04/12/2024

Të dehur në tema politike

0
Ndue-Ukaj-Stubell

Me engjëjt rojës të Kosovës, siç kishte me thanë Ibrahim Rugova, në Stubllën time të bukur

Nga Ndue Ukaj

Sikur shoqëria jonë të tregonte ndjeshmëri për libra dhe vlera estetike, siç gulçon pas udhëheqësve të trullosur e sharlatanë, me siguri s’do të kishte mes nesh kaq shumë trazime shpirtnore, rrëmujë e shëmti politike dhe punët tona publike me siguri do të shkonin shumë më mbarë.

Politika – shqiptarëve ma shumë u ka sjellë idhnim, izolim se sa hapje, mirëqenie e përparim.

Prej shumë shekujve, mezi gjen katër periudha në shenjë të politikës shqiptare dhe prej krejt udhëheqëseve mezi dallon sa numëron me gishtat e njërës dorë.

Atëherë pse kjo dalldisje?

Thjesht, kjo dalldisje, na paraqet si popull të dehur në tema politike, e të dehurit kurrë s’kanë vetëdije me vendosë mirë e drejtë.

Pastaj, kjo dalldisje, nuk është rrjedhojë e as pasqyrë e një edukimi cilësor politik, nuk shpreh as vetëdije politike, sepse në këto punë ne si komb jemi fort të varfër, por kjo dalldisje duket qartë se është pasojë e një çedukimi të gjatë me konceptin për shtetin, temë të cilën e ka trajtuar me mprehtësi Ismail Kadare të romani “Viti e mbrapshtë.”

Shqiptaret flasin për gjithçka, por sidomos për politike, thonte mendimtari Paulin Margjokaj te libri shumë i vlefshëm “Kush janë anmiqt e Shqipnisë?” dhe vazhdonte “natyrisht, sa me pak te dijë njeriu, aq ma shumë flet. E për politikë, nuk ashtë kush qi flet aq shumë sa Shqiptarët. E me pvetë, nder 100 vetë ndoshta memzi njani din se ka vjen fjala politik e shka shenjon e shka don me thanë.”

___________

Një kryeministër sharlatan që s’e vlerëson kush në perëndim e s’e takon kush në Uashington, Berlin, Londër, Romë e Paris, natyrisht se ka me gjetë ujna të cekëta ku ka me tentue me notue- e ky i yni i turpnum njëherë në Shqipëri, i turpnum përballë votuesit në Kosovë, ka fillue m’u hedhë në ujnat e panjohuna të politikës së shqiptarëve të Maqedonisë veç sa me thanë po noton diku. Ama prapë ka me dalë i turpnum, e në krejt këtë cirk, ajo që dihet sakt është se ma së shumti ka me pësue Kosova, rrita e së cilës është ndalë.

___________

Zef Pllumi thonte se koncepti oriental i qeverisjes jep ato fuqi të cilat, mund thomi, në nji farë mënyre, nuk i ka mbajtë për vedi as Zoti-Krijues.

Pllumi si njeri e intelektual e frat që kishte kaluar nëpër rrathët e ferrit oriental, s’ jepte mendime kutur, por e provonte një të vërtetë tragjike tek tregonte me çfarë mendësie kriminale qeverisnin dishepujt e kësaj dogme në Shqipëri.

Dhe si gjykatës i drejtë e mendjembrehtë i historisë, ai thonte se në “mendjet e ktyne sundimtarve nuk kanë vend as të drejtat njerzore, as mendimi i lirë. Këta supozojnë se me marrjen e pushtetit në dorë, u jepet e drejta e pronësisë mbi pasunitë, veprimet, mendimet, jetën e secilit nenshtetas.”

Lexuesit mendjehollë i gjejnë analogjitë me realitetin e sotëm krejt lehtësisht, kurse mendjeshkretit dhe të infektuarit me ideologji do të vazhdojnë avazin e tyre deri kur të përplasen një ditë hundë e buzë e të rrëtohen përtokë.

___________

Këta që sot qenkan mërdhezë dhe paskan gulçu kundër deklaratës së BE-së se “Kosova pati sjellje jo-europiane”, duhet ta bëjnë një ekskursion të shkurtë – për të gjatë me gjasë s’janë –  në gjuhën e vrazhdë ideologjike të pushtetit të sotëm kundrejt perëndimit, gjuhë kjo që polli një sërë anomalish të cilat po i paguajmë me sanksione.

Thjesht, nëse për një punë pushteti i sotëm është treguar i vërtetë dhe do të mbahet mend, pa dyshim, kursi jo europian është  në krye të listës, prandaj të kota i keni kukurisjet dhe më e keqja ato s’iu bajnë punë fare e s’ dëgjohen më larg se tek tufat e militantëve.

Të gjithë ata që kanë një grimë mend e dinë se për shkak të këtyre sjelljeve tipike jo perëndimore, Kosovës i është ndalë rrita dhe më e keqja mes nesh është mbjellë fara e pabesisë.

___________

“Njerëzimi pa lexues, i painfektuar nga letërsia, do të ishte si një bashkësi belbanësh dhe të sëmurësh nga afazia, me probleme të jashtëzakonshme komunikimi për shkak të fjalive të pakuptimta si e foluara e foshnjave. Natyrisht, e njëjta gjë është e vërtetë për individët. Njerëzit që s’lexojnë, lexojnë pak ose thjesht lexojnë gjëra pa vlerë, mund të flasin shumë, por thonë shumë pak, sepse kanë repertor shumë të kufizuar dhe të pamjaftueshëm me fjalë për të shprehur veten. S’ kemi të bëjmë vetëm me kufizim verbal; por edhe me kufizim intelektual dhe imagjinativ. Kjo zbulon varfërinë e mendimit dhe të njohurive, sepse idetë dhe konceptet përmes të cilave kuptojmë realitetin ekzistues dhe të fshehtat e gjendjes sonë s’ekzistojnë jashtë fjalëve përmes të cilave vetëdija jonë i njeh dhe i përkufizon ato.”

(Mario Vargas Llosa, Leximi i letërsisë së mirë, përktheu Granit Zela)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok