25/12/2024

Struktura dhe përmbajtja e librit ‘Kam etje’ nga Mag. theol. Kolë Gjergji një përshkrim i jetës dhe veprës së Nënë Terezës

0
Kole-Gjergji-Kam-etje

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në librin monografik, teologjik dhe shkencor me titull “Kam etje” të autorit Mag. theol. Kolë Gjergji, gjejmë një përpjekje të hollësishme në përmbledhje të jetës dhe veprës se Nënë Terezës në katër kapituj kryesorë dhe nënkapituj. Ky libër, përgatitur në mënyrë profesionale edhe teknikisht nga autori, êshtë një libër qe përfshin parathënien dhe fjalën hyrëse nga mons. dr. Leo M. Maasburg, një recension nga don Marjan Marku, kanonik në Zvicër, si dhe një reflektim nga shkrimtari Ndue T. Ukaj. Kapitujt në fjalë të artikuluara ofrojnë një përshkrim të detajuar të jetës së Nënë Terezës, duke e udhëhequr lexuesin nga fillimet e saj deri te shpallja si shenjtore.

Kapitulli I me titull “Shën Nënë Tereza ikonë e dashurisë” përmbledh jetën e hershme të Nënë Terezës, duke filluar nga lindja në Shkup, fëmijëria dhe edukimi fetar që e çoi drejt thirrjes për të shërbyer. Këtu, autori thekson vendlindjen, përvojat e fëmijërisë dhe themelimin e rregullit “Misionaret e Bamirësisë”. Themelimi i këtij rregulli është një pikë kyçe në jetën e saj, pasi përkushtimi për të ndihmuar të varfrit u bë themel i rrugëtimit të saj drejt shenjtërisë.

Kapitulli II me titull “Përshpirtëria eukaristike e Shën Nënë Terezës” fokusohet në lidhjen shpirtërore të Nënë Terezës me eukaristinë. Ky aspekt është thelbësor, pasi për Nënë Terezën, eukaristia përfaqësonte zemrën e shërbesës ndaj të varfërve dhe të braktisurve. Autori Gjergji detajon sesi euharistia nuk ishte vetëm një akt liturgjik për të, por një burim frymëzimi dhe përkushtimi ndaj Zotit dhe njerëzimit.

Kapitulli III me titull “Jeta është e bukur” trajton rëndësinë që Nënë Tereza i jepte çdo momenti të jetës, veçanërisht duke u përqendruar në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Gjergji ka përzgjedhur mbi 113 citate të Nënë Terezës, që pasqyrojnë bindjet e saj të thella për jetën dhe dashurinë ndaj njerëzimit. Shprehja “Jeta është e bukur” përmbledh filozofinë dhe përshpirtërinë e saj, duke theksuar se çdo jetë ka vlerë të jashtëzakonshme dhe duhet respektuar e mbrojtur.

Kapitulli IV me titull “Nënë Tereza shpallet e lumtur dhe shenjtëreshë” përqendrohet në shpalljen zyrtare të Nënë Terezës si shenjtore nga Vatikani. Kapitulli përfshin përshkrimin e procesit të lumturimit dhe shenjtërimit, duke filluar me homilitë e Papa Gjon Palit II gjatë ceremonisë së lumturimit dhe përfunduar me ceremoninë e shenjtërimit nga Papa Françesku. Gjithashtu, autori ndan përjetimet e tij personale në këtë ngjarje historike, duke përshkruar emocionet dhe ndikimin shpirtëror të këtij momenti. Kapitulli përfshin edhe reflektimin mbi “Nënë Tereza dhe shqiptarët”. Vlen të theksohet rëndësia e këtij libri në ndihmën për të kuptuar më thellë Nënë Terezën, jo vetëm në aspektin e saj humanitar, por edhe në përkushtimin ndaj eukaristisë dhe besimit. Libri bazohet kryesisht në literaturë gjermane, gjë që tregon një thellësi dhe saktësi hulumtuese të madhe.

Këto katër kapituj të librit “Kam etje” përfaqësojnë një udhëtim gjithëpërfshirës në jetën dhe veprën e Nënë Terezës, nga një fëmijë e përulur në Shkup deri tek një shenjtore globale. Struktura e librit përshkruan jo vetëm momentet kyçe në jetën e saj, por edhe thellësinë e përkushtimit shpirtëror, si dhe dashurinë për euharistinë dhe vlerën e jetës njerëzore. Përgëzime dhe shumë urime për librin mr. sci. theol. Kolë Gjergji. Suksese…

https://librat-shqip.tentary.com/?fbclid=IwY2xjawGDdEZleHRuA2FlbQIxMQABHVFrNFiB3DaHxLsWnQAUxM6c-xFnR4frMYUrF-IYsxaLBM614h9AnwtovQ_aem_QlcUw10ulpUYJhPPZoxRwg

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok