16/05/2025

SHËNIME RRETH LIBRIT “NJË MONUMENT PËR DASHURINË” TË SHKRIMTARIT VELEDIN DURMISHI

0
Veladin-Durmishi

Nga Bashkim SALIASI

Me poetin dhe shkrimtarin Veledin Durmishi u takuam pas 50 vjetësh. Të dy kemi studiuar në të njëjtën shkollë, në Pedagogjiken e Fierit, por harresa bën punën e saj. Takimi jonë qe shumë rastësor. U  takuam te lokal “Taivani”, në Tiranë, në një takim me dy miq nga Suedia: me zonjën Britt Maria, kryetare e Bibliotekave në Suedi dhe poetin dhe përkthyesin  e njohur z. Sokol Demaku. Takimi ishte organizuar, si edhe herë të tjera nga shkrimtari Viron Kona, njëherazi miku im.  Në atë takim merrnin pjesë edhe disa miq të librave, poetë, shkrimtarë, studiues, gazetarë, midis të cilëve: poeti Delo Isufi, gjuhëtari Muhamet Cenko, studiuesi Sejdo Harka, mësuesi dhe publicisti Petrit Xhaja, shkrimtari Viron Kona ( organizator i takimit) dhe unë, Bashkim Saliasi. Ishte një takim mbresëlënës, ku mikesha Britt Maria dhe Sokol Demaku na rrëfyen përvojat e tyre me librin në Suedi, teksa edhe ne të tjerët, u treguam aktivë dhe bashkëbiseduam me kënaqësi e me shumë çiltëri me miqtë e ardhur. Gjithnjë bisedat për letërsinë janë të tilla, të bukura, të sinqerta, të shoqëruara me respekt, mirësi, humor mes bashkëbiseduesve.

Pas atij takimi mjaft të këndshëm, bisedova paksa me Veledinin. Ngaqë m`u duk fytyrë e njohur më parë, e pyeta nga cili qytet ishte.

-Jam nga Tepelena, – tha ai, – kam mbaruar për gjuhë-letërsi.

-Kam një shok nga Tepelena, e quajnë Kujtim Brahimaj, – i thashë.

-Patrioti im është, – m`u përgjigj Veledini, – ka qenë një vit para meje në Pedagogjiken e Fierit.

-Po mua nuk më mban mend? Unë kam qenë në një klasë me Kujtimin, Gëzim Ismaili, Baftjar Shehun, Pëllumb Bajraktarin, Zagoll Gjonin, Hekuran Duçka, Petrit Zeqaj, Fredi Ahmetaj, Kadri Idrizi, Bilbil Idrizi…

-Gëzim Ismailin e mbaj mend, por ty nuk të mbaj mend, – më tha me sinqeritet Veledini.

-Nejse do kemi kohë të njihemi, – i thashë, – por sot po të dhuroj kopjen e librit tim me poezi “Tomori, mal i shenjt”.

Gjatë kohës që po shkruaja autografin në librin tim, edhe Veledini bëri të njëjtin veprim, duke më dhuruar edhe ai librin e tij të fundit me poezi dhe tregime, me titull “Një monument për dashurinë” me redaktor dhe recensent shkrimtarin dhe poetin Viron Kona, kopertina Anduela Aliko, përkujdesje grafike Edlira Kame, Shtëpia botuese “Eldora” me ISBN: 8789928803467.

Librin  e Veledinit e vendosa në bibliotekën time për të pritur radhën që të njoh poezitë dhe tregimet e shokut tim bashkudhëtar të Pedagogjikes së Fierit. Pasi u ktheva nga kafja e mëngjesit e mora librin nga biblioteka dhe, ende pa u shtruar dreka pothuajse i “përtypa” poezitë e poetit Durmishi. Në recensën e tij Viron Kona shkruan: “Temat e dashurisë është ngacmuese për poetin dhe të krijohet përshtypja se poeti trazon hirin dhe zbulon poshtë tij thëngjijtë e ndezur që flakërojnë e që shprehin zjarrin e pashuar të dashurisë, të cilën poeti e mban të ndezur në gjirin e tij. Me këtë zjarr të pashuar autori na përcjell mesazhin se dashuria e vërtetë as nuk shuhet, as nuk humbet, ajo qëndron e ndritshme si perla brenda guaskës”. Libri hapet me poezinë “Një monument për dashurinë”, ku autori skalit bukur ndjenjën e dashurisë, këtë ndjenjë humane që është virtyt i shenjtë për njeriun dhe që mbjellë kudo paqe dhe tolerancë. Jeta e njeriut pa dashurinë nuk ka kuptim, ajo është një ndjenjë e fuqishme pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë.

Veledini përdor bukur figurat letrare, veçanërisht  krahasimin, metaforën, sarkazmin dhe i jep vargut një ngjyrim të mirëfilltë, që të mbetet në mendje: “Do bëhem gjuhëtar, -vetes i thashë,/ Çiften supit e tutje në lisnajë./ thëllëza ka plot, një do vras,/ Ç ‘ndodh më tej nuk kam faj.”

Duke kaluar nga njëra poezi në tjetrën, autori vërshon si lumenjtë në një dimër të egër. Kështu ndodh te poezia me titull “Digju dhe ti për mua”, apo te poezitë “Besoj në një magji”, “Kur vdes dashuria” dhe “Tanjusha ime”. Interesant është edhe fakti se poeti Durmishi, nëpërmjet ndjenjës së dashurisë i këndon edhe vendlindjes, e sidomos nënës së tij që nuk jeton më, atdheut, korifenjve të letërsisë shqipe, Migjenit, bashkëshortes etj.

Poezia e Veledinit është rezultat i një ngacmimi të fuqishëm që e bën poetin të derdh në vargje dashurinë për nënën, vendlindjen, gruan dhe gjithçka që e rrethon dhe lë mbresa në kujtesën e tij.

Në poezitë e këtij autori gjen edhe humor, satirë fshikulluese dhe mesazhe atdhedashurie. Brenda poezive ndjen një frymëmarrje të gjerë. Nga leximi i librit duket se autori është njohës i mirë i realitetit shqiptar dhe i jetës shoqërore.

Tematikën e tregimeve ai e merr nga jeta e përditshme. Tregimet bëhen të besueshme, sepse sjellin vrullin e jetës së përditshme që lë gjurmë në kujtesën e poetit.  Figurat letrare që përdor Veledini gjatë tregimit, të mbërthejnë dhe nuk të lëshojnë. Në fund, thua: “Sa bukur!” ndonëse përjeton dhimbje për torturat që pëson personazhi i tregimit…

Libri “Një monument për dashurinë” i Veledin Durmishit shfaqet si një himn dashurie. Ai përcjell mesazhe mirëkuptimi dhe tolerance.

Urime z. Durmishi në botime të tjera me vlera krijuese artistike!

Tiranë, më 01.05.2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok