10/11/2024

Rrënjët pagane të 14 Shkurtit, Ditës së të Dashuruarve, ditës së Shën Valentinit

0

Nga Albert Vataj

Do t’ju falet nëse mendoni se 14 Shkurti i ka rrënjët në besimin e krishterë, dhe ditës që ju atribuua Shën Valentinit, një prift që jetoi gjatë shekullit të tretë pas Krishtit, i cili kishte kryer martesa klandestine, duke mos iu bindur drejtpërdrejt urdhrave të perandorit romak Klaudi II, i cili kohët e fundit i kishte nxjerrë jashtë ligjit. Për “krimin” e tij të mosbindjes ndaj autoritetit ligjor perandorak, Valentini u rrah keqas dhe më pas i’u pre koka. Megjithatë, shumë historianë besojnë se dita e ka origjinën nga festivali pagan romak i pjellorisë, i quajtur Lupercalia, një ngjarje e mbushur me sakrifica kafshësh, bashkime të rastësishme dashuror dhe fshikullimi i grave. Ato goditeshin me kamxhik nga burra të zhveshur që vraponin nëpër rrugët e Romës. Pse? Romakët besonin se “tanga”, lekura e flijimeve të zhytura në gjak, përdornin burrat për të fshikulluar gratë që t’i bënin gratë më pjellore, ndërsa do t’i bekonin gratë shtatzëna me dhuratën e një lindjeje të lehtë.

Lupercalia ishte një festë e madhe në kalendarin romak dhe përkujtohej çdo vit më 15 shkurt. Ajo mbahej për nder të perëndive Faunus dhe Lupercus, perënditë e bujqësisë dhe pjellorisë. Ajo nderoi gjithashtu themeluesit mitologjike të Romës, Romulus dhe Remus.

Në mëngjes e asaj dite, priftërinjtë e Lupercus, të njohur si Luperci, u mblodhën në shpellën Lupercal, vendi ku thuhet se foshnjat Romulus dhe Remus, ishin rritur nën përkujdesin e një ujku. Shpella shtrihej në rrëzë të kodrës Palantine, vendi ku besohej se vëllezërit kishin themeluar Romën.

Në një shërbesë të pjellorisë, për shkak se Lupercus ishte një zot i barinjve, dy dhi meshkuj flijoheshin në shpellë. Kjo u pasua nga sakrifica e një qeni, për të përfaqësuar pastrimin, sepse qentë shpesh ruajnë kopetë. Gjaku i marrë nga thika e flijimit lyente më pas ballin e dy Lupercitëve të zhveshur. Thika pastrohej me një copë leshi të njomur me qumësht. Historianët kanë sugjeruar se ky ritual është arsyeja pse Dita e Shën Valentinit lidhet me ngjyrat e kuqe dhe të bardhë. Sipas tyre, e kuqja përfaqëson gjakun nga sakrificat, ndërsa e bardha përfaqëson qumështin në lesh që fshin thikën të pastër, duke nënkuptuar një jetë të re.

Pas këtij rituali, ndiqte gostia dhe pasi stomaku mbushej, Lupercit prenin shirita nga dhitë e flijuara të quajtura “tanga” dhe i zhytën ato në gjakun e kurbanit. Më pas, Lupercit vraponin lakuriq nëpër rrugët e Romës, duke qëlluar me kamxhik çdo grua pjesëmarrëse në këtë ritual, që ishte në një distancë goditëse. Shumë prej tyre i mirëprisnin goditjet me kamxhik, duke zbuluar shpesh lëkurën e zhveshur për t’iu ofruar këtij fshikullimi që garantonte mbetjen shtatzënë. Romakët besonin se tanga do t’i bënte gratë pa fëmijë më pjellore, ndërsa do t’i bekonin gratë shtatzëna me dhuratën e një lindjeje të lehtë.

Një zakon tjetër gjatë Lupercalia ishte çiftimi i djemve dhe vajzave të reja romake. Në një moment gjatë festivalit, emrat e vajzave të reja shkruheshin në copa letre dhe futeshin në një kavanoz. Çdo i ri nxirrte më pas emrin e një vajze nga kavanozi,duke fituar kështu të drejtën të kishte një partnere të rastësishme. Partnerët e dalë nga ky short do të çiftoheshin së bashku, për kohëzgjatjen e Lupercalia. Shumë nga kjo lidhje ishin të detyruar të qëndruan së bashku, deri në festivalin e vitit të ardhshëm, disa madje ranë në dashuri dhe u martuan.

Ndërsa krishterimi përfshiu anembanë globin, shumë tradita pagane u përvetësuan dhe u përshtatën në besimin e krishterë, ndoshta edhe duke bërë lëshime nga autoritetet fetare për arsye të shtimit të besimtarëve nën tutelën e bindjes shpirtërore.

“Lupercalia ishte padyshim një gjë shumë e njohur, madje edhe në një mjedis ku të krishterët [të lashtë] po përpiqen ta mbyllin atë”, shton Noel Lenski, profesor i Klasikëve dhe Historisë në Yale, në një intervistë me NPR. “Kështu që ka arsye për të menduar se të krishterët në vend të kësaj mund të kenë thënë, OK, ne thjesht do ta quajmë këtë një festë të krishterë.”

Në shekullin e pestë pas Krishtit, Papa Gelasius I, ndaloi Lupercalia dhe në vitin 496 pas Krishtit, Kisha Katolike e shpalli 14 shkurtin një ditë për festën dhe festimin e jetës së Shën Valentinit martir, që thuhet se ishte ekzekutuar më 14 shkurt 269 pas Krishtit.

Me mbi 10,800 shenjtorë dhe shumë Shën Valentin, nuk dihet zyrtarisht nëse historitë për Shën Valentinin ishin për një burrë apo disa burra të shkrirë së bashku. Besimi më popullor thotë se ai ishte një prift në Perandorinë Romake gjatë shekullit të tretë pas Krishtit, i ekzekutuar nën komandën e Klaudius II për kryerjen e martesave në fshehtësi pasi perandori i kishte nxjerrë ato jashtë ligjit.

Historia thotë gjithashtu se ndërsa priste fatin e tij në burg, ai ra në dashuri me vajzën e rojtarit të burgut. Pas përfundimit të dënimit të tij, Valentini supozohet se i ka lënë një shënim lamtumire zonjës së re të nënshkruar “Nga Shën Valentini juaj”.

Më pas ai doli nga burgu dhe eci drejt qëllimit më joromantik – vdekjes nga rrahja dhe prerja e kokës.

Ndërsa ne mund të mos e dimë kurrë të vërtetën e plotë për origjinën e Shën Valentinit, historitë rreth tij theksojnë të gjitha atributet e tij, si një figurë heroike dhe potencialisht romantike. “Mund të jetë një shpjegim i përshtatshëm për një version të krishterë, të asaj që ndodhi në Lupercalia,” thotë Lenski.

Megjithatë, lidhja e drejtpërdrejtë e 14 shkurtit me romantizmin e hapur dhe deklaratat e dashurisë, duket se nuk ka filluar deri në më shumë se një mijë vjet më vonë, përafërsisht gjatë Mesjetës. Poeti i famshëm anglez i shekullit të katërmbëdhjetë, Geoffrey Chaucer, autor i “The Canterbury Tales”, shpesh vlerësohet si njeriu që bëri lidhjen. Në atë kohë besohej se zogjtë evropianë filluan të çiftoheshin në mes të shkurtit, konkretisht rreth datës 14.

Geoffrey Chaucer (rreth 1340-1400) shkroi “Parlement of Foules”, (Parlamenti i Zogjve) ose Asambleja e shpendëve, poezinë e përbërë nga rreth 700 rreshta, duke bërë kështu një nga referencat më të hershme që Dita e Shën Valentinit ishte një ditë për ata që janë të dashuruar.

Poetë të tjerë ndoqën drejtimin e tij, duke përfshirë Shekspirin. Romantikët ritreguan historinë, duke e kthyer ditën në një ditë të përkushtimit, dashurisë dhe miqësisë. Që atëherë e tutje duket se të dashuruarit nisën t’u dërgojnë shënime romantike të dashurave të tyre në ditën e Shën Valentinit.

Industrializimi gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë i bëri gjërat edhe më të lehta për çiftet e goditura nga dashuria, me prodhimin masiv të kartave të ilustruara romantike. Rrënjët pagane të asaj kohe ishin ende shumë të shfaqura dhe mjaft popullore, madje sinjifikative, me imazhet e Cupidit, perëndisë romake të dëshirës dhe dashurisë, që shpesh zbukuron ofertat, suveniret, dhuratat dhe dekoret festive të kësaj dite.

Nga: history.co.uk

Përgatiti: Albert Vataj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok