? Kosova dhe Serbia? Përse duhet dakordësia e Serbisë për lëvizjen e lirë në një shtet të pavarur, në Kosovë?! Pra shkurt, shqip e pa mëdyshje kjo nënkupton, sipas Lajçak, se autoritetet e Kosovës nuk janë sovrane në territorin e saj. Se territorin nuk mund ta kontrollojë qeveria, parlamenti, ligji e kushtetuta e Republikës së Kosovës. Që do të thotë se edhe asosacioni do të krijohet pa dakordësinë e institucioneve të Kosovës. Kështu Lajçak e Borrell mjaftohen vetëm me projektet e Beogradit.
Kjo është arsyeja pse konflikti Kosovë-Serbi nuk zgjidhet. Sepse Lajçak e Borrell i kanë dhënë hise Serbisë në sovranitetin e Kosovës. Ndaj nuk i kërkojnë Beogradi të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, me sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Sepse edhe vetë ndërmjetësi i Bashkimit Europian, i mandatuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit, nuk e pranon tërësinë territoriale të saj. Po dëshmohet se Lajçak dhe Borrell janë në këto pozicione kundër lirisë, pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, sepse duan që Kosova të mos ekzistojë e të shuhet si subjekt shtetëror. Mosekzistenca e Kosovës do të lehtësonte frymëmarrjen e vështirësuar të Bratislavës dhe Madridit për njohjen e këtij shteti.
Sjelljet e të dy të ngarkuarve për dialogun, sidomos e zotit Lajçak, janë në mohim të ekzistencës së shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Por ndërsa Vuçiç e thotë këtë hapur, Lajçak krijon mekanizmat që i duhen Beogradit për ta shkatërruar shtetësinë në Kosovë. Të ngresh ura dhe mure, për ndërmjetësues paqeje është vepra më kriminale e mundshme. Të ngarkohesh për të realizuar paqen midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe në rajonin e Ballkanit, nga njëra anë dhe të kërkosh që të shemben urat e bashkimit, është ndoshta rast që duhet shënuar në Librin Gines. Miroslav Lajçak është shënuar në këtë libër për të tilla kundërshti antagonizmi.
Por jo vetëm kaq. Lexova se i ngarkuari për dialogun Kosovë-serbi, Miroslav Lajçak paska kërcënuar se ka vetëm dy mundësi: “Ose paqe me dialog, ose luftë”! Ky kërcënim i tij nuk është thjesht presion. Ai ndoshta është i bindur se lufta i plotëson apetitet ultranacionaliste të Serbisë në Kosovë e në Ballkan. Duket se madje e dëshiron luftën në stilin: „Ose jepjani Serbisë veriun e Kosovës me paqe e me dialog, ose do të përfshiheni në luftë”! E ndërkohë ai dhe ne e dimë se kjo luftë është e pamundur, është thjesht diversion që shqiptarët të pranojnë skllavërinë ndaj Serbisë. Ndërsa shqiptarët janë kundër luftës. Kundër luftës janë edhe ata shqiptarë si Edi Rama, që i shërbejnë Serbisë. Jo se duan ta mbrojnë integritetin territorial të Kosovës, por se duan që Kosova përmes dialogut të plotësojë oreksin serb për territore dhe krijimin e botës serbe.
Unë besoj se qeveria, presidentja, kreu i parlamentit dhe institucionet e tjera të vendit nuk i frikësohen as luftës, nëse ajo imponohet. Por që lufta të mos ndodhë dhe që Lajçak të tërhiqet nga përpjekjet për ta ndihmuar Serbinë në dialog, do të duhet që liderët e Kosovës të angazhohen edhe për luftë, nëse cënohet në forma të ndryshme Kosova, unitarizmi i saj, shteti, kufijtë, territori dhe kushtetuta e vendit. Këto janë identiteti i shtetit. Kush prek identitetin, qoftë ky edhe Lajçak, duhet të marrë përgjigjen që meriton. Ndryshe, sa kohë që Lajçak, Borrell e disa argatë të tjerë të Serbisë mendojnë se Kosova është e dobët dhe mund të bëjë lëshime përmes kërcënimeve, aq kohë do të zvarritemi në hullinë pro-serbe të të tillë ndërmjetësuesve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok