14/10/2024

Talentet tona i gëzon bota

0

Në gjurmët e rrëfimit të doktoreshës së talentuar Armela Kadria

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Ndërrimi i regjimit në dhjetor të vitit 1990, i cili u bë përmes zëvendësimit të sistemit komunist me një sistem neokomunist, solli një dukuri interesante.

Në regjimin komunist vendi mbahej i rrethuar si me tela me gjemba, në mënyrë që askush të mos kuturiste t’i afrohej kufirit shtetëror për të dalë në botën kapitaliste dhe veteranokomunistët në pushtet e çuan popullin deri në nivelet e një varfërie ekstreme. Edhe neokomunistët, të cilët e morën pushtetin nga veteranokomunistët pas lëvizjes studentore të dhjetorit, lëvizje, e cila, siç rezultoi pas gati tre dhjetëvjeçarësh, paskej qenë e orkestruar nga një dorë e fshehtë, ndoqën dhe vazhdojnë të ndjekin të njëjtën taktikë qeverisjeje, e cila ka për qëllim varfërimin e pandërprerë të shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare.

Sigurisht, sistemi neokomunist i bijve dhe i nipave të veteranokomunistëve dikur në pushtet, do të funksiononte në kushte krejt të tjera: në kushtet e pluralizmit politik dhe të ekonomisë së tregut. Pra, në këto kushte, Shqipëria u hap me botën dhe jo pak njerëz filluan të largoheshin drejt vendeve perëndimore për një jetë më të mirë. Pjesa më e madhe e bashkatdhetarëve tanë emigroi drejt Greqisë dhe Italisë.

Valët e emigracionit kanë qenë karakteristike edhe për vende të tjera në periudha krizash ekonomike. Por për një popullsi shumëmilionëshe të një vendi të caktuar, valët e emigracionit nuk kanë qenë kaq të mëdha, saqë të ndikonin aq tepër në zvogëlimin e numrit të popullsisë, si në rastin e vendit tonë.

Dukuria e emigrimit në vitet e para të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar, ishte e kuptueshme dhe nuk kishte asgjë për t’u habitur, sepse veteranokomunistët në pushtet vendin e kishin katandisur në një gjendje ekonomike aq katastrofike, saqë degjenerimi gjenetik i njerëzve për shkak të mungesës së ushqimeve, përbënte një rrezik serioz. Por megjithatë, të gjithë patën shpresuar se situata ekonomike do të ndryshonte, duke shkuar drejt përmirësimit shkallë-shkallë, çka do të pasqyrohej në rritjen e standardit të jetesës së familjeve shqiptare dhe, vetvetiu, do të çonte në uljen në maksimum të valës së emigrimit. Çuditërisht, nuk ndodhi kështu. Gjatë këtyre gati tridhjetë vjetëve që kanë kaluar, gjendja ekonomike e familjeve të thjeshta shqiptare është rënduar shumë më tepër. Këtë e vërteton një e dhënë statistikore e ditëve të fundit. Sipas kësaj të dhëne, rezulton ky informacion:

“Për një familje mesatare, jetesa në Shqipëri është e vështirë, madje kthehet në mbijetesë për shkak të të ardhurave të pakta dhe shpenzimeve të larta. Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare, rreth 63% e tyre, sigurojnë të ardhura nga 0 deri në 50 mijë lekë në muaj (80% e tyre kanë më shumë se 3 anëtarë), sipas të dhënave nga një vrojtim i Bankës së Shqipërisë në një kampion prej më shumë se 1200 njësish familjare, të shpërndara në të gjithë vendin” (Citohet sipas:Familjet shqiptare në mbijetesë, 63 % kanë deri në 50 mijë lekë të ardhura në muaj”. Faqja e internetit “Monitor”. 14 korrik 2019).

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se vala e emigracionit në periudhën mes viteve 2005-2013 nuk ka qenë aq shqetësuese, si në periudhën që pasoi pas ardhjes së Ramës në krye të qeverisë. Vizat u hoqën në vitin 2010, por nuk u vu re absolutisht ndonjë valë emigrimi me përmasa shqetësuese, si në periudhën që vijoi pas shtatorit të vitit 2013 dhe sidomos prej vitit 2015 e këtej, kur numri i njerëzve që braktisën vendin arriti në 500 mijë, siç i deklaroi kryeministrit Rama analisti italian Alberto Negri në programin televiziv TG2 të RaiDue në Itali më 28 shkurt 2019.

Po si shpjegohet kjo gjendje e rëndë ekonomike, paçka se kanë kaluar gati tridhjetë vjet pas ardhjes së neokomunistëve në pushtet?

Sipas këndvështrimit të çdo shqiptari të thjeshtë, të pajisur me ndërgjegje kombëtare, arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje të rëndë ekonomike e ka burimin te paaftësia shtetformuese e shqiptarëve. Kjo paaftësi shtetformuese vjen si pasojë e nxjerrjes në plan të parë të militantizmit partiak dhe jo të aftësive të individit. Militanët partiakë, duke qenë të paaftë, janë me vite larg intelektualëve me përgatitje të lartë profesionale. Madje këta të fundit jo vetëm që nuk afrohen në drejtimin e shtetit, por shndërrohen edhe në objekt shpëfilljeje nga ana e militantëve partiakë.

Qytetarët shqiptarë le të gjykojnë për aftësitë e kryeministrit Rama për qeverisjen e vendit. Gazetari i njohur Çim Peka, në një analizë të botuar në portalin “Syri.net” të datës 05 korrik 2019, ka radhitur një më një të gjitha dështimet e Ramës, që kur ka filluar punë, deri në ditën e sotme. A mund të jetë në krye të qeverisë një njeri që nuk ka shkëlqyer absolutisht në të gjitha rrugët e jetës nga ka kaluar deri tani? Absolutisht jo. Nënkuptohet që në ekipin qeverisës ai do të grumbullojë rreth vetes, siç edhe ka grumbulluar deri tani, militantë partiakë, të paaftë profesionalisht, por të aftë për bëma antiqeverisëse, çka reflektohet në gjendjen e rënduar të pjesës më të madhe të familjeve shqiptare.

Qeverisja e vendit nga njerëz të paaftë nga radhët e militatëve partiakë, mbart në vetvete edhe një rrezik tjetër të madh: këta militantë partiakë janë pre shumë e lehtë për t’u shndëruar në mercenarë, në servilë në shërbim të të huajve dhe në tradhtarë të interesave kombëtare.

Po atëherë cila është rrugëdalja që ka zgjedhur Rama për përjetësimin e pushtetit? Rrugëdaljen ai e shikon te varfërimi i njerëzve, sepse varfëria është aleati më i sigurt i pushtetit të tij autoritar. Pikërisht varfërimi i shumicës së familjeve shqiptare ka bërë që vala e emigrimit të njerëzve gjatë qeverisjes së tij të marrë përmasa të frikshme, çka ka çuar në uljen e ndjeshme të numrit të popullsisë. Kjo gjendje ka bërë që:

Së pari, të emigrojë ajo pjesë e popullsisë që  nuk dëshiron të mbajë lakun e varfërisë që Rama ia ka hedhur në qafë.

Së dyti, në valën e emigracionit të përfshihen edhe specialistë shumë të aftë, të cilët nuk e gjejnë dot veten në kushtet e mjedisit mbytës të militantëve të paaftë partiakë.

Pra, në dallim nga veteranokomunistët e Shqipërisë Socialiste, të cilët e mbanin Shqipërinë në darën e  izolimit total, neokomunistët socialistë, me Ramën në krye dhe oligarkët rreth tij, me taktikën e qeverisjes së tyre, po kërkojnë ta pakësojnë sa më shumë numrin e popullsisë, për të shpëtuar një herë e mirë nga kundërshtarët politikë, me pikësynimin që në Shqipëri të mbeten vetëm njerëz kurrizshtruar që ta shikojnë Ramën në dritën e syrit për kafshatën e gojës. Kjo mënyrë qeverisjeje nuk mund të kuptohet ndryshe, veçse si tradhti kombëtare, me qëllim shpërbërjen deri në shfarosje të popullit shqiptar të Shqipërisë Londineze.

Një inxhinier i talentuar i fushës së gjeologjisë më dërgonte para pak ditësh një letër nga Kanadaja, ku ka emigruar para shumë vjetësh. Ai ka pasë punuar në Institutin e Kërkimeve të Naftës në Fier dhe në Institutin e Kërkimeve Gjelogjike në Tiranë. Ja çfarë më shkruante:

“Në të dy institutet më mbyti egoizmi primitiv i disa kolegëve dhe pushtetarëve”.

Një rast tjetër dëshmohet  fare qartë përsëri se specialistë të aftë e shikojnë të ardhmen jo në Shqipëri, po në një vend perëndimor, se në atdheun e tyre nuk i përfill kush.

Doktoresha e talentuar Armela Kadria, vajza e një mikut tim, një e-mail që më dërgonte dy ditë më parë nga Gjermania, e shoqëronte edhe me një video nga Singapori. E ndoqa me shumë kujdes përmbajtjen e asaj videoje në anglisht, në të cilën bëhet fjalë për rrugën që pati ndjekur Singapori për t’u shndërruar nga një vend i botës së tretë, në një vend të botës së parë, madje në njërin nga gjigantët e Azisë. Në video thuhej se për drejtimin e vendit u zgjodhën specialistët më të aftë nga ana profesionale, për t’i shërbyer atdheut me tërë potencialin e vet intelektual. Falë aftësive qeverisëse të atyre specialistëve të talentuar nga radhët e inteligjencies vendase, ja ku është sot Singapori.

Po cila është doktoresha Armela Kadria?

Është bija e një familjeje të thjeshtë dibrane, e cila u zhvendos me banim në Tiranë pas zëvendësimit të sistemit komunist. Ajo mbaroi shkollën 9-vjeçare “Edith Durham” dhe Gjimnazin “Petro Nini Luarasi” me mesataren 9.8. Mandej, në vitin 2009, hyri në  Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e përfundoi në vitin 2015, me mesataren 9. E kam njohur si një vajzë të heshtur, modeste, dinjitoze, me autoritet dhe mjaft të talentuar në studimin e gjuhëve të huaja, për të cilat kishte aftësi të jashtëzakonshme.

Ja çfarë thotë ajo për studimin e gjuhëve të huaja:

“Gjuhët e huaja kanë qenë gjithmonë pasioni im. Kur më pyesin se çfarë do të kisha dashur të bëj, përveç mjekësisë, gjithmonë përgjigjem se do të doja të kisha studiuar për gjuhë të huaja. Gjuha e parë e huaj që kam mësuar, ka qenë italishtja, me një mësues privat, me një grup fëmijësh të tjerë. Më pas fillova anglishten. Në gjimnaz kisha ndjesinë që isha mirë me anglishten tashmë dhe doja të nisja një gjuhë tjetër. Me pëlqente spanjishtja, kështu që vendosa për spanjishten. Kurset e gjuhëve të huaja i kam bërë zakonisht me një grup tjetër nxënësish. Anglishten e kishim edhe në shkollë, dhe kjo më ka ndihmuar sigurisht, por ritmet në shkollë ishin disi më të ngadalta për mua. U jam shumë mirënjohëse  prindërve që më kanë mbështetur me të gjitha mundësitë për kurset e gjuhëve të huaja. Në gjimnaz na u dha mundësia të zgjidhnim një gjuhë të huaj të dytë dhe variantet ishin italishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Zgjodha frëngjishten. Gjatë studimeve universitare nisa të krijoja idenë se varianti më i mirë për mua për specializim, do të ishte me shumë gjasa jashtë vendit. Pasi lexova dhe u informova, vendosa që Gjermania ishte vendi që duhet të synoja. Prandaj, në vitet e fundit të universitetit, nisa studimin e gjermanishtes. Aktualisht, zotëroj shumë mirë gjermanishten, anglishten, spanjishten dhe italishten.  Kam pak njohuri për frëngjishten dhe mund të kuptoj edhe portugalishten”.

Po cila qe ecuria e jetës së doktoreshë Armelës, pasi mbaroi Fakultetin e Mjekësisë? I ftoj lexuesit e nderuar të ndjekin rrëfimin e saj:

“Meqenëse në mbarim të gjimnazit mund të flisja, të paktën, në katër gjuhë të huaja, mundësitë për vazhdimin e studimeve në një universitet evropian nuk më mungonin. E megjithatë, vendimi për të lënë pas familjen time dhe vendin tim, nuk ishte një vendim që mund të merrej lehtë. Për rrjedhojë, vendosa të pres, vendosa të qendroj dhe të vazhdoj studimet e larta në Shqipëri, me shpresën se, duke punuar në fushën që dëshiroja, gjërat do të ishin më mirë. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Që në fillim u përballa me zhgënjim për sa i përket infrastrukturës, sallave të leksioneve me lagështirë, sallave të seminareve pa ngrohje dhe mungesës së bazës së duhur materiale për zhvillimin e seminareve dhe të leksioneve, orëve të gjata pranë dyerve të sekretarisë, informacioneve që duhej të ishin publike dhe që nuk bëheshin publike etj., etj. Më pas, me fillimin e pjesës praktike, kuptova që praktika dhe edukimi që po merrnim si mjekë të ardhshëm, ishte larg asaj që unë kisha menduar e ëndërruar dhe, çdo vit që kalonte, ndihesha gjithmonë e më shumë në ankth, me një pyetje në kokë: kur unë dhe kolegët e mi të përfundojmë këtë universitet, a do të jemi në nivelin e duhur, për t’i kryer detyrat me profesionalizmin e duhur? Në dallim nga profesionet e tjera, profesioni i mjekut është krejt ndryshe se lidhet me jetën e njeriut, gjë që është shumë serioze. Unë dhe shokët e kursit lexonim shumë, por praktika linte tepër për të dëshiruar se puna e mjekut nuk është vetëm teori. Këtu më duhet të shtoj që literatura përmblidhej më së shumti në libra të përkthyer keq, pa redaktor, ose ishte literaturë e vjetër. Paralelisht me këtë situatë, m’u krijua ndjesia se Shqipëria, në njëfarë mënyre, nuk po bënte hapa para. Sa herë hyja në QSUT, me dukej se kishte rënë një hije e rëndë, gri. Kudo shikoja fytyra njerëzish të lodhur, të sëmurë, të varfer, pamja e të cilëve nuk tregonte moshën e tyre reale. Të lindte dëshira t’i ndihmoje, por, në të njëjtën kohë, zemrën ta pushtonte një trishtim dhe pezmatim i madh. Me pas, me përfundimin e studimeve, mendova se, ndoshta, kur të nis të punoj, punët do të venë më mirë. Por ajo që ndodhi, më mbushi me dëshpërim. Gjatë shumë e shumë muajve, nuk gjeta dot një vend pune. M’u ofrua një vend pune në një qendër shëndetësore, por, në këmbim, më kërkuan të paguaja 5000 euro. Pra, donin që unë ta blija atë vend pune. Nuk pranova, jo se s’doja të punoja, jo se s’mund të gjeja një mënyrë për t’i siguruar ato para, por nuk doja. Nuk e doja një punë të tillë. Po ashtu, nuk doja ta nisja punën time në atë mënyrë. Atëherë rinisa gjermanishten intensivisht me një mësuese private. Shikoja situatën e kolegëve të mi, shumica ishin si unë. Ndokush që kishte arritur të gjente një vend pune të mirë, kish mundur ta siguronte falë njohjeve të mira dhe ky nuk ishte sekret. Kështu që, pasi e diskutova me familjen time, vendosa që më e mira që mund te bëja, ishte të tentoja për një vend pune dhe specializim në Gjermani. Më duhet të theksoj se për ndonjë specializim në Shqiperi nuk ndërmora ndonjë hap, sepse, e para, nuk kisha asnjë besim në trasparencën e atij procesi, dhe, e dyta, nuk ishte më ëndrra ime të punoja në ndonjë spital në Shqipëri në ato kushte, nuk doja t’i thoja pacientit për çdo medikament: “Më vjen keq, por duhet të iki një familjar ta blejë te farmacia se spitali nuk ka”, apo të shihja pacientët në ato dhoma, në ato kushte. Ndiej dhembje në shpirt, se ata janë pacientët e vendit tim, teorikisht unë atyre duhej t’u shërbeja, por në ato kushte e kisha të pamundur ta ushtroja profesionin tim. Dikush më pati thënë: “Në qoftë se do të qëndrosh në Shqipëri, duhet ta hedhësh vallen si hidhet këtu”. Por unë atë valle nuk doja ta hidhja, nuk doja të filloja të urreja veten dhe profesionin tim! Kështu që u largova për dy muaj në Gjermani, pa vizë, pa asgjë, thjesht për një kurs dhe ndërkohë që ndodhesha atje, nisa të aplikoja. Për fatin tim të mirë, në muajin e dytë më erdhën dy përgjigje pozitive për intervistë. Në spitalin ku nisa punën, më dhanë përgjigje pozitive që në fund të intervistës dhe u ofruan të më ndihmojnë me gjithcka. Ka qenë njëra nga ditët më të lumtura për mua. U ndjeva e vlerësuar dhe u binda që edhe mund të ecja me ëndrrat e mia. Mjekët specializantë në Gjermani punojnë me një rrogë bruto prej rreth 4600 eurosh, ndërkohë që në Shqipëri marrin rreth 30 000 ose 40 000 lekë, pra, rreth 15 herë më pak. Nuk bëhet fjalë vetëm për para. Bëhet fjalë për një shkollë të gjatë, për një kalvar vuajtjesh e investimi për një përgjegjësi shumë të madhe. Çdo mjek profesionist i përkushtuar, para se të bëjë gjumin e natës, rri e vret mendjen gjatë nëse e ka bërë çdo gjë mirë gjatë kohës që i ka shërbyer pacientit. Dhe rri e pyet veten: “A jeton? Mos duhej ta kisha bërë diçka ndryshe?”.  Për mjekun e ndërgjegjshëm në punë ky është një shqetësim i përditshëm dhe kjo kundrejt një shpërblimi që e bën shumë të vështirë të fillosh jetën, shto këtu mungesën e vlerësimit për punën e mundimshme. Me punën që kam tani në Gjermani, jam tepër e kënaqur, jam rritur shumë profesionalisht në kaq kohë, gjë që nuk mendoj se do e kisha arritur në Shqipëri në të njëjtën periudhë kohore. Kolegët gjermanë më respektojnë, shefat gjithashtu dhe gjithmonë janë të gatshëm të më ofrojnë ndihmë dhe  mbështetje dhe, ajo çka më frymëzon më shumnë,  pacientët me duan. Me pyesin shpesh: “A doni të ktheheni ne Shqiperi, doktoreshë?”.  Nuk e di, – u them, – për momentin jo, më vonë nuk e di. Dhe ata ma kthejnë: “Për ne do të ishte shumë mirë sikur të qëndronit këtu”. E në këto fjalë e sipër, më gëzon zemra, por, në të njëjtën kohë, ndiej edhe trishtim disi që kontributin tim, si mjeke në shërbim të pacienteve, nuk i pata kushtet ta jepja në atdheun tim. Tani, pas 2 vitesh pune, sa herë që kam kontakte me miqtë dhe me kolegët e mi këtu në Gjermani, të cilët më rrëfejnë për eksperiencën dhe për problemet e tyre, mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë”.

Doktoresha e talentuar Armela Kadria u punësua në Gjermani më 05 korrik 2017. Ajo, fillimisht, e nisi punën në spitalin multidisiplinar  “Kreiskrankenhaus Prignitz”. Tani ajo punon si mjeke okuliste në klinikën “Augen-Tagesklinik Groß Pankoë”. Që të dyja këto klinika të rëndësishme për kurimin e pacientëve, ndodhen në rajonin e Prignitz-it  në Landin Brandenburg..

Të vjen keq që kjo mjeke e talentuar nuk pati mundësi që ëndrrat e veta në shërbim të pacientëve t’i shikonte të realizuara në tokën mëmë. Por s’qe e thënë. Se talentet tona i gëzon bota. Se Shqipëria është vend pa zot. Kjo është pasojë e politikës së alternativës neokomuniste me mbulojë socialiste me në krye Ramën, e cila, siç kanë treguar faktet gjatë qeverisjes së saj 6-vjeçare, i ka vënë vetes si qëllim zbrazjen e vendit tonë nga specialistët e talentuar dhe, përgjithësisht, nga popullsia rrënjëse. Prandaj të dhënat statistikore të OKB-së për pakësimin drastik të popullsisë së vendit tonë në fund të shekullit, janë katastrofike. Ja në ç’përfundim ka arritur OKB-ja:    Paralelisht OKB ka llogaritur projeksionet edhe sipas një skenari më negativ, i cili bazohet në një rënie më të shpejtë të lindshmërisë. Rezultatet për këtë variant janë edhe më alarmante, duke e parashikuar rrudhjen e popullsisë së Shqipërisë në vetëm 500 mijë banorë në fund të shekullit. Një projeksion fatal, që praktikisht e projekton Shqipërinë drejt zhdukjes” (Citohet sipas:“Parashikimi i OKB-së pë popullsinë e Shqipërisë”. Faqja e internetit “top-channel.tv”. 11 korrik 2019.

Le të shpresojmë që alternativa neokomuniste e Rilind(rivdek)jes socialiste do ta vazhdojë qeverisjen e vendit deri në fund të këtij shekulli, në mënyrë që ta shikojë me sytë e vet rezultatin e bëmave të saj antikombëtare.

Santa Barbara, Kaliforni

16 korrik 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok