Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar

Nga Albert Vataj
Shkodra nuk është thjesht një qytet, por një themel identiteti kombëtar, një vatër shpirtërore e Shqipërisë dhe shqiptarisë. Është djepi ku historia, kultura, qytetaria dhe qëndresa shqiptare kanë gjetur shprehjen më të lartë. Qyteti i përfaqësive të huaja dhe i komunikimit të hershëm me botën; qyteti i kartolinave të vjetra që flasin me pamje aq sa me fjalë; qyteti i penës dhe i pushkës, ku figura të shquara të historisë kombëtare, rilindës të ndritur, artistë të mëdhenj, patriotë e klerikë vizionarë lanë gjurmë të pashlyeshme. Shkodra është atdhe i shpirtit dhe i mendimit të lirë, një ndër të paktat qendra ku qytetërimi ka zënë rrënjë herët dhe ka lulëzuar pa u shuar.
Në këtë truall të lashtë, ku gjuha u mbrojt dhe fjala u shpërnda, ku muzika u kthye në emblemë dhe drita e dijes në përkushtim qytetar, lindën një varg parësish që dëshmojnë për rolin e saj udhëheqës në historinë kulturore të kombit. Më poshtë, një mozaik kuriozitetesh që dëshmojnë këtë epërsi dhe trashëgimi të vyer.
Shtypshkronja e parë shqiptare në Shqipëri – 1879
Në vitin 1879, fretërit françeskanë themeluan në Shkodër shtypshkronjën e parë që botoi në gjuhën shqipe me alfabetin latin. Ajo u kthye në një vatër përhapjeje të dijes, ku u shtypën libra shkollorë, fetarë dhe letrarë, dhe ku fjala shqipe fitoi statusin e saj të natyrshëm: atë të botimit të lirë dhe të kultivuar.
Gazeta e parë në gjuhën shqipe në Shqipëri – “Gazeta e Shkodrës”, 1909
Me drejtues të tillë si Ndre Mjeda dhe Luigj Gurakuqi, “Gazeta e Shkodrës” lindi si një fole patriotike, ku gjuha shqipe e shkruar zuri vend në një arenë publike për herë të parë brenda kufijve të vendit. Ishte një përpjekje e ndritur për të artikuluar mendimin kombëtar nëpërmjet medias.
Shfaqja e parë teatrore – 1879 dhe “Besa” në 1899
Në Shkodër, në po të njëjtin vit me themelimin e shtypshkronjës, u organizua edhe shfaqja e parë teatrore në gjuhën shqipe, nga nxënësit e Kolegjit Saverian. Më vonë, në vitin 1899, u vu në skenë “Besa” e Sami Frashërit, me regji të Kolë Idromenos, shënuar si momenti kur drama shqiptare fitoi fytyrën e saj publike.
Opera e parë shqiptare – Prenkë Jakova dhe “Mrika”, 1959
Megjithëse e vu në skenë në Tiranë, opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, një kompozitor i lindur dhe formuar në Shkodër, është vepra e parë operistike shqiptare. Muzika e tij mbartte shpirtin shkodran, frymën qytetare dhe motivet kombëtare.
Biçikleta e parë në Shqipëri – Shkodra, fillimshekulli XX
Shkodra mban një tjetër rekord simbolik: ajo ishte qyteti ku u përdor për herë të parë biçikleta në Shqipëri. Mjeti që vinte nga Perëndimi u bë shpejt pjesë e identitetit shkodran, saqë qyteti njihet sot si “qyteti i biçikletave”.
Fotografia e parë – Studio Marubi, 1856
Pietro Marubi, i arratisur nga Italia, vendosi në Shkodër bazat e artit fotografik shqiptar duke themeluar studion e parë më 1856. Trashëgimia e tij, e vijuar nga djemtë e tij shpirtërorë, Kel dhe Gegë Marubi, përbën sot një pasuri unike me mbi 500.000 negativë. Në vitin 2024, Arkiva Marubi u shpall pjesë e “Memory of the World” nga UNESCO.
Banda muzikore e parë dhe muzika qytetare – “Dudi i Parë”, 1878
Banda e qytetit të Shkodrës u krijua në vitin 1878 dhe ishte ndër të parat në Shqipëri. Ajo eci në rrugët e qytetit me marshe dhe tinguj që frymëzonin qytetarët dhe i jepnin jetës publike një ritëm të ri.
Shkolla e parë shqipe për vajza – 1887
Shkodra u bë edhe e para në hapjen e shkollës shqipe për vajza, një veprim emancipues që sfidonte realitetet patriarkale të kohës. Ishte një hap i guximshëm drejt barazisë dhe përparimit shoqëror.
Kolë Idromeno – i pari piktor realist shqiptar
Shkodra i dha artit shqiptar Kolë Idromenon, i cili është ndër themeluesit e pikturës moderne në Shqipëri. Vepra e tij “Motra Tone” është një ikonë kombëtare, ndërsa ai vetë ishte edhe arkitekt, fotograf dhe skenograf i dramës shqiptare.
Këto “parësi” nuk janë thjesht të dhëna historike. Ato janë dëshmi të një shpirtërimi qytetar që nuk e pranoi prapambetjen, që e deshi dijen dhe e përqafoi të bukurën. Shkodra është kujtesë dhe pararendje, është gur themeli në ndërtimin e vetëdijes shqiptare. Ajo mbetet një frymëzim për të sotmen dhe një thirrje për të nesërmen, ku kultura nuk është luks, por domosdoshmëri.
Shkodra ka qenë, është dhe do të mbetet një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, pavarësisht lëkundjeve të thella transformuese që ka sjellë koha. Është e pranuar dhe e dëshmuar në mënyrë të përsëritur se ky qytet ka luajtur një rol përcaktues në fatin e vendit.
Sot, kur ndryshimet janë kaq të thella dhe erërat e kohës kaq të fuqishme, që kanë shkaktuar lëvizje dhe zhvendosje të mëdha, të kapaciteteve dhe mundësive, Shkodra sërish mbetet një “zonjë e rëndë” – e hijshme dhe e shenjtë në truallin që vetë zanafilla i ka caktuar.
Edhe pse shumë shkodranë e kanë braktisur qytetin, dhe së bashku me të i kanë kthyer shpinën mundësisë për të qenë vazhdues të asaj rruge të ndritshme, të atij urdhri të shenjtë për ta hyjnizuar çdo gjë me vullnetin e shpirtit dhe etjen për të bukurën – Shkodra vijon të jetojë dhe të ripërtërijë krenarinë. Sërish, mbi bedenat e saj, valëvitet flamuri i betejave sfiduese.
Edhe pse shumëçka nuk ka mundur të mbetet si më parë, edhe pse gjithçka është përballur me një ndryshim të ngulët, shpeshherë edhe rraskapitës për aftësitë e ripërtëritjes, ky truall ende guxon të besojë. Dhe, i ndier në borxh ndaj vetes, bën gjithçka për ta ushqyer veten me tharmën e atij shpirti të pashuar krenarie.