Nga Visar Zhiti

…takoj sërisht mikun tim Hasan Bajo, shoku i prangave, – më shkruan ai në autografin e romanit të tij, “Lulet e pjeshkës”.

Për mua është më shumë se aq. Ishim njohur që studentë në Shkodër, e kujtoj me kitarën e tij dhe flokët e shumtë e të dëndura, pastaj…u zhduk.

E pabesueshme, e gjej në burgun e Spaçit para meje. Ai do të ishte ndihma e parë ekzistenciale brenda telave me gjëmba, një copëz bukë më tepër nga e tij për urinë time dhe kurajo e ndershme, e fortë, thesi i tij i burgut me libra do të ishte biblioteka e të gjithëve, por unë do ta kisha dhe si një engjëll mbrojtës të poezive të mia. Ai m’i shpëtoi në atë rrezik të tmerrshëm deri sa dhe unë u bëra usta dhe me ndihmën e tij.

Si mirënjohje të përhershme në burgologjinë time, në librat “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” Hasan Bajon e kam personazh të rëndësishëm dhe gëzohem kur lexuesit e çmojnë e ai është më i mirë se në libër.

Prej tij u njoha dhe me të tjerë njerëz të mrekullueshëm në burg, besnikë dhe qëndrestarë, poetin Zyhdi Morava e përkthyesin pasionant Maks Rakipaj, që do të bëheshim shumë miq, shkrimtarin Halil Laze, Maks Valon, Ismail Farkën- shkencëtar, me Ahmet Kolgjinin, Ron Çobanin, Islam Spahiun, me patriotin tim Ilir Malindin, me patriotet e tij çamë Rajmond Sejko, Kaso Hoxha, etj, kjo kishte rëndësi, me kë do njihëshe e me kë do të rrije në ferr dhe Hasani, kur më shikonte ashtu, më të sigurtë, vetë tërhiqej disi.

Por s’i ndahesha unë.

E kisha takuar pas burgut, jo shpesh, se ai shfaqet kur duhet dhe flet nëse duhet e vërteta e tij. U pamë në Sarandë, ai në detyrë, i përkushtuar pas demokracisë, por pas zhgënjimeve të mëdha, pas ‘97 së rëndë mërgoi në Francë e më pas në SHBA.

Është ndër të parët që denoncoi shefin sadist të policisë në burgun e Qafë Barit, atë gangster që shkëlqeu mynxyrshëm në shtypjen e revoltës së të burgosurve atje dhe na nxori dhëmbët dhe tani nga Gjermania, ku shtiret si emigrant politik… Por le ta lëmë tani atë kriminel profesionist, që diktaturës i dukej i bukur, le të merret drejtësia, nëse ka…

Hasani donte letërsinë dhe do të shkruante romanin “Lulet e Pjeshkës”, rininë në qytetin e tij të lindjes në Shijak, nën diktaturë. Që në faqen e parë lexojmë se donim “të qendronim sa më gjatë në shoqërinë e njëri-tjetrit” dhe në faqen e fundit në fjalinë e fundit që “meritoj” pjeshkën e lulëzuar, “sepse dija të vdisja”.  Mes këtyre dy fletëve shpaloset jetë…

Me Bajon, kështu e thërras në librin tim, u takuam të përmalluar në New York tani, te “Vatra” e shqiptarëve, pastaj shkuam nga Rruga “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e pamundur të mos shkonim andej, e bukur, emocionuese për ne një rrugë me një emër kështu kaq shqiptar në metropolin botëror, aq marramendës,

në New York-un mahnitës. Bajo kërkonte të blinte cigare, në burg tymoste duhan me të dredhur, nëse s’kishim letër, përdornim copa gazete,

jemi me nikotinë të “Zërit të popullit” në mushkëri, nejse, cigare s’gjetem, po bota tym është dhe pa tymin e cigareve tona, mendova atë që e përsërisja shpesh…

Dhe doja të gjeja me sy nga duhej të ishte “Statuja e Lirisë”, në ç’drejtim, se nuk janë dhe aq të shumta rrugët e lirisë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok