SI E DUA UNË TIRANËN…

0
Tirana-Enderrimtare

Një qytet që skuqet nga trëndafilat, jo nga flakët e zemërimit

Nga Albert Z. ZHOLI

Unë e dua Tiranën ndryshe. E dua të skuqet nga trëndafilat, jo nga zjarret; të gjallërohet nga këngët, jo nga britmat; të mbushet me buzëqeshje, jo me lot e zhgënjim. E dua Tiranën pa djegie, pa protesta  me gure që përfundojnë në përplasje, pa skena dhune mes policisë dhe studentëve. E dua një Tiranë ku fjala e bukur të zëvendësojë përplasjen, ku dialogu të triumfojë mbi konfliktin dhe ku mendimi ndryshe të mos shihet si armik, por si një e drejtë që e pasuron shoqërinë.

E dua Tiranën me këngë, me vëllazërim, me shkolla të bukura, me çerdhe të sigurta, me lulishte plot gjelbërim dhe me parqe ku fëmijët të luajnë të lirë, të moshuarit të shëtisin të qetë dhe familjet të gjejnë paqe. E dua një qytet ku rinia të mos e shohë të ardhmen jashtë vendit, por të gjejë mundësi, dinjitet dhe shpresë në vendin e vet. E dua Tiranën me një administratë të ndershme, larg korrupsionit, ku qytetari të mos sorollatet nëpër zyra, ku shërbimi publik të mos jetë privilegj, por detyrim. Dua institucione që punojnë për njerëzit dhe jo njerëz që detyrohen t’u përshtaten interesave të institucioneve. E dua Tiranën me një qeveri që respekton pensionistët, ata që kanë punuar një jetë të tërë dhe meritojnë ta kalojnë pleqërinë me dinjitet, pa frikën e bukës së përditshme dhe të faturave që rëndojnë mbi pensionet e tyre. E dua një qeveri që nuk i harron shtresat në nevojë, familjet e varfra, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe këdo që ka nevojë për mbështetjen e shtetit. Sepse madhështia e një shoqërie nuk matet vetëm me ndërtesat e larta, rrugët e asfaltuara apo sheshet e bukura. Ajo matet mbi të gjitha me mënyrën se si trajton njeriun, veçanërisht atë që ka më shumë nevojë.

E dua Tiranën pa tym e zjarr, pa dhunë e përplasje, por me paqe, mirëkuptim dhe solidaritet. Nuk dua që qyteti im të bëhet lajm për konfliktet, por për arritjet; jo për gurët e hedhur, por për urat e ndërtuara mes njerëzve. E dua Tiranën me ministri që afrojnë njerëzit e aftë, profesionistët dhe specialistët e ndershëm. Dua që aftësia, puna dhe përgjegjësia të jenë kriteret kryesore për të shërbyer në administratë, jo njohjet personale, bindjet partiake apo interesat e ngushta. Shqipëria ka njerëz të zotë dhe të përkushtuar. Një qytet demokratik nuk është qyteti ku të gjithë mendojnë njësoj, por qyteti ku njerëzit me mendime të ndryshme jetojnë, bashkëpunojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin.

Unë e dua Tiranën të bukur, por jo vetëm në fasadë. E dua të bukur në shpirt, në marrëdhëniet mes njerëzve, në drejtësinë që ofron dhe në shpresën që u jep të rinjve. E dua një Tiranë ku askush të mos ndihet i braktisur, ku i moshuari të ndihet i respektuar, studenti të ndihet i dëgjuar dhe punëtori të ndihet i vlerësuar. A është kjo një ëndërr? Ndoshta. Por është një ëndërr që mund të bëhet realitet nëse politika vendos qytetarin mbi interesin partiak, nëse institucionet zgjedhin ndershmërinë dhe nëse secili prej nesh kontribuon për një shoqëri më të mirë.  Sepse Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Shqipërisë. Ajo është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Dhe shtëpia e përbashkët duhet të jetë vendi ku mbizotërojnë paqja, respekti, dinjiteti dhe dashuria për njëri-tjetrin. Kjo është Tirana që dua unë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok