21/12/2024

SHERIF FRANKU-REPUBLIKË KUSHTETUTË- JA ME HATËR JA ME LUFTË

0
Sherif-Frangu

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1962- e vranë me 3 prill 1981)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Kur lindi Sherif Franku me 1 janar 1962, Kosova ishte vend i okupuar nën pushtetin gjenocidal serbo-jugosllavë. Shqiptarët edhe në tej bënin një jetë prej robi dhe vazhdimisht ishin të shtypur dhe nuk gëzonin as të drejtat më elementare njerëzore. Ajo periudhë në popull njihej si koha e Rankoviqit. Dhe mu në atë kohë Sherifi lindi në fshatin Sllatinë, (komuna e Vitisë) vetëm dy kilometra larg rrugës kryesore Ferizaj-Gjilan, në një rrafshinë të gjerë që mbaron në brigjet e Moravës. Sherifi ishte fëmijë i Bislim  Frankut dhe Alldyze Frankut e lindur Beqiri nga Zhitia e Vitisë. Sherifi ishte fëmija i tret nga dy vëllezërit dhe tri motrat që kishte: Xhymshitin, Lumnijen, Mirveten, Merxhanin dhe Zejnepjen. Familja Franku ishte një familje e ndershme, patriotike dhe bujare. Në fshat i respektonin dhe ishin të afërt me të gjithë.

Sherifi si fëmijë nga prindërit trashëgoi urtësinë dhe guximin. Andaj edhe dallohej nga të tjerët me zgjuarsi, me guxim, me vet disiplinë dhe me mençuri. Mësimin fillor e vazhdoi në shkollën e fshati “Liria” të cilën e përfundoi me sukses të dalluar. Ndërsa shkollën e mesme e filloi në Viti që më vonë kaloi në Ferizaj dhe aty u dallua në mësime dhe ishte shumë solidar me shokët. Deri në përfundimin e shkollës së mesme i kishin mbetur vetëm edhe dy- tre muaj dhe familja i gëzohej suksesit të djalit dhe mezi pritnin që të vazhdonte fakultetin në Prishtinë.

Ishte muaji mars i viti 1981, kur në lajme Sherifi kishte dëgjua se në Prishtinë kishin filluar demonstratat studentore. Diçka e madhe ndodhi tek ai. Ai u entuziazmua dhe filloi të mendonte se sa mirë kishte qenë që demonstratat ta përfshinin e tërë Kosovën. Ai ishte i gatshëm që nesër të dilte në demonstrata dhe të shprehte tërë mllefin dhe urrejtjen të akumuluar me vite tek familja e tij dhe te vet ai. Në ditët në vijim vinin informacione se demonstratat studentore po përhapen gjithandej ku jetonin shqiptarët. Muaji mars digjej nga zjarri rinor duke mbushur rrugët e Kosovës me të rinj e të reja që brohorisnin “Kosova- Republikë”. Në rrugë dolën të gjithë ata atdhetar që i kishte lodhur robëria dhe ishte koha të ndryshonin diçka. Rrugët e sheshet ishin mbushur me student, ,të rinj e të reja, me punëtor, me fshatar dhe populli shqiptarë kishte vërshuar si lum rrugëve ku bëheshin demonstratat.

Pas demonstratave studentore të 11 marsit që kishin filluar në Prishtinë, ato vazhduan pastaj edhe me 25 mars vazhduan në Prizren; më  26 mars rinia studentore përsëri doli në rrugët e Prishtinës; më 30 mars doli në Obiliq;  më 31 mars përsëri ndodhën në Prishtinë; më 1 prill në Podujevë e Prishtinë; me 2 prill në Vushtrri, Lipjan, Gjakovë , Gjilan, Gllogoc, dhe me 3 prill, në Ferizaj, në Viti, në Vushtrri e në Mitrovicë. Këto demonstrata kishin përfshirë tërë Kosovën, e që kulmuan me një organizim të jashtëzakonshëm në tërë Kosovën që u bënë gjithë popullore. Demonstrata këto, të cilat tundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme, e që kjo ngjarje shënonte fillimin e fundit të okupimit të trojeve shqiptare ne ish-Jugosllavi, ngjarje që ka mbetur thellë në kujtesën historike të kombit shqiptar.

Pas këtyre ngjarjeve që patën jehonë të madhe në vend dhe në botë, Kryesia e RSFJ dhe Kryesia e Komitetit Qendror të LKJ-së, më 2 prill 1981, mbajti një mbledhje urgjente me të gjithë anëtarët e saj lidhur me gjendjen e krijuar në KSA të Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për shpalljen e situatës së krizës në territorin e KSA të Kosovës dhe për aplikimin e planit për të tejkaluar këtë situatë; vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e komunës së Prishtinës; dhe vendimi për aplikimin e masave të gatishmërisë. Në harmoni me këtë vendim, Komiteti i Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës urdhëroi aktivizimin e planeve për situatën e krizës. U dha urdhri për aktivizimin qind për qind të njerëzve, për organizimin e luftës të organeve të Punëve të Brendshme në KSA të Kosovës. Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, gjithashtu lëshoi urdhër për ndalimin e lëvizjes së personave  në numër  të madh në vende publike. Ky urdhër hyri në fuqi menjëherë. Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 1981, mori vendim që, me qëllim të eliminimit të rrethanave  të jashtëzakonshme dhe të mbrojtjes së rendit publik, të kufizohet ose të ndalohet lëvizja e njerëzve  në vendet e caktuara publike dhe në ato vende në të cilat, me veprimin e individëve  apo të grupeve,  mund të cenohej rendi publik dhe qetësia ose të rrezikohej rendi publik. Me vendim u urdhërua kufizimi i qëndrimit në vende të caktuar për ata persona, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimin e tyre do të mund ta rrezikonin rendin publik. Po atë ditë Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të komunës së Prishtinës urdhëroi që të ndërpritet mësimi në shkollat fillore, të mesme, të larta dhe në fakultete, të mbyllen konviktet e studentëve  dhe internatet e rinisë së shkollave të mesme në Prishtinë.  Më vonë këto masa u aplikuan edhe në organet krahinore dhe në komunat e tjera të krahinës.

Me kërkesën e udhëheqjes së krahinës iu dërguan përforcime organeve të Punëve të Brendshme të KSA të Kosovës nga efektivët e Federatës dhe të të gjitha republikave  socialiste të KSA të Vojvodinës, të cilat veprojnë në bazë të urdhrave të Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës.

Kur pushtetarët morën masat më të rrepta ndaj Kosovës dhe popullit të saj dhe kur menduan se demonstruesit ishin zmbrapsur nga dalja në rrugë, ndodhi e kundërta. Më 3 prill në Ferizaj, në Viti, në Vushtrri dhe në Mitrovicë kishin filluar përsëri demonstratat. Studentët dhe rinia dolën në rrugë dhe me forcën e shpirtit luftonin kundër një armiku që ishte shumë më i fort dhe shumë fish më i armatosur.

Sfida shqiptare do të habisë jo vetëm bashkësinë jugosllave, por gjithë Evropën. Ngjarjet e zhvilluara në Kosovë shtypi gjerman, ai francez dhe pothuajse e tërë bota demokratike e Perëndimit i trajtuan me një ndjenjë admirimi. Më 1981 (në qershor), një gazetë franceze për numrin e të dënuarve do të shkruante: ”rreth 1.700 persona janë burgosur gjatë trazirave dhe 154 pritet të gjykohen”. Gazeta tjetër frënge, “Liberasion”, ndër të tjera, shkruan: “më shumë se 800 veta janë shpallur fajtorë, nga të cilët 400 kanë marrë dënime deri në 15 vjet burg dhe 1.300 të tjerë kanë marrë dënime që janë në kompetencën e policisë, pra më pak se një vit”.

Statistika e të dënuarve në Kosovë asnjëherë nuk ishte e saktë. Ajo ndërronte nga momenti në moment. Dënoheshin studentët që ishin pjesëmarrës të demonstratave, dënoheshin profesorët e tyre, ngaqë kishin përkrahur kërkesën “Kosova-Republikë”. Dënoheshin qytetarët e zakonshëm pse u kishin dhënë ndihmë studentëve dhe pse i kishin strehuar ata. Dënoheshin gratë, pse mbronin bijtë dhe bijat e veta dhe, në fund, dënoheshin edhe fëmijët. Dënoheshin edhe ushtarët shqiptarë kudo që ndodheshin, duke u montuar procese të ndryshme politike. Prandaj, ishte e vështirë të dihej numri i saktë i të burgosurve dhe i të dënuarve shqiptarë.

Në vazhdën e dënimeve dhe të përndjekjeve nuk u kursyen as fshatrat e viseve më të thella të Kosovës, e as fshatarët e pafajshëm, siç ishte rasti i Tahir e Nebih Mehas nga Prekazi i Drenicës. Shqiptarët për këto ngjarje ndiqen edhe jashtë kufirit. Rasti më makabër ishte likuidimi i martirëve shqiptarë: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri etj.  Vrasjet dhe mizoritë ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur, ato vazhduan deri në vitet e fundit të shek. XX. Më 11 janar 1984, po ashtu, vriten dy të rinj shqiptarë: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Këta nuk ishin të vetmit. Aktet rrëqethëse të vrasjeve vazhdojnë në rrugë, në shtëpi, në shkolla, në ushtri e në vende të tjera publike.

Si ngjarje që ndodhën në zemër të Ballkanit dhe në Evropë, ku takohen politika, ideologjitë, kulturat dhe interesat e ndryshëm, demonstratat shqiptare të vitit 1981 patën jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Edhe shtypi i huaj i kushtoi vëmendje të posaçme pranverës kosovare. Po përmendim revistën suedeze “Tempus”, e cila, veç të tjerash, shkruante: ”Njerëz të pafajshëm qëllohen me armë. Më shumë se 300 veta janë goditur. Fëmijë të vegjël janë qëlluar nga forcat e armatosura serbe. Asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka ndodhur të jetë përdorur një dhunë e tillë në Jugosllavi kundër një grupi njerëzish, siç ndodhi në këtë rast kundër shqiptarëve. Njerëzit qëlloheshin nga helikopteri vetëm pse protestonin kundër politikës së padrejtë të regjimit të Beogradit”. Më 27 prill edhe gazeta gjermane “Frankfurter Alemajne” shkruante: “vrojtues të informuar jugosllavë numrin e të vrarëve e çonin në minimum, nga 30-40 veta, dhe të plagosur deri në 1000 veta”, ndërsa gazeta daneze “Arbeideren” theksonte: “këto masakra, ku janë vrarë me qindra veta dhe janë plagosur e janë burgosur mijëra të tjerë, paraqesin, pa dyshim, gjenocidin më të madh të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”.

Parulla e asaj pranvere të vitit ‘8l “Republikë, kushtetutë – ja me hatër, ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, do të luftohet. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, do të shfaqet në momentin me të duhur historik, për mbrojtjen si të popullit, ashtu edhe të tokave shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.

Rinia kosovare kudo që ndodhej ishte e mllefosur ndaj sulmeve që bënte policia e ushtria jugosllave ndaj demonstruesve duar thatë. Por Sherif Frangu i përjetoi rëndë të gjitha këto.

Andaj, në demonstratat e 3 prillit, që u mbajtën edhe në Viti, që në orën 1000 të mëngjesit, grupe nxënësish grumbulloheshin para Qendrës së shkollave të mesme. Një numër i konsideruar të organizuar mirë dolën në rrugë dhe u drejtuan në drejtim të qendrës së qytetit, dhe duke ecur lëshonin parullat: “Republikë Kushtetutë- Ja me hatër ja me luftë”, “Duam Republikë”. Pastaj ata u ndalën para ndërtesës së Kuvendit Komunal duke brohoritur  “Lironi shokët nga burgu”. Sherifi në këtë demonstrata u dallua në përleshjet me policinë jugosllave dhe në brohoritjen e parullave që brohoriteshin nga të pranishmit. Pasi një kohe ndërhynë forcat policore dhe me ndihmën e aktivistëve të LKK-së,  nxënësit u shpërndanë.

Pas përfundimit të demonstratave në Viti, Sherifi, së bashku edhe me shumë shokë të tjerë u nisën me autobus për Ferizaj. Në qytet arrin aty kah ora 13 e ditës. Pas një qëndrimi të shkurtër në punëtorinë e Xhemë këpucëtarit, ai del nga aty dhe futet në turmën e demonstruesve. Menjëherë vihet në krye të demonstruesve me kërkesa të qarta politike: “Kosova Republikë!”, “Trepça punon – Beogradi ndërton”, “Republikë- Kushtetutë-Ja me hatër ja me luftë”, “Liri, liri…” dhe qyteti në çdo anë  buqiste nga kënga “Besa-besë”. Sherif si çdo herë i pari, edhe këtu iu printe demonstruesve. Rreth orës 16, të 3 prillit, përleshjet kishin arritur pikën e vlimit, Sherifi duke e parë se çfarë bënin policët kriminel të cilët sulmonin sa mundnin në drejtimin e masës. Ata gjuanin me gaz lotsjellës në turmat e studentëve, sulmonin me shufra gome por nuk mungonin edhe të shtënat e edhe krismat e automatikëve në drejtimin e tyre. Sherifi duke qenë ballë për ballë me ta, me një shpejtësi prej rrëfeje  kërcen mbi një policë dhe ia rrëmben automatin duke thirrur “Përpara shok…”. Në atë moment nga policët e tjerë serb, të cilët ishin të befasuar me guximin e demonstruesit, por edhe të etur për gjak, shtien me armë në drejtim të Sherifit, i cili nga rafalët e shumta bie për tokë. Edhe pse Sherifi ishte rëndë i plagosur, e kishte mbulua gjaku, policët e çartur nga urrejtja, filluan ta godasin me kondak të pushkëve dhe me shqelma. Në ndërkohë turma e madhe e demonstruesve, duke e parë se Sherifi po luftonte me vdekjen, vrapojnë drejt tij, dhe një ambulancë e ndihmës së shpejt e dërgon në ambulancën e Ferizajt. Mjekët aty duke e parë se sa në rrezik ishte jeta e tij, urdhërojnë që ai menjëherë të dërgohet në spitalin e Prishtinës. Por, në dalje nga qyteti, Sherifi i ri, që ende nuk i kishte mbush 20 pranvera mbyll sytë në prehrin e shokut të tij të idealit Fadil Lubishtanit, i cili kishte hyrë në veturën e ndihmës së shpejt, për mos ta lënë vetëm shokun e  jetës e të idealit.  Fadili po ashtu ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave më 3 prill në Ferizaj. Sherifi mbylli sytë duke kërkuar nga shoku që demonstratat të vazhdojnë deri në fitore. Ai ra heroikisht në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë.

Pas lajmit se ia kishin vrarë të birin, baba Bislimi shkon për ta kërkuar trupin e pajetë të djalit në UDB-en e Ferizajt. Komandanti i postëkomandës, një serb çetnik i thekur, babë Bislimit i ven tytën në fyte duke e kërcënuar se edhe ty do të vrasi. Babait të dëshmorit nuk i bënë syri verr, e hap gjoksit me krenari duke i thënë, “Gjuaj o kriminel, se ju më vratë babin më 1945, e tani më vratë edhe djalin, Më vritni edhe mua! Por, ta dini se kemi edhe shumë djem të tjerë mbrapa. Plumbat tuaj vetëm do të na forcojnë!”. Komandanti tmerrohet me guximin e tij dhe zbut fjalët. Por, më vonë, për të bërë presion dhe për të krijuar trishtim edhe më të madh, UDB-ashët serbë pas ca ditësh ia dërguan prindërve të dëshmorit pallton e ulur në gjak të birit të tyre të shtrenjtë, duke i kërcënuar: “Ruani fëmijët më mirë!”. Nënë Alldyzja, deri sa po e merrte pallton e përgjakur të të birit, arriti ta bënte zemrën gur dhe të thoshte para UDB-ashëve: “Hallall të qoftë gjini, o Sherifi i nënës, që u flijove për Kosovën!”.

Dëshmorin e kombit, trimin e patrembur, maturantin e shkollës teknike në Ferizaj e varrosën më 5 prill, 1981, në vendin e lindjes në Sllatinë të Poshtme me nderimet më të larta. Edhe pse policia kishte urdhërua që mos të ketë grumbullim të njerëzve, në varrezat e fshatit u tunden mbi 5000 veta, duke ardhur edhe nga vendet më të largëta të Kosovës. Nga plumbat e shumtë dhe nga goditjet e kondakëve të pushkëve të policisë vrastare serbe, shokët e tij mezi që e njihnin trupin e pajetë të dëshmorit! Do të mbetet në kujtesë për kohë të gjatë qëndrimi i nënë Alldyzes, e cila e bëri zemrën gur dhe, duke i ngushëlluar familjarët e vet dhe, sidomos, shokët e Sherifit të saj, me të cilët kishte qenë shok shkolle dhe pjesëmarrës në demonstratat e 2 dhe 3 prillit në Viti dhe në Ferizaj, tha: “Sherifi na e zbardhi fytyrën, na nderoi të gjithëve dhe vdiq si i ka hije luftëtarëve për lirinë e Kosovës! Lumja unë për djalin tim!”.

Si edhe në të gjitha qytetet e Kosovës, ku u zhvilluan demonstrata masive më 1, 2 dhe 3 prill 1981,pati shumë të lënduar, të plagosur dhe të vrarë. Në përleshje me forcat policore jugosllave në Ferizaj ra heroikisht edhe dëshmori Riza Matoshi. Po ashtu, pas një viti ra dëshmor edhe Afrim Abazi, nxënës i shkollës së mesme teknike, i cili u mbyt barbarisht, duke e hedhur nga kati i pestë i ndërtesës së shërbimit policor të atëhershëm jugosllav. Ndërsa të lënduar dhe të plagosur me armë zjarri, ndër ta ishin edhe: Elmaz Kishnapola (68 vjeç) nga Gjilani; Fadil Lubishtani (22 vjeç); Milazim Mejdi Ymeri (20 vjeç) nga Sllatina; Sylë Faik Muharremi, nga Katundi i Vjetër; Vehbi Azizi, nga Komogllava; Salih Ferizaj, e shumë të tjerë. Ndërsa, vetëm nga Ferizaj ishin 21 veta të plagosur.

Pas demonstratave filloi fushata e arrestimeve masive të organizatorëve të tyre. Kështu, në grupin e parë, u dënuan: Nexhat Tërstena – 10 vjet burg; Naim Ramadani – 8 vjet; Isuf Lipovica – 8 vjet; Hilmi Hyseni – 10 vjet; dhe, Ilaz Hysa – 3 vjet. Në grupin e dytë, u dënuan: Rifat Avdiu – 9 vjet burg të rëndë; Abdullah Loha – 14 vjet; Milaim Jashari – 7 vjet; Hajrullah Hasani – 8 vjet; Hazir Haziri – 5 vjet; Remzije Jashari – 2 vjet; Rashit Mehmeti – 8 vjet; dhe, Lulzim Haxhimusa – 3 vjet. Ndërsa, në grupin e tretë, u dënuan: Sadik Sadiku – 7 vjet; Zylfi Ratkoceri – 6 vjet; Sadik Balaj – 5 vjet; dhe, Jashar Istrefi – 1 vit.

Vargu i të rënëve, i të plagosurve dhe i të dënuarve në tërë Kosovën ishte tmerrësisht i gjatë. Bilanci i të gjitha demonstratave ishte gjatë kësaj periudhe nga viti 1981 e deri më 1989 në anën e demonstruesve pati 8 të vrarë dhe 130 të plagosur, prej të cilëve  55 të plagosur me armë zjarri. Në anën e forcave të sigurisë 1 polic i vrarë dhe 135 të lënduar, 4 prej tyre rëndë. Prej 11 marsit deri më 10 prill, janë marrë një varg masash parambrojtëse për 1.500 vet. Por nga ky numër i të arrestuarve, 460 prej tyre janë të dënuar për  kundërvajtje, procedurat penale kanë filluar ndaj 90 personave, ndaj 160 vetave ashtë aplikuar masa e izolimit për arsye të ndryshme dhe 743 janë marrë nga organet e SPB-së, me të cilët është biseduar dhe janë liruar. 700 veta janë në burg për këto shkaqe: kundërvajtje, procedurë penale dhe izolim. Struktura kombëtare e të dënuarve  për kundërvajtje është: shqiptarë 419, serb 37,  malazez 1, mysliman 1. Struktura sociale: studentë 70, nxënës 132, punëtorë 164, punëtorë të arsimit 27, bujq 21. Struktura sociale e personave kundër të cilëve  zhvillohej procedurë penale është: studentë 13, nxënës 27, punëtorë 23, punëtorë të arsimit 10, nëpunës 1, bujq  7 dhe të tjerë 8 veta.

Andaj, Sherif Franku, nuk ka vdekur. Ai jeton me ne, dhe do të jetoj me ne, ai hyri guximshëm në panteonin e lirisë për të mos vdekur kurrë në zemrat e Ferizajasve, në zemrat e Kosovës dhe Kosova e shqiptarët do ti thurin lavdi të përjetshme.

Literatura:

Bajram Kurti, Gjaku i lirisë V/VI, Prizren, 2003, f. 134

https://pashtriku.org/profdrsabile-kecmezi-basha-demonstratat-e-muajit-prill-1981-ne-ferizaj-ne-viti-ne-vushtrri-e-ne-mitrovice-29/

Sabile Keçmezi- Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, Prishtinë, 2003,

Ballafaqim me dëshmitë historike, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2018,

Kosova 1945-1990 (Vështrim politiko-historik), Instituti i Historisë, 2017,

https://www.forum-al.com/threads/demonstratat-studentore-%E2%80%9981-kthes%C3%AB-e-madhe-n%C3%AB-historin%C3%AB-m%C3%AB-t%C3%AB-re-t%C3%AB-kosov%C3%ABs.34226/

https://www.epokaere.com/11-marsi-81-parathenia-e-republikes-se-kosoves/

https://rtvzeri.com/demostratat-e-1981ngjarje-qe-ndryshuan-rrjedhen-e-historise-foto/

https://www.facebook.com/J.Krasniqi51/posts/1609527192496910/?locale=sw_KE

Jakup Krasniqi, Lëvizja për Republikën e Kosovës, 1981-1991, Sipas shtypit shqiptar, Prishtinë, 2011

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok