Sot është Dita Botërore e Përkthimit
Nga Ndue Ukaj
Gjuha e Europës është përkthimi – ka shkruar shkrimtari Umberto Eco – dhe më tej duke e zhvilluar argumentin ka thënë se këmbimet kulturore kanë kontribuar më shumë se çdo gjë në ndërtimin e asaj çfarë është sot Europa.
Sot është Dita Botërore e Përkthimit dhe në këtë ditë me rëndësi për njerëzimin është e udhës të falënderojmë të gjithë ata përkthyes që na kanë ndihmuar të udhëtojmë nëpër vende të ndryshme, duke na zbuluar botë të reja e duke na kanë bërë jetën shumë më të bukur.
Përkthimi është një nga veprimtaritë më fisnike, pa të cilën ne të gjithë do të ishim shumë më të varfër, shpirtërisht dhe kulturalisht, prandaj ka të drejtë Eco kur thotë se gjuha e Europës është përkthimi.
T’i nderojmë sot këta heronj të vërtetë të kulturës dhe të artit. Ata punojnë në heshtje, të përvuajtur, por botës i japin shumë.
Ata na ndihmojnë pafund, sepse siç thotë studiuesja franceze Jacqueline de Romilly “gati çdo ide e jona për jetën formohet falë letërsisë; ecja nëpër shtigjet e leximit çon drejtpërsëdrejti në formimin e njeriut. Leximet na sjellin analiza dhe ide, por edhe përfytyrime, personazhe, mite dhe ëndrra që përcillen në shpirtin tonë; dikur na kanë prekur telat e zemrës, atëherë kur janë shprehur bukur apo janë përshkruar me forcë; dhe pikërisht nga kjo përvojë ushqehet vetë përvoja e jetës sonë.”
Data 30 shtatori është kremtja e festës së Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës, i cili konsiderohet shenjtor dhe mbrojtës i përkthyesve.
Shën Jeronimi është përkthyesi i Biblës në latinisht dhe vlerësohet si njëri prej kontribuesve më të mëdhnj të civilizimit perëndimor.
Në shënimet që përcjell organizata e Kombeve të Bashkuara për këtë ditë thuhet qartë se ” ai ishte me prejardhje ilire dhe gjuha e tij amtare ishte dialekti ilir. Ai mësoi latinishten në shkollë dhe fliste rrjedhshëm greqishten dhe hebraishten, të cilat i mori nga studimet dhe udhëtimet. Jeronimi vdiq afër Betlehemit më 30 shtator 420.”