14/10/2024

Rruga për në parajsë kalon midis ferrit

0

(Ditari i  banditit)

Tregim nga Resmi Osmani

Në zyrën operative erdhi një telefonatë për një aksident automobilistik.Policia, kur shkoi në vendin e ngjarjes , pa një makinë të rrokullisur në greminë. Vozitësi i makinës kishte vdekur.kishte qënë i vetëm. U identifikua që ishte Arben Qosja, i kërkuar nga policia dhe me precedent penalë, pjestar i bandës së Kapos.Trupin e shpunë në morg.

Bënë një bastisje të imtësishme në banesën e tij. Përveç automatikut  Kallashnikov, pistoletës TT dhe një shumice fishekësh, rreth dy kilogram kanabis, në sirtarin e komodinës së shtratit gjetën një fletore të trashë me kapak të zi. Të gjitha u sekuestruan si prova materiale.  Kur e shfletuan fletoren,  panë që në faqet e para kishte adresa, numra telefonash me nofkat e personave, pastaj vinin faqe të tëra me shkrim dore të imët, ku Beni, gjë e çuditshme kjo për një bandit, kishte hedhur ditarin e tij.

Në mes të fletores gjetën një fotografi vajze që kishte pozuar e qeshur. Pas fotografisë, ishte kushtimi: Benit, me shumë dashuri, nga Lola.

Fletoren ja dhanë hetuesit që ndiqte çeshtjen e bandës dhe ja seç lexoi ai në ‘të.

13 gusht,

U ktheva në shtëpi.

Bëra tre vite burg në Milano të Italisë.

Sefte punët shkonin grurë aty në qytetin e madh. Kisha nën kujdes tri femra bukuroshe, të trija shqiptare, që netëve  von dilnin trotuareve, por që edhe unë u gjeja klientë, se dihet për të tillë mall, gjithmonë gjenden përdorues.Me raste shpërndaja edhe paketa të vogla me “Miell”. Fitimi, që ndaja me vajzat, nuk ishte kushedi se çfarë, por sido qoftë, mjaftonte për të jetuar si njeri dhe për t’u zdërhallur, por diçka tepronte.  Kjo punë kishte rreziqet e saj, policinë e kishim pas shpine, na gjuanin si për derr, por edhe ne i kishim mësuar hilet dhe u bënim dredha.E keqja vjen nga se pret. Një ditë, një Beratas, më pruri një femër të kolme,llokum, ta mbaje ne goje,  të re dhe daha të bukur.Bandilli, siç dihet në ato raste, pa qeder, i kishte premtuar martesë dhe dashuri të përjetshme. Asaj i qe bërë mëndja ujem, në gomone dhe bramp në Itali. Për të pagova një grusht me para. Ishte si një mëze e pashtruar dhe e sertë, hidhte vickla, por unë, që e dija mirë zanatin tim e shtrova dhe e  bëra terbiet.E bashkova me vajzat e tjera dhe e nxorra në treg, që i mësuan zanatin. Ishte tamam kjo kuçka që nuk e di se ç’i shkrepi, u dorëzua në komisariatin e policisë dhe bëri kallzimin për mua dhe beratasin. Na vunë hekurat. U bë gjyqi.Tre vjet burg dhe të mos shkelja gjithë jetën në Itali. Një tmerr i vërtetë! I bëra kokërr për kokërr se ata,po u re në dorë, s’të falin . Lere lere,nuk mund t’a them se ç’hoqa, në atë shoqëri larushe kriminelësh, homoseksualësh e të droguarish. Pas përfundimit të dënimit, nerva shkatrruar, shëndetlig, më prunë pako postale në Rinas dhe më dorzuan në policinë vëndëse që, më pruri deri në shtëpi.

20 gusht.

Nëna s’po u besonte syve. Më rroku n’grykë, më shtrëngoi në gjoks,dhe vu lotet.Qaj e bot dhe belbërit fjalë të dhembsura.”Bir, bir, më ka pikur malli, pikërëna unë, sa qenke tretur e dobesuar, çtë kanë bërë o bir……?” Aty gjeta edhe motrën me të dy fëmijët që qenë bërë barrë për nënën. I shoqi kishte shkuar në Greqi. Fëmijët më shihnin nga duart, por ç’tu jipja? Isha trokë!

Shtëpia jonë përdhese, era myk e lagështi. Hapa dollapin e ushqimeve. Gjë prej gjëje. Të binte miu thyente kokën! I tillë fukarallëk, as buka e gojës!U ndjeva ligsht e disi në faj.

Llafosa gjatë me nënën dhe motrën, u çmallëm.E ndjeva veten në faj për këtë derexhe të shtëpisë dhe nuk e desha veten . Isha djal’ i vetëm, burri, si i thonë trari i shtëpisë, shpresa. Nga mua pritej shpëtimi, dalja nga hallet,ti thoshim def fkarallëkut . Nëna, si nënat, më dha nasihate, të bëhesha i mbarë e ta filloja jetën nga sefte, me punë të ndershme.Ta nxirja bukën e gojës me djersë. Të gjeja një punë a zanat,të martohesha se e kisha kohën,  e të mos kisha andralla e siklete, as me hyqymetin as me llauzin. Epo helbete kasavet nëne. Xhanëm, me të sajën, ajo mirë e kishte.

1 shtator.

Bëhu djalë i mirë, bëhu i mbarë,gjej një punë dhe bëj jetë të ndershme sindozot! Eh moj nënë e mirë, sa ti s’më do askush. Më ke dhënë jetën, më jep dhe nasihate, të mira , por jo për këtë dreq kohe që na qëlloi të gjallojmë.Sido qoftë ta ndjeva llafin.Zura punë në një firmë ndërtimi. Punëzeza! Punë skllavi: llaç, tulla, thasë me çimento, ngarko vinçin, shkarko, afro materialin muratorëve.Shpejt, shpejt, luaji të tharat, mos fli më këmbë! Duart mu mbushën me fulltaka, më dhemb shpina dhe mesi.Një kryepuntor që bën si shpirt i keq, që s’na ndahet e s’na le as të marrim frymë. Kthehem në shtëpi dhe fle si i vdekur.E gjitha për dhjetë mijë lek në ditë, gjysma më duhet për kafe dhe duhan!Me atë që tepron, katër shpirt në shtëpi, veç të ushqehen me bukë thatë!

15 shtator.

Qyteti ynë është bërë si hani i Bobos sa s’po e njoh. Në të kanë zbritur banorë të rinj nga  Mallakastra, Tepelena, Skrapari që u janë shtuar vendësve dhe ardhësve të më hershëm: çamëve, kosovarëve , çobenjve dhe evgjitëve. Tollovi e paparë.Çorbë derri! S’njeh qeni të zonë. Të gjithë, vitin që shkoi, kanë marrë armë.Natën qielli ndizet flakë. Vidh të vjedhim, grabit të grabisim. Policëve u dhimbset lëkura, bejne të paditurin, sikur nuk shohin.Dhe ajo punë dihet, kur macja mungon në shtëpi, minjtë heqin valle! Ca prej syresh,trima e kokëshkretë, që e heqin veten për të fortë, kanë formuar grupe keqbërëse dhe kriminale të armatosur. Janë katër banda.Sikush ka sinoret e tij, që s’mund ti cënojnë të tjerët. S’e kanë për pesë të të heqin qafe po u hyre në pjesë apo i kundërshtove për të dhënë atë që kërkojnë. S’di njeriziu nga të ruhet e nga kush të ruhet!

Takova shoqërinë e vjetër.U gaxhitën dhe u shqyen gazit, tallën bythën me mua që kisha nisur punë krahu për të nxjerë bukën e gojës.Hajde kaqol, hajde! Kaq të humbur e di veten?S’të punon kungulli fare?!

Zumë vend në një lokal. Porositëm raki. Në pritje të mezeve, Armando, që ishte kreu i shoqërisë dhe hiqej si më i dituri, i preu drutë shkurt: dëgjo- më tha- ti je shoku ynë dhe ne të besojmë e të duam. Vëre në punë kaplloqen. Ka që janë pasuruar aq sa s’dinë ç’ti bëjnë paratë, të tjerë s’kanë bukë të hanë.Po si u pasuruan? Sefteden ishim të gjithë njëlloj,apo jo? Por ç’ndodhi më pas? Ta them unë: me të vjedhur, me të grabitur gjënë që ishte edhe e jona.Na lanë me gisht në gojë! Po ne ç’duhet të bëjmë?Sehir? Me se të rrojmë me ajër? Merret vesh: t’ua zhgrepim  pjesën tonë, atë që na takon. Me hir a me pahir. Kërkoje, nuk ta jep, merre se nuk të vret! Bota është e trimave dhe per trimat. Ata le të na quajnë si të duan:banditë, horra, fundërina, kriminelë, por ne jemi në të drejtën tonë. Marrim atë që na takon dhe pikë! Ben Qose,je i vetmi njeri në qytetin tonë që je bërë për të qarë hallin! Bashkohu me ne, ke për t’ia parë hairin dhe do t’i thuash def fukarallëkut. Kur u ndam, më thanë të silloisesha, më vunë në dorë një tufë me para dhe lam fjalën të piqeshim të nesërmen.

U ktheva në market dhe mbusha qeskat me ushqimet që na duheshin në shtëpi. Si dajo i mirë, nuk harrova të blija edhe çokollata për nipin dhe mbesën.

Punës i bëra naftën.Po të më paguanin më mirë, mbase do të qëndroja dhe nuk do të ndodhnin ato që më ngjanë.

25 shtator.

U bëra pjesë e bandës(ata e quanin shoqëri) të Armandos.

Kushtet: besnikëri, bindje, guxim e trimëri, barazi në ndarjen e plaçkës. Në rrezik e në nevojë, njeri tjetrin ta ndihmojmë! Një për të gjithë e të gjithë për një! Mëshira është dobësi, hileja poshtërsi.Me hasmin dhëmb për dhëmb e sy për sy.Tradhëtia paguhet me jetë, lahet me gjak!

Armando mi shkoqiti një për një. Në fund pyetja: Pranon? Po ta mban bytha mirë se  erdhe, në s’ta mban, ik pirdhu dhe harrona!

E dëgjova pa hapur gojë.Kohë të zorshme.Ja që e tillë qënka jeta: rruga për në parajsë kalon përmes ferrit!Ky ishte përfundimi.

Bëheshim pesë vetë. Të gjithë të shoqërisë, kishin nga një nofkë: Kapua,Qorri, Buzaçi, Çalamani… Unë, nga që isha i shkurtër nga trupi, do të quhesha Xhuxhi.

2 tetor

“Kasollja” është një shtëpizë e veçuar, larg rrugës, jashtë qytetit që dukej si shtëpi fshati e braktisur, e fshehur midis pemëe dhe nuk binte në sy.Në oborr kishte një bunker. Armando e kishte blerë për një copë bukë.Ishte streha jonë, aty mblidheshim.”Moj kasolle ku na mblodhe”?!Kishte në të uniforma policie dhe ushtrie,maska, në një dollap hekuri armë; kallashnikovë, pistoleta T T,  një mitraloz të lehtë, granata, kallëpë  dinamiti , arka me fishekë, një xhepane e tërë sikur do të luftonim me nemcen .Në mur  nje kasafortë. Mbaheshin aty sendet me vlerë dhe dokumentat  e rreme. Çelsin e saj e mbante Kapua(Armando).Në njerën nga dhomat ishin edhe tre shtrete për gjumë. Në   raft shishe me uiski, xhin, rum, raki  dhe konjak. Gjithë këto i pashë një ditë më par se të dilnim për “Gjueti”.

“Kasollen” e ruante xha Minai,si qen besnik,fis i Kapos,  një ish polic i kohës së shkuar, që hunda i rrinte e skuqur nga rakia. Në oborrin e prasëm ishin edhe dy makina.Njera me xhama të errët.

3 tetor

Ishte dita e gjuetisë.- Vishu Xhuxh, se do dalim për kismet- më tha Armando.-Sot është dita që  do burbuletesh.Veshëm kostumet ushtarake lara-lara, vum maskat dhe kapuçët. Ngjanim si zhapikë, ashtu tebdil, nuk do të na njihnin as nënat tona. Ishim katër:Qorri, Buzaçi, unë dhe Kapua(Armando) që i jepte makinës.Pas nja gysëm ore, u gjendëm në krye të qafës, ku mbaronte e përpjeta dhe fillonte tatëpjeta.Në të djathtë ishte koria e pishave, në të majtë vargu i kodrave me dushk. Makinën e parkuam, në vënd që nuk dukej nga rruga. Aty ku qëndruam, hapej si në pëllëmbë të dorës pamja nga të dy anët e rrugës.Xhadeja ishte e drejtë.Të dy skajet edhe në ardhje edhe në vajtje ishin bosh. Prisnim të vinte gjahu.Nuk vonoi. Ishte një autobus.-Bëhuni gati –tha Armando se do ta qethim, na vjen peshqesh si zogu bufit! Bllokuam rrugën.Kur na pa të armatosur, shoferi, i trembur, ndaloi.

-Hape derën,jemi të forcave special. Do të bëjmë kontroll, shpejt se s’kemi kohë- urdhëroi Kapua me hakërrim, pastaj foli kallashi, një breshëri në ajr.

Në autobus hym unë dhe qorri, që s’përmbahej hiç.

-Lekët- urdhëroi ai-nxirni lekët, pa llafe në mos do të bëj hatanë-dhe tundi në ajr revolverin. Pasagjerët u lemerisën, gratë vunë kujen, fëmijët zunë të qajnë, burrat të zënë në befasi u rrasen në ndenjëse të tulatur. Qorri  zbrazi në dritare revolverin. Qetësi varri.-Mos rrezikoni për ca para të qelbura.Jeta vlen më shumë se aqë! Njerëzit, nja ndoca dyzet shpirt, burra e gra, të rinj,të reja, pleq e plaka u nemitën.Për të qarë e për të qeshur,o kuletën o jetën! Si në filmat amerikanë.Kujt ja mbante bytha të kundërshtonte? Fëmijët s’pushonin së qari.Qorri ,urdhëroi nënat:-mbylluani grykën moj teleshmëne! I morëm me radhë,kokë për kokë, stol më stol. Merrnim paratë nga duart që dridheshin, por jo vetëm paratë: burrave orët, kur ishin të mira, unazat e florinjta dhe grave stolitë e arta. Qorri, tundte revolverin, shante ndyrazi: të rejat që vonoheshin i quante kurva e rrospie, pleqtë gërxho që I kishte harruar Zoti, diku gjuante edhe ndonjë shuplakë, nuk kurseu askënd, qoftë edhe për pesë lek. Ja kishte marrë dorën asaj pune.Dinte ta bënte mirë. Në fund, fatorinos i xhvata çantën me para. Nga rruga Çalamani na dha shenjën e rrezikut. Zbritëm nxitimthi. Autobuzi me njerëzit e lemerisur, mori rrugën për ku ishte nisur.

Qorri mori mallin dhe e shpuri te makina.

Ne qëndruam në anë të rrugës.Po vinte një makinë, pas saj rruga ishte shkret nga të dy kalimet. E ndalëm. Ai që ngiste makinën, meso burrë,kapadai, i veshur me sqimë, na kundërshtoi.Na tha se ishte kryetar i parties N, professor fistëku,se ne duhej ta njihnim dhe, ata shokët e tij të partisë. Ishin nisur për në një konferencë….me çtë drejtë na ndaloni dhe kontrolloni. -Me të drejtën e sat ëme, mor plehrë politikan!- Kapua e nxori dhunshëm nga makina,dhe e plasi si leckë. I tha se si rruhej fare as kush ishte as ku shkonte, ta mbyllte buçen nëse i dhimbsej lëkura. Zbrazi një breshëri automatiku, se ajo ishte fjala më urdhëruese që mund të thuhej. I rreshtuam të katër anës ledhit të xhades. I kontrolluam, ata kundershtuan, kapua zbrazi një breshëri tjetër mbi kokën e tyre. Kuptohet që i mbushën brekët. Para grykës së automatikut vdes trimëria. U morëm lekët, orët, unazat. Krytarit i xhvatëm çelsat e makinës. Çalamani mori timonin, hipëm dhe ne. E  ktheu vrulltazi makinën dhe mori udhën e pyllit të pishave.Ata mbetën si të dhjerë.

Zhveshëm rrobet, hoqëm maskat, morëm një rrugë fshati dhe u nisëm për në bazë.

Pim nga një kupë uiski dhe bëm inventarin.Pa orët dhe stolitë e arta, na takoi nga afro 400 mijë lek të vjetra secilit.Ditëpuna ishte paguar mirë, por Kapua nuk ishte i kënaqur. I quajti çikërrima. Ai shihte për më larg dhe për më shumë. Këto bastisjet,si prej cubash, për të ishin punë koti,e akoma: punë muti! Si lodra,por me zarar ama!

Njeriu, që ishte syri dhe veshi ynë  në polici, takoi Armandon për të marrë këstin e shërbimit. E vuri në dijeni se ankesat për grabitjen ishin denoncuar dhe ata po bënin sikur ishin në kërkim të keqbërësve, por kërkonin në tym dhe  s’kishin rënë në gjurmë të tyre.

10 nëntor

Ndreqa punët e mia.I bëra një vizitë pronarit të firmës së ndërtimit ”Kostandini&Djemtë”. I thashë kush isha, me një pamje kërcënuese, i prura të fala nga Armando, që besoja se ja kishte dëgjuar zën. Dhe, se atje ku po ndërtonte pallatin e ri , isha bashkëpronar në truall. Ai u çudit.

-Ku ke qënë deri tani, e ke tapinë?

-Në Itali, këto dit jam kthyer.Tapia është në  Stamboll, në kadastrën e Sulltan Pekmezit! Nga kjo përgjigje atë e zuri kolla dhe si i mënçur që ishte,  e kuptoj se me mua s’bëhej shaka.

Mënjanova pak xhupin dhe lashë të dukej pistoletën. E pashë drejt në sy. U prish në fytyrë. I lashë të kuptonte, ashtu larg e larg, se pallati që po ndërtonte, një ditë, mund të kthehej në gërmadhë nga një shpërthim dinamiti. Atij i iku goja. U rrëgjua e u bë një grusht. Që t’i hiqja frikën i thashë se mund t’i jepja truallin e shtëpisë së vjetër, ku mund të ndërtonte një pallat tjetër, kësisoj ishim të larë, fit e fit,por si fillim doja dy apartamente të bollshme në njërin nga pallatet e përfunduara. Atij si pëlqeu vendi, po si i thonë fjalës, ndaj hiçes është i mirë dhe i Birçes! Të nesërmen bëm letrat te noteri dhe si fillim mora çelsat e dy apartamenteve, një për vete, tjetrin për motrën.Bukuri e madhe!

Në dyqanin e elektroshtëpiakeve, porosita gjithë çi duhen një shtëpie të re, gjoja me të pritur e me kredi, por që ata e kuptuan se nuk do t’i merrnin kurrë, po të donin që të mos u merrte flakë dyqani. Helbete, janë gjëra që ndodhin!Mi sollën me makinën e tyre.

Kështu edhe për orenditë.

Gjithëçka e re, ndrinte e vetëtinte! Gëzonin sytë, të bënte rehat shpirti! Nëna, gjithmonë dyshuese për punët e mia, dhe motra , s’u besonin syve.

Hajde bir hajde!

Kishte nëna djalë, jo llafe!

U dukej se po shihnin ëndërr me sy hapur. Thashë: t’i gëzoni dhe pa merak,  se deh, të shkretën, na takonte edhe neve të rronim si njerëz e të gëzonim nga të mirat e kësaj bote.Sa për atyre që jua mora, ishte si tu shkulje një qime! Ja, kështu bëhen punët!

5 janar

Armando shkoi në Janinë, aty beri një barrë qejf dhe  Vitin e Ri, u zderhall në lokalet e atjeshme të natës, në bordellot dhe, shiti stolitë e arta. U kthye me një grusht para që na i ndau.

Dua të shkruaj për një gjë të veçantë. Kam rënë në dashuri. Vajza quhet Lola. Kushërirë e largët e Qorrit. Dhe ja si ndodhi.  U këmbyem në trotuar, para kafe”Admiral”. Më pëlqeu në shikim të parë,jo se kushedi se ç’ bukuri, po trupi ama, bombë fare, alamet cope, si thonë tani, derr seksi! Dhe mua që s’më mungon guximi me femrat i thashë: O goce, beson në dashurinë me shikim të parë, apo të kaloj edhe një herë? Ajo qeshi.-Kthehu dhe një herë dhe më shih në sy- tha- dhe unë bëra disa hapa prapa dhe u ktheva përball saj dhe ia ngula sytë me shumë dashuri…….Ashtu bëri dhe ajo. Qëlloi që pa e ditur, ecëm krah njeri-tjetrit për  të  vajtur në të njëjtin lokal. Ajo pasi i përshëndeti të tjerët, u ul në tryezën tonë si midis të njohurish prej kohësh. Qorri ma prezantoi, si kushërirën e tij, ne bëm sikur s’njiheshim. Lola ishte pjesë e bandës. E pashme? Çka, por simpatike.  E shkathët, guximtare, e lirshme, që kryente ca detyra speciale që, do  t’i merrja vesh më vonë.Në të folur,përdorte ca fjalë të kripura e kishte  huqe prej çunash. U lidh me mua dhe mu dha pa shumë naze. Duket që s’isha i pari, por mua s’më behej vonë për këtë. Ajo dinte ta gëzonte jetën pa paragjykime, bënte atë që i pëlqente. Shokët e kuptuan dhe e pranuan në heshtje, pa xhelozi lidhjen tonë. Aq shumë më pëlqeu dhe u dhashë pas saj, sa më shkoi ndërmend që të fejoheshim e më pas të martoheshim. Kur vjen fati dhe rasti, hapi derën!

20 janar

Ndajnate, në mugëtirë dhe mjegull,pas perëndimit të hënës, nga grykderdhja e Vjosës, nisëm një gomone me mall per në bregdetn e Puljes. ”Bari” na erdhi nga Tepelena.I klasit të parë.Ata djemtë e atjeshëm, si duket, dinë ta bëjnë me qokë punën e tyre. Gomonia,dhjetë metra e gjatë, me motorrë të fuqishëm është e një vlonjati . Se ka për herë të parë udhën e detit dhe i njeh mirë brigjet e përtejshme. Armando e pagoi mirë. Po sosi për atje ku u nis, dhe besoj që po,do të na ngrohen xhepat mirë.

Të lodhur e të pagjumë, u kthyem ndaj të gdhirë.Nuk vajta në shtëpi, por te Lola që më priste. Bëm dush, ngjeruam ca biskota e çokollata, pastaj drodha nje cigare me  bar, tymosëm herë unë e herë Lola. Pastaj si erdhëm në formë bëm dashuri sa u velëm. Lola është e hatashme në shtrat. Na zuri gjumi top…….

Pa datë.

Kohë e keqe, jo nga moti, por nga ndodhitë. Lajmet vijnë nga ekrani I televizorëe, gazetave, por i sjell dhe era, nga jugu në veri! Në qytetet rreth nesh po bëhet nami: ca gjëra të lemerishme, llahtarë e vërtetë. Në një nga këto ditë, në L. banda e atjeshme i kishte prerë kokën kundërshtarit dhe të futur në qeskë plastike e kishte “shëtitur”, ashtu të përgjakur, në sheshin e qytetit! Njerëza ishin terrorizuar dhe mbyllur në shtëpi. Në B. kapua i tmerrshëm i bandës së atjeshme, një egërsirë e vërtetë për një hakmarrje, mori peng dy vëllezër,të rinj në moshë, i çoi në ullishten e kodrave mbi qytet dhe u rrëfye bujar: u tha të zgjidhnin, kush do të mbetej gjall, se njeri nga të dy do të pushkatohej. Pranoi me i madhi dhe e pushkatuan. Diku grabitën një bankë, në një vend tjetër një argjendari……. Në V. bandat luftojnë që t’i hanë kokat njëra-tjetrës që kush të jetë i parë…… Vajza mëndjelehta fshatarte apo nga qytete të humbura që, i gënjejnë dhe i dërgojnë me gomone për prostituta në Itali, Hollandë, Greqi  e Belgjikë këtë e quajnë tregu i mishit të bardhë!…. Kështu hapen e mbyllen lajmet, përditë, në televizionet e gazetat. Dëgjojmë, s’bëjmë zë, ama nuk çuditemi!. Ne nuk kemi arritur deri në poshtërsira të tilla, po ku ta dish se ç’sjell e nesërmja e kësaj rruge që i kemi hyrë? Dihet fillimi por jo fundi.Ky stan këtë bylmet ka! Mu kujtua një e thënë e Xhinos, shokut tim italian në burg. Një filozof i tyre, që s’ja mbaj emrin, paskësh thënë se qëllimi i përligj mjetet.Dhe se morali, e mira dhe e keqja, brejtja e ndërgjegjes, pendesa dhe, gjithë broçkullat e tjera, ishin ca sajesa të njerëzve frikacakë e të dobët.Se njerëzia janë një kope pa bari dhe njeriu për njerinë është ujk. Se jeta është si një tryezë kumari, ose fiton ose humb. Guximtarët dhe trimat, gjithmonë ose fitojnë, ose vdesin…..Nuk e njohin humbjen!

23 janar.

Ditë e zezë!

Ngarkesa e “Barit” nuk sosi për ku ishte nisur. “Guardia di finanza” e kishte pikasur dhe ndjekur si zagari lepurin. Vlonjati,kishte ngarë me gjithë shpejtësinë,por i frikësuar, ngarkesën e hodhi në det, por nuk arriti të shpëtonte. E kapën dhe e rrasën brënda.Po të fliste do na hapeshin avaze. Lajmin e dhanë televizionet.

Pika e hallit! Edhe kjo na duhej! Tepelenasve, su plaste fare.Kërkonin paratë, në mos, t’i bënim derman kokës. Mbetëm trokë.

U mblodhëm në kasolle.Armando sillej ec e jak si luani i mbyllur në kafaz. I pa rruar, flokë kërleshur, i zbehtë. Turfullonte dhe shante ndyraz te gjallë e të vdekur. -Punë muti, fat dreqi, pse tamam të na ndodhte neve? Ah ai plehra i gomones?.Heshti një tropar, pastaj u ul dhe rrëkëlleu një hurbë uiski.  Ne gëk, e ç’të thoshim. –Në zanatin tonë,(që vetëm zanat nuk është), rreziku na rri prapa veshit.- vijoi ai.-Duhet të dish çfarë kërkon, po edhe sesi ta kërkosh, pastaj të veprosh.Ne dimë ç’kërkojmë, por hera herës gabojmë sesi e kërkojmë. Dreqi e mori, është edhe punë fati apo dhe tersi. – Vijoi si të fliste me vete.

Pas pak, Buzaçi që s’para mbushte,  kishte një huq të çuditshëm për të bërë ca pyetje që atij i dukeshin të zgjuara,dhe zbavitëse, mu drejtua mua:

-Xhuxh, a mund të më përgjigjesh: pse bie shiu? Unë:se ka kohën e tij. Jo mor budallë se s’ka shkallë të zbresë! Tjetër: pse gjeli nuk ka duar? Unë: I mjaftojnë krahët.Ai: s’na the gjë: se nuk ka pula brekë. Ha ha! Pse rri shtylla elektrike në këmbë? Unë: se është e ngulur në tokë. Ai: jo birçe se s’ka karrige ku të ulet.Tjetër: ç’fare bejnë indianet kur bie shi? Unë: lagen. Jo e lënë të bjerë!Pse gjeli hedh valle rreth zogës pasi  e shkel……

Mbylle buçen mor hajvan, me ato gomarllëqet e tua, apo të ta mbyll unë-iu gërduf Kapua.Ç’hall kemi ne e ku të rreh ty!

–  Ç’të ka zënë me mua! Ske ç’i bën gomarit e ibie samarit! Thashë t’u hiqja një çikë mërzinë e të qeshnim pak!

– Është për të vënë kujen, e jo për të qeshur, po s’ke faj, je eksiq dhe aq mbush!

Pa datë

Tepelenasit na e kanë vënë thikën në fyt. Duan paratë, në mos….ata s’të falin! Kapua u dha gjith sa kishim. Për pjesën tjetër, u kërkoi ta shtynin dy muaj, por ata kërkuan vetëm një muaj dhe kështu u ndam.

Halli? Si do t’ia bënim? Aq para mund të siguroheshin vetëm nga grabitja e bankës. Në qytet kishte disa, por më e pasur dhe më e volitshme ishte “Rajfajsen”. Kapua tha se grabitja duhet të bëhej në një nga qytezat periferike, se ujku nuk gjuan asnjeherë pranë strofullës së vet. U vendos. Mua, që isha më i shkolluari, dhe Lolës, si femër që s’binte në sy, na u ngarkua detyra e gjetjes së bankës dhe vëzhgimit. Shkuam në disa qyteza, por më e volitshme na u duk ajo  në N.  Banka ishte në sheshin qëndror, në katin e parë të një pallati të ri, përballë një hoteli me emërin ”Egnatia”. Nga sheshi dilnin tri rrugë, që në brendësi të lagjeve, nderlidheshin me rrugë të tjera.Në të djathtë ishte lumi.  Përditë ne ,me kapuça në kokë dhe syze të errëta, i silleshim rrotull. As njihnim as na njihnin. Gjasme se kisha punë, hyra disa herë Brenda dhe shkëmbeva ca lek me dollarë. Me sytë katër ,  nga sa pashë, bëra një plan vendosje në letër:dera e hyrjes, salloni i pritjes, sporteli i shërbimit, arka, kasaforta, telefoni, kamerat, sinjali i alarmit. Përjashta, tërë kohën ishte një roje i policisë private. Nga ditët, vum re se e premtja si fund jave, në mesditë kishte më pak njerëz, dhe në ora 15 ndrrohej turni i shërbimit. E pleqëruam planin gjerë e gjatë deri në hollësitë më të vogla dhe u vendos. Të premten që vjen në ora 15 një mësymje rrufe mbi bankën “Rajfajsen”. E gjitha për pesë, e shumta dhjetë minuta. Me armë të shtihej vetëm në rast rreziku.Të mos linim asnjë gjurmë.

2 shkurt

Veshëm uniformat e policisë. Edhe kapuçët-maska,dy kallashnikovë dhe secili revolverin e tij. Morëm maqinën me xhama të errët. Në timon Kapua. Pas gjysmë ore sosëm në N.Qëndruam ndoca 30 metra larg bankës. Mua mu dha detyra të neutralizoja policin- roje, kurse Lola, të vëzhgonte rrugën. Fiks në kohën e ndrrimit të turneve e mësym bankën. Ishte si n ë filmat amerikanë. I vura rojes revolverin në bark dhe i thashë të mos bënte gëk në i dhimbsej lëkura.Ai u shtang.I mora kallashin. Aman, më tha- mos më vrit se kam gruan dhe fëmijët. Ai trembesh kot se as kisha ndërmend ti bëja gjë , mjafton ta mbante gojën kyçur. Në Bankë hynë rrëmbimthi Kapua dhe Qorri.Urdhëruan ata dy tre klientë të uleshin në gjunjë, personelit  të ngrinte duart lart. Të zënë në befasi ata u bindën. Qorri ,tundi revolverin kërcënueshëm dhe i tha arkëtares se po të shkelte butonin e alarmit do ta vriste. Ajo mbeti si pemë, me duart lart. Boshatisi arkën dhe shkuli telefonin nga vendi, urdhëroi të hapej kasaforta. Ashtu u bë. Në trastën e zezë që kishim marrë me vete, futi gjithë ç’gjeti. Kapua me automatikun në shënjestër kercenonte me vdekje çdo kundërshtim. U krye. Vrapuam rrufeshëm dhe maqina fluturoi në një rrugicë qorre.S’na ndoqi askush.

3 shkurt

Kapua, na porositi  që ca dit të mos bëheshim të gjallë. Jo nga frika, se ne e kishim vrarë frikën, por për siguri, se kujdesi asnjë herë nuk është i tepërt, dhe sakën se na shpëtonte ndonjë llaf, qoftë edhe me familjarët tanë. As në kafe “Admiral”, as takime midis nesh. Zere se nuk ekzistonim! U bëm fir, unë u mbylla te Lola, por shkoja edhe në shtëpi, ku më priste nëna. Gazetat dhe televizionet dhanë lajmin e grabitjes së bankës dhe se grabitësit ishin zhdukur në drejtim të paditur! Ha,ha! Pastaj arkëtarja dhe personat e tjerë torrën gjer e gjatë historinë, duke shtuar edhe gjëra që ne si kishim as në mënt as në fiqir!Hajde gallatë hajde. Të shqyhesh gazit. Çuditem vetë me vete kur shoh apo lexoj se ç’farë broçkulliset për atë ngjarje, ku ti vetë ke qënë personi pjesëmarrës.Teatër jo llafe!

10 mars

Tregtari me shumicë i materialeve të ndërtimit, Latif Seferi, i ka magazet në mbretërinë tonë. Një pasuri e tërë. Gjezdis me maqinë të shtrenjtë , birçja,dhe banon në një vilë prrallore. Pa le, mban edhe truproje personale! Është pasuruar shumë. I vum një gjobë të majme. Por ai, më qën bir qëni që, se bën më nëna, jo vetëm që s’desh të dinte, por edhe u tall e trimërua. Na quajti zorraxhinj barkthatë dhe le të na e mbante bytha ti qaseshim, se e paguanim më shtrenjt sesa mund ta kishim menduar! Kapo u xhindos. Si i bëhet? Ai ka një djalë nja gjashtëmbëdhjetë a shtatëmbëdhjetë vjeç, në gjimnazin e qytetit. U vendos: do ta merrnim peng. Lola ishte karremi që do ta tërhiqte, duke iu vardisur sikur e pëlqente. Ajo dinte si ta bënte, por duhej ca kohë, që t’i gjente volinë. Pastaj, le të shiste pordhë  Latif Seferi!

Për dreq, punët shkuan ters, ndryshe nga sa i kishim menduar ne.

14 mars.

Si nis sherri? Nga s’ta merr mëndja, edhe nga gjëra kotnasikoti. Nëna ime thotë që filli këputet kur hollohet dhe zullumi kur trashet. Po e tregoj ashtu si ma thanë dëshmitarët se unë nuk qeshë aty: Sot që ishte dita e verës, që qëlloi e kthiellët dhe e ngrohtë,Armando dhe Qorri, dolën nga kafe “Admirali” në këmbësoren e bulevardit për një shëtitje pa makinë. Befas, pranë u qëndroi një “Land rover”. Zbritën tre veta. Ishin të bandës së dibranëve. E kishin me Qorrin.Thanë se i binte qafës motres se njerit prej tyre.Hip në makinë- , e urdhëruan,- se kemi ca punë me ty! Kapo nuk pranoi ta linte shokun dhe i doli në mbrojtje Qorrit.U shamatuan. Ata ishin të armatosur dhe i detyruan të dy të hipnin në makinë. Makina u nis për të dalë jashtë qytetit. Armandos dhe Qorrit ia mbanin revolverin në tëmtha. Kur i lanë pas shtëpitë e lagjeve të jashtme, Armando, pa u kuptuar, nxori thikën nga qafa e çismes dhe me vrull e gjithë forcë ja nguli në brinjë. Ai u shkreh, Armando, mori revolverin dhe me dorezë e goditi prapa koke atë që ishte në timon dhe e la pa ndjenja. Bashkë me Qorrin zbritën dhe i flakën përjashta trupat e të plagosurve dhe frynë nga sytë këmbët.

I plagosuri me thikë vdiq në spital. Tjetri,Ismeti, doli nga rreziku për jetën. E kishte marrë veten. E keqja është se na njihnin dhe i njihnim.

U bëmë me hasm.Dhe dihet, hasmërise i ke borxh jetën! Kapo dhe Qorri morën arratinë. As ne se dinim ku ishin.

 

2 prill

Vrasja sjell vrasjen, gjaku lahet me gjak! Banda e Dibranëve që s’i binte dot në gjurmë kapos,ditën më drekë i vrau nipin, Sokolin, kur ishte duke shërbyer prapa banakut të lokalit.Pa faj, tek je tek jam. Eh ç’ djalë që ishte!Shihte punën e tij, si binte qafës askujt. U pikëllua i madh e i vogël kur e morën vesh. Për në varrim u shkul gjithë qyteti. Mu dhimbs i ati që ishte bërë një grusht.

10 qershor.

Nga shoqëria jonë,pas arratisë së Armandos dhe Qorrit, mbetëm ne të katër:Unë, Buzaçi,  Çalamani dhe Lola. Rronim me ato që na gjëndeshin mënjanë, por edhe me ca gjëra të vogla. Bashkë me Buzaçin bastisëm një argjendari në qytetin N. pa ndonjë zor. Ishte vetëm një grua që u lemeris kur na pa të maskuar dhe revolver në dorë. Tok me Çalamanin,  edhe një agjensi këmbimi valuator ne P. Ç’ka, nuk na doli keq!

Makinës ja ndrronim targat. Përdornim herë njerën e herë tjetrën. Njeriu ynë në polici na paralajmëroj: kujdes!  Na kishin rënë në gjurmë…..

Kapo u kthye. U faneps si hije, si fantazmë. Sefte, as ne se morëm vesh. Fill i vetëm, si i thonë tek pullë, i zuri pritë Ismetit te dera e shtëpisë, kur se priste dhe, e bëri shosh me automatik. Hak pa marrë e gjak pa larë nuk jet!Le të qante nëna e tij ashtu siç qau edhe e ëma e Sokolit. Ne s’e takuam. Thanë se u hodh në Itali.

20 korrik

Ditë të frikshme e me rrezik.Na ndiqnin si zagari lepurin,ne ishim të ndjekurit por edhe ndjekësit, herë lepuri e herë zagari.Dy duar për një kokë.Ose ne ose ata.Këtu kishte arritur puna.Sot, Lola nguli këmbë të shkonim në plazh. Përvëlonte vapa sa s’durohej, ufma të merrte frymën.Ishim të tre:Unë, Buzaçi dhe Lola,Çalamani nuk deshi të vinte. Unë në timon, Lola krah meje në vend të parë, Buzaçi prapa. Kur dolëm në rrugë të madhe, pashë në pasqyrë që na ishte vënë prapa një motorr. Ngadalësova shpejtësinë që të na parakalonin.I dyti që ishte prapa, na lëshoi një breshëri nga automatiku Skorpions dhe fluturoi me shpejtësi skëterre. Ndjeva një të fshikur  në supin e djathtë si të ishte hekur i skuqur, teksa Lola u gremis mbi xham e mbuluar nga gjaku. Plumbi e kishte marrë në gjoks.Mezi fliste, nisi t’i dilte gjak e shkumë  nga goja. Nuk fliste ,më shihte si të lutej e donte shpëtim. Në sy i dukej llahtaria. Aq gjë e dija, i kishin goditur mushkritë. E shtriva në ndenjësen e prasme dhe u mundova ti ndaloja gjakrrjedhjen. Timonin e mori Buzaçi dhe me tërë shpejtësin u kthyem për në spital. Ende pa hyrë në spital, Lola dha shpirt në krahët e mi.

Mu hap dheu ndën këmbë, mbi krye mu përmbys qielli,botën e mbuloi terri.Ah Lola e dashur! Se dija që e kisha dashur aq shumë….E lashë në morg. S’isha në vete dhe s’dija nga të shkoja.

Ata ishin të maskuar, por unë e di se nga na erdhën plumbat.Nga thellë shpirtit më ushtonte një thirrje:hakmarrje, hakmarje……

10 gusht.

Ah Lola, dashuria ime.Hakun ta mora. Duhet që të vdisje që ta kuptoja sa shumë më mungon e sa shumë të desha. Ç’të bëj, nga t’ja mbaj, ku të mbytem? Në Itali e kam të ndaluar, por edhe gjetk, jam i skeduar nga interpoli, këtu në kërkim nga policia.Ngado që ta shohësh ,jam i mbaruar. I pa pranueshëm në vende të tjerë, si i huaj në vendin tim. Gjithë shtigjet janë zënë.S’ka më kthim prapa……

Këtu përfundonte ditari.

Nga ai lexim, që ishte si një rrëfim, hetuesi ,nga mënyra e të shkruarit dhe gjuha e përdorur, kuptoj se i arrestuari ishte i arsimuar.Pa shih ç’na ishte! Kishin edhe njeriun e tyre në polici!Kush mund të ishte vallë?Ja edhe një enigmë që duhej çbiruar.

Vdekje aksidentale apo vetvrasje? Nuk dinte ta thoshte, u takonte ekspertëve dhe psikologut.

Sido qoftë, u ndje i lehtësuar. Edhe një më pak. Banditët po i hanin kokat njeri-tjetrit.

Në atë ditar,banditi, pa e ditur, u kishte bërë një shërbim. Ishin zbardhur ngjarje që policia nuk kishte arritur ende të zbulonte autorësitë.

Tiranë, nëntor-dhjetor 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok