08/11/2024

E DI SE NUK MË KE TRADHËTUAR…

0

(Mbresa nga leximi i romanit “Kolerë në kohë dashurie” të shkrimtarit Namik Dokle)

NGA REXHEP SHAHU

Shkrimtarin Namik Dokle e kam nderuar se ka ardhë me deshirë në gjithë veprimtaritë promovuese e pelegrinazhet që kam organizuar me shkrimtarët për shkrimtarët e pushkatuar e të varur. E kam ndjekë dhe ia kam lexuar edhe dy nga romanet e mëparshme që më kanë pëlqyer. Kujtoj ftohtësinë që më shkaktoi kufiri që na ndante me botën e me veten, kufiri ku vrisnim veten, kujtoj damllën e dashurisë që nuk dinte t’i jepte zgjidhje as ta shëronte shteti…, por Kolera në kohë dashurie është diçka tjetër, shumë tjetër në cilësi e madhështi. Është roman që trajton kryetemën tonë diktaturën, krimet e saj që kullojnë gjak e dhimbje, raportin e saj me të sotmen, kthetrat e saj në të sotmën, pushtetin e saj në të sotmën, kufirin e saj me të sotmen, pushkatimin e përhershëm të shkrimtarëve me plumba, me litar, me prerje gjuhe, me uri, me dëbim… zgjatimin e hijes së djeshme dhe ecjen tonë mbi atë hije të frikshme të vdekjes…

Romani Kolerë në kohë dashurie është një pasqyrë e madhe që shkrimtari ia vë përballë gjithkujt dhe pasqyra kur sheh dikënd troshitet e bëhet copë copë, kur sheh dikënd tjetër nxihet, kur sheh dikënd tjetër nxjerr zjarr dhe e djeg atë që guxon të shihet në pasqyrë…

Unë nuk jam ndonjë lexues i thekur librash në vitet e fundit për shkak se gjithë kohën e leximit ma han përgatitja e illz, revistë letrare e Tiranës. Duke përgatitë atë revistë dy mujore jam i detyruar të lexoj herë me shumë vemendje e herë me pak, fragmente letërsie të zgjedhur nga mbi 30 autorë në muaj ose mbi 70 autorë në dy muaj.

Por librin Kolerë në kohë dashurie e lexova se nuk munda ta lë në mes, nuk më la ta lija në mes as nuk më la ta shfletoja apo lexoja përciptazi. Sepse doja domosdo që Antigona ta thërriste Valmirin kur të lindte vajza e tyre, doja ta dija, e ta mësoja a e thërriti Valmirin të dashurin e saj të dielltë, që fati pa ngjyrë e deshi të ishte djali i një prokurori të kohës së diktaturës edhe përdhunues që ia kishte dhënë plumbin e fundit poetit të pushkatuar – dajës së Antigonës, eshtrat e të cilit ajo i kërkoi ngado në atë fshat të largët, “ku lindin burra që u zbardhen flokët që kur janë fëmijë dhe shikojnë natën më mirë se ditën”, bashkë me Valmirin, djalin e pafaj të prokurorit që i kishte dhënë mësuesit poet plumbin e fundit të sigurisë… Doja ta shihja domosdo a do ta mbyste kolera dashurinë apo do të mbijetonte e fitonte dashuria.

Pasi e lexova këtë libër fillova ta besoj vertetë atë thënien që thotë  se historinë e vërtetë të nje kombi, të një kohe, të një epokë më mirë se kushdo e shkruan letërsia e shkruajnë shkrimtarët.

Kolerë në kohë dashurie është historia jonë e shkruar me guxim nga një njeri intelektual që në gjysmën e gjysmëshekullit që skanon ka qenë aktor i trupës së parë dhe ka gjetë fuqinë e guximin ta shohë në sy kohën e tij, ne dhe veten e tij, të na rrëfejë anën tjetër tonën të pandritshme, të pandershme, të palavdishme, të padinjitetshme, të pistë dhe të qëndrojë vetë dinjitetshëm në skenë duke na lënë ne ta themi veten, ta flasim vetën, ta pështyjmë apo puthim veten.

Pezull qëndrojnë mijëra pyetje që shkrimtari i lë si shigjeta futur në çantën e shpinës së secilit prej nesh që të na sherbejnë ne për të qëlluar e vrarë frikën që na e fsheh të vertetën tonë, të vërtetën e secilit prej nesh. Namik Dokle nuk është më në fronin e politikanit në këtë libër, e ka heqë atë petk që ia hedhin në supe vetëm kur botohet e promovohet libri që ta blejnë militantët dhe fansat e tij të politikës. Me këtë roman Namik Dokle do të fitojë lexues letërsie jo thjeshtë blerës libri.

Librin ma dhuroi me një dedikim prekës: R. Sh me mirënjohje për organizimin e pelegrinazheve të shkrimtarëve në shtëpitë e poetëve të varur e të pushkatuar, evente këto që i dhanë një dimension tjetër romanit Kolerë në kohë dashurie. Mirënjohja prek gjithmonë çdo shpirt.

U ndjeva i nderuar, i vlerësuar i përkëdhelur dhe i çmova më shumë pelegrinazhet e shkrimtarëve që kam organizuar për në shtëpitë e poetëve të varur e të pushkatuar nga partia, Havzi Nela, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka e Gjergj Fishta, me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, veprimtari që u ndërprenë nga pandemia Covid 19, por që besojmë do të vazhdojnë. I gjeta në libër poetët në fjalë dhe ky roman në fakt është romani i poetëve të pushkatuar. Jehona e plumbave dhe fjalëve të tyre fërshëllejnë e feshferijnë. Mëkati ynë na ka vënë përballë vetes dhe secili është i shtangur, secili pyet veten, po unë, ku isha unë, çfarë bëra unë, si u gjenda unë, a mund t’ia tregoj veten diellit, a mund të jemi krenarë para pasardhësve për dënimin e dytë të Homerit. Herën e parë e dëuan me vërbim Homerin, e bënë të verbër por ai ashtu i verbër e trandi botën e shpirtin, herën e dytë e dënuan me prerje gjuhe… për të vazhduar me prerje jete me breshëri plumbash e me prerje koke me litar në qafë…

Ky është romani i turpit dhe i dinjitetit siç e shoh dhe lexoj unë, pasi njëqindmijë në e lexofshin njëqind mijë lexime të ndryshme do të ketë. Është ftesa për të luajtë secili aktin e fundit të dramës së tij para vetes së tij, para fëmijëve të tij, para të dashurve të tij. Është ai akt ku nga thellësia e skenës secili duhet të presë të dëgjojë zërin e kohës që jetoi e t’i thotë, e di se nuk më ke tradhëtuar, ose e di se më ke tradhëtuar…

Ky roman është bulevardi i kohës tonë ku shumkush do ta shohë domosdo diku vetën të dinjitetshme ose të padinjitetshme. Shëmtia ka ra si mjegull e nuk na lë me e pa njëri – tjetrin. Por kur shihemi ashtu nëpër mjegull a do t’i rrimë përballë njëri – tjetrit apo do t’i ikim njëri – tjetrit si prej kolerës.

Me rrëmbim, me ngut e nxitim, jo rrallë me stil kronike, si ajo e 33 evgjitëve që hoqen monumentin e komandantit…, apo si rrëfimi tronditës kur udhëheqja donte të pushkatohej edhe ndonjë hoxhë e jo vetem priftërij dhe vjen përfundimi fatal apo kronika telegrafike kur u pushkatua një klerik kryefamiljar i një familje të madhe “…hoxhë deshe, hoxhë të solla…”, stil që nuk jep kohë për zhytje në meditime, parakalojmë secili para syve të vetes, shohim e prekim me dorë veten, a jam vertetë unë që po lexoj apo unë po lexohem.

Ky është një libër ku uni sheh unin e tij, ku njeriu i kësaj kohe sheh veten në vrellën e jetës  dhe endet sa në të djeshmën sa në të sotmen, sa tek vetja fajtor, sa te vetja viktimë, pa marrë guxim e kurajo të qëndrojë drejt, t’i qëndrojë vetes përballë duke i kërkuar ndjesë vetes e tjetrit dhe duke dalë në dritë pa u fshehur kurrë më prej askujt as nga vetja pasi askush nuk mund të jetë gjithmonë peng i askujt, askush nuk mund të jetë gjithmonë peng i dhunës, peng  i frikës as peng i nderit.

Shpëtimi i të sotmes, mbajta pastër e të sotmes, ruajtja e të sotmes në emër të së ardhmes janë punët tona të nderit e dinjitetit. Por metastazat e të djeshmes komuniste, metastazat e zyrtarit përdhunues, denigrues, linçues zgjaten e mbijnë në trupin e të sotmes dhe nuk e lënë të ngreje krye e të rritet e dinjitetshme.

Nga pasazhet më të bukura e tronditëse te Kolerës në kohë dashurie janë zgjatimet e të djeshmes kriminale të shfaqura në të sotmen me petka OJQ apo OJF “që të afrojnë dy dëshmorë për një ish të arratisur a të pëndjekur politik…”. Denoncuesit, përsekutoret e lincuesit e djeshëm sot fryhen me fonde për ta anatemuar të kaluarën e për të shpëtuar prej saj. Ironi e rëndë e kohës tonë. Burri i kurshërirës së Justinës, nënës së Antigonës, motrës së poetit të pushkatuar, instruktor i komitetit të partisë ulëret e pisket dhe urdhëron në mes të sallës së koncerteve Antigonën fëmijë të talentuar “Zbrit nga skena… nuk mund t’i këndojë socializmit mbesa e një të pushkatuari…” Ky burrë kurshërire instruktor i komitetit të partisë në diktaturë, në demokraci mbllacit fonde ngamos si drejtues OJQ për të nderuar e kujtuar poetin e pushkatuar, mbesën e të cilit e zbriti nga skena e koncertit e nga skena e jetës dhe motrën e të cilit e lëçiti si armike në atë kohë kur “jeta shtërngonte mes thumbit e patkoit”, kur “të afërmit rrinin larg e të largëtit nuk afroheshin…

Dhunuesit e djeshëm instruktorë komitetesh partie, zyrtarë të organeve të dhunës, propagandues të zellshëm e më përbindsha se diktatori vetë, eksponentë të drejtësisë më duar lyer me gjak, të zhytur deri në brryla në krime e mëkat, ngërdheshën sot dhe rendin të zënë fronet, të blejnë poste, t’u hyjnë në bythë e në gji partive politike që shpesh janë streha mëkatarësh, të shesin gjithçka për pak poste, të munden ta fshehin ose ta blejnë pa sukses me çdo çmim të kaluarën e tyre të turpit, derdhin mjegullën e harrrimit që harresa të mbulojë mëkatet e tyre, të bëhet mal harresa e ata të bëjnë kërdi me tregti e atentate me dosjet e të shkuarës ku fshihet e kaluara e turpshme e shumekujt sa “na vjen marre nga sekretet… na vjen turp pse ulëm kokat dhe nuk i ngritëm sytë të shihnim… që pyesnim veten por nuk morëm kurrë përgjigje… ”. Por “vdekjes, vetes dhe të vertetës nuk mundet me i ikë askush”.

Ky roman është historia apo tragjedia jonë në 3D. Është kaq e vështirë, kaq e egër, kaq poshtruese historia jonë e mbushur me trekëndësha fatalë e trekëmbësha… sa e liga që ia kemi bërë njëri – tjetrit tejkalon çdo përmasë të së ligës.

Namik Dokle me këtë libër ka fuqi ta bëjë lexuesin pjesë të historisë, ka fuqi ta bëjë lexuesin të lexojë veten e tij, jeten e fatin e tij. Kolera e faroi njeriun e jeten e tij, por një syth dashurie mbijetoi. Një syth i pafaj dashurie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok