21/12/2024

Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, zhvilloi me sukses  Sesionin Shkencor, në kuadrin e 80-vjetorit të çlirimit të atdheut

0
Albert-Zholi

Nga Albert Z. ZHOLI

Kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, më datën 09.11.2024, ditën e  shtunë, ora 11.00,  në sallën e Akademisë së Shkencave organizoi  Sesion Shkencor në kuadrin e 80 Vjetorit të çlirimit të atdheut. Në këtë veprimtari ra në sy një pjesëmarrje e gjerë e shumë intelektualëve nga të gjitha fushat. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre ish-Presindenti Moisiu, ish –Kryetarët e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, Prof. Ethem Ruka, Kryetari Gjyaktës së Lartë z. Sokol Sadushi, Prof. Elmaz Sherifi,  deputeti i Kosovës Berat Luzha, etj…Në sallën e mbushur si asnjëherë ra në sy një pjesëmarrje cilësore madje nga të gjitha krahinat e vendit dhe disa prej kryetarëve të Shoqatave simotra si Shoqatës “Tomorri”, Shoqata “Devolli”, Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës, etj…Në këtë Sesion kaq të rëndësishëm referuan disa personalitete

Prof. dr. Paskal Milo referoi kumtesën  ” Çlirimi i Shqipërisë meritë e luftës antifashiste dhe nacional çlirimtare të popullit shqiptar”. Prof. dr. Pëllumb Xhufi referoi kumtesën   ” Çurçilli dhe Shqipëria në luftën e

dytë botërore “. Prof. dr. Bardhosh Gaçe, referoi kumtesën   ” Nderim për Vlorën antifashiste në  vitet e Luftës së Dytë Botërore. Prof. asoc.dr. Mariglen  Kasmi, referoi kumtesën   ” Antifashizmi dhe kolaboracionizmi në trajtesat e sotme historike. Prof. dr. Ago Nezha, referoi kumtesën   “Labëria në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror”.

Në fjalën e tij të hapjes Kryetari I Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, z. Agim Çiraku theksoi:

Të nderuar pjesëmarrës!

I nderuar President i Republikës shkëlqesi e Tij  Z. Bajram Begaj

I nderuar President Dr. Alfred Moisiu

E nderuar Kryetare e Kuvendit Znj. Elisa Spiropali.

I nderuar Kryegjyshi Botëror, hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

I nderuar Ambasador i Kosovës Skënder Durmishi.

I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë, Profesor Sokol Sadushi.

I nderuar Kryetar i Komitetit të Veteranëve të Shqipërisë Profesor Hulusi Hako.

I nderuar Profesor Ragmi Mustafa, Kryetar i PDSH-së Lugina e Preshevës dhe deputeti Berat Luzha nga Prishtina.

I nderuar Profesor Dr. Ethem Ruka, Rektor i Universitetit “Luarasi”.

Të nderuar deputet dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

I nderuar Z.Gramoz Ruçi, ish Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Personalitete të Labërisë, Akademik, Profesor, Artist, Miq dhe të Ftuar

 

Më lejoni që në emër të Shoqatës Atdhetare Kulturore “LABËRIA” “Nderi i Kombit”, t’ju përshëndes për pjesëmarrjen Tuaj në këtë takim në kuadrin e festës jubilare të 80 vjetorit të Çlirimit të vendit. Njëkohësisht të falenderoj historianët e shquar, Profesor Paskal Milon, Profesor Pëllumb Xhufin, Profesor Bardhosh Gaçen, Dr. Mariglen Kasmin dhe publicistin e shkrimtarin e njohur Profesor Ago Nezhën, që ju përgjigjën kërkesës tonë për të kumtuar në këtë Jubile. Jemi këtu së bashku, për një event të madh historik, dhe bëjmë një gjest fisnik, duke përkujtuar ditën e shenjtë të çlirimit, ku 70.000 partizanë dhe partizane, në lulen e rinisë, që u radhitën në gjerdanin e artë të luftëtarëve për liri, flijuan jetën, për një kauzë unikale në historinë e vendit tonë, për çlirimin e vendit nga okupatorët nazi-fashist dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Lufta Nacionalçlirimtare, është epopeja më e ndritshme e popullit shqiptar në tërë historinë e tij shekullore, në luftrat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror. Nuk ka ngjarje të dytë, që të jetë ngjitur në apogjeun e madhështisë, trimërisë, guximin, sakrificës dhe heroizmit se sa kjo luftë.

 

Heroizmi dhe gjaku i derdhur në Luftën Nacionalçlirimtare, është mrekullia e atij brezi hyjnor, që u martirizua në lulen e rinisë, duke mos e kursyer jetën, por luftuan për një ideal të madh kombëtar, për të krijuar një atdhe të lirë e të pavaruar. Shqipëria e vogël, ngjan me një vënd të MADH, që e ka larë çdo pëllëmbë toke me gjakun e bijve dhe bijave më të ndritur, si asnjë vend tjetër. Edhe pse u përgjakën nuk u përgjunjën, u torturuan, por s’u ligështuan, sfiduan të ftohtin dhe urinë, por s’u bënë qaramanë e lypsa para armikut. Ishte brezi i idealeve të mëdha, që nuk e duroi dot shtypjen, shfrytëzimin dhe pushtimin e të huajve.

 

Botërisht, nderohen të rënët në Luftën e Dytë Botërore. Ndaj dhe ne sot si Shoqatë Atdhetare Kulturore” Labëria”, e ndiejmë detyrim moral dhe shoqëror të organizojmë këtë veprimtari në këtë jubile, për të rënët si një homazh për veprën e tyre heroike. Populli shqiptar, më i hershmi i Europës, jetën e ka kaluar mes luftërash, si asnjë popull tjetër i Ballkanit dhe askush s’ka dhënë kaq shumë dëshmorë sa kombi shqiptar, për numrin e popullsisë.

 

Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria bëri zgjedhjen e duhur, ishte aleate me fitimtarët dhe u radhit përkrah shteteve të mëdha, si SH.B.A, Anglisë dhe BS. në luftën me pushtuesit e përbashkët nazi-fashiste. Nuk kam synim të zgjatem as të bëj analizë për këtë ditë të shënuar historike për vendin tonë, se atë do e ndriçojnë më së miri profesorët e nderuar nëpërmjet kumtesave të tyre.

Lavdi të Rënëve në Luftën Nacioanalçlirimtare.

E përjetshme qoftë vepra e tyre.

Rroftë Populli Shqiptar!

Rrofshin festat e Nëntorit. Dy ditët historike të kombit shqiptar – Dita e Pavarsisë dhe Dita e Çlirimit.

 

FALEMINDERIT

 

Do proçedojmë duke respektuar ftesën:

 

Më lejoni që t’i jap fjalën historianit të njohur Prof.Dr. Paskal Milo, për të mbajtur kumtesën: “Çlirimi i Shqiperise merit e Luftes Antifashiste dhe Nacional Çlirimtare te popullit shqiptar“.

 

Fjalën e ka Prof.Dr. Pëllumb Xhufi, që do kumtoi: “Politika e Britanisë Madhe ndaj Shqipërisë në vitet e Luftës II Botërore“.

 

Prof.Dr. Bardhosh Gaçe, me temën: “Nderim për Vlorën Antifashiste në vitet e Luftës së Dytë Botërore“.

 

Prof. Asoc. Dr. Mariglen Kasmi, do mbaj temën: “Antifashizmi dhe kolaboracionizmi në trajtesat e sotme historike“.

 

Prof.Dr. Ago Nezha, do flasë: “Labëria në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror“. Falenderoj të gjithë folësit për kumtesat mjaft interesante që paraqitën në këtë sesion shkencor, që mendoj se ju arrit qëllimit. Fjalën ja kaloj Kryetarit të Forumit të Nderit Profesor Ago Nezhës për të shpallur dekorimet që ka miratuar Forumi i Shoqatës Labëria.

 

 

Vlerësime

 

Në fund të takimit siç është bërë traditë nga Shoqata u ndanë disa vlerësime për personalitete jashtë komunitetit lab, por që kanë ndihmuar këtë komunitet dhe janë pjesë e çdo aktiviteti të saj. Konkretisht u nderuan me Titullin “Mirënjohje e Labërisë” Prof. Asoc. Mareglen Kasmi dhe nënkryetari i Bashkisë Tiranë, z. Andi Seferi:

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

SHOQATA ATDHETARE KULTURORE LABËRIA” NDERI I KOMBIT”

MIRËNJOHJE E LABËRISË

I JEPET

  1. ANDI SEFERI

 

Me një karrierë të pasur në qeverisjen vendore, në cilësinë e Nën/Kryetarit të Bashkisë të Tiranës,prej vitit 2015. Është diplomuar si jurist dhe ekonomist agrar dhe ka kryer disa specializime në master brenda dhe jashtë shtetit. Me një përvojë dhe kontribut të gjatë si Përfaqësues i Komunitetit Sant’Egidio në Shqipëri dhe në Kosovë, për një periudhë 17 vjeçare, duke mbajtur funksione të larta të lidhura me kompetencat e tij juridike, ekonomike, sociale, të qeverisjes dhe zhvillimit të territorit. Projektet e zbatuara kanë qenë në ndihmë të komunitetit rom, familjeve të varfra, mirërritjes së fëmijëve, prindërimit, si dhe për riaftësimin e riintegrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Një nga aktivitetet kryesore të karrierës së tij profesionale, ka qenë ndihma që i ka dhënë popullit kosovar gjatë periudhës së luftës së Kosovës, për familjet e shpërngulura në Shqipëri, si dhe ka ndihmuar nëpërmjet projekteve të huaja familjet kosovare në Kosovë, për t’u riintegruar në jetën shoqërore. Është pjesëmarrës aktiv në jetën politike dhe shoqërore. Ai, promovon vazhdimisht iniciativa, që vlerësojnë jo vetëm qytetin, por territorin e kësaj treve, për historinë, traditat, kulturën dhe mjedisin e saj, ashtu si dhe integrimin kulturor, social-ekonomik midis zonave urbane dhe rurale të Tiranës.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

ASTRIOT MUÇO

KRYETARI

AGIM ÇIRAKU

TIRANË MË 09.11.OO.2024

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

SHOQATA ATDHETARE KULTURORE LABËRIA” NDERI I KOMBIT”

“MIRËNJOHJE E LABËRISË”

I JEPET

PROF.ASOC.DR. MARENGLEN KASMI

Me një përvojë mbi 20-vjeçare në mësimdhënie me kohë të plotë e të pjesshme në fushën e Historisë së Përgjithshme dhe asaj Ushtarake, Marrëdhënieve Ndërkombëtare e Sigurisë Kombëtare në institucione të arsimit të lartë universitar e pasuniversitar, civile e ushtarake. Studiues i afirmuar me një pjesëmarrje të gjerë në konferenca kombëtare e ndërkombëtare në fushën e historisë. Ka botuar brenda e jashtë vendit një sërë artikujsh shkencorë për çështje të historisë shqiptare e kryesisht për zhvillimet në shek. XX. Autor i disa monografive e bashkautor me historianë të huaj në studime e monografi shkencore të botuara në Europën Perëndimore për çështje të antifashizmit e historisë së Luftës së Dytë Botërore. Pjesëmarrës aktiv në shtypin e ditës e debate televizive për çështje të historisë kombëtare.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

KASTRIOT MUÇO

KRYETARI AGIM ÇIRAKU

TIRANË MË 09.11.2024

Në fjalën e tij Prof. Asoc. Mareglen Kasmi theksoi:

Ndihem shumë i vlerësuar për këtë dekoratë. Shoqata Labëria është pararojë e të gjitha veprimtarive me karakter kombëtar. Kam marrë pjesë në shumë aktivitete të kësaj shoqate dhe kam parë përgjegjësi, përkushtim dhe organizim perfekt. Ky vlerësim më shton më shumë përgjegjësinë për një bashkëpunim më të ngushtë në interes të kombit.

Në  fjalën e tij nënkryetari i Bashkisë Tiranë, z. Andi Seferi theksoi:

“Ky është një ndër vlerësimet më të bukura në jetën time. Një ndër më të bukurat pasi më jepet nga një shoqatë me histori të rrallë dhe përpara këtyre personaliteteve më të lartë të Kombit. Ky vlerësim më bën më të përgjegjshëm në të ardhmen që të jap ndihmën time modeste për aktivitetet me vlera kombëtare, që zhvillon vazhdimisht kjo shoqatë. Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok