28/04/2024

SHKURTIMË E SHPEJTIMË SHKURTI

0

Blerim Rrecaj:

Shkurtimë shkurti

 

Ia mora topin

Fëmijës

Dhe e godita me këmbë

Mori krahë

Fluturoi lart

Si pa farë qëllimi

Krejt spontanisht

U kacavar

Në degët e një druri

Dhe na shihte tash

I ngazëllyer

Disi me ironi

Më pas aty afër

Gjetëm një copë druri

Pasi topi s’donte të zbriste

Drurin duke e shkund

Me gjithë degët e tij

 

Shpejtimë shkurti

 

Filloi të shkruante diçka. Të shprushte. Të shpupuriste. E vazhdoi. Mendoi edhe për muajin shkurt që po shkon, në ditën e parafundit të tij. Ky i sivjemi me 29 ditë, na qenka. Pak më herët përfundoi leximin e një libri që e kishte filluar para katër-pesë ditësh. Në këtë libër, përpos që i pëlqeu, i lanë mbresa edhe mjaft ngjashmëri që kishin të bënin me jetën e tij. Ndërtimi i rrëfimeve ishte shumë i bukur, e nëpër to ndërthurej fati individual, kolektiv, njerëzor e kombëtar. U soll e përsoll nëpër këtë ditë, si zakonisht. Më vonë, mori telepilotin, kalimthi kaloi kah  kanalet televizive pothuaj(s)e kot-fare të mbushura me debate ku si gjithmonë do diskutohej për një temë politike e aktuale. I la debatuesit aty ku ishin, ua ndali zërin, më pas e la fytyrën e pasqyrën e ekranit në një emision me përmbajtje nga natyra, që bënte fjalë për peshkaqenët e oqeanit.  Mori tri gazeta (që ndodheshin mbi komodinën që mbante tv-në, e në anën e djathtë të saj, pranë së cilës ndodheshin një foto familjare në kornizë, dhe një poç llambe dekoruese e me bateri), të cilat i bleu para tri-katër dite në qendër të Prishtinës, te njëri kiosk, pranë ndërtesës së Radio Kosovës. Njëra gazetë më tepër mund të quhej mbarëkombëtare dhe shumë hapësirë i kishte kushtuar shumë faqe projektit hekurudhor Prishtinë-Pejë-Gjakovë-Tropojë-Shkodër-Shëngjin-Durrës-Ulqin-Tivar. Dy gazetat e tjera ishin letrare me tregime, poezi, intervista, ese e njoftime për daljen e ndonjë botimi të ri. Edhe tek to, kulloti sytë, e lexoi diç. Dhe i la. Ka kohë që gazeta e revista blinte rrallë, e që vinin kryesisht jashtë Kosovës. E mori telefonin. Pos tjerash pa në të, shkrepjen që bëri sot, drejtuar me sytë  kah qielli derisa ecte trotuarit. Edhe sot, para se të binte muzgu, sikurse dje, pa gjithë atë tufë shpendësh, që nuk ishin as sorra, as korba, as pëllumba, po ca zogj më të vegjël e të shumtë, që fluturonin mjaft lart, nëpër atë copë mjaft të madhe të qiellit. E çuditën për ca çaste. Dhe shumë shpejt i humbën sysh. Aq e ndoshta edhe më shpejt se ca gjethe dushku në një rrugë malore, të cilave era u dha vërvishten dhe i bëri atlete këmbëshpejta, si vetëtima, në garën dramatike përpara se të hynin në cak. Pasi erdhi deri këtu me këta reshta, që herë i dukeshim me pak kuptim, herë sa për të kaluar radhën, herë sa për ta përmbyllur fundin e këtij muaji me diç, herë se ata rrëshqitnin në drejtim të një proze poetike, u ndal. Nuk do ta zgjaste edhe më, si llastikun, si vajzat në lojën e tyre fëmijërore. Ç’të bënte me këta rreshta,  t’i  mbyllte në një shishe e t’i hidhte në lum a në det; t’i lidhte për këmbën e një pëllumbi; a t’ia dhuronte erës, mbase do t’i bartte deri te zogjtë që sërish u dukën duke flutururuar mbi kokën e tij, me vrull gjallërie e ngazëllimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok