22/12/2024

Rreth ligjërimit skizofren mbi individin e UÇK-së

0
u6_UCKA

Nga Xhemal Ahmeti

“Ekzistenca i paraprinë esencës” – ma kujtoi një kolege virtuale një ditë postulatin e Sartrit. Këtij definimi i mungon origjina për ta marrë si komplet: Nga doli ekzistenca që është shkaku i ekzistencës për modusin X, Y të qenies për të cilën flasim konkretisht? Po vazhduam zinxhirin kauzal të kësaj pune do t’i ndeshim pellzagët duke ngrënë fli.

Le t’i bëjmë ca eksperimente fare bazike për ta provuar integritetin dhe konsistencën e logjikës sonë:

I.

Nazistët para Gjykatës në Nürnberg nuk dënoheshin vetëm si individë por edhe si përfaqësues të një aparati mizor që organizoi një shtet që ushtronte gjenocid. Vetëm Hitleri mungoi aty ngase vrau veten. Me kohë u dënuan gjithë ata që konsideroheshin si elita e sistemit. Mënyra e ndëshkimit nuk mund të organizohej ndryshe: E para: nuk ftoheshin dot gjithë ata mijëra e miliona gjermanë në gjykatë që ishin me atë pushtet dhe e dyta: ishin këto elita shkaku pse ekzistoi një sistem i tillë. Mos të ishin këta as që do kishte nazizëm.

II.

Komandantët e UÇK nga Specialja dënohen si individë e jo si organizues të rezistencës për mbrojtje të vendit të tyre. Vetëm edhe Adem Jashari mungon ngase e ekzekutuan serbët me fëmijë, gra e tokë. Mënyra e ndëshkimit ndodhë kështu ngase nuk penalizohen gjithë ata ushtarë të thjeshtë që kanë mundur të kenë bërë krime: ishin këto elita që shkaktuan rezistencën. Mos të ishin këta nuk do bëhej luftë dhe nuk do ikte këmbekrye askush. Mos të ishin pra këta s’do të kishte UÇK.

III.

Çka nuk shkon ndërmjet këtyre dy rrëfimeve?

Nuk e dënoje dot nazizmin si dukuri pa penalizuar elitat e saja. Nuk i ndëshkoje dot krimet e saja pa nxjerr para gjyqit organizatorët e nazizmit si sistem. Tjerët duhej denazifikuar si viktima të sistemit.

Nuk e penalizon UÇK-në duke dënuar ata që ikën dhe ata që rrinin maleve për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt, por duke u bërë gjyqin gjithë atyre që e organizuan atë. Pa ta nuk do kishte UÇK. Pa shkakun s’do ishte pasoja apo?

IV.

Përkrahësit e Gjykatës speciale nuk mund t’i kenë të dyja: edhe të kërkojnë dënimin e gjithë atyre që bënë UÇK-në dhe njëkohësisht të flasin se nuk ndodhëka gjyqi ndaj luftës së shqiptarëve por ndaj individëve. Sa individëve? Gjithë atyre që organizuan luftën. Njeriu i thjeshtë o ecte pas o ikte o shikonte televizor në botën e jashtme. Pa këta individë (kush mbeti jashtë – ata që nuk luftuan por që defilonin me uniforma maleve ku nuk ishin serbët?) s’do kishte UÇK. Le të bëhen transparentë dhe le të thonë se ndihen të vetmuar e të lënë në baltë pas ikjes së pushtetit të huaj nga aty dhe nuk dalin kaq qesharak. Ky u del si thelbi i ligjërimit të tyre. Gjithçka tjetër nuk është logjike. Komandantët nuk gjykohen se kanë bërë politikë të keqe pas luftës por për “krime gjatë luftës”.

Pastaj krimi në luftë: nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e njerëzimit të dënohet për krime lufte (në luftë vriten njerëz – bëhet krim ndaj jetës, nuk vallëzohet) një ushtri e cila luftonte në mbrojtje nga dhuna e huaj. Nëse po dënoheshin shkaktuesit e luftës për asgjësimin e tyre. Në Kosovë ndodhë ndryshe. Me përkrahje të madhe të brendshme.

Kush janë këta? Ata që vuajnë nga mungesa e Serbisë? Apo nga paranoja tjera? Nuk e dimë. Një gjë është e sigurt: Kosova është vendi i vetëm në botë me një shumicë modeste që u jep përkrahjen “morale”, teknike dhe politike gjyqeve të tilla.

Me një fjalë kemi të bëjmë me skizofrenë të atij tipit religjioz që jetonë sipas motos: Zoti ka bërë dhe ka determinuar gjithçka, mirëpo për derrat dhe lepujt s’është përgjegjës ai, ngase këta janë individë.

V.

Kështu duket “logjika” e të frustruarëve me lirinë e tyre. Ndërkaq Gjykata Speciale është e padrejtë, ahistorike dhe krim ndaj të drejtës së një populli për të mbrojtur veten nga gjenocidi.

Është absurd, është rrëfim defekt qëndrimi që thotë se nuk shpallet UÇK kriminele nëse nuk gjykohen gjithë autorët e saj ngase janë individë. Absurd që vetëm mentalitete të veçanta mund ta pjellin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok