27/04/2024

Pse ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte legjitime?

0

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

U bënë 25 vite nga nata kur presidenti, Bill Clinton, mbajti fjalimin e tij para kombit amerikan dhe njoftoi botën se “NATO po niste një sulm bombardimesh kundër Jugosllavisë (Serbisë)” për shkak të terrorit të shtetit të Milosheviçit dhe Vuçiqit (atë kohë ministër informacioni) kundër shqiptarëve në Kosovë. Në atë fjalim Clinton ju tha bashkëkombasve të tij, si dhe botës, mbarë se këto sulme kishin dy objektiva themelore:

E para, që të ndalej dhuna e ushtrisë, policisë e paramilitarëve serbë kundër shqiptarëve e të parandalohej katastrofa humanitare në Kosovë! E dyta, thoshte Clinton, qëllimi i NATO-s është që të dobësohet e shkatërrohet ushtria jugosllave (serbe) e kësisoj ajo të mos ishte më në gjendje të shkaktonte konflikte të tjera si ai në Bosnjë-Hercegovinë (1992-1995) e në Kosovë (1998-1999). Pas fjalimit të presidentit të 42-të të SHBA-ve, mbajtën fjalime para kombeve të tyre edhe Gerhard Schroeder i Gjermanisë, Tony Blair i Britanisë së Madhe, Jaques Shirak i Francës, Massimo Dalema i Italisë etj. Të gjithë këta u shprehën se po nisnin një epokë të re në luftën kundër së keqes që përfaqësonte Serbia e Milosheviçit. Gjermania për herë të parë do të angazhonte trupa ushtarake jashtë territorit të saj dhe për këtë u desh të ndryshonte kushtetutën e vendit. Pas këtyre, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Havier Solana, dha urdhërin e sulmeve ushtarake me bombardime kundër caqeve ushtarake, policore e strategjike të Serbisë.

Ajo natë ishte nata e parë “me diell” në historinë e Kosovës dhe për shqiptarët. Natë ankthi e përzier me gëzimin e ligjshëm se tashmë fatet e Kosovës i mori në dorë ajo që ne e quajmë “shejti në tokë”, NATO, SHBA-të dhe Bashkimi Europian. Ishin 78 ditë bombardime! Deri më 9 qershor 1999. Avionët që vinin nga Aviano apo baza të tjera ushtarake në Greqi, Turqi, Gjermani etj, u ngritën dhe lëshuan bomba pa fund në shtabet ushtarake, stacionet policore dhe objektet strategjike të Serbisë. Bombarduan edhe televizionin serb, shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave (serbe), madje lëshuan bomba edhe mbi godinën e ambasadës kineze, akt për të cilin Clinton u detyrua të kërkonte ndjesë.

Para se të fillonin bombardimet u mblodh Konferenca Ndërkombëtare, e cila njihet tashmë në histori si Konferenca e Rambujesë. Në këtë konferencë Grupi i Kontaktit (SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Rusia) paraqitën një projekt-marrëveshje për palën shqiptare e atë jugosllave. Por Serbia nuk pranoi firmosjen e saj, ndërkohë që delegacioni shqiptar e firmosi atë, sido që me tri javë vonesë. Milosheviçi gjatë punimeve të Konferencës për Kosovën dërgoi mijëra ushtarë e policë në Kosovë dhe startoi një ofensivë të pashembullt terrori e dhune kundër shqiptarëve.

Këshilli i Europës deklaroi po me datën 23 mars 1999 mbështetjen e tij për bombardimet e NATO-s në Kosovë. Në deklaratën e këtij Këshilli thuhej se “Çdo ditë kemi viktima të reja” dhe se “asgjësimi i popullsisë civile është qëllimi i luftës” së Milosheviçit (shënimi im). Më tej krerët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të BE-së shkruanin se “Në prag të shekullit XXI Europa nuk mund të tolerojë një katastrofë humanitare në zemër të saj” Dhe se “Ne vendet e Bashkimit Europian jemi të vendosur e moralisht të detyruar të mos lejojmë të përsëritet dhuna, siç ndodhi në janar 1999 në Reçak”!

Rrjedha e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë ishte intensive, e pandërprerë dhe me itensitet të shtuar. Qëllimi ishte që regjimi i Milosheviçit, ku rol parësor kishte edhe Aleksandër Vuçiq, të kapitullonte pa kushte. Natën e parë të bombardimeve u aktivizuan 80 avionë dhe u goditën 40 objekte ushtarake në Serbi, Mal të Zi e në Kosovë. Serbia të nesërmen njoftoi për 10 të vdekur e 38 të plagosur. Por shifrat e saj u morën me rezervë, si pjesë e propagandës së saj anti NATO. Natën e dytë u kryen 400 fluturime, të cilat goditën rrjetin kundërajror, radarët ushtarkë si dhe aerodromet e ushtrisë serbe.

Serbia në shenjë hakmarrjeje intensifikoi dhunën e terrorin kundër shqiptarëve: Sipas gazetës “Times” më 27 mars në fshatin Goden të Kosovës u masakruan 20 burra të paarmatosur. Ndërsa më 28 mars 1999 minsitri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Rudolph Scharping foli për herë të parë për krime kundër njerëzimit në Kosovë. Dy ditë më vonë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëri thirrje që të bashkoheshin në luftën kundër Serbisë të gjithë shqiptarët në Kosovë e në Perendim.

Me datën 1 prill u përdorën për herë të parë raketa ndërkontinentale për hedhjen e predhave, sërishmi kundër Serbisë. Kurse me 2 prill SHBA-të dërguan 13 avionë pa pilotë për të bombarduar Jugosllavinë. Ndërkohë Serbia po në këtë ditë i bëri thirrje Rusisë dhe Bjellorusisë për ndihmë ushtarake. Por tashmë Serbia ishte e rrethuar me vende anëtare të BE-së dhe prej 23 prillit 1999 edhe anëtare të NATO-s. Më 9 prill gjenerali gjerman, Nauman, foli për herë të parë për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake tokësore në territorin e Jugosllavisë. Ndërkaq Tony Blair u bë promotori i lëvizjes për të dërguar trupa tokësore në Jugosllavi kundër Milosheviçit. Më 14 prill avionët e NATO-s bombarduan një konvoj refugjatësh shqiptarë në fshatin Meha të Gjakovës, ku humbën jetën 75 veta. NATO kërkoi ndjesë dhe foli për atë se kishin informacion që konvoji me refugjatë ishte një konvoj ushtarak serb.

Më 9 prill 1999 në Bruksel u mblodhën sërishmi shefat e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të Bashkimit Europian, mbledhje në të cilën mori pjesë edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan. Ai shtroi një plan prej tri pikash për t’i dhënë fund luftës. 1) Tërheqjen e plotë të forcave ushtarake, policore e njësive speciale serbe nga territori i Kosovës. 2) Stacionimin aty të një force ushtarake ndërkombëtare dhe 3) Rikthimin e të gjithë refugjatëve në shtëpitë e tyre.  Në atë mbledhje Milosheviçi u bë përgjegjës për gjithçka që ndodhte në Kosovë. Ndërsa kancelari gjerman Schroeder për herë të parë përmendi nevojën e një pakti stabiliteti për rajonin e Ballkanit.

Ndërkaq Lukashenko i Bjellorusisë vizitoi Beogradin. Në të njëjtën kohë Beogradin e vizitoi edhe shefi i Partisë së Majtë Gjermane (ish-PK e Gjermanisë Lindore), Gregor Gysi. Ai takoi Milosheviçin dhe në kthim për në Gjermani erdhi edhe në Tiranë, ku u takua me presidentin e kohës, Rexhep Mejdani. I bëri gjithashtu një vizitë në Beograd edhe Kishës Ortodokse të Serbisë. Kurse në përgjigje të akteve të dhunës së Milosheviçit kundër shqiptarëve, më 20 prill u vendosën në Rinas të Tiranës helikopterët Apash të SHBA-ve. Ndërsa me 23 prill u mblodhën në Uashington shefat e shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë samit Aleanca u zgjerua edhe me disa shtete të reja. Më 30 prill Serbia paditi në Gjyqin e Hagës 10 shtete anëtare të NATO-s, si SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë, Belgjikën, Hollandën, Spanjën dhe Kanadanë. Por me 2 qershor Gjykata Ndërkombëtare e Hagës refuzoi shqyrtimin e padisë serbe.

Me datën 22 maj zëdhënësi i NATO-s, James Shea, njoftoi në një konferencë shtypi se kishte ndodhur një goditje e gabuar në Koshare, ku zhvillohej beteja e ashpër midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake të Serbisë. Dhe me 27 maj 1999 u publikua urdhëri i arrestit për presidentin jugosllav, Sllobodan Milosheviç. Më 30 maj, ministri gjerman i Mbrojtjes, Scharping, paraqiti një bilanc të masakrave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, gjë që sensibilizoi më shumë opinionin për imntensifikimin e sulmeve kundër Serbisë.

Më 3 qershor shkuan në Beograd dhe u takuan me Milosheviçin përfaqësuesi i BE-së, Mati Ahtisaari, ai amerikan, Talbot dhe ndërmjetësi rus Viktor Çenomërdin. Ata vunë re se presidenti jugosllav do të pranonte një plan paqeje të imponuar nga NATO dhe BE. Menjëherë pas kësaj u mblodh Keshilli i Europës, G7-ta dhe Këshilli i Arlantikut. Të gjitha këto organizma formuluan planin e paqes të shndërruar në ligj ndërkombëtar përmes Rezolutës 1244 të 10 qershorit 1999. Një ditë më parë, më 9 qershor, në Kumanovë në Maqedoninë e Veriut u nënshkrua marrëvesja e kapitullimit të Serbisë midis shtabit të NATO-s dhe shtabit të Ushtrisë Jugosllave (serbe).

Serbia asokohe dhe sot flet e propagandon për dëme të shumta kolaterale nga bombardimet e Aleancës Atlantike. Por një përmbledhje e përditësim i këtyre dëmeve nga ana e shoqatës për politikë paqësore të Berlinit thotë se bombardimet 78 ditore shkaktuan gjithsej 556 viktima civile si dhe 878 të plagosur. Në këto shifra bëjnë pjesë edhe 107 shqiptarë të vrarë gabimisht nga sulmet e avionëve të NATO-s. Ndërkaq numri i ushtarëve serbë të vrarë gjatë kësaj kohe është gjithsej 514, prej të cilëve 164 nga operacionet ajrore të NATO-s dhe 291 në përleshje me strukturat luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 59 të tjerë humbën jetën në aksidente të ndryshme gjatë lëvizjes së trupave ushtarake e policore të Serbisë.

Dëmet për shqiptarët e Kosovës dhe pasuritë e tyre ishin katastrofale. Ushtria, policia e paraushtarakët serbë masakruan pa mëshirë këdo, në mënzrë makabre. Nuk kursyen as foshnjat në djep ose në gjirin e nënës dhe nuk kursyen gjithashtu nënat dhe gjyshet e këtyre foshnjave. Bilanci ishte tragjik: – Mbi 13 mijë të vrarë e të masakruar, prej të cilëve 1402 fëmijë të moshës nga disa muajsh në 14 vjeç. Kësaj shifre i shtohen edhe 3200 të tjerë të masakruar, kufomat e të cilëve u zhdukën në Danub, lumin Sava dhe lokacione të tjera të Serbisë. Sot janë ende të zhdukur edhe 1600 prej tyre. Po t’u shtojmë këtyre krimeve mizore përdhunimet e grave e burrave shqiptarë, atëherë rezulton se sjelljet e shtetit serb, të kishës serbe, akademisë, ushtrisë e policisë së këtij vendi fashist nuk patën për qëllim thjesht shpërnguljen, vrasjen dhe asgjësimin fizik të shqiptarëve, por edhe poshtërimin dhe lëndimin e tyre psiqik. Mbi 20 mijë vajza e gra u përdhunuan. Po ashtu qindra e mijëra djem dhe burra! Arsyeja? Thjesht se ata ishin shqiptarë! Ky ishte genocid i pastër sipas të gjitha kritereve shkencore dhe ligjeve ndërkombëtare që përcaktojnë nocionin e genocidit.

Ushtria dhe policia serbe, si dhe paramilitarët serbë dëbuan nga shtëpitë e tyre të banimit mbi një milion shqiptarë, 90 për qind e të cilëve jashtë Kosovës, kryesisht në Shqipëri dhe në Maqedoni. Sipas statistikave ndërkombëtare u shkatërruan plotësisht e u dëmtuan rëndë 120 mijë shtëpi, banesa, qendra biznesi, objekte kulturore, shëndetësore e publike, nga 200 mijë sa kishte Kosova gjithsej. Për ta përshkruar situatën e shkrumuar në Kosovë, gazetari gjerman Rolf Paash  shkruante në gazetën “Frankfurter Rundschau” më 8 qershor 1999 se “Peç quhet qyteti që shqiptarët i thërrasin Pejë. Sot do të duhet të gjenden fjalë të tjera për ta përshkruar atë. Pra, Peç ose Peja nuk ekziston më. Qendrën e rrethojnë thëngjinjtë e djegur. Ajo i ngjan tashmë Hiroshimës”!

Shkurtimisht dhamë një pasqyrë të humbjeve nga bombardimet e NATO-s dhe të krimeve e genocidit serb në Kosovë. Nga të dhënat e shënuara rezulton se ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë dhe bombardimet e saj kundër Serbisë ishin në proporcion e simetri të jashtëzakonshme në mbrojtje të jetës së shqiptarëve të Kosovës për parandalimin e katastrofës humanitare që po krijohej. Nëse nuk do të ndërhynte Aleanca Atlantike, Serbia e Milosheviçit do të shkaktonte krime të përmasave të Bosnjës dhe do të asgjësonte gjithë shqiptarët, vetëm për një qëllim të vetëm: – Ripushtimin e territorit të Kosovës dhe kthimin e saj përjetësisht nën sovranitetin e vet. Shqiptarët u masakruan, u dëbuan, u dogjën, u përvëluan, u përdhunuan, por këto akte makabre i ndërpreu ndërhyrja ushtarake e NATO-s, sepse numri i atyre që kishin si fat vdekjen e asgjësimin do të ishte shumëfish më i madh.

Kjo simetri dhe dëmet minimale kolaterale gjatë bombardimeve të NATO-s i japin bombardimeve të saj legjitimitet maksimal. Ndërkohë që ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte legjitime edhe nga përmbajtja e ligjit ndërkombëtar të së drejtës, pavarësisht se nuk ishte e tillë nga pikëpamja formale. Jo pak analistë e madje njerëz publikë, edhe në Kosovë e në Shqipëri, e konsiderojnë jo legjitime ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, sepse, thonë ata, mungoi një vendim i posaçëm i Këshillit të Sigurimit.

Le të sqarohemi: Neni 7 i Kartës së OKB-së parashikon ndërhyrjen me forcë për t’i dhënë fund konflikteve në dy raste: – 1) Kur konflikti rrezikon të shkaktojë katastrofë humanitare dhe 2) kur konflikti rrezikon të përhapet në një rajon ose kontinent të caktuar. Ky nen i Kartës së OKB-së justifikon plotësisht ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, sepse të dyja këto aspekte ishin prezent në konfliktin dhe dhunën e Serbisë kundër shqiptarëve. Se dhuna serbe në Kosovë rrezikonte katastrofë humanitare e që konflikti të përhapej më tej, këtë e pranon edhe vetë Këshilli i Sigurimit në rezolutën nr 1199 të 23 shtatorit 1998. E ka pranuar vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Kofi Anan, si dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, si dhe personalitete e ekspertë me famë ndërkombëtare.

Në literaturën dhe praktikën ndërkombëtare që prej lashtësisë e deri më sot legjitimiteti përcaktohet nga disa kritere. Këto kritere, sipas ekspertit ndërkombëtar të njohur, Stefan Gruber, janë:

– Autoriteti legjitim, i cili autorizon ushtrimin e dhunës për zgjidhjen e konflikti.

– Shkaqet e së drejtës për ndërhyrje

– Qëllimi i saktë që do të arrihet

– Përdorimi i dhunës, përkatësisht i luftës, si mjet i fundit i ndërhyrjes.

– Bindja në suksesin logjik të ndërhyrjes.

– Përdorimi i dhunës të jetë i kufizuar.

Nga të gjitha këto kritere mungoi zbatimi i kriterit të parë, të cilin e parshikon neni 52 i Kartës së OKB-së. Pesë kriteret e tjera u zbatuan me përpikmëri. Shkaqet e ndërhyrjes ishin të qarta: – Rrezikohej katastrofë humanitare dhe zgjerimi i konfliktit, sidomos në Maqedoni e në Shqipëri. – Qëllimi i veprimeve ushtarake u përcaktua dhe u sanksionua në Rezolutën 1244 dhe kjo rezolutë zyrtarisht legjitimoi ndërhyrjen, kur përcaktoi kushtet e paqes. – Përdorimi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ndodhi pasi bashkësia ndërkombëtare përdori diplomacinë e saj preventive për gati dhjetë vite radhazi. Këtu bën pjesë edheorganizimi i Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë. Në këtë diplomaci u përfshi edhe Rusia si palë e interesuar e në krah të agresorit nëpërmjet Grupit të Kontaktit. – Suksesi në ndërhyrje ishte i garantuar. – Dhuna e bombardimet e NATO-s kundër Serbisë ishin preçize dhe me dëmet më të vogla kolaterale në historinë e luftrave në botë.

Ndërkaq mungesa e autorizimit të bombardimeve nga ana e Këshillit të Sigurimit si autoritet legjitim që autorizon ndërhyrjen ishte për shkak të interesave hegjemoniste të Rusisë. Dihet se Këshilli i Sigurimit i merr vendimet e tij me konsensusin e pesë anëtareve të Përhershme të këtij Këshilli. Rusia deklaroi votën kundër. Kjo do të thoshte se vendimi nuk mund të merrej e autorizimi nuk mund të jepej. Për pasojë veproi NATO me iniciativën e saj. Por edhe për veprimin e NATO-s nevojitej konsensusi i 19 vendeve të atëhershme anëtare të saj. Për fatin e mirë ky konsensus u arrit dhe NATO nuk u përça, siç pritej nga qeveria e Beogradit dhe presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Milosheviç.

Në sulmet e NATO-s kundër Serbisë në Kosovë pati konsensus maksimal, përveç dakordësisë së Moskës. Nëse e drejta ndërkombëtare varet nga interesat hegjemoniste të Kremlinit, atëherë nuk do të duhej të kishte ndërhyrje për të shpëtuar dy milionë shqiptarë nga katastrofa humanitare dhe Europën nga një konflikt i zgjedhuar në Ballkan. Por këto dy shkaqe të përdorimit të forcës i parashikon Karta e OKB-së. Nga pikëpamja morale dhe politike askush nuk e konsteston legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe bombardimeve të saj kundër Jugosllavisë (Serbisë). Ndërkaq agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës ka dëshmuar tashmë se Moska edhe në rastin e Kosovës nuk kishte interes ruajtjen e paqes, të sigurisë dhe stabilitetit për të cilin është krijuar OKB dhe Këshilli i Sigurimit, por ambiciet e saj imperialiste në Europë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok