06/12/2024

Sikur smira të ishte virus…?!

0
u6_Vilhelme-Vrana-Haxhiraj

ese

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Dita e parë pas izolimit! Ishte dhënë  leja e superiorëve” për të dalë në rrugë.

I armatosur me maskë e me dorashka, ecja kuturu i përhumbur në botën time  apo guaskën e vetmisë të detyruar nga lufta e padukshme mikrobiologjike e “Korona virusit”.  Gjendja e tensionuar më troket si çekan në tru, duke ndikuar në ndërgjegjen time të lodhur prej ankthit, stresit  dhe  trysnisë, ku gëlon vetëm një mendim ogurzi.

Gjithë kjo politikë për t’u mbrojtur nga vetvetja, më duket diçka e sajuar, një politikë panikndjellëse nga sfera të caktuara botërore. Këta njerëz të pangopur që gjthë botën duan ta kenë në një dorë të vetme që nesër të kontrollojnë jetën, ekonominë dhe privatësinë e shoqërisë dhe të çdo individi. “Po sikur botën ta shtrydhin si limoni, çfarë do t’i ngelet vallë? –pyeta ndërgjegjen.

-Ç’përgjigje pret nga unë vallë? Mos do të të them se botën pret lumturia?!”-ndieva një nënzërimë.

Pasi Nevetja ma priti me sëpatë, vazhdova të çaploj përtueshëm…, madje i bezdisur nga qenia ime. Për një çast m’u duk vetja e tepërt në këtë botë të pabesë. “Kujt mund t’i besojë vallë? Kush e thotë të vërtetën për gjendjen e krijuar? Përse gjithçka ka ndalur lëvizjen? Nuk di kush mund të më thotë të vërtetën.”-pyetjet e mia ngelën pa përgjigje, pasi arsyeja ishte shndërruar në një gjendje inerte, e cila duke qenë shterpë dhe memece, nuk mund të më tregojë asgjë.

Teksa përshkoja bulevardin i zhytur në një botë tjetër të huaj, madje inekzistente, asgjë nuk më hynte në sy nga qyteti im i lindjes, të cilin nuk e ndërroj me asnjë nga mrekullitë e botës. Ky qytet i diellit, i bukur që i bën karshillëk detit të gjerë, duket sikur më pëshpërin në vesh, duke mos më lënë të qetë:

O njeri, ti që linde, u rrite dhe po plakesh këtu, në gjirin tim, më thuaj a nuk kam të drejtë të matem me kaltërsinë e detit? –Pa dashur në një çast të vetëm, pa e kontrolluar veten, belba me zë aqsa e dëgjova përgjigjen e nënzëritjes sime:

-Ai të konkuron me kaltërsinë, bukurinë, freskinë dhe gjithë të mirat që të sjellë ty dhe banorëve të tu. Ju të dy duket sikur keni lindur bashkë, ndaj ai po aq sa lumturi të falë, po aq dhembje e lëndime mund të të shkaktojë. Veçse ki parasysh një gjë:- Kur në këtë tokë  ti hodhe hapin e parë si qendër e banuar, ku u vendos vetëm një gur themeli, mos harro se deti ishte aty dhe priste të të shërbente. Mos u bëj xheloz me detin  tënd të kaltër. Sytë e tij blu të shohin, të admirojnë teksa rritesh , ndryshon dhe zbukurohesh nga dita në ditë. Më mirë se deti askush nuk të njeh, sepse të dy jeni bashkëudhëtarë. Udhëtimi i juaj ka qenë i pandarë si në paqe dhe në luftë, si në ditët me dielll dhe në mot stuhi.Të dy bahkë kni kaluar të mirat dhe të këqijat ekësaj bote…Deti i paanë aprovon  lashtësinë, historinë që ti mbart në shekuj. Ti, qyteti i bukur me klimën e mrekullueshme, qyteti im, të cilin e adhuroj, mos e prish zemrën, mos e mbush shpirtin me mllef, se smira do të të çojë drejt urrejtjes dhe hakmarrjes.”-  kjo kuturi e çmendur më rrëqethi trup e shpirt. Ndala një hop dhe nisa t’i flasë mendjes: “Ç’bëj kështu,? Mos vallë lajthita? Po, po u çmenda. Papritur nisa të prekë çdo gjymtyrë e tipar  të trupit. Zura kokën me të dy duart dhe si i shushatur klitha: “Qenkam në rregull…Kujtova se…por jo!”

Atëherë nisa të qeshja si budalla dhe i hodha një sy pamjes sime në xhamat  e vitrinës së një dyqani të heshtur. U shtanga në vend me shikim të zgurdulluar. Përballë meje qëndronte një shembëlltyrë e huaj e ngërdheshur. Ajo vitrinë më e heshtur se heshtja më tregoi të vërtetën e transformimit tim gjatë stinës së ripërtëritjes, pranverës. Atje shikoja një njeri të tjetërsuar, të plakur, të mpakur, të rrudhur dhe me një bark të qullët. Çuditërisht në vend të ëmbëlsisë nga shndritja e tipareve që jep buzëqeshja shikoja një tjetër njeri, një të huaj që ngrëdheshej me veten.

 kthyer në realitet, pyeta ndërgjegjen:“ Çuditërisht këtë mëngjes qyteti im më duket i tjetërsuar, i shkretë, me rrugë të boshatisura.Vështroj përreth dhe diçka më mundon. Më mungojnë ecejaket e qytetraëve, më tmerron mungesa e përshëndetjeve të zakonshme që u japin bukuri ditëve në qytetin tim. Mungojnë zërat fëmijëror që i japin gjallëri jetës…Eh, sa shumë gjëra po  më mungojnë këtë mëngjes! Ndoshta për këtë arsye nuk më bënte përshtypje si përherë. Mos vallë izolimi brenda katër mureve të shtëpisë më ka zvordhur dëshirën për të shijuar bukurinë e qytetit tim të pakrahasuar? Çuditëisht mendimet vazhdojnë të më gëlojnë në tru të lodhura, të  zvargura, të rraskapitura  deri në kapitje…Gjithsesi truri im nuk ndalet…vazhdon e dhe vazhdon papushim të rrëmojë në labirintet e kujtesës. Memorja është një kasafortë hermetike, apo një arkiv që ruan sekretet dhe të vërtetat e jetës. Sa të thëna e të pathëna ruhen aty të kyçura me fanatizëm, që koha apo njerëzit të mos i ndryshojnë apo shpëdorojnë.Janë e vetmja dëshmi e pamohueshme.Pikërisht për t’i rikujtuar na vlen kujtesa njerëzore…

“Epokat historike në të cilat njerëzimi ka kaluar 21 qytetërime, kanë ndikuar në botë, ku gjithësia  ka pësuar ndryshime rrënjësore. Çdo njeri, si qenie humane lind nga një qenie tjetër humane, nga nëna. Porse është koha, ajo që e rrit dhe e madhon njerinë. Koha dhe natyra ecin paralel dhe ndikojnë në zhvillimet sociale, ndikojnë në jetën e çdo individi, të një komuniteti, në marrëdhëniet ndërkomunitare dhe individuale. Sa kohë kalon dhe i vetëdijshëm kthehem pas në të shkuarën e largët, sepse është e sotmja që jetojmë, ajo që lidh të djeshmen me të nesërmen. Nëse do të harrojmë të shkuarën, si mund ta mendojmë apo imagjinojmë të ardhmen që po troket?! Me gjithë vështirësitë e rrugës së gjatë të njerëzimit, e cila e ka emrin jetë, i lumtur është ai njeri që i merr kohës më të mirat e saj. Nuk është turp të shfrytëzosh të gjitha mundësitë si qenie humane, për të përballur të përpjetat dhe të tatëpjetat e  jetës. I fituar është ai që i kapërcen…”- nga mendimet më përmendi një zë gruaje, e cila më thirri në emër:- Pellazg! Ktheva kokën ngaqë zëri m’u duk i njohur por personin sikur e shihja për herë të parë. Ishte një zonjë e moshuar tek të shtatëdhjetat.  Ajo frenoi biçikletën. Me një këmbë në tokë, m’u drejtua:

-Nuk po më njeh?

-Megjithëse kanë kaluar vite, nga zëri,  po, e njoh këtë zë, kurse si person më dukeni e panjohur.

-Mesa shoh paske rënë nga vakti…qënke plakur, Pellazg! Apo meqë ke emër të lashtë të ka plakur lashtësia e emrit?- nga romuzet cingëriëse e njoha, por nuk e dhashë veten. Ndërkohë ajo zbriti nga biçikleta.

Për një çast shtanga dhe më ngeli goja hapur.Më bëri përshtypje veshja e saj moderne, një bluzë dekolte e bardhë dhe pantallona të shkurtra në të njëjtën ngjyrë. me syza të errëta moderne, kurse në flokët ngjyrë bakri me rica kishte lidhur një shallë të hollë që i varej bisht te qafa.  Unë kisha ngelur i shtangur, ndërkohë  më zgjati dorën dhe u prezantua: -Fatmira. Kemi qenë kolegë në të njëjtën shkollë deri në vitin 1994. Unë jepja gjuhën shqipe, kurse ti matematikë.

-Ti,ti… Fff, Fatmira?! E pabesueshme!  Ti qënke rinuar, moj vajzë! Ç’të ka ndodhur që dukesh e tjetërsuar?

-Tani jam një nënë dhe gjyshe beqare. 
 -Pse je ndarë me Akilin?!

-Pse nuk e di ti? I shtrenjti im, Akil nuk jeton më, ka 20 vjet që më ka lënë.

Megjithëse kishte ndodhur shumë vite më paë, i shpreha ngushëllimet e rastit

-Nga bëhesh tani, zonja Mira?

-Pas ikjes së Akilit shkova në Itali , ku jetoj prej gati njëzetë vitesh.

-Po thuaje, të shkretën! Ti na qenke bërë italiankë, moj zonjë?! Kështu më thuaj! Tani po, që të jap të drejtë! Si do të shohësh, ashtu do të bësh moj nusezo,-thoshte gjyshja ime e ndierë.

-A nuk u ngritëm më 1990 për një jetë më të mirë?

-Thamë që të bëheshim si Evropa, si bota e zhvilluar…por traditën tonë kombëtare duhet ta ruajmë dhe t’ua përciellim brezave.

-Edhe unë këtë bëra, i nderuar kolegë. U përshtata dhe u integrova në perëndim, veçanërisht në mënyrën e jetesës.

– Eja të ulemi, të pimë një kafe dhe të bisedojmë për të shkuarën, -papritur u kthyem në barin më të afërt.

-Kisha vite pa ardhur dhe shoh që qyteti paska pësuar shumë ndryshime. Ka marrë fizionominë e një qyteti perëndimor sidomos shëtitorja gjatë  bregdetit. Kudo nëpër rrugë ka gjelbërim.Duket gjithçka e rilindur.

Fjalët e saj të akullta më bën përshtypje. Ishte një thënie e ftohtë, që ngjasonte me një etiketë. Një emigrant kur kthehet në atdhe pas disa kohësh, flet me mall për ato që nuk ekzistojnë më, sepse në ato rrugë, në atë ndërtesa të lashta të qytetit janë ngjizur kujtimet, ruhet një pjesëz e  historisë dhe identitetit kombëtar.

-Me sa shoh ty të pëlqeka, sepse sot je jo si në shtëpinë tënde, por si vizitore e përkohshme. Kurse unë që jam lidhur me qytein tim si mishi me kockën, nuk jam i kënaqur. Të duket i shëndetshëm betonimi i bregut të detit, trotuaret me mbingarkesa betoni? Rrugët automobilistike brenda qytetit janë një kalimshe, shumë të ngushta, ku nuk manovron në raste aksidentesh. Që kjo rrugë është e bukur, nuk e vë në dyshim.Porse përderisa harxhohen miliona e miliona Euro, për gjelbërimin, mos mbill shelgje, mbill agrume dhe palma. Ruaj origjinalitetin e qytetit të dikurshëm.

-Nuk thua, fal Zotit që është vënë dorë, po i vini nga një bisht pas.

-Më dëgjo mirë! Ti nuk jeton këtu, ne që jemi të përhershëm do ta ndiejmë mungesën e frymëmarrjes.  Gjithsesi edhe ne do të përshtatemi, siç po mësohemi me shumë gjëra të tjera më të rëndësishme që nuk na pëlqejnë apo të tjera që na janë mohuar.

Papritur ajo u interesua për kolegët e tjerë. Pasi mësoi në vija të përgjithshme aq sa dija, më ndërpreu fjalën.Veçse mënyra e shprehjes së mimikës më bëri të mendoj se, përsa do më pyeste e kishte me shpoti. “Kjo mendjendritura nuk heq dorë nga cinizmi, jo…Le ta dëgjojë njëherë se ç’do më përrallis…” -hamendësova vetëtimthi.

-Diku kam lexuar për Astritin që paska bërë një punim shkencor në Gjeodezi.

-Astriti nuk jeton këtu. I doli llotua dhe shkoi me gjithë familjen në ShBA, ku dhe jeton.

-Atje merret me studime?

-Sa mbërriti dhe u sistemua me shtëpi,  mbrojti anglishten, likujdoi provimet për t’ju njohur diploma. Më pas nisi studimet në Universitetin e Harvard. Aty shkëlqeu dhe e emëruan pedagog në një Universitet të Amerikës. Në këtë mënyrë iu krijuan mundësitë për të realizuar ëndrrën. Iu vu studimit.

-Amerika është vendi i mundësive, sa për Astritin nuk ishte gjë. Madje nuk ishte i aftë  as si mësues. Të tjerë e meritonin këtë fat dhe e mira shkoi dhe gjeti një njeri të rëndomë…si Ai.

-Unë kujtoj se Italia të kishte ndryshuar disi, jo vetëm duke përqafuar modernizimin, por edhe mendërisht e shpirtërisht. Më vjen keq, por qenke shumë shpirtvogël dhe akoma më cinike dhe ambicioze se ç’ke qenë në të ri.

-Të lutem, Pellazg, mos më fyej. Merre më shtruar dhe arsyeto. Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, Astriti është një copë mish me dy sy, që nuk lëviz dot qimen nga qulli.  Si ti edhe unë e njohim, se ishim kolegë për kaq vite. Ai kurrë nuk ka shfaqur inteligjencë. Ta hajë dreqi,  kur na u bë kaq i shquar?! Pse Amerika ia dha mendjen, duke e bërë të ditur? Ishte njeri i mefshtë dhe për këtë nuk ma ndryshon dot mendimin as ti dhe askush tjetër. Kur ndryshoi ky njeri pa kapacitet, pa ndonjë intelekt të veçantë? Ndaj mos e ngri në qiell se nuk është i vetmi që ka bërë diçka ndryshe nga të tjerët. Kushedi si ka arritur. Sot në botën dixhitale ka forma dhe mënyra të ndryshme për të aaritur synimet. Paska humbur Amerika  ,ku janë kokat ebotës për mendjen e Astritit.

-Jo, nuk jam në një mendje me ty. Kam plotësisht të drejtë që të kundërshtoj. Astriti sot është bër faktor. Më fal, por një njëri pa kulturë, pa intelekt a mund të realizojë arritje të tilla? Kurrë. Sot u kujtove për paaftësinë e Astritit? Apo ngaqë Ai sot është dikushi, ti po i shpërfill vlerazt  e tij. Pse nuk bëhemi edhe ne faktor në një fushë. Sepse as unë dhe as ti  nuk bëjmë dot diçka ndryshe? Aq më tepër kur njeriu udhëhiqet nga fodullëku, që i duket vetja kushedi se çfarë, nuk del dot nga guaska e errët e egoizmit të sëmurë!

Atë kohë që mos ardhtë kurrë, as për ty nuk kisha dëgjuar që të të lëvdonin si mësuese dhe metodiste. Ti vetëm që mbaheshe më të madh dhe njërin sy e mbyllje përgjysmë, kurse vetullën tjetër e ngrije lart me shpërfillje.

-Më vjen keq që shprehesh me kaq urrejtje dhe mllef për një njeri të mirë që nuk e harron as vendin dhe as shokët. Mira, nuk i prisja nga ty fjalë të tilla, pasi ju të dy i përkisni një shtrese të mohuar. Veçse me një ndryshim. Kur ty të emëruan mësuese, Astritin e burgosën me grupin e  inxhinierëve të naftës. Ty të transferuan në një nga shkollat më në zë të qytetit , kurse ai i binte varesë në gurore. Kur fëmijët e tu shkuan me studime në Universitet, fëmijët e tij ngrinin kovat me llaç në ndërtim dhe në ullishte. Ti e quaje veten të persekutuar se punoje mësuese në fshat, kurse mbi shpinën e tij dhe të fëmijëve binte shiu, bora, i ftohti apo temperaturat përvëluese të verës.

-Ndalu Xhek se ka hendek! Të lutem më ngadalë, me zë më të ulët dhe mos u bëj avokat mbrojtës i tij.Nuk është i vetmi që ka vuajtur. Të gjithë e kemi hequr mbi shpinë Luftën e klasave…Në burg ka qenë edhe vëllai im.

-Ishte, por çulitërisht ty nuk ta mohuan ushtrimin  e profesionit, kurse atij veç lirisë i hoqën edhe bukën e fëmijëve. Zonjë, ka vuajtje dhe vuajtje. Edhe brenda familjes shkalla e vuajtjeve është e ndryshme. Ti jetoje në mes të qytetit, kurse familjen  e tij e internuan. Njerëzve të tij u është bërë një luftë klasore e jashtëzakonshme. Arritën deri aty sa nga urrejtja vranë qenin atë kafshë besnike me mënyra barbare, duke ja shtypur kokën me gurë, duke i bërtitur gjithë mllef, “qen i biri qenit. Nuk bëhesh më i mirë nga yt zot!” I therën pelën që galoponte si një pegaso. Vëllai yt bëri 2-3 vjet burg dhe fitoi lirinë. Kurse nga trupi i vëllait të tij i erdhi nënës në shtëpi vetëm një këmbë që kishte ngecur në yzengji të mushkës. Pse vallë? Sepse ngaqë nuk pranoi të bëhej spiun i Sigurimit, i vunë dy gozhdë në samarin e kafshës, e cila u harbua dhe e mori zvarrë studentin e vitit të fundit të shkollës Tregtare.  Trupin e të vëllait e mblodhën në çarçafë natën me pishtarë bashkëfshatarët e tij, copa-copa si mish për jani.Veç humbjes së jetës të njërit vëlla,vëllai tjetër, i arsimuar në perëndim, me disa gjuhë të huaja, përfundoi në furrat shfarosëse të Mat’auzenit. Dajua i tij ishte dëshmorë se u vra  në Sanxhak të Dardanisë. Megjithatë familja e tij u internua dhe Astriti m dy vëllezërit u burgos.E kupton që ai nuk kishrte dalë nga hiçi.

Të them të drejtën më ke befasuar. Çfarë të keqe të bëri ty Astriti si studiues? Mos vallë arritjet  e tij janë bërë pengesë për ty?  Koha u ka dhënë mundësi të gjithëve, por ama  jo të gjithë do të bëhen me tituj shkencorë. Nuk mund të bëhen të gjithë të famshëm. Kush të ka ndaluar moj zonjë?  Urdhëro merr lapsin ulu, shkruaj dhe hidhi mendimet në letër. Puna shkencore apo krijuese që të jetë produktive, kërkon palodhshmëri. Maja të pashkelura ka për të gjithë ata që duan të flijohen për shkencën, letërsinë apo artin, ekonominë, mjekësinë apo diplomacinë. Kush është i zoti le të provojë dhe të ngjitet në to sipas aftësive.  Për njerëzit e punës krijuese fjalët janë të tepërta. Konkretisht për Astritin është e huaj mëndjemadhësia, cinizmi, egua, dehja nga suksesi apo smira për sukseset e të tjerëve.

Mira, më dëgjo me vëmendje.  Mua do të më vinte turp nga vetja nëse do të shprehesha kështu për cilindo dhe aq më tepër për një ish koleg.  Nuk e di se çfarë stomaku ke?! Veç në këtë bisedë që mendova se do të shmalleshim si dy bashkëqytetarë, më forcove dhe përkeqësove akoma më shumë përshtypjet që kam pasur për ty.

-Bravo, të lumtë zoti Pellazg! Nuk e dija që ruake rezerva brenda qenies sate…

-Më vjen keq! Nuk kam dashur të t’i kujtoj, por tani po të them mendimin tim për ty. Je egocentriste. Me çdo kusht kërkon që bota të vërtitet rreth teje, kur nuk ke bërë asgjë për të qenë dikushi.

-Ua edhe këtë ma the?!Me ç’të drejtë po më tjetërson personalitetin?

-Nëse ti e quan mëndjemadhësinë, fodullëkun, smirën , cinizmin, egoizmin, urrejtjen dhe shvlerësimin e mundit të të tjerëve, këto cilësi që sot i nxore në pah, i quan personalitet, nuk je gjëkundi. Personaliteti i njeriu formohet me dije, kulturë, talent, profesionalizëm, me punë vetëmohuese, vullnet dhe paodhsmëri. Vetëm atëherë quhet një njeri i formuar si individualitet. Ndryshe cilido që flet në erë, urrejtja pathologjike për një tjetër, e çon në hakmarrje. Cilido qoftë ai njeri, quhet llafazan, sharlatan dhe i pamoralshënm që merret me punët e të tjerëve, të cilëve u shkon uji në arë, kurse ai thotë pse u tha ara ime për ujë?!

-Tani e kuptoj gabimin tim. Nuk ia fal vetes që të fola… Kurrë, kurrë s’kam për ta falur veten…

-Unë të falënderoj që u takuam, sepse mes kësaj bisede ti zbulove anët e errëta dhe të panjohur të qenies tënde. Edhe diçka dhe do ta mbyllim bisedën. Gjithë fjalët e tua më bën të mendoj ose më mirë të bindem se ti ke brenda vetes shumë urrejtje dhe smirë, e cila i ngjet Korona virusit që po përjeton dhembshëm njerëzimi.  Pastroje shpirtin, kthjello ndërgjegjen se smira nuk të çon askund, veç në vetëshkatërrim. Kujtoja se në fjalët e tua do të gjeja mirësi dhe adhurim për një njeri që gjeti veten pas vuajtjeve të pashembullta.  Për fat të keq ndër ne mirësia e ka harruar rrugën e Zotit, pasi është zëvendësuar nga shpirtligësia,- teksa i flisja ia kisha ngulur vështrimin thellë në bebet e syve të saj.Vura re gjendjen e një njeriu të mjerë, që turfullonte nga zemërimi, pasi kishte humbur betejën. Nga paraqitja fodulle e kryeneçe,  tani mezi kapërditej sikur i zvargej një kockë në fyt…

-Fatmira, mblidhe veten. Zonjë, ende nuk i ka ardhur fundi i botës.

-Përse mendon kështu, Pellazg?

-Këtë përshtypje më la mimika  jote, pas bisedës. Mira, mbai mend këto që po të them:  Sikur smira të kishte qenë virus, do të kishte infektuar dhe gjysmuar njerëzimin.

Si këshillë po të jap një thënie të Sokratit: “Ai që dëshiron ta ndryshojë botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij!”Pse nuk kemi arritur të njohim vetëveten, labirintet më të errëta të shpirtit, ndaj ky komb nuk është në gjendje të mbrojë idenitetin e tij, as autoktoninë  dhe as gjuhën më të lashtë shqipe, gjuha e fillimit në Evropë. Po nuk deshëm veten nuk ka se si të na duan të tjerët. Respekto veten që të të respektojnë!

U ndava me të duke më lënë një shije të hidhur dhe pa dashje nënzërita: “Zot përse ke lënë mbi tokë njerëz të tillë shpirtkazëm që udhëhiqen nga smira?!”

Ktheva kokën pas dhe vura re se ajo me biçikletën për dore ishte mbështetur tek një shtyllë, si duket nuk e gëlltiste dot vesin, i cili lind me njeriun dhe vdes me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok