16/10/2024

Nga Ryzhdi Baloku

Në shenjë nderimi të shënimit të Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, vendosa ta botoj një shkrim timin të cilin vite më parë e kisha publikuar vetëm në “facebook”, e që përkon me këtë ditë, me shpresë që ky shkrim do të ndikojë pozitivisht në sjelljet e njerëzve ndaj këtyre personave, dhe njëherazi që bankat dhe institucionet tjera, të cilat punojnë me palë, ta krijojnë mundësinë e hyrjes me karrocë brenda objektit për ta.

I zhgënjyer, në atë kohë, me atë që përjetova në ato çaste, shkrimin e cekur e pata publikuar po atë ditë, të mërkurën e muajit prill të atij viti, meqë m’u dha rasti që ta shoh në vepër “humanizmin” e disa njerëzve në qytetin tim të Pejës.

Atë ditë në qendër të qytetit, diku rreth orës 12:00 takova shokun tim M.S., dikur veprimtar i palodhshëm, i cili para lufte në mënyrë të organizuar u kishte  ndihmuar njerëzve nevojtarë, të cilët regjimi i Millosheviqit asokohe i kishte larguar nga puna, e që në Kosovë numëronin rreth njëqind mijë veta, shumica punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore.

Tash, M.S. është person me nevoja të veçanta, pas një aksidenti të pësuar në Gjermani, i cili lëviz vetëm përmes karrocës me bateri.

Meqë banka në Korzo të Pejës kishte shkallë që ia pamundësonin hyrjen brenda me karrocë, shoku im mu lut që t’ia bëja një transfer mjetesh.

Derisa ai qëndronte në karrocë para dere jashtë, e luta zyrtaren e bankës që në emër të tij t’ia kryeja shërbimin pa rend, për shkak se banka, personave me nevoja të veçanta nuk iu kishte krijuar mundësinë që ata të hynin brenda me karrocë.

Zyrtarja e bankës, një vajzë e re, më tha t’i pyesja klientët që prisnin në rend, andaj sipas udhëzimit të saj iu drejtova të pranishmëve se a po pranojnë që personit me nevoja të veçanta, i cili qëndronte para dere jashtë, t’ia kryej shërbimin pa rend.

Njëri nga të pranishmit ma ktheu me zë të ngritur: “Zotni, ka një orë që jam duke pritur, andaj askush nuk bën të kryejë shërbim pa rend”.

Të pranishmit tjerë heshtën duke e shikuar përmes xhamave shokun tim në karrocën e personave me nevoja të veçanta, ndërsa unë dola jashtë i dëshpëruar, si me sjelljen e zyrtares së bankës, po ashtu edhe me të pranishmëve që ishin aty.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok