14/10/2024

Shqipëria dhe Europa, perspektiva e integrimit

0

Nga Alfred Papuçiu

Po e ndjek me interes si çdo shqiptar debatin  e shfrenuar lidhur me mundësinë apo jo që Shqipëria të bëjë pjesë në familjen europiane të Brukselit. Gjakrat janë ndezur dhe shkohet deri atje, sa “për inat të sime vjehrre”, disa janë gati “të flenë me mullixhinë”. Gazetat shqiptare shprehin mendime të kundërta dhe botojnë shkrime të analistëve, si dhe deklarata të atyre që janë “kundër” apo “pro” përkatësisë europiane të Shqipërisë. E kuptoj se për interesat e tyre politike, grupime të caktuara përpiqen të imponojnë argumentet e tyre. Por këtu nuk është fjala për interesat politike, ekonomike, sociale vetëm të një grupimi, qoftë ky i së majtës, i qendrës apo i së djathtës, ”për të marrë pjesën e luanit” e ku ta di unë, por kemi të bëjmë me interesat e ligjshme të gjithë kombit, popullit shqiptar: mundësinë e futjes në Bashkimin Europian, paçka se ai është shumë larg së qeni i përkryer. Ëndrra europiane e brezave të tërë, rilindësve e më vonë, siç duket për egoizëm të disave do të shtyhet akoma. Në këtë kor futen dhe grupime të caktuara europiane, qofshin në Bruksel, Strasburg, Luksemburg etj., që kanë frikë siç duket nga ideja e “Shqipërisë së Madhe”, e cila në fakt nuk shtrohet tani. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete mike që i kanë rritur shkëmbimet e tyre, që flasin një gjuhë, ashtu siç është Zvicra me Italinë, Austrinë, Francën, Gjermaninë, Lihtenshteinin, ku flitet respektivisht italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, romanshë dhe popuj të këtyre vendeve kalojnë lirisht dhe janë vendosur atje ku kanë gjetur punë apo ku kanë interesa dhe jetë më të mirë. S’ka gjë më të mirë se Rruga e Kombit apo nisma të tjera që ndihmojnë dy vendet për shkëmbime ekonomike, tregtare, kulturore etj.. E kam ngritur prej vitesh dhe miqtë tanë të një multinacionaleje amerikane ku unë kam punuar në vitet 2000 e kanë ngritur, se porti i Durrësit duhej të ishte kthyer prej kohësh në një “silos” ku të stokoheshin mallrat që do vinin nga gjithë bota dhe pastaj të shkonin me rrugë tokësore edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Këtë rol e ka luajtur deri-diku porti i Selanikut apo porte të tjera në Ballkan.

Prej mëse 40 vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, përkthyesit, botuesit, funksionarit ndërkombëtar, dikur në Shqipëri dhe aktualisht në Zvicër. Kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me shkrime dhe botime në shtypin zviceran dhe në atë të organizatave ndërkombëtare, si dhe në shtypin shqiptar. Këto vitet e fundit, më tepër jam i prirur të shkruaj dhe të debatoj edhe me miqtë e mi për Europën dhe kombin tonë. Sidomos në këto çaste, kur Veriu i industrializuar nuk është akoma i prirur të pranojë peshën në rritje dhe ndihmesën që japin fuqitë e reja të “Europës tjetër” jashtë saj dhe nevojën për të vendosur një ekuilibër të ri midis Veriut dhe Jugut. Vetëm Shtetet e Bashkuara, në erën e Klintonit, Bushit, të Obamës dhe tani të Trump-it mund të krahasohen si komb, ndërsa Europa e të 27-ve, përveç disa përjashtimeve, me Francën dhe Gjermaninë, është akoma shumë larg që të cilësohet një ditë si “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Kontrasti është i madh midis kontinentit amerikan dhe Europës, për arsye se europianët e Brukselit refuzojnë të përballojnë situatën e tanishme që evoluon dita- ditës. Nuk mund të vësh në asnjë mënyrë, siç vënë në dukje analistët, Presidentin amerikan Trump me drejtuesit e Komisionit Europian, të atrofizuar dhe burokrat, apo me protokollin e tij i shkon për hosh nostalgjikëve të epokës së merhumit. A nuk ishte ajo “Europë e kamur” që e mbante të mbyllur Shqipërinë për dekada të tëra, duke mos folur për të dhe shumë europianë nuk e dinin ku binte Shqipëria dhe shqiptarët, si e dëshironte E.H? A mos do ajo akoma, për hir të disa zotërimeve apo privilegjeve që kanë fituar funksionarë të saj diku në Jug të Europës, ta shtyjë “në kalendat greke” futjen e Shqipërisë në Bruksel, që i takon “de jure”? Apo për t’i bërë qefin duke e joshur klanin serbomadh, apo ndonjë shtet “superfuqi” që i shkon pas ?! E dimë se Tito me politikën e tij” të paangazhuar” të hapjes, çoi emisarë të tij burra, gra dhe vajza të reja, në shumë vende europiane, të cilët pasi mbaruan studimet dhe u bënë profesorë, ekonomistë, mjekë apo u martuan me vendës, tani hapur apo edhe në mënyrë të zhdërvjellët bëjnë politikën e Serbisë.

Europës i duhet përsëri një staf me vizion të qartë dhe që është i paanshëm, pasi ajo po paguan anonimatin burokratik të drejtuesve të saj me çmim të lartë.

Duke qenë jashtë në diasporë, më tepër kam mbajtur rolin e spektatorit dhe jo të protagonistit të ngjarjeve të këtyre viteve, sidomos pas viteve ‘90. Detyrat që kam pasur si funksionar ndërkombëtar i pavarur në disa organizma të sistemit të OKB-së, nuk më linin kohë të merresha me analiza e shkrime për shtypin shqiptar. Natyrisht, kam ndjekur në çdo hap gjendjen në Shqipëri, analizat e bëra nga dashamirët e saj, por edhe të atyre dashakeqëve që sa vijnë e pakësohen. Kam shkruar edhe me mllef, por edhe me argumente kundër tyre, siç vazhdoj edhe tani, kur është sidomos çështja e mbrojtjes së interesave të kombit dhe padrejtësive që i bëhen atij nga disa qarqe vendimmarrëse europiane apo nga disa fqinj keqdashës. Kam shkruar dhe e theksoj edhe sot për domosdoshmërinë e ekuilibrit të politikës sonë të jashtme, sidomos me fqinjët tanë, qofshin të Jugut, Veriut, Lindjes apo Perëndimit. Edhe për një politikë largpamëse me europianët. Kam shkruar edhe për Amerikën dhe qëndrimet pozitive të administratës së presidentëve Klinton, Obama e Trump. Për mua mbetet vendi i parë në botë, i paarritshëm, i lirisë dhe demokracisë. Kam shkruar edhe për Zvicrën që kur shkon në fshatin zviceran, se qytete të mirëfillta mund t’i quash pa hezituar, shikon në ballkonet e shtëpive, krahas luleve shumëngjyrëshe, edhe flamurin e Kantonit dhe atë të Zvicrës. Midis Zvicrës dhe vendeve fqinje tani ka vetëm kufij fiktivë. Fqinjë të mirë që ngrenë së bashku dolli, qofshin këta zviceranë, francezë, edhe shqiptarë. Kufijtë ndahen vetëm nga breza tokash me grurë apo lule dhe aty-këtu ka forca lëvizëse, që natyrisht kontrollojnë hyrjen e keqbërësve të mundshëm.

Kjo më bën në këto çaste të mendoj edhe për kombin tonë: tashmë ai nuk është më “i mbyllur hermetikisht” si dikur, por i hapur, paçka se shumë bashkëkombës të mi detyroheshin akoma deri para disa vitesh të mbanin radhën me orë të tëra, ditë dhe muaj, për të marrë një vizë për të shkuar në Europën e 27-shes. Jo për turizëm, por për të punuar dhe për t’u rraskapitur… Ata shkojnë tani lirshëm.

Kam punuar në organizatat ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në Byronë Ndërkombëtare të Punës, në OMS, me kolegë të vendeve të botës dhe nuk kishim asnjë kompleks për njëri-tjetrin. Punonim si vëllezër dhe ndihmonim njëri-tjetrin, ashtu siç më kujtohet kur isha gazetar në Shqipëri, ndihmonim njëri- tjetrin, me Kastriot Gjinin e ndjerë kompozitor, me Shaban Muratin analist të zotin etj.. Ambicia ime e vetme tani është se si të hedhim një gur të mirë në kalanë tonë, që është futur në udhën e demokracisë europiane, të NATO-s. Unë kam pasur fat dhe e them sinqerisht, siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombës dhe ish-kolegë të mi, që kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratike, si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Në Zvicër kam vazhduar edhe një universitet të dytë, duke shtuar njohuritë e mia juridike, politike, ekonomike, rajonale për Europën e ëndërruar nga Viktor Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet, Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Curçilli, Altiero Spinelli, Alcide de Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont.

Emri “Europë” është shumë i lashtë dhe e gjejmë te Herodoti. Sipas legjendës, Europa ishte një princeshë feniciane që ia kishte marrë mendjen Zeusit, mbretit të Olimpit. Europa ishte dhe Iliria, Dardania, shumë më parë se treva që u krijuan në Europë më vonë.

E përsëris, e kam shprehur dhe e shpreh hapur dhe pa ndonjë nëntekst, pasi i gëzoj prej vitesh të gjitha të drejtat te shteti multietnik zviceran: kam një simpati të veçantë për Zvicrën dhe ministren e saj të Jashtme, Micheline Calmy- Rey, ish-presidente e Konfederatës Zvicerane, jo sepse më ka dërguar një letër të ngrohtë, por sepse është e guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen e interesave të vendit të saj. Atë e respektonin dhe e respektojnë akoma edhe përfaqësues të partive të tjera politike, të së djathtës dhe të majtës apo të qendrës, për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Ajo më shkruante për rrugën që duhet të ndjekë Kosova dhe Shqipëria për në Europën e Brukselit. Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, është në “Europën tjetër” si dhe Shqipëria, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europën e Brukselit, apo edhe më larg. Zëri i saj dëgjohet dhe vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit. Nuk mund të rri pa përshëndetur hapat e guximshëm të ministrit të Jashtëm të Kosovës, të përkushtuarit fisnik, Bexhet Pacolli, i cili ka bërë dhe bën aq shumë për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në shumë shtete të botës. Një shembull tepër domethënës në këtë kohë të tranzicionit të kombit tonë të lashtë në Europë. Ai është tepër largpamës dhe me vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës martire.

Ndonjë parlamentar që e njoh dhe dikur na ka thënë se “ju të diasporës jeni jashtë loje dhe nuk duhet të jepni mendime për kombin”, tani mund të përtypet. Atij i kujtoj se Zvicra i quan bashkëkombësit e saj të vendosur jashtë territorit helvetik, në Europë, Argjentinë, Amerikë, Kanada, Tailandë, Singapor e gjetiu, si “ambasadorë të nderuar” të Zvicrës apo “Zvicra e dytë”. Janë mbi 700 mijë zviceranë që jetojnë jashtë shtetit. Popullsia zvicerane tanimë ka arritur rreth 8 milionë banorë, midis të cilëve 20 për qind janë të huaj. Do të kisha dëshirë që të hapnim një diskutim edhe për rolin e ambasadave dhe misioneve tona: se çfarë bëjnë ato për të afruar shqiptarët, sidomos në kohët e sotme, për të diskutuar edhe për të ardhmen e tyre, për rolin që duhet të luajnë tani kur na bëhen padrejtësi, për shtyrjen e futjes së Shqipërisë në Europë?! Ato vende si Italia, Portugalia, Spanja etj., kur hynë në rrugën demokratike, kanë pasur dhe kanë fatin të mos kenë fqinjë “që të qajnë ditën dhe të fusin thikën natën”. A mund të pranojmë të heshtur që Europa të jetë si Shtetet e Bashkuara të Europës, pa Shqipërinë, Kosovën dhe ndonjë vend tjetër të Ballkanit? Jo, duhet të veprojmë së bashku, me maturi dhe pa mllef, për të mirën e kombit, sa nuk është vonë, që të mos na shajnë brezat e ardhshëm shqiptarë, duke na cilësuar si “të mefshtë”, që kemi parë vetëm interesat e ngushta vetjake. Të shohim së shpejti flamurin tonë me shqipen dykrenore, krahas atyre të kombeve të tjera që e përbëjnë atë në Bruksel, ashtu siç e shohim me krenari në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, në Gjenevë apo në selinë e NATO-s dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, ashtu siç e shohim në Rokfeler Center e gjetiu në botë. Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e vetmja kishë “ortodokse” duke u ndarë nga Roma dhe megjithëse reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Me gjithë shumëllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime: mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoevropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijëra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetëra dekadash; a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën; ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore; ajo ndihmë që iu dha italianëve gjatë “kapitullimit” të Italisë që u strehuan te vatrat e shqiptarëve të thjeshtë? Për ata shqiptarë që në vitet ‘90 u larguan nga Shqipëria për të parë një jetë më të mirë. Një fenomen i tillë ishte parë edhe në shekullin e XIX me emigracionin e dhjetëra mijëra europianëve në Amerikë, tokën e premtuar. Shumë grekë, sidomos intelektualë, por gjithashtu muratorë, fshatarë janë kudo në botë. Në rast se shkoni në Florida, ju mund të shihni ata që ndërtojnë “billdingjet” janë grekë; ka shumë restorante greke me “buzuqe” dhe një lagje e tërë greke. I njëjti fenomen ndodhi me italianët në vitet e parat ë shekullit XX. Si edhe francezët që janë kudo në botë; me zviceranët që siç e përmendëm më sipër janë mbi 700 mijë, jashtë kufijve të Konfederatës Helvetike. Autoritetet e këtyre vendeve, ambasadorët e akredituar atje, si edhe shtypi, nxjerrin në pah cilësitë e këtyre “përfaqësuesve të denjë” të Francës, të Greqisë, të Zvicrës, të Spanjës…Dhe kjo me të drejtë. Mjaft më me korniza e ndarje kufijsh për popujt e Ballkanit! Edhe ata meritojnë të shohin diçka më tepër, për vete dhe fëmijët e tyre. Shqipëria dhe Ballkani të mos bëhen pré e keqdashësve që hedhin vetëm anatema ndaj popujve të tyre mikpritës, bujarë, punëtorë, që kanë të drejtën të lëvizin në Europën që u përket jo vetëm gjeografikisht, por edhe ligjërisht. Europa është e ardhmja jonë dhe jo më nostalgji.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok